X

77 31 4
                                    

Diçka dihej; disa gjëra ishin bërë më të qarta, ndërkohë që disa të tjera sapo kishin ngritur pikëpyetjet mbi kokat e tyre. Glei, shkencëtarët, rrëmbimi i mundshëm, telefonata, profesori i dyshimtë i gjeografisë, epo dukej se gjithçka sapo kishte filluar. Nuk dinin se kujt duhet t'i besonin, por në ato momente Blasteri ishte rruga më e afërt për të shkuar te Glei. Nuk kishin rrugëzgjidhje tjetër.

-Në internet thuhet se jeni ish-shkencëtar. Çfarë do të thotë kjo? -ndodheshin në makinën e tij, kishin pak orë që kishin zbritur nga trageti dhe tashmë ndodheshin në Porto Riko, shumë afër Gleit, por njëkohësisht dhe shumë afër rrezikut që i priste. Në shkollë dhe familjet e tyre, të gjithë mendonin se ata ishin në përgjegjësinë e profesorit të tyre. Ndërkohë që ende mundoheshin të zbulonin sa më shumë rreth Blasterit, pasi për ta ai do të mbetej gjithmonë i dyshimtë.

-Së pari, më pëlqente më shumë kur më drejtoheshit në vetën e dytë njëjës. Së dyti, kam mbaruar shkollën për shkenca natyrore, por disa nga eksperimentet e mia dështuan dhe nuk u pranuan nga qeveria dhe unë hoqa dorë. Në një moment të trishtuar të jetës sime, kuptova se në të vërtetë më pëlqente të kisha një jetë të thjeshtë, pa ndërlikime të tilla si të shkencës. Kështu që iu përkushtova gjeografisë dhe profesionit të mësuesit. Deri në një pikë jeta ime po vazhdonte shkëlqyeshëm, derisa dëgjova për komplotin e tmerrshëm të atyre shkencëtarëve të cilët duan të krijojnë armë bërthamore.

-Si e lejon qeveria këtë? -ai u kollit disa herë para se të përgjigjej.

-Nën petkun e të qenit të specializuar në shkencë, ata i siguruan atyre se eksperimentet që do të kryenin nuk do të kishin aspak dëme në natyrë, për shkak se do të bëheshin në zonën e trekëndëshit të Bermudës. Nuk e di sa i keni dëgjuar lajmet, por flitet për drita të çuditshme që vërehen rreth kësaj zone, që shkaktohen pikërisht nga këto shpërthime.

-E vërtetë,-tha Matea nën zë.

-Të mos lëmë pa përmendur faktin se Fuqitë e Mëdha janë shumë afër një lufte të tretë botërore, dhe qeveria amerikane do të përfitonte tej mase nga këto eksperimente shkencore. Mirëpo çfarë është duke ndodhur në të vërtetë, është shumë më ndryshe nga çfarë tregohet në medie. Shpërthimet e dështuara në oqean dëmtojnë në masë botën e gjallë nënujore, përfshirë këtu rrezikun për zhdukje të disa specieve të rralla, e të mos flasim më pas për ndotjen masive të ajrit. Rreth kësaj zone shpejt mund të përhapet ndonjë epidemi nga ndotja, dhe të tjera pasoja, të cilat, duhet të jesh një adhurues fanatik i natyrës, që t'i kuptosh. Me pak fjalë, duhet të ndalojmë çfarëdo që ata janë duke kurdisur, -në vijim pasoi vetëm qetësi dhe disa vështrime dyshuese të drejtuara nga ai.

-Dëgjoni fëmijë, keni të drejtë që në fillim të keni dyshuar tek unë, gjithkush do ta bënte. Por duhet të më besoni se kam menduar vetëm për të mirën tuaj. Përveç kësaj, asnjëherë s'kam punuar në grup dhe kjo do të ishte diçka e re për mua. Plani im ishte të ndaloja i vetëm atë çfarë ishin duke bërë dhe të ktheja Glein të sigurt midis jush. Por tani që gjërat kanë ndryshuar dhe ju jeni me mua, nuk ka asnjë kuptim të mbajmë të fshehta nga njëri-tjetri. Ju doni të mirën e shoqes suaj, unë dua të mirën e natyrës dhe njerëzimit. Këto arrihen vetëm duke punuar bashkë. Unë do t'i përgjigjem çdo pyetjeje që do të keni, për të zhdukur çdo lloj paqartësie tuajën. Por në të njëjtën kohë, si ju, ashtu edhe unë, kam dyshimet e mia për disa gjëra, prandaj duhet të punojmë bashkë. Rreziku është i madh, dhe nëse nuk besojmë te njëri-tjetri, asgjë nuk mund të bëjmë.

