|2|

168 32 80
                                    

-Zgjohu, Leira, kam ardhur të të takoj, -hapi sytë dhe pa përreth. Gjithçka në dhomën e saj ishte njësoj; në karrige ish vendosur palltoja e saj, pizhamet e tjera dhe disa rroba që kishte përtuar t'i fuste në lavatriçe, e që nuk e dinte për sa kohë qëndronin aty. Më tej, perdja e dritares ishte anuar, kjo ngaqë shpeshherë dritarja qëndronte e hapur. Leira ndihej sikur xhami e pengonte të shihte natyrën përtej dhomës dhe të ndiente freskinë e saj, ndaj dritarja qëndronte e mbyllur vetëm natën, ndërsa perdja ishte gjithnjë e anuar dhe jo e hapur plotësisht. Mbylli sytë sërish dhe u kthye në anën tjetër.

-Jam këtu.

Hapi sytë sërish. Një vizion i mjegullt u shfaq para syve të saj; nuk ishte e sigurt nëse ajo që po shihte ishte e vërtetë, apo ishin thjesht lojëra të mendjes së saj. Por ishte e sigurt për faktin se ishte duke parë një siluetë gruaje, edhe pse të paqartë.

-Leira, më ndiq, jam këtu. -Ishte e sigurt se zëri vinte nga silueta. Megjithatë nuk guxonte të ecte, nuk guxonte të ngrihej nga shtrati. E dinte se kjo ishte lojë, e tillë duhet të ishte.

-Nuk të ka marrë malli për mua? -iu duk sikur e njohu atë zë, megjithatë ende nuk mund të arrinte ta dallonte se i kujt ishte. Vetëm e dinte që e njihte, dhe kjo e bëri të ngrihej.

-Gjyshe? -picërroi sytë dhe pati një përzierje ndjenjash. Nuk e kuptoi mirë nëse u gëzua që po e shihte, apo nëse ishte e vetëdijshme që e gjitha kjo ishte vetëm një iluzion.

-Po, Leira, jam unë. Dhe jam shumë e lumtur për ty, -bëri një fytyrë konfuze. I dhimbte koka dhe nuk arrinte dot ta bënte dallimin midis realitetit dhe asaj që po shihte. Sepse gjithçka i dukej shumë e vërtetë.

-E lumtur? Si mund të jesh e lumtur për mua, gjyshe? -tha gati me inat. -Ti më le të vetme këtu, dhe po thua që je e lumtur për mua? Ti as që ia ke idenë se sa keq kam qenë këtë muaj! Pse duhet të ikje kështu? -përballë kishte siluetën e cila heshtte. -Pse? E ke një përgjigjje për këtë apo jo? Pse? -duke humbur durimin filloi të godiste siluetën e heshtur dhe të buzëqeshur, por duart e përshkonin trupin e saj.

-Gjithmonë ka një përgjigjje për gjithçka, e vogla ime. Thjesht duhet ta kërkosh atë. Nuk duhet të heqësh dorë prej saj. Dhe më beso, kur ta mësosh, edhe ti do të jesh e lumtur për veten. Vetëm se nuk supozohej të ishte kështu. Nuk supozohej të ndodhte kështu. Diçka ka shkuar keq, shumë keq. Por jam e sigurt se ti do të jesh e fortë mjaftueshëm për ta përballuar këtë. Jam shumë e bindur për këtë.

-Nuk jam! -thirri dhe mbylli sytë. -Nuk jam aspak e fortë për të përballuar humbjen tënde, kuptove? Nuk jam aspak e fortë!

-Leira, ti nuk di asgjë, -vazhdonte të fliste po me të njëjtën qetësi. -Nuk po flisja për ikjen time. Diçka shumë më e madhe se kaq do të ndodhë me ty, vogëlushe. Dhe do të ndodhë më herët se ç'ishte e supozuar. Vërtet besoj se ti do t'ia dalësh. Ti je njeriu më i fortë që kam njohur ndonjëherë, e dashur. Dhe ty të kam rritur unë. Kam besim të plotë te ti.

Por gjithçka që po dëgjonte dhe shihte vetëm sa po ia bënte gjithçka më të paqartë, më të mjegullt, dhe e çonte më larg realitetit. Në të vërtetë, kjo ishte pikërisht çfarë e afronte me realitetin.

-Të lutem, të lutem, fol më qartë! Çfarë po ndodh me mua? Çfarë ndodhi me ty? Dhe pse?

-Do të doja, e dashur, por nuk mundem. Vetëm dikush mund të të thotë se çfarë po ndodh, -ktheu vështrimin në të djathtën e saj, dhe kështu bëri edhe Leira.

-Kejli? -mbi komedinën përbri krevatit të saj, vuri re foton e vjetër që kishte nxjerrë vite më parë me motrën e saj të madhe. I kujtohej ai moment. Gjyshja i kishte detyruar të dyja të pozonin për atë fotografi. Në vend të qartësohej, gjithçka po i ngatërrohej më shumë se kurrë. Koka i rëndonte dhe i dhimbte. -Çfarë lidhje ka Kejli me gjithë këtë? Çfarë po ndodh? Përgjigju, çfarë po ndodh? -filloi të bërtiste e sërish u mundua të godiste mbi siluetë.

