XXIV

64 28 0
                                    

Uniforma të njëjta, që i bënin njerëzit të dukeshin të gjithë njësoj, dokumente, fletë, të gjitha në dukje të pavlera, ishin gjithçka që mund ta përcaktonin atë vend. Ishte i zymtë, si jeta e të gjithë njerëzve atje. Njerëz të ndryshëm; disa humbisnin jetën, disa shpëtonin të gjallë, disa merrnin jetë, e disa shpëtonin jetë. Të tjerë thjesht dëshmonin të gjitha këto, si një mori ngjarjesh monotone në jetën e tyre. Mirëpo nuk ishin aspak të tilla.

Dhomat e zëna dhe korridoret e mbipopulluara, e bënin të ndiente keqardhje për fatin e gjithë atyre njerëzve, të cilët në mjerim total, e gjenin shpëtimin e shpresën e vetme në një spital. Në një godinë të bardhë me katër mure dhe disa njerëz me diplomë brenda saj. Të varfër, të pasur, të ligj, të mirë, aty dukeshin njësoj. Veshur nën petkun e pacientit, asgjë nuk i dallonte nga njëri-tjetri.

Nuk donte të ndihej vetëm, të mësohej me atë ndjesi, por po e bënte. Edhe pse e urrente, ndihej vetëm. Në stolin e ftohtë në të cilin ishte ulur, i dukej vetja e panjohur. Sikur nuk arrinte ta njihte veten. Ose sikur e kishte shumë larg për ta dalluar.

-Glei! -ishte zëri i tij që e zgjoi nga ato mendime të turbullta. -Sapo dhashë dëshminë. Do të më mbajnë në komisariat për ca kohë, derisa të sigurohen që hedhja e predhës nuk do të shkaktojë dëm. Nuk e di ç'do të bëhet më pas.

-Kjo s'ka kuptim, -i tha e hutuar. -Nuk ishe ti ai që hodhi predhën. Ishte Blasteri.

-Nuk është kjo arsyeja e vërtetë pse po më mbajnë këtu. Ai më akuzon mua për përkeqësimin e gjendjes së tij. Dhe përsa kohë do të jetë kështu, ai do të qëndrojë në spital, dhe jo në burg. E dija që mund të shkonte kështu, por nuk kisha ç'të bëja tjetër Glei. Ti e di.

-Nuk më intereson fare për Blasterin, Xheremi. Nuk më intereson për gjendjen e tij. Ai do të na vriste të gjithëve. Dhe kjo është e provuar. Kamerat në godinën ku na kërcënoi duhet t'i kenë ruajtur regjistrimet. Blasteri nuk i ka përmendur ato, apo jo?

-E vërtetë, -pohoi ai. -Mendon se duhet ta jap këtë dëshmi?

-Natyrisht. Do e jap edhe unë. Duhet të tregojmë gjithçka. Përveç kësaj, gjashtë njerëz kanë humbur për faj të tij, -nuk mundi të thoshte asgjë më tepër. Nuk fliste dot kur i kujtonte ata. Nuk donte të besonte se ata ishin zhdukur, apo se kishin vdekur. Ndaj i quante se kishin humbur. Kështu ngushëllohej.

-Glei, përpiqu ta largosh mendjen nga ata, në rregull? Rreziku më i madh ka kaluar tashmë. Ti je e sigurt. Mijëra njerëz janë të sigurt. Duhet të ndihesh sadopak më e qetë për këtë, -ajo tundi kokën si të donte të binte dakord, por në të vërtetë nuk mundej. Nuk ndihej dot e qetë, jo derisa të dinte ç'kishte ndodhur me të tjerët.

-Mezi po pres që të kthehen. Ata do të kthehen. Të gjithë. Dhe do të jenë shumë mirë. Jam shumë e sigurt për këtë, -Xheremi e kuptoi se nuk kishte si ta bënte Glein të mos mendonte më për ta, por nga ana tjetër e vriste ndërgjegjja për diçka vazhdimisht. Ajo e vuri re këtë.

-Çfarë ka, Xheremi? Çfarë je duke menduar që s'po ma thua? -e dinte që nuk mund t'i shpëtonte asaj pyetjeje, mirëpo shihte Glein e raskapitur nga e gjitha dhe nuk donte ta ngarkonte më shumë. Përveç kësaj, fajtori ndihej vetë ai.

-Asgjë, -provoi për herë të fundit të shmangej. Por ishte e kotë. Shikimi këmbëngulës i Gleit donte përgjigje.
-Glei, po nëse ata mund të kishin mbijetuar nëse nuk do të ishte për predhën? -guxoi të thoshte.

-Mos fol broçkulla! Ata kanë mbijetuar, -ia preu ajo shkurt. Mirëpo asnjë nga të dy nuk e dinte se ç'bëhej me ta. Nuk e dinte asnjë se ç'kishte ndodhur në të vërtetë, e cili nga hamendësimet ishte gënjeshtër.

