XIV

70 30 10
                                    

Që në momentin që pa Blasterin të bënte hapa pas, e dinte që diçka e tillë do të ndodhte. Megjithatë, priti derisa të ndiente aromën e keqe të gazit gjumësjellës, që më pas të mbante frymën dhe të mos lejonte t'i depërtonte në mushkëri. E kishte bërë këtë gjë edhe më parë, tashmë ishte hera e dytë. Nuk e dinte se sa ishte në dijeni Blasteri për këtë, por duhej të bënte ç'të kishte në dorë.

Ndjeu dy duar ta kapnin nga krahët dhe ta tërhiqnin zvarrë për disa metra, e më pas e ndjeu trupin t'i përplsej me një mur të ftohtë. Por e dinte se nuk ishte vetëm. Arrinte të ndiente hapa dhe frymëmarrje në dhomë. Duhet të ishin katër ose pesë veta. Ndoshta ishin pesë. Flokët e rrëmujshëm bjondë i kishin rënë mbi sy, duke ja bërë më të thjeshtë maskimin. Duhet të tregohej vigjilente; çdo gjë që do të ndodhte aty do të kishte rëndësi, sado e vogël të ishte, dhe çdo gabim i vogël që mund të bënte do t'i prishte shumë punë.

Ndjeu dikë t'i afrohej. Nuk lëvizi. Në rast se do ta preknin, do të reagonte menjëherë.

-Ç'po bën atje, Xheremi? -ishte Xheremi. Diçka i thoshte t'ia këpuste një shpullë fytyrës, por duhej të ruante qetësinë.

-Vetëm po sigurohem që nuk është zgjuar, -tha. U afrua më tepër me të. -Unë jam në anën tuaj, -tha me zë të ulët. Ajo e dëgjoi, por nuk u habit. Nuk e dinte pse. I dukej sikur diçka të tillë e priste prej tij, edhe pse nuk e njihte fare. Ai u largua dhe shkoi në drejtim të Blasterit.

-Jam kaq afër finalizimit të planit tim, Xheremi, -tha ai krenar për veten. -A nuk ishte një plan i mrekullueshëm?

-I tillë ishte,-tha. -Jam shumë i lumtur ta dëshmoj këtë sukses, zotëri. Bota më në fund do ta kuptojë fuqinë tuaj, dhe do të lutet për mëshirë, -tha dhe mbushi një gotë vere.

-Të lutem, e vlerësoj, por ti e di që nuk mundem, Xheremi, -i tha duke qeshur. -Doktorët ma kanë ndaluar. Kjo sëmundje dreqi po përparon më shpejt seç ata e kishin parashikuar, dhe tani kanë marrë masa strikte.

-Mos u shqetësoni, zotëri. Kjo ndodh sepse ju keni qenë në stres të vazhdueshëm për një kohë relativisht të gjatë. Por tashmë gjithçka po shkon drejt finalizimit, siç e thatë edhe vetë. Pastaj, ju keni kohë pa patur konvulsione, të paktën mesa di unë. Pak alkool s'do ju bëjë keq. Është thjesht verë, -i drejtoi gotën gjysëm të mbushur me verë.

-E di çfarë, Xheremi? Ke të drejtë, -tha entuziast dhe rrëmbeu gotën e qelqit. -Në fakt edhe doktorët herën e fundit më thanë që nuk e kam nga alkooli, po më shumë nga stresi. Eh, qeveri e mallkuar. Gjithçka ti ma solle, -ktheu me fund gotën dhe ndjeu shijen e lëngut të kuq t'i ngacmonte e t'i zgjonte gjëndrat e të shijuarit. Psherëtiu i kënaqur. E kishte marrë malli për atë lëng joshës e të parezistueshëm.

-Me ngadalë, zotëri, me ngadalë, -e këshilloi Xheremi.

-E di, Xheremi, më ke çuar shumë vite pas në kohë me këtë gjë. Më kishte marrë kaq shumë malli, e kisha harruar fare kënaqësinë që të falte, dhe u ndieva mjaft mirë që u rikthye. Faleminderit Xheremi. Gjithmonë e ke ditur çfarë i duhet zotërisë tënd.

-Kënaqësia është e imja zotëri, -edhe ai ktheu gotën me fund.

-Sa të ëmbël e ka shijen, apo jo? -Xheremi pohoi me kokë, ndërkohë Blasteri rrotullonte gotën e qelqtë me ëndje dhe e sodiste si të ishte një gur i çmuar. -Pa më hidh edhe pak, në djall të shkojë.

