XX

64 30 2
                                    

Dita e madhe, siç Blasteri do ta kishte quajtur, sapo kishte mbërritur. Predha e hatashme dhe e paimagjinueshme në dëmin që do të shkaktonte, më në fund do të hidhej. Nuk kishin kaluar më tepër se disa orë që kur gjithçka filloi të ndodhte, por dukej si një përjetësi. Edhe për Blasterin që mezi priste të arrinte fitoren, edhe për Glein që donte medoemos të shpëtonte që aty, edhe për gjashtë të ngecurit në trekëndëshin e Bermudës. Mirëpo askush nuk dinte asgjë për njëri-tjetrin. Të gjithë ishin vetëm.

E kyçur në tjetër vend tashmë, kishte një plan. Nëse arrinin që të eleminonin Blasterin, gjithçka tjetër do të bëhej më e lehtë. Dëgjoi zhurmën e përpjekjeve për hapjen e derës nga jashtë. Buzëqeshi lehtë. Tani do të fillonte gjithçka.

Më parë

-Eja me mua, Glei, -i zgjati dorën që ta ndihmonte të ngrihej. -Mund t'i hapësh sytë tani, s'ka asnjë në dhomë përveç nesh.

I dha fund aktrimit dhe hapi sytë. Ngriti kokën lart dhe vuri re dorën e zgjatur shumë afër saj. Pa hezitim e kapi dhe u ngrit.

-Si ta di unë që duhet të të besoj ty? -e pyeti pa e zgjatur shumë. Duhet ta mësonte menjëherë gjithçka që i duhej të dinte. Nuk kishte aspak kohë.

-Unë nuk të spiunova te Blasteri, dhe tani po përpiqem të të ndihmoj, -u justifikua ai. Por në të vërtetë nuk i vinte faj. E kuptonte se pse ajo nuk kishte besim.

-Kjo nuk është e mjaftueshme. Nga ta di unë se ç'mund të kesh planifikuar ti?-fliste ftohtë dhe shpejt.

-Epo, besoj se nuk ke asnjë zgjidhje tjetër, Glei. Duhet të zgjedhësh, t'i besosh asaj që unë kam planifikuar, apo të lidhesh pas asaj predhe duke shënuar kështu edhe fundin e jetës tënde. Dhe nuk ke shumë kohë për t'u menduar, -ajo ngrysi vetullat dhe e pa në sy.

-Po më kërcënon gjë ti?-i tha.

-Aspak, dua vetëm të të prezantoj me situatën në të cilën ndodhesh. Unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë pranë Simonit. Nëse edhe ti je me të, kjo do të thotë se je me mua. Nuk mund të bësh asgjë tjetër në këtë situatë, Glei.

-Mos më thirr në emër. Më acaron, -tha si për të dalë nga situata.

-Duhet të vendosësh, -e rikujtoi ai. -Mos harro, çdo sekondë mund të na vlejë.

Ajo hezitoi një moment. Në kokë po bënte analizën e të gjitha ngjarjeve që kishin ndodhur. Në mendjen e saj, çdokush bëhej herë-herë personazh pozitiv, e herë-herë antagonist. Por, a ka me të vërtetë një antagonist? Apo çdokush mendon se ka të drejtë, dhe në raport me veten, ka të drejtë gjithmonë? Dhe nëse secili ka të drejtë sipas këndvështrimit të tij, a ekziston një këndvështrim i gabuar? A ekziston një personazh negativ?

-Cili është plani yt? -vendosi më në fund të thoshte. Fundja, nuk kishte asgjë për të humbur.

-Blasteri vuan nga një epilepsi e rëndë, dhe i ndalohet rreptësisht alkooli dhe droga. Megjithatë, nuk mund të lejojmë një të çmendur të shfarosë vetëm nga traumat e së shkuarës, gjithë Amerikën e Mesme. Kështu që kam filluar së fundmi t'i shtoj doza të lehta drogërash dhe alkooli në axhendën e tij ushqimore. Natyrisht, pa dijeninë e tij. Gota e verës ishte vetëm një vërtetim për eksperimentin tim. Diçka që të më tregonte se do të funksiononte. Ai nuk do të mundet të dëshmojë hedhjen e predhës, pasi, sipas llogaritjeve të mia, do të humbasë ndjenjat para nisjes së saj. Ti duhet të rrish e mbyllur në vendin ku njerëzit e Blasterit do të vendosin. Mirëpo ajo që ata nuk do e kuptojnë, është se përveç se ata do të të kyçin nga jashtë, ti do të kyçësh veten nga brenda, -nxorri nga xhepi dy çelësa të madhësive të ndryshme dhe ia zgjati që ajo t'i merrte. -Kështu nuk do të mund të të nxjerrin ditën e nesërme.

