IX

71 31 18
                                    

-Të gjithë nxënësit që shprehën dëshirën e tyre për të qenë në ekskursionin e Majamit, të dorëzojnë formularët e lejes të firmosur nga prindërit. Vetëm nxënësit mbi tetëmbëdhjetë mund ta firmosin vetë formularin,-në klasë kumboi zëri i zonjës Xhuls; me tonin e përhershëm sikur gjithçka në lidhje me klasën kujdestari i kishte ardhur në majë të hundës. Nxënësit filluan të dorëzonin formularët sipas rradhës, ndërkohë që ajo i binte me dorë katedrës herë pas here për të mbajtur qetësi.

-Tashmë është e sigurt që Glei nuk ndodhet në klubin e gjeografisë. Ajo nuk i ka mbushur tetëmbëdhjetë, dhe duhet me patjetër që halla të firmoste diçka, -tha Eliseo në pritje të dorëzimit të formularëve. -Ndërkohë, halla nuk di asgjë.

-Por profesor Blasteri e di me siguri se ku ndodhet Glei. Jam shumë e sigurt. Këtë ekskursion do të jemi vetëm në ndjekje të hapave të tij. Në ndjekje të çdo hapi që hedh. Jam e sigurt se do të gjejmë diçka, -pas kësaj shkoi për të dorëzuar formularin.

-Matea Lejhi, shumë e guximshme nga ana jote të marrësh pjesë në ekskursion, sidomos pas asaj që ju ndodhi vitin e kaluar. Unë as që e kuptoj se si shkolla ndërmerr një nismë të tillë, -u ndesh me fytyrën ziliqare të saj. Diçka i thoshte se ajo grua jo më shumë se dyzet vjeçare i urrente të gjithë ata, ose të paktën përgjegjësinë që kishte për ta.

-Nuk e kuptoj ç'doni të thoni, zonja Xhuls, ne jemi të gjithë gjallë dhe pa më të voglin dëmtim. Përveç kësaj, nëse nuk do të ishte për ne, shumë shpejt të gjithë do të kishim vdekur, -iu kthye Kenzi, -përfshirë këtu, epo, edhe ju, -Xhuls u drodh nga mendimi dhe u mundua më pas të injoronte fjalët e Kenzit.

-Më jep formularin, atë bëj ti. Ta dini që nuk do të jeni nën përgjegjësinë time. Unë nuk vij në ekskursion, -dhe sikur të kishte deklaruar diçka të madhe, përplasi formularët e mbledhur në katedër.

-Kësaj do i ketë dalë në ëndërr ekskursioni, -mërmëriti një nxënës. Ajo ngriti kokën në përpjekje për të dalluar se kush foli, dhe pasi u hodhi të gjithëve një shikim të xhindosur, që në mendjen e saj ishte i frikshëm, uli sërish kokën për të parë formularët.

***

Ishin duke pritur në aeroport për nisjen e tyre në Majami. Gjithçka ishte gati, valixhet, biletat, rradha e konsiderueshme e nxënësve. Aeroporti ishte i madh dhe i ndriçuar nga të gjitha anët me drita të fuqishme. Altoparlanti shpeshherë njoftonte udhëtarët për nisjen e tyre. Shihje njerëz që nxitonin për të arritur fluturimin, dhe të tjerë që nga vonesa e humbisnin. Në atë vend të madh mund të humbisje shumë lehtësisht.

Megjithatë, imazhin e profesor Blasterit ata të pestë nuk do ta humbisnin për asgjë në botë. Kishte veshur një pallto të kafenjtë dhe të gjatë deri poshtë gjurit, e cila me shumë mundësi do të ishte imitim. Në kokë mbante një kapelë si britanikët, që e bënte të dukej fisnik. Në dorë mbante një valixhe të vogël. Kishte veshur çizme të zeza dhe me atë pamje dukej si një detektiv.

-Fluturimi për në Majami dhe Porto Riko fillon për pesë minuta, -u dëgjua nga altoparlanti. Nxënës dhe mësues filluan të nxitonin për të zënë vendet e tyre. Ndërkohë që të pestë ata ishin sy e veshë nga Blasteri.

-Ndiqni profesorin, mos harroni, -i rikujtoi Matea. Çdo e dhënë e vogël që mund t'i jepte kjo gjë do t'ju vlente sadopak.

Vunë re që profesori e anashkaloi rreshtin e nxënësve dhe mësuesve që po hynin me rradhë në avionin që do të nisej për në Majami, dhe përkundrazi, ndryshoi drejtimin nga tabela e cila lexonte "Porto Riko".

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now