-Jeni i sigurt, zotëri? Mendova se një gotë do të ishte e mjaftueshme, -tha si me ngurrim. Blasteri i zgjati gotën dhe i bëri me shenjë ta mbushte sërish, duke mos i dhënë mundësinë të fliste më. -Ju e dini më mirë, zotëri, -ktheu shishen dhe lëngu i kuq e joshës filloi të derdhej sërish nga buzët deri te fundi i gotës. Dukej aq e bukur, aq e dëshiruar, si një femër e veshur e gjitha në të kuqe.

Ai sërish e ktheu me fund. Ndjeu marrje mendsh dhe me vështirësi filloi të lëvizte krahët në kërkim të një ndihme. Xheremi e ndihmoi të ulej në një karrige aty afër.

-Jeni mirë, zotëri? -pyeti dhe nisi t'i masazhonte pjesën e qafës dhe kyçet. -Ju thashë që s'duhet ta pinit gotën e dytë.

-Është në rregull, Xheremi. Është në rregull. Kjo gjë më qetësoi.

-Zotëri, -përfitoi nga rasti të fliste, pa ndaluar masazhimet, -nëse më lejohet t'ju pyes, ç'do të bëhet me Glein? Dua të them, nuk është e rrezikshme ta mbajmë këtu? Pse nuk e mbyllët më mirë në anije me të tjerët?

-Mos u shqetëso fare, Xheremi, fare mos u shqetëso, -mbylli sytë për të relaksuar trupin. -Ajo është vetëm një fëmijë me fat, por kësaj rradhe... pa fat,- filloi të qeshte me të madhe si të kishte thënë diçka shumë gazmore. Xheremi u mundua të qeshte, si për ta pohuar se ajo që ai tha ishte vërtet për të qeshur. -Po unë paskam harruar të ta them planin tim. Do të të pëlqejë shumë, do ta adhurosh.

-Jam i sigurt, zotëri, -pohoi ai sërish.

-Ti e di që do të hedh një predhë, apo jo? Kësaj rradhe, jo në drejtim të trekëndëshit të Bermudës, që të zhduket pa lënë asnjë shenjë, jo. Kësaj rradhe shenja që do të lërë do të jetë shumë e madhe, shumë e madhe, -theksoi fjalën shumë dhe filloi sërish të qeshte si i çmendur.

-Por ku i dihet, -vazhdoi, -duhet të jemi të siguruar për gjithçka. Ti e di, mua s'më pëlqen t'i lë gjërat pezull, por t'i parashikoj dhe t'i planifikoj mirë ato, të gjitha.

-E di, zotëri.

-Prandaj, na duhet një karrem. Dhe kjo do të jetë pikërisht Glei, e cila do të lidhet pas predhës së hatashme që këto duar kanë krijuar, -ngriti duart lart për t'i admiruar, por i shihte ato në mjegull, si të ishin trefishuar. E dinte që nuk ndihej mirë, por nuk donte ta pranonte. Donte vetëm të shijonte fitoren.

-A nuk është e mrekullueshme? Kaq e bukur dhe kaq e paimagjinueshme. Asgjë nuk mund të më ndalojë, asgjë.

-Asgjë, zotëri, -tha Xheremi.

Pra ky ishte plani. Qëndronte aty e shtrirë, e palëvizur, duke dëgjuar se si do t'i jepej fund jetës së saj. Dëgjonte, vetëm dëgjonte dhe në mendjen e saj bluante mënyra nga më të ndryshmet të cilat mund t'i përdorte për të shpëtuar nga e gjitha kjo. Por nuk e bënte dot vetëm, dhe këtë e dinte. E vetmja mënyrë shpëtimi ishte të kontaktonte me të tjerët sa më parë të ishte e mundur. Vetëm kishte frikë se do të ishte tepër vonë. Por nuk mund të përfundonte ashtu. Nuk mund të ishte ai fundi i gjithçkaje. Duhet të kishte me patjetër diçka më tej, diçka që do t'i bënte ata të ishin më në fund të lirë. Për herë të parë në jetë, po reflektonte në atë vend ku qëndronte e palëvizur, e për herë të parë në jetë gjeti veten fajtore. U gjend e vetme, dhe kishte nevojë për të tjerët. Aty e kuptoi se kishte nevojë.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now