-Nuk hapet! -u dëgjua nga jashtë dhomës. -Diçka ka ngecur! Njoftoni profesor Blasterin se nuk mund ta nxjerrim, -e gjithë zhurma e krijuar përfundoi për shumë pak sekonda. Tashmë ishte sërish vetëm. Jo për shumë kohë, por kur të dilte, gjërat do të ishin më mirë.

-Çfarë do të thotë se nuk hapet? -i xhindosur, Blasteri vrapoi për në dhomë dhe u mundua ta hapte. Të gjithë kyçet e jashtëm ishin hapur, por dera nuk hapej, si të kishte diçka që e mbante me forcë nga brenda.

-Është e pamundur të ketë vendosur diçka pas dere. Nuk do të ishte aq e fortë. -u drejtua nga dera. -Mos mendo se do t'ia hedhësh paq, zonjushë. Jeni shumë e re dhe pa eksperiencë për të ma hedhur. Ashtu si babai yt dhe miqtë e tu, nxënësit e mi të dashur, fundi do të vijë shumë shpejt edhe për ty. Anija ka më pak se tre orë që është nisur, por me siguri tani ndodhen brenda zonës së trekëndëshit. Nëse janë pak me fat, ndoshta nuk janë zhdukur ende,por çdo sekondë që kalon, na çon më tepër humbjes përgjithmonë të tyre. Shijoji minutat e tua të fundit, pra, Glei. E guximshme nga ana jote, edhe pse pa kuptim, të mundohesh të gjesh rrugë shpëtimi.

"Ashtu si babai yt dhe miqtë e tu, nxënësit e mi të dashur, fundi do të vijë shumë shpejt edhe për ty. Anija ka më pak se tre orë që është nisur, por me siguri tani ndodhen brenda zonës së trekëndëshit. Nëse janë pak me fat, ndoshta nuk janë zhdukur ende,por çdo sekondë që kalon, na çon më tepër humbjes përgjithmonë të tyre."

Çfarë kishte ndodhur me ta? U ul në dyshemenë e ftohtë të dhomës që të zhyste veten në mendimet më të errëta. Nuk kishte asnjë lajm rreth tyre. Dhe as ata nuk ia kishin idenë ç'bëhej me të. Por e dinte që s'mund të kishin mbetur në anije. Ata ishin të fortë dhe do ia kishin dalë mbanë të dilnin që atje. Dhe për më tepër ishin bashkë. Nuk mund të kishin humbur në këtë sfidë që s'mund të parashikohej. Diçka duhet ta kishin bërë. Duhet. Ishte e sigurt. Kishte nevojë për ta, edhe ata për të. Asgjë që thoshte profesor Blasteri nuk mund të ishte e vërtetë. Kështu duhet të ishte. Ai thjesht ishte duke kënaqur egon e tij. Të gjithë ishin gjallë. Eliseo, Matea, Aria, Alvini, Kenzi, edhe Starku. Të gjithë ishin gjallë. Duhet të ishin. Nuk mund të ndalonte së shpresuari për këtë. Asnjë përveç kësaj nuk mund të ishte e vërtetë. Por fakti që ishte gjallë, kjo duhet të ishte e vërtetë me patjetër.

Nuk u ngrit nga dyshemeja e ftohtë, qëndronte ulur atje me kokën e mbështetur në mur. Mendjen e kishte te ata. Duhet të fliste me patjetër me Xheremin. Vetëm ai mund të dinte diçka rreth tyre. Dhe që të fliste me të duhet të dilte prej aty. E priste me padurim atë moment. Mesa dukej, Blasteri dinte mirë të godiste në pikat e saj të dobëta.

Përsëri qetësi, por kësaj rradhe nuk donte të ishte kështu. Donte të vihej në lëvizje, të bënte diçka me patjetër. Nuk donte të qëndronte ashtu, ndërkohë që gjithçka tjetër ishte duke ndodhur shumë shpejt. Ndoshta asgjë nuk do të kishte ndodhur nëse ajo nuk largohej si e çmendur atë ditë. Por, as për këtë nuk ishte e sigurt. Nuk ishte e sigurt nëse do të donte që asgjë të mos kishte ndodhur. Nuk do ta kishte takuar babain e saj nëse asgjë nuk do të kishte ndodhur.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now