III

109 31 14
                                    

Nuk e dinte se cila telefonatë e habiti më shumë. Ndoshta thjesht Eliseo po e ekzagjeronte, dhe ndoshta Glei ishte shumë e zënë për t'u përgjigjur.

-Qetësohu Eliseo, -i tha. -Dëshiron ta telefonoj njëherë unë? -nuk dinte çfarë t'i thoshte tjetër. Ajo mendonte se thjesht ai po e ekzagjeronte.

-Provoje dhe më thuaj, -i tha ai. Matea përfundoi telefonatën dhe kërkoi për kontaktin e Gleit në telefon.

'Numri që thirrët, mund të ketë fikur telefonin. Ju lutem, provojeni më vonë.'

-E paska të fikur, -mendoi. Dëgjoi të hapej dera. E ëma ishte kthyer nga mikesha.

-Ma', më duhet të dal tani. Do të takohem me Kenzin, Alvinin, Eliseon, Glein dhe Arian.

-Po Kenzi sa ishte këtu, -i tha e ëma. U çudit sepse Matea zakonisht përtonte të dilte nga shtëpia. Ishte gjithmonë Kenzi ajo që vinte ta vizitonte, ndërkohë që nga ana tjetër, Matea ishte gjithmonë shumë e zënë me ndonjë projekt, duke parë ndonjë dokumentar, apo duke rrëmuar për fakte rreth shkencës.

-E di, por duhet të flasim për diçka, -tha ajo dhe pa dhënë shumë shpjegime veshi me të shpejtë atletet dhe doli nga shtëpia. Duke nxituar, nxorri telefonin nga xhepi dhe i telefonoi Kenzit.

-Hë, ma gjete bluzën? -i tha ajo. Mendoi se duke qenë se vetëm pak më parë kishin qenë bashkë, kjo do të ishte arsyeja e telefonatës.

-Jo, Kenz, dëgjo.

-Jo, jo, -e ndërpreu ajo, -nuk ka problem. Nuk më pëlqente edhe aq ajo bluza gjithsesi. Diku aty do të jetë, mos u shqetëso. Kur ta gjesh ma jep.

-Kenz më lër të flas të lutem, nuk ka lidhje me bluzën, -gjithmonë e kishte të vështirë të fliste me Kenzin kur gjithçka që ajo bënte ishte të fliste dhe të mos dëgjonte se çfarë kishte Matea për të thënë.

-Nuk ka lidhje me bluzën? -përsëriti. -Po atëherë, me çfarë ka lidhje?

-Eliseo thotë se Glei ka humbur. Jam e sigurt që po e ekzagjeron, por gjithsesi, bën mirë të takohemi.

-Ka humbur Glei? -ktheu kokën dhe pa Arian që qëndronte pas saj.

-Më duhet ta mbyll Kenz, takohemi te Dyqani i Karameleve, -i tha Matea dhe ia mbylli telefonin. Shumë afër me shkollën e tyre, ndodhej një dyqan i quajtur "Dyqani i Karameleve", por që nuk shiste karamele. Asnjë nuk e dinte pse i kishin vënë atë emër, por përballë tij ndodheshin disa stola ku ata mund të uleshin dhe të flisnin.

-Po, -u kthye nga Aria, -Eliseo thotë se Glei ka humbur. Ti ç'bën këtu?

-Isha rrugës për në shtëpi, do bëja thonjtë se mu mërzit kjo ngjyra që kisha, po nuk e gjeta aty atë. Të vij edhe unë me ju? Nuk kam ndonjë gjë më të mirë për të bërë, -tha ajo.

-Eja, Aria, -Matea formoi numrin e Alvinit dhe i telefonoi.

-Matea, -u përgjigj ai, -jam rrugës për te ti.

-Edhe unë sapo dola, -i tha ajo, -të mora për të të thënë se duhet të takohemi.

-Fantastike! -festoi ai. -Vetëm je?

-Jo, jam me Arian, -Aria mërmëriti me vete 'prapë ky', por Matea bëri sikur s'e dëgjoi.

-Uf, na çmendi ajo, -u ankua ai i zhgënjyer.

-Alvin, Eliseo thotë se Glei ka humbur. Me siguri po e ekzagjeron, por gjithsesi njoftova edhe të tjerët të takohemi te Dyqani i Karameleve.

