XI

66 31 12
                                    

Shumë gjëra nuk i dinin, por kishin një plan, një bashkëpunëtor, dhe ishin më afër së vërtetës se kurrë më parë. Dinin që Glei ndodhej në Porto Riko, e rrëmbyer apo ndoshta e kërcënuar nga shkencëtarët e mbledhur në Porto Riko, dhe arsyeja nuk dihej se pse kishin marrë pikërisht atë. Hipoteza kryesore ishte se në këtë mënyrë do t'i eleminonin të gjashtë, por nuk ishin të sigurt. Asgjë nuk ishte e sigurt. Iu mbetej vetëm të vepronin.

Ndodheshin përpara një ndërtese të madhe të xhamtë, e cila ishte e ndërtuar nga të gjitha anët me pasqyra reflektuese, dhe në breg të oqeanit. Ajo ndërtesë njihej si vendi i punës.

-Ja pra, pikërisht këtu është vendi i punës. Brenda kësaj ndërtese, që nga jashtë duket fisnike, ndodhen makineritë e tmerrshme të prodhimit të armëve bërthamore. Shpresoj të mos jemi shumë vonë. Do të hyjmë brenda për të negociuar. Përderisa na deshën vetë këtu, për momentin nuk ka rrezik.

-Dhe sa zgjat ky momenti pa rrezik? -pyeti Kenzi.

-Sa të hyjmë brenda, -të tjerët shtangën, por ishte koha të linin pas frikërat dhe të hynin brenda. Dhe kështu bënë. Pothuajse. Hynë brenda,por nuk mund të ndalonin së paturi frikë. Të frikësuar nga ajo që do të shihnin, këmbët i hidhnin si në gjemba. Kaluan nëpër korridorin e ngushtë e të gjatë, e sytë e tyre më pas u ndeshën me pamjen madhështore të ambientit kryesor të ndërtesës. Tavani ndodhej aq lart sa dukej sikur nuk kishte një të tillë, e ndërkohë, shihje dhjetëra, e ndoshta qindra njerëz që punonin njëkohësisht: disa punonin në kompjutera, të tjerë mbanin pesha dhe i çonin ato tjetërkund, e të tjerë mbikëqyrnin. Në atë mori njerëzish që e bënin vendin të dukej si qendër tregtare, arritën pas disa sekondash të dallonin flokët bjonde e të dendura deri mbi supe, e trupin e hollë të veshur nga koka te këmbët me të zeza. Qëndronte aty, pranë një njeriu po ashtu të veshur me të zeza, dhe mbanin të dy të njëjtin qëndrim. Nuk ishte në rrezik, madje dukej shumë e qetë, sikur të kishte ardhur aty me dëshirën e saj të plotë. Ishte aty, shëndoshë e mirë. Më në fund e panë sërish. Tashmë gjithçka do të ishte më e lehtë.

-Glei! -Eliseo rendi në drejtim të saj dhe në sekondën tjetër pasoi një përqafim aq i dhembshur dhe aq i përmallshëm i binjakëve. Ajo buzëqeshi, një buzëqeshje e bukur, e sinqertë, por njëkohësisht edhe e hidhur, si të ishte e mbushur me dhimbje. Nuk e kishte kuptuar sa shumë e kishte marrë malli, deri në atë moment.

-Glei si je? Çfarë të ka ndodhur këtu? -pyeti në shqetësim, ndërkohë që edhe të tjerët u afruan pranë saj.

-Mirë, -tha konfuze, -si duhet të jem?

-Si përfundove këtu? Të rrëmbyen? Pse na gënjeve? Të kërcënuan? -pyetjet nuk kishin të mbaruar, ndërkohë që personi në krah të saj qeshte lehtë me të gjitha marrëzitë.

-Eliseo, mos u çmendët? Erdha këtu me dëshirën time, -nuk e kuptonte gjithë shqetësimin dhe nuk i priste të vinin atje, sidomos pasi kishte folur me ta. Por më pas vuri re më tutje profesor Blasterin, dhe e mori me mend se çfarë mund të kishte ndodhur. -Mendova se e kishe rregulluar punën e profesor Blasterit, -i tha personit të veshur me të zeza. Kjo i çuditi ata edhe më shumë.

-Glei, ti nuk e kupton në çfarë rreziku e ke vendosur veten. Ndodhesh në mesin e disa shkencëtarëve që duan të prodhojnë armë bërthamore dhe të kanë rrëmbyer ty për të na eleminuar të gjithëve në mënyrë që askush të mos i pengojë ata të arrijnë qëllimin e tyre.

Glei dhe personi në krah panë njëri-tjetrin, e më pas ia shkrepën të qeshurit.