-Leira! Të ka lënë mendja gjë? -hodhi sytë përreth dhe pa se ndodhej në dhomën e saj. Silueta e gruas nuk ndodhej më aty. U përball me vështrimin e shqetësuar të s'ëmës dhe kuptoi se sërish e kishte gjetur veten duke ecur në gjumë. Psherëtiu e lodhur dhe e përqafoi.

-Kishe kohë pa e bërë këtë, e dashur. Je e sigurt që nuk duhet ta mendojmë edhe një herë mundësinë për të filluar terapi?

Leira u shkëput nga përqafimi, e pa ftohtë dhe qeshi hidhur.

-A e kthen dot terapia gjyshen time? -heshtja që mori mbartte gjithë përgjigjjen. -A e ndryshon dot terapia se çfarë ka ndodhur me të? Se çfarë ka ndodhur me mua? Apo, a do të më tregojë dot se çfarë do të ndodhë më vonë? I bën dot kjo terapia?

-Asgjë nuk e kthen gjyshen tënde Leira! -një zë i revoltuar u dëgjua pas saj. Ktheu kokën dhe e motra i shtrëngoi dorën e e vështroi në sy.
-Asgjë dhe asgjë nuk e kthen gjyshen tënde. As lotët e tu dhe as ëndrrat që sheh. Të sugjeroj të vazhdosh me jetën tënde në vend që ta kthesh gjatë gjithë kohës kokën pas në kërkim të diçkaje që as nuk ekzsiton më.

Ajo u shtang para fjalëve të saj të ftohta, e pa edhe njëherë në sy pa ditur ç'të thoshte dhe vetëm po shpresonte që të ishte ende në gjumë.

-Gjyshen time? Gjyshen time? -përsëriti duke ngritur zërin. -Po e jotja Kejli, nuk është e jotja? Çfarë po ndodh me ty? Ti, ti nuk je kjo. Ti nuk ke qenë kështu. Çfarë po ndodh me ty, Kejli, më thuaj çfarë po ndodh me ty-

-Të sugjeroj të vazhdosh me jetën tënde! -tha sërish por me një ton më të lartë. -Disa nuk e kanë këtë mundësi. -La dhomën duke ikur me nxitim dhe Leira doli pas saj. Në dhomën e shkretuar, e ëma qëndronte e palëvizur me shpirtin e saj të mplakur, si të ishte e lodhur nga kjo fatkeqësi që kishte rënë si mallkim për të bijat e saj.

-Kejli, më detyrohesh një shpjegim! -thërriste duke e ndjekur, por ajo nuk ndalonte. -Kejli, të lutem! E di që ti di çdo gjë që unë duhet të di. Dhe ti je e vetmja që mund të ma thuash këtë. Nuk jam çmendur, në rregull? Nuk e di se ç'po ndodh me mua, por nuk jam çmendur. Gjyshja u shfaq në ëndrrën time, -nuk foli më kur pa se kjo gjë e bëri motrën e saj më në fund të ndalonte. Mund ta ndiente tensionin që e kishte kapluar gjithë situatën, dhe mund ta ndiente se edhe Kejli ishte po aq e trazuar në mendime sa ajo vetë.

-Çfarë të tha ajo? -foli ngadalë dhe me zë të ulët. Sytë i mbante poshtë. Leira asnjëherë nuk e kishte parë motrën e saj të dukej ashtu.

-Diçka ka ndodhur me mua, por që nuk duhej të ndodhte. Të paktën jo tani. Nuk e di, -picërronte sytë që të mund të kujtonte më mirë, -tha se ndodhi herët, dhe se unë nuk jam gati, por se do të jem e fortë mjaftueshëm për t'u përballur me të. Por nuk ma tha se çfarë. Më tha se vetëm ti mund të ma japësh përgjigjjen që më duhet. Të lutem, Kejli, më thuaj çfarë duhet të di.

-A tha ajo, ndonjë gjë, për mua? -pyeti me hezitim. Leira tundi kokën në shenjë mohimi.

-Ke parë vetëm një ëndërr idiote atëherë. Nuk ia kam idenë se për çfarë po flet, -sytë e saj tregonin hapur njëfarë zhgënjimi të pakuptueshëm. Por Leira nuk mund të priste më gjatë. I duhej një përgjigjje.

-Kejli, të lutem! -u lut sërish. -Ti je zgjidhja ime e vetme. Nuk ia kam idenë se çfarë duhet të bëj dhe çfarë nuk duhet, në rregull? Në qoftë se do të ishte thjesht një ëndërr, nuk do të kishe reaguar në këtë mënyrë. Të lutem, duhet ta di.

-E urrej këtë gjë, -pëshpëriti. -Në rregull, por do të më lësh të qetë pas kësaj. Nuk dua pyetje të tepërta dhe të kota, dhe nëse je e trashë për të mos e kuptuar herën e parë, nuk do të ta them dy herë. E gjitha kjo ka lidhje vetëm me ty, prandaj po ta them edhe njëherë, mos më përfshi. Kjo është gjëja e fundit që bëj për ty, në rregull?

-Kejli, pse po flet kështu?

-Në rregull? -ngriti zërin.

-Në rregull, të premtoj.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now