XVIII

67 30 8
                                    

Era e ftohtë hyri në atë dhomë duke sjellë bashkë me të lirinë. U mbushën me ajër. Ajrin aq të dëshiruar e të kërkuar. Tani ndiheshin gati për të rinisur gjithçka. Tani, ose kurrë. Zgjedhja ishte e tyre. Fatin mund ta vendosnin vetëm ata. Pikërisht aty.

-Do ta provoj njëherë unë. Të shoh në ç'gjendje jemi dhe do ju lajmëroj, -ushtroi forcë mbi pjesën e jashtme që mund të prekte dhe nxorri gjysmën e trupit jashtë. Era i rrihte vazhdueshëm fytyrën; duhet të ishin vërtet me një shpejtësi të madhe.

-Kemi hyrë shumë thellë tashmë, -informoi. -Pjesa e anijes nëpër të cilën duhet të kalojmë është shumë e pjerrët dhe e rrëshqitshme. Kjo e bën atë të pakalueshme, nuk ka asnjë vend në të cilin mund të mbahemi për t'u zvarritur.

-Si e keni projektuar kështu këtë dalje emergjence? -thirri Matea në mënyrë që të dëgjohej. -Si supozohet të dalësh në këtë rast rreziku?

-Ka një palë shkallë elektrike që duhet të dilnin automatikisht kur ne të hapnim derën.

-E pse nuk dolën ato?? -komunikimi për shkak të erës sa vinte e bëhej më i vështirë.

-Sepse ne nuk e hapëm derën! Ne e shkatërruam atë!

-Po pse e shkatërruam?

-Dera supozohet të hapet automatikisht, kur anija të ketë probleme si të llojit rrezik për fundosje apo përplasje, -pa njëherë përreth për t'u siguruar që në atë moment nuk rrezikoheshin nga diçka e tillë.

-Pse dreqin duhet të jetë gjithçka automatike? -gjërat po vështirësoheshin, dhe ata nuk e kishin idenë nëse kishte një zgjidhje apo jo.

-Në mënyrë që të mos duhet një njeri për t'i aktivizuar në rast rreziku. Supozohet t'i bëjë gjërat më të thjeshta, -u kacavirr që të mund të dilte plotësisht nga anija.

-Po çfarë po bën tani? -nuk donte ta pranonte, por në ato momente Eliseo ndihej i shqetësuar. Shqetësimin mundohej ta fshihte duke u shtirur se thjesht ishte konfuz.

-Ekziston një levë komandimi që mund të nxjerrë shkallët mekanikisht, por ajo ndodhet në pjesën e parme të anijes, ngjitur me timonin. Duhet të dal që këtu në mënyrë që të shkoj atje dhe të nxjerr shkallët për ju. Është e vetmja zgjidhje. Nëse dështojmë, nuk kemi pse dështojmë të gjithë. Tani do të përpiqem të dal. Nëse nuk dëgjoni zhurmën që do të bëjnë shkallët për disa minuta, do të thotë se nuk ia kam dalë. Do të përpiqeni të dilni vetë. Vetëm mos harroni, nuk duhet të rrini këtu edhe për shumë kohë. Nëse ky plan nuk funksionon, bëni gjithçka për të dalë. Gjithçka! -me kaq bëri përpjekjen e fundit për të dalë përfundimisht që atje.

Nuk mund të qëndronte i palëvizur për shkak të erës që frynte në drejtim të kundërt me atë të anijes, kështu që i duhej të ecte duke u zvarritur, që era të mos e flakte në pafundësitë e oqeanit. Duhet ta mendonte mirë se çfarë do të bënte. Nëse do të zgjidhte të kalonte nga ana e majtë apo e djathtë, do të rrëshqiste lehtësisht dhe do të përfundonte në ujë. Ndërsa nëse mundohej të shkonte para, do të ishte e pamundur të përballonte erën.

-Ta marrë dreqi! -mendoi. E kishte projektuar me duart e tij. Kishte qenë mbikëqyrësi i çdo dite pune të asaj mrekullie, dhe ishte kujdesur mirë për çdo detaj të saj. Dhe tashmë, ishte i vënë përballë krijimit të tij, ku gjithçka që kishte menduar që do t'i bënte më të thjeshta gjërat, tashmë po ia vështirësonte tej mase. Ishte në luftë. Ç'do të thoshin për të në shtyp e lajme nëse do të vdiste? Se shkencëtari Simon Stark vdiq në eksperimentin e tij, ku i mori jetën edhe gjashtë fëmijëve të tjerë, ndër të cilët dy ishin fëmijët e tij? Duhet të bënte diçka që ta kthente situatën në dorën e tij, por nuk dinte se çfarë. Aty lart nuk mund të qëndronte edhe për shumë kohë, anija i afrohej zonës së trekëndëshit me shpejtësi dhe askush nuk e merrte dot me mend se ç'mund të ndodhte aty. Asgjë s'kishte në dorë dhe kishte në dorë gjithçka në të njëjtën kohë.