-Çfarë? -nuk e dinte që mund të kishte një arsye të tillë pas telefonatës. -Në rregull, për pak jam aty.

-Mos! Harrova Eliseon, -e telefonoi me të shpejtë dhe e njoftoi edhe atë për vendin e takimit.

Në shumë pak minuta, të gjithë ndodheshin aty.

-Jam pak i konfuzuar, -tha Alvini duke kruajtur kokën. -Çfarë ka ndodhur me Glein?

-Hera e fundit që fola ishte disa orë më parë. U zumë keq dhe pastaj ajo u largua, -tha Eliseo i shqetësuar.

-Prit, -e ndërpreu Matea, -a mund të na i shpjegosh me detaje gjithë situatën?

Disa orë më parë

Doli nga shkolla me inat duke shpejtuar hapin, ndërkohë që Eliseo vraponte për ta ndjekur. Nuk donte t'i fliste me gojë, pasi vetëm orën e fundit të asaj dite mësim, kur kishin bërë minitestin e përsëritjes në kimi, Eliseo kishte kopjuar Glein, por duke qenë nxënësi i preferuar i profesores, ajo fajësoi Glein duke ndërruar kështu rolet. Më e keqja ishte se Eliseo nuk e mori përsipër fajin, duke e lënë të motrën në baltë.

-Glei, prit, -i thirri që të ndalonte, por ajo nuk donte të dëgjonte. Ishte shumë e acaruar. Ai vazhdoi ta ndiqte dhe përsëriti disa herë frazën, derisa ajo ndaloi dhe me zemërim u kthye nga ai.

-Po tani çfarë ke? Je i kënaqur me atë që bëre? E tregove shumë bukur se çfarë vëllai je.

-Më vjen keq, Glei. Nuk doja të ndodhte kështu, -ai nuk dinte ç'të thoshte. E dinte se kishte vepruar gabim.

-Nuk më intereson, Eliseo! Sepse ardhja keq nga ana jote dhe dëshira për të ndodhur ndryshe nuk e ndryshojnë atë që u bë. Sa të çuditshëm jemi ne njerëzit! Bëjmë një gabim dhe më pas kërkojmë falje, si për të shpëtuar nga faji apo gabimi. Por asgjë nuk rregullojmë! Falja nuk rregullon asgjë. Nuk e rregullon notën time në kimi, -në çdo fjali që thoshte e ngrinte zërin më shumë, pasi më shumë acarohej.

-Por ti mund ta rregullosh atë, jam i sigurt, -u mundua ta ngushëllonte.

-Shiko, akoma më flet për rregullim note, akoma më flet për rregullim note, -mori frymë thellë për tu qetësuar por nervat kishin arritur kulmin.

-Je kaq i pavlerë, Eliseo! -i tha më pas. -Eliseo nxënësi i preferuar, Eliseo fiksimi i vajzave në shkollë, Eliseo fëmija perfekt, ngjaji më shumë Eliseos, vepro më shumë si Eliseo, Eliseo andej, Eliseo këndej... Më erdhe në majë të hundës! Sepse për çdo gjë që bëj krahasohem me ty. Ti je njeriu perfekt, kështu që unë gjithmonë duhet të dal në gabim. Dhe nëse unë bëj diçka, ti merr meritat. Por gabimet e tua? Njeriu perfekt Eliseo nuk bën gabime. Kështu që le t'ia hedhim gabimet në kurriz të Gleit. Dhe çfarë bën ti? Gënjen para të gjithëve, duke më nxjerrë mua keq, vetëm që të ruash reputacionin tënd. U lodha Eliseo! Dhe jo, mos guxo të më thuash asnjë fjalë ngushëlluese. Nuk kam nevojë për fjalët e tua. Tani po iki, dhe mos guxo të më ndjekësh, -u largua pa e kthyer kokën pas. Ndërkohë Eliseo qëndronte pa lëvizur teksa e shikonte se imazhi i saj sa vinte e bëhej më i vogël.

Ja pse ajo ishte e tillë. Ja pse donte të ishte gjithnjë më e mira, të ishte gjithnjë lider e të qëndronte gjithnjë mbi të tjerët. Sepse kudo ku ishte Eliseo, të gjithë zgjidhnin atë para saj. Kurrë nuk e vlerësonin siç duhej, ndaj i mbetej asaj të vlerësonte veten.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now