XXII

64 29 4
                                    

Panik, tension, telashe, rreziqe pafund, dhe një dëshirë e pashuar për të jetuar. Një oqean i pafund, dhe gjashtë të pafat. Secili me një qëllim për jetën e tij, sado i rëndësishëm apo jo të dukej ai. Sepse ndonjëherë njeriu ka qëllime të vogla, por që e bëjnë të lumtur. Që e mbajnë gjallë. Që e bëjnë të mos dojë të besojë se fundi do të vijë shpejt.

-Nuk mund të përfundojë këtu, apo jo? Ka një zgjidhje për gjithë këtë, apo jo? -nuk i besonte fjalët që thoshte, por donte që të ishin të vërteta. Ndihej e frikësuar. Dhe nuk donte t'ia dinte nëse të tjerët do të mendonin se ishte e dobët. Ajo thjesht nuk ndihej sikur mund ta përballonte gjithë këtë. Gjithë ato vite duke studiuar e duke mësuar rreth shkencës, e në ato momente i dukej sikur nuk dinte asgjë. Asgjë që mund t'i hynte në punë. Sikur e kishte kokën boshe. Kishte mendime të trazuara. Sytë i mbante nga Starku. Vetëm ai mund t'i jepte një zgjidhje.

-Unë do të vdes si ngelëse në gjeografi! -tha Aria gati në të qarë.

-Aria, mos e thuaj këtë! Ti do të vdesësh si një nxënëse që e vrau profesori i gjeografisë, i cili menjëherë pas kësaj, u bë vrasës serial, -i tha Eliseo. Ajo filloi të rregullonte flokët, duke bërë sikur nuk po i dëgjonte fjalët e tij.

-Anija po fundoset më shumë! -nuk mund ta kishte mendjen askund tjetër. Ritmi ishte i njëjti, ende i ngadaltë, por sërish shqetësues.

-Qetësohuni, fëmijë! -vendosi ta merrte situatën në dorë. Nëse nuk do ta bënte ai, askush nuk do ta bënte. -Mendojeni jo vetëm si rrezik, por si një aventurë, në rregull? Është një rast që s'do të vijë asnjëherë më në jetë. Ju po dëshmoni nga afër trekëndëshin e Bermudës. Trekëndëshin e Bermudës! E mendoni dot se çfarë do të thotë kjo? Mos mendoni vdekjen, në rregull? Mos e lini veten tuaj të mbytet nga pesimizmi. E dini ç'do të mendoni? Ja, më dëgjoni mua. Kur një luan planifikon sulmin e tij, tregohet i qetë. Kafshët e tjera janë ziliqare për qetësinë që e karakterizon. Pikërisht sepse në mendjen e tij, nuk është humbja. Është momenti kur ai me kënaqësi shijon frytin e sulmit të tij. Ai e di që në momentin që do të sulmojë, do të fitojë. Ju nuk do të mendoni vdekjen. Do të mendoni momentin kur të përqafoni sërish familjet tuaja, kur t'ju intervistojnë dhe t'ju quajnë heronj, kur të ndiheni të lumtur dhe krenarë për veten tuaj, se keni kaluar diçka që askush në moshën tuaj, asnjë adoleshent nuk e ka kaluar më parë. Këtë do të mendoni. Sepse edhe unë këtë po mendoj. Kam shumë plane kur të dal që këtu, fëmijë. Mendoj se të gjithë kemi. Dua të krijoj familjen time, -sytë i hodhi nga Eliseo, i cili i buzëqeshi lehtë. -Dua të rregulloj gabimet e së shkuarës, e të krijoj momente që duhet t'i kisha krijuar kohë më parë. Por, më mirë vonë sesa kurrë, apo jo? -më pas qeshi për të mbuluar dëshpërimin që e kaploi. Nuk donte t'i shfaqte hapur ndjenjat. Dikujt do t'i ngjante Glei.

-Kështu pra, -vazhdoi pas një pauze të vogël, -nëse dikush tjetër nga ju tregohet ende pesimist, do të jem unë ai që do t'ju hedh një nga një nga anija, -në anije shpërthyen të qeshura. -Ta dini, nuk mbaj përgjegjësi për kafshët e detit që mund t'ju bëjnë copash.

-Ç'do të bëjmë tani? -pyeti Matea më pas. -Duhet të veprojmë shpejt, se përndryshe, -ai i vendosi gishtin në gojë për ta ndaluar. -Dua të them, të veprojmë shpejt, që të shkojmë pranë familjeve tona.

-Kështu po, -tha i kënaqur. -Nëse teoria jote është e vërtetë, atëherë kam diçka në mendje, por kam frikë se nuk do të funksionojë.