-Është normale të vonohet kaq shumë? -aty brenda, të pestë qëndronin në pritje. Ai ishte shpresa e tyre e vetme.

-Nuk po vonohet shumë, sipërfaqja sipas shpjegimit të tij është shumë e vështirë dhe e rrezikshme për t'u kaluar, kështu që merr pak kohë. Do të presim edhe pak. Duhet të lutemi për më të mirën, -shpjegoi Matea.

-Ai do të jetë mirë, -tha Eliseo. Më shumë se për të bindur Kenzin, e tha për të bindur veten. Donte që ai të ishte mirë.

Zgjati mëngët e palltos së zezë që kishte veshur, për të mbuluar duart. Do të rrëshqiste në pjesën përpara me shpresën se do të rrëzohej brenda në anije pa u dëmtuar. Kështu, u kthye barkas dhe la veten të lirë. Fërkimi midis veshjes së tij dhe anijes ishte aq i madh sa dukej sikur do ta bënte veshjen copa. Duart do t'i ishin dëmtuar keq nëse nuk do t'i kishte mbuluar. Një moment i shkurtër, por njëkohësisht i gjatë. Disa sekonda vendosnin gjithçka. Mund të ndryshonin gjithçka. E kush tha se sekondat nuk kishin vlerë?

Trupi i preku dyshemenë e ngurtë dhe të ftohtë të anijes, më pas bëri disa rrokullisje dhe u përplas me anët e saj. E la të lirë dhe filloi të qeshte me të madhe si i çmendur. Ia kishte dalë mbanë. Tashmë ishte jashtë dhe i gjallë. Mori frymë thellë për të ndier ajrin të depërtonte në mushkëritë e tij. Ajri i ftohtë e i bollshëm. Aroma e oqeanit. E adhuronte. Nuk e dinte që do ta adhuronte një ditë. Por tani e pëlqente kaq shumë. Ishte jashtë. Ishte jashtë dhe gjallë.

U afrua në panelin e drejtimit dhe pa levën që do të nxirrte shkallët.
-Përshëndetje, vogëlushe, -me kënaqësi tërhoqi levën nga vetja dhe pa se si sipërfaqja e rrëshqitshme u thye në shkallë në pak sekonda. Buzëqeshi i lumtur. Ia kishte dalë mbanë.

Brenda anijes u dëgjua zhurma e shumëpritur. Të gëzuar, ata përqafuan njëri-tjetrin dhe filluan të thërrisnin nga lumturia.

-Ai ia doli! -gëzimi ishte i papërshkrueshëm kur shihnin se si çdo hap që hidhnin, e hidhnin me sukses. Besonin se do ia dilnin mbanë. Do të ishte e vështirë, por do ta bënin.

-Shpejt, shpejt, nuk kemi kohë. Vajzat në fillim, -sugjeroi Alvini.

-Jo, duhet të shohim sa e rrezikshme është. Do të dal unë në fillim, -Eliseo hipi mbi tavolinë dhe u mundua të dilte nga e çara e krijuar nga hapja e derës.
-Është e sigurt këtu, mund të dalin edhe të tjerët. Tregoni kujdes pasi fryn erë.

Filluan të dilnin njëri pas tjetrit, duke e lënë frikën brenda atij vendi të kyçur. Kacavirreshin me vështirësi për të dalë, por nuk iu bënte përshtypje. Donin vetëm të dilnin. Asgjë tjetër nuk kishte rëndësi.

-Kenzi, eja, -kishte mbetur në fund. Ngriti sytë lart. Futej dritë e mjaftueshme për të të ftuar të dilje menjëherë. Më pas u hodhi sytë duarve të djersitura nga frika. Mori frymë thellë. Pa sërish nga dalja. Hipi në tavolinë dhe vuri duart në skajet e derës. Ngriti trupin dhe u sforcua që të dilte. Duart po i rrëshqisnin; fakti që i kishte të djersitura nuk po e ndihmonte aspak. Sa vinte e shkëputej më tepër nga sipërfaqja në të cilën mbahej.

-Kenzi! -dëgjoi emrin e saj dhe pa një dorë t'i afrohej për ndihmë. E kapi pa hezituar dhe mbylli sytë. Nuk donte të dëshmonte një moment si ai. Ndjeu trupin t'i ngrihej lart dhe më pas preku me këmbë pjesën e sipërme. Kishte dalë.

Duke nxituar si të çmendur, zbritën nëpër shkallë dhe sërish u bashkuan me Starkun. Ishin sërish të gjithë sëbashku.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now