-Nuk e di kush ua ka mbushur kokën me këto marrëzira djema, por unë jam mirë këtu. Kështu që kthehuni nga keni ardhur. Ishte bukur që u takuam, -ata s'po iu besonin veshëve. Përveç se Gleit nuk i kanosej asnjë rrezik, ajo kishte shkuar aty me dëshirën e saj. Diçka nuk shkonte, dhe ata duhet të vepronin shpejt.

-Glei, mos je çmendur gjë? Po zgjedh të rrish këtu në vend që të kthehesh me ne, pas së gjithave që kaluam për të të gjetur, e të gjitha shqetësimeve që kishim për gjendjen tënde? -Alvini u përpoq ta bënte të kthjellohej. Nuk po arrinte të kuptonte asgjë.

-Nuk ua kërkova ta bënit. Më vjen keq për ju djema, por jam mirë këtu, sinqerisht.

-Do të rrish vetëm në një vend të panjohur për ty? Glei, të lutem mendohu mirë.

-Nuk kam ç'të mendoj, Matea. Dhe jo, nuk jam vetëm, jo. Jam me familjen time, -sytë i ktheu nga po i njëjti person, ndërkohë që gjithë të tjerët shtangën nga habia. Nuk dinin ç'të thoshin. Kishin mbetur pa fjalë.

Pak ditë më parë

Përplasi derën e zyrës së tij fort, sikur të ishte ajo fajtorja e të gjitha gjërave që kishin ndodhur në jetën e saj. Ai i hodhi një vështrim të hutuar, ndërkohë që sytë e saj dukej sikur digjeshin nga inati dhe zemërimi.

-Kaq i pafytyrë je! -thirri me të madhe. Ai bëri me dorë nga karrigia dhe e ftoi të ulej.

-Varet për çfarë e ke fjalën Glei, -ajo përplasi grushtin mbi tavolinë dhe filloi të sillej rreth e rrotull zyrës pa qëllim.

-Varet për çfarë e kam fjalën. Varet për çfarë e kam fjalën, -përsëriste me vete dhe qeshte hidhur. -Ti njeh shumë njerëz apo jo? Shumë njerëz njeh. Po vajzën tënde, a e njeh pikërisht për të njëjtën arsye? Se njeh shumë njerëz? -ai e kuptoi për çfarë bëhej fjalë. Lidhi duart me njëra-tjetrën dhe mbajti qetësi.

-Pra, Xheremi të tha.

-Domethënë ti e dije që nuk do ma thoshe ti. Pra ti as që kishe ndërmend të ishe ai që ma thoshte. Çfarë i the punonjësve të tu? Apo kolegëve të tu? Apo çfarëdo të jenë ata? Që kur të gjeni një vajzë pa familje, tregojini që është vajza ime? Kështu iu the? Nuk e kuptoj. Vërtet që nuk e kuptoj. Pse erdhe njëherë? Pse erdhe?

-Glei të lutem, -ngriti zërin që të merrte në kontroll situatën. -Ti nuk di shumë gjëra.

-Di që nuk të kam parë kurrë, këtë di. Di që nuk jam rritur me një baba, këtë di. Po ti, çfarë di ti? A e dije ti, ku dhe si jetoja unë dhe vëllai im gjithë këtë kohë? A e dije si quheshim? Si dukeshim? Ishim gjallë apo vdekur? Si vjen një ditë dhe unë e marr vesh që je babai im nga një "Xheremi"? Si? Më thuaj, i dije ti të gjitha këto? -donte kaq shumë të qante, por nuk e lejoi veten. Sepse mendonte se nuk ia vlente. Për një njeri të tillë nuk ia vlente.

-Glei...

-Vetëm kësaj përgjigju! A e dije?

-Jo, -u përgjigj thatë dhe duke e parë në sy. Ajo shkelmoi një karrige me inat.

-Nuk e mendoja ndryshe, -tha.

-Por nuk dija asgjë tjetër ama! -ngriti zërin me inat. Ndoshta askush më parë në jetën e tij nuk e kishte dëgjuar atë ton aq të lartë të zërit të tij. -Nuk e dija që kisha dy fëmijë, mamaja juaj nuk ma tha kurrë këtë. Ajo më fshiu nga çdo pjesë e jetës së saj. Nuk isha unë ai që u largua, por ishte ajo që më zhduku njëherë e mirë nga jeta e saj. Dhe nuk më lejoi të afrohem asnjëherë. Po! Asgjë nuk dija! As që e dija për ekzistencën tënde. Mendon se të gjitha këto, se gjithçka që kam krijuar, do të kishin vlerë nëse do ta dija për ju? Asgjë nuk dija! Dhe gjithçka e mora vesh nga ai lajm i njëmbëdhjetë muajve më parë. Që atë ditë bëra çmos për të t'u afruar, mësova gjithçka rreth teje dhe Eliseos, planifikova gjithçka për t'ju marrë të dyve. Dhe po, mund të më gjykosh dhe të më shash sa të duash. Nuk e di si është të jesh baba, njësoj siç ti nuk e di si është të kesh një të tillë.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now