IV

86 31 12
                                    

Duke e ditur shumë mirë se sa herë do ta telefononin, e fiku celularin dhe vazhdoi të ecte me të njëjtin ritëm. Nuk donte t'ia dinte se ku po shkonte, apo nëse do ta mbante mend rrugën e kthimit, donte vetëm të largohej nga gjithçka dhe të gjente qetësinë që i mungonte.

Donte të largohej nga gjithçka, pasi gjithçka lidhej me vëllain e saj. Gjatë gjithë jetës ishte ndier si një personazh dytësor në jetën e Eliseos. Të gjithë sytë kishin qenë gjatë gjithë kohës mbi të, ndërkohë që Glei mbetej nxënësja e pasjellshme të cilën asnjë mësues apo nxënës nuk e pëlqente. Asnjë vend nuk i ngjante si shtëpi, asnjë njeri apo asnjë hapësirë ku shkelte. Për të dy ata jeta u tregua e vështirë, që me vdekjen e nënës së tyre vite më parë, ndërkohë që babain nuk e kishin parë kurrë. Të rritur nga tezja e tyre, jeta u tregua përveçse e vështirë, edhe e padrejtë, në momentin kur u bë e qartë se cili ishte fëmija i preferuar dhe fëmija i padëshiruar në atë familje. Por asaj nuk i pëlqente të tregonte si ndihej; kështu njerëzit do të mendonin se ishte e dobët. Në vend të kësaj, preferonte të sillej si një fëmijë i padëshiruar, nxënëse e padëshiruar, vajzë e padëshiruar, siç të gjithë e kishin bërë të ndihej.

Por përveç kësaj ajo kishte një ego dhe krenari të lartë. Nuk i pëlqente që dikush të ishte më i mirë se ajo, për të qenë më të saktë, e urrente. Prandaj e urrente prezencën e të vëllait, apo prezencën e Mateas. Ajo donte të ndihej si një udhëheqëse, dhe e tillë duhet të ishte. Nuk merrte urdhra nga askush, dhe vepronte sipas rregullave të saj. Shumë gabime në një person të vetëm.

Nuk e dinte se ku kishte shkuar, vetëm shpresonte të ishte sa më larg të ishte e mundur. Pikat e para të shiut i lagën flokët bjonde, dhe ajo nuk kishte çadër. Por e ndiente se diçka e tillë i duhej. Shiu e qetësonte, dhe e bënte të çlirohej nga mendimet e panevojshme.

Dëgjoi disa hapa pas shpinës dhe qeshi hidhur kur kuptoi se ato sekonda qetësie kishin përfunduar.

-Eliseo mundësisht zhduku. Nuk dua të të shoh apo të të dëgjoj zërin. Dua të rri vetëm. -Dëgjoi hapat që erdhën më afër saj, por nuk e ktheu kokën për të parë se kush ishte.

-Më lër ta gjej. Glei, Glei Stark, vajza inteligjente, e shkathët, e prirur për gjithçka dhe një studente e shkëlqyer, e megjithatë aspak e vlerësuar siç duhet, nga askush që e rrethon, kështu? -ktheu kokën, pas saj nuk ishte Eliseo. Vuri re këpucët prej lëkure në ngjyrë të zezë të mahnitshme, të cilat me patjetër duhet të ishin shumë të shtrenjta, ashtu si kostumi i zi që kishte veshur. Dukej një njeri i mbajtur, megjithatë jo ndonjë intelektual zyrash. Mbante në dorë një çadër të së njëjtës ngjyrë, sikur të ishte duke pritur atje prej kohësh. Hodhi një vështrim drejt syve të tij, që pa asnjë lloj arsyeje i dukeshin të njohur.

-Kush je ti? -pyeti dhe anoi kokën si për të dashur ta shihte më qartë fytyrën e tij, një pjesë të së cilës ia mbulonte çadra.

-E di Glei, të gjithëve na ndodh. Edhe unë kur isha në moshën tënde, epo, shumë shumë vite më parë, isha si ti, le të themi, i etur për të udhëhequr.

-Kush je ti dhe nga më njeh? -ngriti zërin dhe nuk lejoi që t'i dridhej.

-Unë njoh shumë njerëz, të të njoh ty nuk është ndonjë gjë e vështirë. Le të mos harrojmë faktin se ke dalë në lajme si një hero, -Glei rrudhi vetullat konfuze. Nuk i pëlqente e gjitha kjo, nuk kishte nerva për t'i harxhuar me një person të panjohur që krejt papritur i flet në rrugë. Megjithatë donte të zbulonte më shumë, një pjesë e saj ishte shumë kurioze për të mos e vazhduar atë bisedë.

-Ç'do të thuash?

