XII

71 31 8
                                    

Më i hutuari nga të gjithë ishte Eliseo. Qëndronte para tyre, por i dukej se ishte vetëm. Dhe shikonte gjithë portretin e personit që kishte përballë, por pa mundur të gjente diçka të përafërt. E shihte sërish, e sërish i dukej shumë larg tij, shumë i akullt, shumë i panjohur. Në mendjen e tij i bënte vetes pyetje nga më të ndryshmet, mundohej të krijonte skenare, por ishte e vështirë. Më e vështirë nga ç'e kishte menduar. Nuk e dinte se ç'po ndodhte. Nga njëra anë, i dukej sikur në atë moment kishte marrë kuptim gjithçka, e nga ana tjetër, ishte pikërisht ky moment ai që e kishte shkatërruar të gjithën.

-Në rregull, një moment shumë i bukur dramatik familjar, por a mund të kthehemi tashmë te çështja për të cilën kemi ardhur? E gjitha kjo do të na shkaktojë dhimbje koke më vonë, -ndërhyri Blasteri. Tashmë dukej shumë më i qetë se më parë.

-Miku im, -personi i veshur me të zeza, babai i Gleit dhe Eliseos, u afrua drejt tij dhe i shtrëngoi dorën. -Mendova se marrëveshja jonë nuk do të ishte e tillë. Glei nuk i donte miqtë e saj këtu.

-Miq? Marrëveshje? Çfarë po ndodh këtu? -tashmë nuk po e kapte fillin e situatës. I njëjti person që i solli deri aty, duke i paralajmëruar për rreziqe dhe telashe , tashmë ishte duke u thirrur mik nga ai që supozohej të ishte armiku.

-Edhe unë kështu mendova Stark, -i thirri në emër. Kjo do të thoshte se Blasteri e dinte gjatë gjithë kohës se pse ishte pikërisht Glei ajo që ai kishte marrë, -më beso. Madje mund të pyesësh fëmijët. Ata vetë më ndoqën deri këtu, kështu që u detyrova t'i marr me vete dhe t'u tregoj të vërtetën, -tashmë iu mbetej vetëm të dëgjonin për të mësuar. Se çfarë do të ndodhte më pas nuk e dinte askush.

-Çfarë të vërtete? Po ti i paske frikësuar për vdekje ata. Çfarë armësh bërthamore po dëgjoj? -çdo gjë ishte konfuze. Asgjë nuk ishte e qartë, dhe të vetmit aty që ishin duke e ruajtur qetësinë, ishin shkencëtari dhe profesori të vënë përballë njëri-tjetrit.