-Thuaje, -i tha nxitimthi.

-Mund të përdorim komandën nga brenda që të izolojmë anijen. Duke qenë se vetëm në pjesën e jashtme nuk ka energji elektrike, kjo do të thotë se në pjesën e brendshme, efekti i trekëndëshit të Bermudës nuk vepron. Kjo do të thotë se ndoshta, e theksoj, ndoshta, nëse izolojmë anijen, mund të zvogëlojmë forcën magnetike.

-Si dhe mund të bëjmë që pajisjet elektrike të punojnë sërish! -shtoi ajo.

-Që do të na bëjë të rrisim shpejtësinë dhe ta kalojmë më shpejt këtë zonë, -përfundoi ai.

-Atëherë, çfarë po presim? Pse s'po nisim nga puna? -tha Kenzi entuziaste, sikur të gjitha ato që ishin thënë, të ishin bërë dhe ata të ishin shumë pranë shpëtimit.

-Do ta bëjmë. Më ndiqni.

Ngjitën shkallët dhe sërish u futën në dhomën ku e gjetën veten të kyçur. Dukej sikur do të nisnin gjithçka nga fillimi, por në të vërtetë tashmë ata dinin shumë. Tashmë çdo hap që hidhnin, e hidhnin me siguri të plotë. Hidhnin hapat e tyre, dhe jo hapat që armiku i tyre donte që ata të hidhnin.

-Janë të gjitha të kyçura, duhet të përpiqemi t'i shkatërrojmë! -pengesa të tilla do t'ia bënin edhe më të vështirë kalimin për në komandë, por duhet të përpiqeshin. Ishte zgjidhja e tyre e vetme.

Filluan të shkelmonin e të godisnin me gjithë fuqinë derën për të dalë nga ajo dhomë, njësoj siç e kishin provuar herën e parë. Por, njësoj si herën e parë, pa rezultat.

-Prisni një moment, a nuk mendoni që po humbasim kohën kot? -i ndërpreu Aria. -Provoni diçka tjetër, kjo është e dukshme që s'ka për të funksionuar, -nxorri nga kuleta e saj një kapëse dhe një krehër dhe u mundua të rregullonte flokët.

-Të paktën ne po bëjmë diçka. Po bën ndonjë gjë ti përveçse po merresh me flokët? -iu kthye Alvini.

-Ndryshe nga ju, po bëj diçka me rezultat, -shfryu ajo.

-Ajo ka të drejtë, Alvin, kjo gjë nuk do të na çojë asgjëkundi.

U largua nga dera dhe filloi të mendohej. Diçka nuk shkonte, por nuk e kuptonte se çfarë. Ideja që nuk kishin kohë e turbullonte edhe më shumë dhe ia ngatërronte mendimet.

Kthente kokën herë nga Matea, herë nga Eliseo, dhe herë nga Aria që vazhdonte të merrej me veten si të mos ishte duke rrezikuar jetën në çdo sekondë që kalonte. Vazhdonte të rregullonte flokët e mundohej të gjente një vend të përshtatshëm për të vendosur kapësen e saj.

Pavarësisht se sa të paaftë janë sytë tanë për të parë, gjithçka ndodhet aty.

E gjeti. Motoja e kompanisë, të cilën ai vetë kishte krijuar. Jo pa qëllim. Njeriu ndonjëherë është shumë i verbër për të parë se çfarë e rrethon, dhe zgjedh të pranojë një gënjeshtër që i thotë se nuk ka asgjë. Por në të vërtetë, njeriu ka shumë. Edhe pse nuk e shikon, ai gjithmonë ka shumë më shumë seç e mendon. Ai thjesht nuk e di. Nuk e kupton.

Gjithçka ndodhej aty, edhe pse sytë e tyre ishin shumë të paaftë për ta vënë re. Buzëqeshi fitimtar.

-E gjeta! -filloi të qeshte i gëzuar e nuk i besohej. -Aria, ma jep pak hua kapësen tënde? -ajo e pa me çudi.

-Unë nuk i ndaj gjërat me të tjerët, -i tha. -Pastaj, ti nuk i ke flokët aq të gjatë.

-Aria, të lutem, -e pabindur, por e detyruar, i zgjati kapësen.

-Gjithçka ka qenë këtu! Ne thjesht nuk e kemi vënë re! -asnjë nuk po e kuptonte, por po e shihnin me çudi entuziazmin e tij si të fëmijëve, kur gjejnë pjesën e fundit të një formueseje dhe e plotësojnë të gjithën.

U tregoi kapësen. Ajo ishte pjesa e fundit.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now