XXIII

69 29 2
                                    

-Një luan nuk mendon se si të vërë në punë forcën e tij fizike, pasi kjo padyshim është e madhe. Por ajo çfarë është më e madhe, është mendja e tij. Ndaj ne duhet të punojmë me mendje, dhe jo me forcë, -tha dhe bëri të mundur që njëra anë e kapëses të zhvidhoste bravën, duke e hapur lehtësisht derën. -Të gjitha dyert janë të dizejnuara njësoj. Kjo do të thotë që kjo kapëse do të na shërbejë si çelës për të arritur aty ku duam, -të gjithë filluan të brohorisnin e të përqafonin njëri-tjetrin.

-Kujdes kapësen! -thirri Aria. -Mos më shihni kështu, vetëm një të tillë ka në gjithë botën. E kam bërë me porosi.

Por gëzimi që kishin që po ia dilnin mbanë, e zbehte gjithë shqetësimin e pavlerë të Arias.

-Ju kishit të drejtë! -thirri Kenzi entuziaste. -Kur je optimist, mund të rregullosh gjithçka. Ne do ia dalim, apo jo, Matea? -ajo pohoi me kokë dhe e përqafoi.

Arritën në komandë. Shikimet e tyre po përplaseshin me njëri-tjetrin, të pasigurt për atë që do të bënin. Po sikur të mos funksiononte? Kishin aq shumë pyetje në mendje dhe asnjë përgjigje.

-Po sikur të mos funksionojë? -ajo që pak sekonda më parë u tregua entuziaste, nuk mundi ta fshihte as frikën që kishte.

-Nuk duhet të bësh shumë pyetje, Kenzi. Sidomos kur nuk merr përgjigje. Ndonjëherë, përgjigjen e tregon koha, -tha pa e ngritur kokën. Po bënte gati gjithçka që ishte e nevojshme për të nisur izolimin. -Jeni gati? -pa të njëjtën buzëqeshje në sytë e të gjithëve, që i tregonte se ishte momenti. Shtypi butonin e fundit dhe priti të përfundonte izolimi. Brenda pak minutash, vetja iu duk si brenda një sere gjigante të lëvizshme. Shpresonte shumë të kishte bërë punë.

-Edhe kjo punë u bë, -Matea nxorri kokën nga një zgavër që të mundësonte të shihje oqeanin, kur anija ishte e izoluar, për të parë se në ç'gjendje ndodheshin.

-Thuajse gjysma e anijes është nën ujë, -njoftoi. -Por, nëse nuk vazhdon kështu dhe izolimi e ndalon, jemi të sigurt.

-Shpresoj, -nuk arriti ta përfundonte fjalën, pasi dëgjuan një zhurmë shurdhuese që filloi papritur.

-Po tani çfarë? -thirri që të dëgjohej, me veshët e mbyllur që të mos lejonte zhurmën të depërtonte më tej. Zhurma ishte acaruese, e ngjashme me një sirenë alarmi, por e vazhdueshme dhe e një frekuence shumë të lartë. Sikur të ishte tingulli i ndonjë sirene a i ndonjë krijese të mbinatyrshme, ose diçka tjetër që nuk i jepnin dot shpjegim.

-Dikush të bëjë diçka për ta ndaluar! Po më dhemb shumë koka! -por të gjithë ndiheshin njësoj si Aria. Ishte e padurueshme.

-Eliseo! -Starku u afrua drejt tij, i shqetësuar për atë që pa, dhe i kapi duart për ta vërtetuar që nuk ishte imagjinata e tij.

-Eliseo, -i thirri Kenzi me zë të dridhur. -Po të del gjak nga veshët!

Pa duart e tij të gjakosura, dhe ndjeu gjakun të rridhte deri poshtë faqeve të tij. Pas kësaj nuk shihte apo dëgjonte asgjë qartë. Vetëm zhurmë që sa vinte e shtohej, pamje të mjegullta që dyfishoheshin e shumëfishoheshin, njerëz që thërrisnin emrin e tij, dhe më pas errësirë.

Trupi iu këput e ra në krahët e Starkut, ndërkohë që Kenzi filloi të qante e të kërkonte ndihmë, sikur të shfaqej dikush tjetër papritur, vetëm për ta ndihmuar.