-Ah, miku im, harrova të të shpjegoja një detaj të vogël fare kur filluam bashkëpunimin tonë, -bëri disa hapa pas dhe buzëqeshi dinakërisht. -Nuk më ka pëlqyer kurrë se si qeveria amerikane nuk më vlerësoi asnjëherë punën e madhe me eksperimentet e mia shkencore. Nuk e vlerësuan kurrë mundin dhe djersën që harxhova për t'i dhënë jetë shumë projekteve të mbetura vetëm në letër. Thanë se të gjitha ishin dështime, se nuk ia vlente të punoje me to, të kujtohet? Ne ishim kolegë shumë të mirë, miku im, Stark. Por mes nesh gjithmonë do të qëndronte një barrierë e madhe, diçka që na ndante dhe na dallonte nga njëri-tjetri. Ti gjithmonë ishe i suksesshëm, i dashur nga të gjithë, të gjithë të admironin. Ndërsa unë dështoja, dështoja dhe duartrokisja vetëm për suksesin tënd, ndërkohë që ti me ironi më thoshe të mos mërzitesha, se do të kisha mundësi të tjera. Por çdo mundësi që më jepej o mik, përfundonte po njësoj. Nuk mund të vazhdohej kështu, ti e di shumë mirë. Kështu që pa dyshim, do të filloja të punoja në fshehtësi, por për t'iu dhënë një mësim të mirë të gjithëve. Për t'ju treguar të gjithëve se shkencëtari Blaster kurrë nuk ka qenë një dështim, por në të vërtetë asnjë s'ia ka ditur vlerën. E ku ka mënyrë më të mirë për ta bërë këtë, se krijimi i armëve bërthamore? Jetë e thjeshtë si profesor gjeografie? Aktivist për mbrojtjen e natyrës? -ktheu kokën në drejtim të Mateas dhe të tjerëve. -Më duhet ta pranoj, në fakt, ishin ide interesante. Dhe që natyrisht më kanë shërbyer të fshihem nën petkun e profesor Blasterit të gjeografisë. Aria, meqë ra fjala, prapë më vjen keq të të them se nuk ke kaluar në test, -bëri një fytyrë të shtirur keqardhjeje. Nejse, ku e lamë? Ah, po. Po thosha se doja t'i jepja një mësim të mirë qeverisë amerikane dhe së shpejti do ta bëj. Ju kam treguar të vërtetën, fëmijë. Armët bërthamore tashmë janë gati,- kërciti gishtat dhe një pjesë e murit u hap, aty ndodhej një predhë e përmasave gjigante, ndoshta nga më të mëdhatë që iu kishte parë syri ndonjëherë. -Shikojeni pak sa e bukur që është. Sa e adhurueshme dhe perfekte. Imagjinoni dëmin që mund të bëjë. Si thua, Matea? Sipas njohurive të tua, a arrin të dëmtojë gjithë pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara, apo do të shkojë më tej, duke konkurruar bombën bërthamore të shpërthimit të Hiroshimës gjatë Luftës së Dytë Botërore? Unë them se duhet provuar. Dhe mik, -u kthye në drejtim të Starkut, -faleminderit që i solle të gjashtë këtu me këmbët e tyre. Të mos ishte për ty, do ta kisha shumë të vështirë t'i hiqja qafe, por pa shiko sa e bukur është jeta. Do t'i heq qafe bashkë me ty. Por, mos u shqetëso. Glei më duhet. Ajo do të jetë e sigurt me mua, epo, të paktën për disa kohë, -vuri një maskë gazi ndërkohë që të tjerët filluan të ndiejnë erën e rëndë të tij.

-Anija për të cilën kemi punuar gjatë gjithë kësaj kohe, nuk është aspak një anije e cila mund ta përballojë kalimin përmes zonës misterioze të trekëndëshit të Bermudës. Ishte vetëm një gënjeshtër e madhe, edhe pse më duhet ta them, ishte një punë e mirë. Të punësuarit e mi më thonë se ka dalë një anije si asnjëherë më parë, e fortifikuar, e fuqishme, e padepërtueshme nga asnjë lloj arme apo force. Ku i dihet, ja vlen ta provojmë. Unë gjithmonë kam besuar se pa provuar të gjitha mundësitë, s'mund të jemi të sigurt. Të paktën, kështu më ka thënë një miku im i ngushtë. Anija ndoshta edhe e kalon trekëndëshin, -gjithçka dëgjohej me kumbim, sikur të ishte shumë larg e të jehonte me aq zhurmë, sa mezi kuptohej. Gazi po bënte efektin e tij në mënyrë të shpejtë.

-Puna është që s'kemi dëshmitarë për të na treguar nëse anija e kalon dot apo jo trekëndëshin e magjishëm të Bermudës, -tha me sarkazëm. -Duhet që dikush të na tregojë ç'do të bëhet, nuk mendoni kështu? Ç'të bëjmë?-u afrua në drejtim të tyre. -Si? Dilni vullnetarë? Oh, nxënësit e mi, gjithmonë e kam ditur se mund të mbështetesha te ju. Po, patjetër që mund të hipni në anije. Patjetër, mund të jeni dëshmitarë të rezultateve të anijes, mund edhe të dekoroheni për guximin tuaj në fund, njësoj si herën e parë. Si? Kur do të nisë udhëtimi? E di që jeni të paduruar, e di. Ajo do të niset mëngjesin tjetër, nuk keni pse të shqetësoheni. Faleminderit, nxënësit e mi të dashur. Shumë e sjellshme nga ana juaj! -pas kësaj, kishte vetëm errësirë. Asgjë tjetër. Errësirë dhe qetësi boshe. Një qetësi nga ato që paralajmëronin humbjen. Por asnjëherë nuk i dihej. Ndoshta ishte lloji i qetësisë para stuhisë.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now