|20|

86 29 66
                                    

-Shpejt, ndaloni të gjithë të Dërguarit dhe Aatamit të kalojnë përmes mureve të Pontiusit! -urdhëroi në panik e sipër. Njëzet e katër të Dërguar dhe njëzet e tre Aatami po vinin drejt tyre dhe ata nuk kishin aspak kohë.

-Çfarë po ndodh? -shpejt të pestë u mblodhën aty për të mësuar diçka.

-Nuk e di se çfarë i gjeti, kanë dëgjuar se ju do t'i asgjësoni të gjithë dhe se do të caktoni të tjerë të Dërguar nga fillimi, -u mundua të shpjegohej, por edhe ai ishte po aq i paqartë sa ata. Ndihej shumë konfuz dhe i hutuar. Ishte një Aatami dhe duhet të luftonte krah të Dërguarve dhe Aatamive të tjerë, por në të vërtetë ndihej se kjo ishte e padrejtë.

-Të marrtë dreqi Koel, -mërmëriti dhe hodhi sytë sërish nga dritarja e madhe. Ajo pamje që i ishte ofruar vetëm disa minuta më parë tashmë ishte kthyer në një katastrofë. Të Dërguarit dhe Aatamit dukeshin të revoltuar dhe punonjësit që ishin kujdesur gjatë gjithë kohës vetëm për kopshtin dhe pemët e Pontiusit nuk mund të bënin dot shumë për t'i ndaluar.

-Ky është budallallëk. Si mund të dalë kundër teje një krijesë që ti vetë e ke krijuar? -çfarë kishte thënë atë ditë ishte vetëm një fjalë jo e marrë seriozisht, dhe nuk i kishte shkuar fare në mendje se do të sillte një gjë të tillë.

-Qepe Koel, sinqerisht mos fol më! -filloi të sillej rreth e qark dhomës për të menduar rreth diçkaje që mund t'u hynte në punë, por e kishte të vështirë.

-Fati i tyre është i përcaktuar. Ne e kemi të pamundur t'i heqim qafe qoftë të Dërguarit, qoftë Aatamit. I ka lënë gjë mendja?

-Është e kotë Vesta, ata nuk do të dëgjojnë. Në mendjen e tyre ne jemi fajtorët e vdekjes së parakohshme të të Dërguarës Delansi. Asgjë nuk do t'i bëjë të ndryshojnë mendim, -në kohë të tjera do ta fajësonin natyrën e tij pesimiste, por kësaj rradhe kishte të drejtë.

-Kjo po na del nga duart, -po humbiste mendjen. Nuk kishte asnjë ide si të dilte nga e gjitha kjo dhe sa më shumë të fliste me të tjerët aq më shumë i dukej sikur ata do t'i sillnin telashe.

-Ata kërkojnë Leirën, -tha ndër dhëmbë. -Bëjnë Leirën fajtore për të gjithë këtë dhe duan që ta vrasin. Sipas tyre, nëse nuk do të ishte për të, asnjë nga këto nuk do të kishin ndodhur.

Juno i hodhi një vështrim të çuditshëm, si të dyshonte për të, e më pas hodhi sytë nga Ceresi.

-Pse nuk na lajmërove më parë?

-E kisha të pamundur. Ata vendosën shpejt dhe të ndahesha prej tyre dhe të arrija këtu në kohë ishte e vështirë. Bëra më të mirën e mundshme.

-Ai është i besuari im, -nuk e la të vazhdonte më tej. -Të dyshosh për këdo nuk do të ta bëjë punën më të thjeshtë, Juno. Duhet të mbrojmë Leirën, -u kthye nga të tjerët, -dhe të dalim të përballemi me ta. Ne jemi Rojtarë, jemi ata që i kemi krijuar, që u kemi dhënë detyrën dhe vendin që u takon. Duhet t'ua rikujtojmë këtë gjë. Ndërsa ti, -iu drejtua Blizardit, -për momentin qëndro këtu dhe bëj të mundur që Leira të jetë e sigurt.

Ndërkohë ajo nuk gjeti mundësinë të thoshte asnjë fjalë. Gjithçka kishte kaluar para syve të saj aq shpejt, sa ende nuk e kishte kuptuar se çfarë po ndodhte. Në fillim Profecia e Ndaluar pas së cilës ishte Juno, tashmë plani i tyre për të asgjësuar të gjithë të Dërguarit dhe Aatamit, për të cilin nuk dinte nëse ishte i vërtetë apo trillim, revolta e të Dërguarve dhe Aatamive dhe kërcënimet për jetën e saj. Po ndodhnin shumë dhe në një kohë të papërfillshme.

-Çfarëdo që të bësh, mos ma bëj punën më të vështirë se kaq, -theu heshtjen e sikletshme që ishte krijuar. -Nëse ke nevojë për diçka, më thuaj. Por mos dil që këtu, në rregull?

Ajo pohoi me kokë pa e menduar shumë. Nëse do t'i duhej të dilte, do ta bënte pa kërkuar lejen e një xhuxhi. Tek e fundit, gjërat nuk mund të shkonin më keq se kaq.