-Kaq shpejt harron? Një vit më parë, në fakt më pak se një vit, ndoshta njëmbëdhjetë muaj më parë, ishe pjesë e gjashtë adoleshentëve që shpëtuan Tokën nga shkatërrimi. Tani që po e dëgjoj se si tingëllon, më duket si një përrallë, por është e vërtetë. Dhe në fakt është për t'u habitur, për t'u vlerësuar. Gjë që asnjë nuk e bëri me ty, apo jo? -zbërtheu xhaketën dhe nxorri prej aty një gazetë. -Më lejo të të lexoj diçka. Gazeta "Të përditshmet", titull ironik. Matea Lejhi dhe pesë adoleshentë të tjerë shpallen heronj për shpëtimin e qytetit dhe ndoshta të të gjithë planetit nga një çekuilibrim natyror i mundshëm i shkaktuar nga shkencëtari i njohur Kris Hadler dhe bashkëpunëtorë të tjerë të tij. Gazeta " Të parët", epo, jam paksa konfuz në lidhje me titujt, megjithatë ai që na intereson është artikulli kryesor, i cili vijon si më poshtë: Kris Hadler arrestohet për çmendurinë shkencore të vazhduar për një kohë të gjatë në një pyll të ndaluar, falë gjashtë adoleshentëve guximtarë, si Matea Lejhi, Alvin Fraud, e të tjerë, -qeshi si me tallje dhe hodhi sytë nga ajo. -Alvin? Seriozisht?

-Ti... Ti nuk e njeh Alvinin, -Glei ishte nga ata persona që nuk kishte frikë nga e panjohura. E vetmja gjë që e shqetësonte ishte pikërisht fakti i të panjohurës. Ajo dëshironte ta zbulonte.

-Të thashë që njoh shumë njerëz, apo jo? Le të themi se, pas heroizmit tuaj jeni bërë disi të famshëm.

-Çfarë qëllimi ke? Çfarë kërkon?

-Ti më pëlqen Glei, -tha duke buzëqeshur kur pa se si ajo hyri drejt e në temë. -Dhe, ndryshe nga të gjithë ata që më rrethojnë, unë të kuptoj. Nuk ndihesh asnjëherë sikur përket diku, apo jo? -ajo nuk iu përgjigj. -Dëshiron të jesh në krye, t'u tregosh të tjerëve se sa e zonja je, dhe ata të të admirojnë për këtë.

-Si i di ti këto?

-Nëse do të të thosha që e shoh në sytë e tu, me siguri nuk do më besoje, kush përveç katërmbëdhjetë vjeçarëve që mendojnë se kanë rënë në dashuri do ta besonte gjithsesi. Por kjo nuk është aq e rëndësishme. Më lejo të të them diçka. Çdo njeri ngjan me një kafshë, përsa i përket karakterit, dua të them. Ka njerëz që ngjajnë me ujqërit; inteligjentë dhe symprehtë, por s'mund të bëjnë pa njëri-tjetrin, të tillë si Alvin, Eliseo, Kenzi. Kemi ata të ngjashmit me drerët, shumë simpatikë dhe largpamës, por me mendje të cekët dhe aspak të aftë për të mbijetuar, të tillë si Aria. Ka njerëz të ngjashëm me tigrat; aspak gjaknxehtë, përkundrazi, e planifikojnë sulmin e tyre në mënyrë tejet të organizuar dhe të mbushur me detaje. Për ta është e vështirë të hyjnë në kurthe apo të humbasin një sfidë, të tillë si Matea. Dhe më pas, vjen kafsha ime e preferuar, mbreti i pyllit, luani. Luanët kanë lindur për të qenë të pushtetshëm, të gjitha kafshët e tjera kanë lindur për t'u përulur para tij. Të plotfuqishëm, udhëheqës, të frikshëm, të tillë si ti, Glei. Një luan nuk nënvlerësohet kurrë, nuk udhëhiqet kurrë nga dikush tjetër. Ashtu si ti.

Kushdo të ishte ai njeri i panjohur, pavarësisht se nga i njihte apo çfarëdo të kërkonte, në atë pikë kishte të drejtë. Ndoshta për herë të parë Glei u ndie sikur dikush e kuptoi, sikur një zë i brendshëm po e nxiste që të mësonte më shumë prej këtij njeriu.

-Megjithatë, nga shikimi yt po vë re që ndoshta hyrja ime në mënyrë të tillë të ka frikësuar, ose të ka bërë të dyshosh, dhe po mendoj që bëra gabim që fola. Si thua sikur unë të kthehem nga erdha dhe ti të vazhdosh me momentin tënd të qetësisë? -u kthye nga ana tjetër dhe nisi të ecte me hapa të ngadaltë.

-Prit! -foli Glei mbrapa tij. -Po të dëgjoj.

Në shpëtim të GleitWhere stories live. Discover now