-Glei Stark, -pa një oficer policie të vinte në drejtim të tyre.

-Unë jam, -konfirmoi. -Po pres për vizitën mjekësore. Më thanë që duhet ta bëj një për t'u siguruar që gjithçka është mirë.

-Jeni në gjendje t'iu përgjigjeni disa pyetjeve, apo t'i bëjmë më vonë? -u mendua për një moment fare të shkurtër, dhe një skenar krijoi në mendjen e saj. E dinte se duhet të përdorte ç'të kishte në dorë për të nxjerrë sheshit gjithçka.

-Mendoj se mundem, -ata pohuan me kokë dhe i treguan nga duhet të shkonte. -Më prit këtu, -i tha Xheremit. -Mendoj se po bëj diçka.

Kur mendonte profesionin e së ardhmes, gjithmonë e lidhte atë me krimet, të qenit në zgjidhje të një misteri apo të gjetjes së provave e zbulimi i të fshehtave. Megjithatë, nuk mendonte kurrë se një ditë do të merrej në pyetje për një krim, do të ishte aq afër me këtë koncept. Pavarësisht se më parë mund ta kishte kërkuar një situatë të tillë, tashmë do të bënte çmos që ta largonte me çdo kusht.

-Glei Stark, kemi shumë për të folur, por në fillim duam ta dimë nga ju se si u bëtë pjesë e kësaj çështjeje.

-Babai im ishte koleg i profesor Blasterit, -u përgjigj shkurt. -Besoj se kjo mjafton.

-Ku ndodhet babai juaj tani? -kjo ishte pyetja për të cilën po priste. Donte ta godiste Blasterin aq keq pikërisht duke përdorur këtë pyetje, sa të mos kishte më si të ngrihej.

-Babai, babai im, -dërgoi lotët në misionin e tyre drejt faqeve, -nuk e di ku është babai im.

-Çfarë doni të thoni? Nëse dëshironi, mund të jepni dëshminë tuaj më vonë. Nuk dukeni aspak mirë, -me këtë fjali përmbyllëse u përpoq të shtynte bisedën për më vonë. Por ajo pikërisht këtë kërkonte, të mendonin se nuk ishte mirë. As vetë nuk e dinte se si ishte, por në ato momente, të gjithë duhet të mendonin se nuk ishte mirë. Nëse ky ishte i vetmi shpëtim, për të shpëtuar veten dhe të tjerët, ajo nuk do të ishte mirë. Për ta hedhur të gjithë fajin te i vetmi që e meritonte, ajo nuk do të ishte mirë. Sepse kështu duhej. Njerëzit kurrë nuk do të të besonin nëse nuk do të të shihnin në gjendjen më të keqe. Vetëm atëherë do të mendonin se je duke thënë të vërtetën.

Kështu është ndërtuar bota. Njerëzit kënaqen kur i shohin të tjerët në një gjendje të keqe, të padurueshme, të pashpjegueshme. Kënaqin egon e tyre, kënaqin shpirtin e kalbur, të zhytur në qëllime të ulëta. Dhe gjithë këtë, e justifikojnë me të vërtetën. Sepse, sipas botës, e vërteta tregohet dhe duket në momentet më të këqija. Këtë lojë luante bota. Tashmë ajo e dinte se çfarë duhet të bënte. Duhet të vihej në krye të kësaj loje, e ta luante sipas rregullave të saj.

-Blasteri tentoi të vriste babain, vëllain dhe miqtë e mi, -ndërkohë që fliste, linte të gjitha ndjesitë të shpreheshin lirshëm në formën e lotëve, që nxehnin fytyrën e ftohtë akull, por nuk arrinin të depërtonin më tej. -Ata u mbyllën në një anije që u dërgua drejt zonës së Trekëndëshit të Bermudës. Unë dhe Xheremi mundëm të ndryshonim drejtimin e predhës, por kam frikë se për ta do të jetë shumë vonë. Dhe ju, pavarësisht së gjithash, keni fytyrë të na bëni ne fajtorë për gjendjen e keqe shëndetësore që na paska Zoti Blaster? Ndërkohë që unë po humbas familjen në këto momente? Ndërkohë që, nëse nuk do të ishte për ne, do të shfarosej gjithë Amerika e Mesme dhe një pjesë e konsiderueshme e Shteteve të Bashkuara? Pavarësisht të gjitha këtyre, duhet të interesohemi për një pijanec epileptik që i ka ditët e numëruara? Rimendojeni edhe njëherë profesionin tuaj; përshtateni më tepër në cirk se këtu! -doli me të shpejtë në korridor dhe mori frymë thellë. Shpresonte që të gjithë të ishin mirë. Nuk mund të mendonte asgjë tjetër.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now