-Si e kuptuat që Glei ndodhet midis tyre? -ai vështroi përtej xhamit të makinës, si për t'u menduar, dhe më pas vështrimin e çoi drejt tyre.

-Nuk e di nëse do të më besoni për këtë, pasi duket si justifikim qesharak, por e vërteta është se më telefonuan. Më thanë se Glei ishte me ta, por duhet të ishte në klubin e gjeografisë, për të mirën e saj. Një mënyrë kjo e nënkuptuar për të thënë se duhet ta mbuloja zhdukjen e saj. Zëri ishte i edituar, numri ishte privat, por ata lanë një gjurmë qëllimisht, në mënyrë që të kuptohej se cilët ishin. "Pavarësisht se sa të paaftë janë sytë tanë për të parë, gjithçka ndodhet aty".

-Prisni një moment, -e ndërpreu Matea. -Kjo është pikërisht çfarë më thanë në një telefonatë të tillë edhe mua.

-Ke marrë edhe ti një telefonatë të tillë?- ajo pohoi me kokë. -E çuditshme. Kërkove në internet se ç'do të thotë shprehja? -ajo ngriti supet në shenjë mohimi. -Është slogani i tyre. Është shumë e çuditshme. Mesa duket, ata duan që ne të jemi aty. Por kjo e rrit rrezikun, sepse pse duhet të zgjidhnin ata që ne të ishim afër tyre, kur ne përbëjmë kërcënim për ta?

-Ndoshta që të na eleminojnë dhe kështu të vazhdojnë të qetë me punën e tyre? -Aria ktheu kokën nga Alvini e tmerruar. Edhe pse ai mund të kishte të drejtë, ajo po e kuptonte vetëm në atë moment.

-Unë nuk e kuptoj pse erdha. Nuk e kuptoj as çfarë dua këtu. Nuk e kuptoj as pse e kam dëgjuar dhe ndjekur Matean që në fillim. Po ne mezi dolëm gjallë nga Pylli i Hënës. Çfarë duam sërish këtu? -njëkohësisht puliste sytë dhe shihte vetullat në një pasqyrë që mbante në dorën e djathtë. Sikur bota të shkatërrohej, asgjë nuk do të vlente sa pamja e jashtme e saj. Shumë që kishin dëgjuar për historinë e tyre, çuditeshin nga fakti se ajo kishte shpëtuar gjallë.

-Asnjë nga ju nuk duhet të ishte këtu, Aria, por tashmë jeni. E vetmja gjë që dua t'ju kërkoj, është të kujdeseni për veten, si dhe të mos bëni gjë pa më thënë. Duhet të bëjmë çdo gjë së bashku. Këta janë ujqër të vjetër, dhe unë kam më shumë eksperiencë me ta, prandaj nuk duhet të rrezikoni. Një pyetje, çfarë u tha në telefonatën tënde, Matea? -ajo në fillim hezitoi, por e dinte se nuk kishte rrugë tjetër.

-Disa shifra, -u përgjigj. -Njëmijë e shtatëdhjetë e pesë, njëzet e pesë. E dini se ç'do të thotë?

-Nuk e di. Por di që ata duan që ne të shkojmë te ata.

-A nuk supozohet të bëjmë të kundërtën e asaj që do armiku? Thjesht po them, -tha Alvini dhe ngriti supet.

-E drejtë, djalosh, por në këtë rast atje brenda ndodhet një person që duhet ta shpëtojmë. Diçka më thotë se Glei nuk është fare mirë; duhet të veprojmë sa më shpejt, -ndaloi një moment dhe hodhi sytë nga Matea. Ajo ndodhej në sediljen e pasme dhe edhe pse me vëmendje të plotë në bisedë, kishte hapur laptopin dhe diçka mundohej të bënte.

-A mund të pyes çfarë po bën? -Matea mbylli ekranin e laptopit dhe sërish hezitoi.

-Po punoj me diçka, -ai bëri me shenjë "në rregull" dhe nuk pyeti më.
-Është një projekt, -shtoi ajo. Do ta kisha përfunduar, nëse nuk do të ishte për ekskursionin dhe zhdukjen e Gleit. Por, drejt përfundimit jam.

-E di, Matea, ti më kujton veten shpeshherë. Edhe pse, shpresoj të mos përfundosh si unë në të ardhmen, -ajo tundi kokën si në shenjë mirënjohjeje.

Makina ndaloi. Ata dolën dhe ndaluan një moment për të soditur atë pamje unike që u ishte servirur.

-Porto Riko, e ëmbla Porto Riko, -tha nën zë Blasteri duke buzëqeshur.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now