-Eliseo! Eliseo! -i thirri disa herë, por ai nuk përgjigjej. -Dikush të bëjë diçka! -zhurma po bëhej më e madhe dhe më e padurueshme, diçka me të cilën veshët e tyre dukej sikur nuk do të mësoheshin kurrë.

-A është diçka serioze? A do të jetë mirë ai? Matea, ti duhet ta dish! -pyeste si e çmendur në pritje të një përgjigjjeje.

-Mos u shqetëso Kenzi, imuniteti i Eliseos ka gjasa të jetë më i dobët se i ne të tjerëve. Të paktën, shpresoj të jetë vetëm kjo. Megjithatë, shumë shpejt të gjithë kështu do të përfundojmë. Trekëndëshi nuk paska vetëm një anomali. Ja pse askush nuk del gjallë që këtu, -i dukej e kotë. Çdo përpjekje, çdo arritje, tashmë i dukej e kotë. Ndryshe nga herët e tjera, kjo gjë i përngjante shumë me fundin. Por në këtë fund tuneli, nuk kishte dritë.

Kishte një dhimbje të tmerrshme në veshë dhe kokë dhe dëshironte ta përplaste gjëkundi që t'i jepte fund. Ndoshta shumë të tjerë në ato njëmijë e shtatëdhjetë e pesë anije dhe njëzet e pesë avionë e kishin bërë para saj. Ishin dorëzuar. Pra, një fuqi kaq të madhe paska një zonë e tillë, sa të bëka të dorëzoheshe dhe të pranoje fatin tënd? Vërtet nuk kishte një lloj drite në atë fund?

-Sikur vetëm të mundim ta ulnim pak këtë zhurmë, të paktën! -kjo ishte drita. Ngriti kokën, sërish ishte zëri që i pëlqente më shumë, por kësaj rradhe, me një zgjidhje. Me dritën në fund të tunelit.

-Kjo është, Alvin! -iu hodh në qafë dhe e shtrëngoi fort, por jo për shumë kohë. Menjëherë shkoi drejt kompjuterit më të afërt dhe e ndezi. Zhurma po përkeqësohej dhe kishte frikë se nuk mund të rezistonte derisa të përfundonte. Por duhet t'i jepte vetes forcë. Për Eliseon, për Glein që ndodhej diku duke i pritur, për Kenzin, Alvinin, Arian, familjen e saj, jetën e saj.

Kontrolloi nëpër xhepat e saj për të gjetur USB-në. Një pjesë aq e vogël do t'i shpëtonte të gjithëve jetën. Nga paniku nuk po e vendoste dot në procesor. Duart i dridheshin, dhe koka i dhimbte jashtë mase, por nuk mund të dorëzohej. Ndaloi dhe mori frymë thellë, edhe pse, pas kurrizit të saj, të gjithë kërkonin ndihmë nga ajo. E provoi sërish. USB-ja ndodhej e lidhur me procesorin. Menjëherë hapi skedarin dhe ndezi audion. Ishte moment jetë a vdekje. Siç Starku tha, jo të gjithë mund të përjetonin diçka të tillë. Por nga ana tjetër, jo të gjithë do të donin të ishin duke përjetuar diçka të tillë.

-Afrohuni këtu! -iu thirri dhe ata bënë si iu tha. Pas pak, filluan të ndienin që veshët po qetësoheshin nga zhurma.

-Po funksionon! Matea, po funksionon! -thirri Kenzi e emocionuar dhe u afrua edhe më tepër me kompjuterin. -Tërheq pas çdo fjalë që kam thënë për projektin tënd. E di që e kam quajtur të pavlerë, të pakuptimtë, por jam penduar për të gjitha, të betohem, -ajo vetëm qeshte teksa dëgjonte fjalët e shoqes së saj. -Më the që do të na duhet një ditë, që do të na hyjë në punë një ditë, po unë isha shumë idiote për të të dëgjuar. Më fal, Matea! Ti do të shpallesh hero! Të gjitha gazetat do të flasin për ty!

Të gjithë iu bashkuan një përqafimi grupi, përveç Starkut që ishte ulur në cep të dhomës, e mbante mbështetur në krahët e tij Eliseon, duke u munduar t'i fashonte kokën.

-Ia dolëm, Eliseo! Ia dolëm, -i pëshpëriti me zë të ulët. -Do të bashkohemi me Glein dhe do të jemi të lumtur. Do ta kompesojmë të gjithë kohën që kemi humbur, të premtoj.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now