Me shpresën se do të vinte së shpejti, asnjëherë nuk ishte përpjekur ta pastronte dhomën e së bijës me themeli, edhe pse diçka i thoshte shpeshherë se shpresa e saj ishte e kotë. E kishte shumë të vështirë të përballej me gjithçka që po i ndodhte. Nga ana tjetër, Kejli nuk ishte duke kaluar ditët e saj më të mira, pasi një kollë e tmerrshme e kishte zënë keq së fundmi dhe nuk pranonte në asnjë mënyrë të merrte mjekime, si të ishte një fëmijë i vogël. Kishte shumë kohë pa e hapur derën e asaj dhome, por nuk mund të qëndronte më gjatë. Lëvizi çdo send nga vendi për të pastruar mirë në çdo cep. Të paktën, kur vajza e saj të vinte, do ta gjente dhomën të pastruar. Me këto mendime plot shpresë e shtynte veten të sforconte trupin e dobët dhe të pastronte si të ishte duke hequr nga ajo dhomë një barrë të madhe. U ul në gjunjë për të fshirë në pjesën e poshtme të krevatit dhe diçka i bëri përshtypje. Nuk e mbante mend Leirën të kishte patur një libër aq të madh dhe të rëndë për të lexuar. Për më tepër, i dukej shumë i vjetër për të qenë ende funksional.

-Kejli, -duke e thirrur në emër shkoi në dhomën e saj, -di gjë, Leira e ka këtë libër? -ajo ngriti sytë dhe libri që e ëma mbante në dorë i rikujtoi edhe njëherë çfarë ishte munduar të shmangte gjatë gjithë kohës.

-Më lër rehat, -u përpoq të tregohej indiferente, por në të vërtetë donte thjesht të shmangej, të arratisej nga ajo situatë dhe nga çdo gjë tjetër në jetën e saj. Ishte e lodhur.

Gruaja e vjetër nuk arrinte asnjëherë ta kuptonte arsyen e sjelljes së të bijës, por nuk i kërkonte më llogari si më parë. Pa folur më tepër, u largua nga dhoma me librin në dorë dhe nuk iu desh shumë që t'i vinte ai mendim në mendje.

-Me siguri e ka djaloshi, -tha me vete. Në fillim mendoi të njoftonte Kejlin se do të dilte nga shtëpia, por më pas ndërroi mendje. Nëse ajo do të shqetësohej mjaftueshëm, do ta vinte re mungesën e saj.

Teksa duhet të shtirej para familjes së tij se gjithçka ishte mirë, trokitja në derë ia bëri këtë disi të pamundur. Askush nuk e dinte se ata nuk ishin më bashkë, pasi edhe ai ende refuzonte ta pranonte shpeshherë.

-Deklan, si je? Nuk e di nëse ke marrë lajme nga Leira, por gjeta këtë në dhomën e saj, -i zgjati librin që e mbante me të dyja duart. -Nuk e di nëse është i yti, por ti ishe i pari që më erdhi në mendje. Leira i lë gjithmonë gjërat rrëmujë, por jam e sigurt se nuk e kam parë asnjëherë më parë këtë libër , -u mundua të shtirte një buzëqeshje dhe ai u përpoq të bënte të njëjtën gjë, por të dy dështuan.

Nuk ishte i sigurt se çfarë duhet të bënte. Një pjesë e tij i thoshte se gjithçka midis tyre tashmë kishte marrë fund dhe ai duhet të mësohej tashmë me këtë fakt. Por ishte pjesa tjetër që nuk e linte të qetë. Pjesa që e bënte të besonte se Leira ishte e detyruar të vepronte në atë mënyrë dhe se Leira e tij nuk do ta kishte bërë asnjëherë diçka të tillë. Kjo pjesë i thoshte të mos hiqte dorë dhe të zbulonte më shumë rreth asaj të cilën Leira zgjodhi ta mbante të heshtur. Ndoshta ajo ishte në rrezik apo e kërcënuar. Ndoshta kishte nevojë për të, por ai nuk e kuptonte.

-Djalosh? -kërciti gishtat para fytyrës së tij për ta sjellë në vete.

-Është i imi në fakt, -vendosi të thoshte. -Enciklopedi e vjetër. E solla njëherë për t'i treguar diçka Leirës, dhe e paskam lënë atje, -gruaja u duk e lehtësuar që kishte patur të drejtë.

Me kopjen e Librit të Pafund në dorë dhe qindra mendime të turbullta, hyri në dhomë për të parë se sa shumë mund të mësonte nga ato copa letre të bëra bashkë. Rilexoi çdo informacion në lidhje me Tokën, Rojtarët dhe të Dërguarit nga fillimi, mbante shënime dhe u rikthehej temave që nuk i kuptonte. Ndjeu diçka të vështirë për tu shpjeguar kur pa kapitullin e rradhës, një farë entuziazmi të çuditshëm e të pakuptimtë.

"Rrugëtimi për në Pontius."

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now