|7|

133 31 69
                                    

Ndërkohë që pastronte rrëmujën e krijuar, herë-herë kthente sytë nga trupi në dukje i pajetë i saj, për të parë nëse ishte mirë, nëse gjumi i thellë në të cilin ndodhej ishte i nevojshëm, apo nëse thjesht do i shtonte makthet në mendjen e saj. E kishte patur të vështirë t'i shpjegonte gjithçka që kishte ndodhur s'ëmës së Leirës, kur kjo e fundit kishte kthyer përmbys dhomën vetëm disa orë më parë. Nga një anë i vinte keq që kishte përdorur vdekjen e gjyshes për ta justifikuar, por nuk kishte zgjidhje tjetër. Leira flinte në divanin e vjetër sikur të ishte lutur për të gjetur një formë shpëtimi. Sikur të donte të flinte përgjithmonë, aq e lodhur dhe e dërrmuar dukej. Dhe ai nuk dinte ç'të bënte. Nuk dinte nëse do t'i duhej tu tregonte gjithçka të gjithëve, apo ta mbante të fshehtë dhe të priste për vendimin e Leirës. Por edhe nëse do iu tregonte, a do ta besonte njeri? A do mendonte ndonjë se ai po tregonte të vërtetën, ndërkohë që as ai vetë nuk i besonte vetes? Mundësia më e madhe do të ishte që ta merrnin për të çmendur, ose ta konsideronin fyes që bënte shaka në një kohë të tillë. Ndaj gjëja e vetme që i mbetej ishte të priste.

Dëgjoi një trokitje të lehtë në derë, e më pas zhurmën që u krijua kur ajo u hap, në mungesë të lubrifikimit. Sytë e zonjës së vjetër u drejtuan nga e bija, e më pas një vështrim lutës u përball me sytë e tij.

-A është mirë ajo? -pyeti në pëshpërimë. Ai tundi kokën, e në moment i erdhi diçka në mendje.

-A është Kejli aty? -kjo pyetje gruas i erdhi çuditshëm, të paktën kështu e tregoi mimika e saj.

-Këtu është, por nuk do të ishte mirë të flisnit. Herën e fundit ajo u zotua se do të largohej e nuk do të kthehej më kurrë në shtëpi nëse Leira i bënte më tepër pyetje. Nuk e di se çfarë po ndodh me vajzat e mia. Duket sikur ato të dyja po lajthitin. Por mos kërko t'i bësh gjërat më keq, djalosh, -insistoi. -Ato e dinë më mirë, -u bë gati të dilte, por zëri i Deklanit nuk e lejoi.

-Më besoni zonjë, nuk e kam patur asnjëherë si qëllim. Ju e dini që unë jam shumë afër Leirës, dhe ndoshta mund të ndihmoj në zbutjen e marrëdhënieve midis tyre. Leira ka nevojë për motrën e saj. Ato janë të dyja duke kaluar momente të vështira , dhe në vend që të zihen, duhet të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës. Më lejoni ta provoj, dhe nëse ajo nuk dëshiron të flasë, nuk do të këmbëngul, -deri diku fjalët e tij arritën ta bindnin, megjithatë kishte frikë dhe nuk donte të dëshmonte të tjera zënka në familje.

-Nuk e di, -tha me gjysmë zëri. -Nuk e di nëse ke të drejtë apo jo, por meqë mendon kështu, po i them të vijë. Por dëgjo, -riktheu vështrimin në sy, -nëse ndodh ndonjë gjë, do të të bëj ty përgjegjës, në rregull?

-Patjetër, -miratoi ai. -Edhe diçka të fundit, -shtoi. -Thuajini se dëshiron ta takojë Deklani. Jo Leira.

Ajo u largua duke tundur kokën. Ndërkohë ai u ul në karrigen përballë divanit në të cilin Leira flinte paqësisht. I mbetej vetëm të priste. Të priste dhe të shihte nëse do të mund të rregullonte qoftë edhe diçka.

-Nëse je këtu për të më thënë se duhet të kujdesem për motrën time të vogël, mos u lodh kot me fjalë, -ngriti sytë dhe u përball me pamjen e vrazhdë të Kejlit, e cila nuk kishte denjuar as të kalonte pragun e derës.

-Kaq frikë ke të përballesh me të vetmen detyrë që gjyshja të la përsipër? -ajo u gëlltit dhe menjëherë hodhi vështrimin në dysheme. Çehrja iu ngrys dhe pamja e vrazhdë që kishte më parë u duk sikur arriti kulmin. Për disa sekonda nuk foli, por ishte e sigurt se duhet të gjente një kundërpërgjigje.

-Varet se për çfarë marrëzirash je duke folur që ta bësh të dashurën tënde të ndihet më mirë për paaftësinë që ka, -ia ktheu.

-Nëse do të kisha atë qëllim, do të prisja që ajo të zgjohej, që të paktën të na dëgjonte, -nuk vonoi të thoshte. -Nuk mendoj se po logjikon drejt. Leira nuk ka asnjë faj për ato që po ndodhin, dhe ajo është duke kaluar një situatë po aq të vështirë sa ti.

-E çfarë di ti rreth atyre që po ndodhin, -e ndërpreu në inat e sipër, por u shtang dhe i harroi fjalët kur ai nxorri librin që vetë ajo ia kishte lënë në dorë Leirës.

-Jo shumë, por di diçka. Do të ulesh? -kjo e bëri atë të kalonte më në fund pragun e të hynte në dhomë, për tu bërë pjesë e asaj bisede që sapo kishte filluar.

-Pra Leira e ngathët të paska treguar ty çdo gjë mesa duket.

-Jo në të vërtetë. Dua të them, u përpoq. Por as ajo nuk e di se çfarë po ndodh. Nuk arrin ta kuptojë se çfarë është, se çfarë supozohet të jetë. Mendja e saj është e rënduar me ngarkesa emocionale të tilla saqë ajo nuk arrin dot të bëjë as lidhjen midis fjalëve.

-Nuk është faji im që ajo është kaq e paaftë, -nuk donte ta shikonte ndryshe. Nuk pranonte që t'i mendonte gjërat ashtu siç ishin, sepse nëse do ta bënte, gjithçka do të kthehej ndryshe dhe e paafta do të ndihej ajo.

-Dhe nuk është faji i Leirës që ti do të vdesësh së shpejti, nuk mendon kështu?

Minutat në vazhdim pasuan të shoqëruara nga një heshtje e thellë dhe e rëndë. Nuk donte që ta ballafaqonte aq hapur me të vërtetën, por ajo nuk i kishte lënë asnjë zgjidhje tjetër. Në një moment u pendua, por më pas i kujtoi vetes se ajo bisedë do të ndodhte herët a vonë. Por nga ana e Kejlit nuk kishte asnjë përgjigjje, ndaj ky ishte një sinjal se atij do t'i duhet të thoshte diçka, në mënyrë që të mos përfundonte e gjitha pa nisur ende.

-Dëgjo Kejli, mënyra se si po flet ma bën të vështirë të tregohem i matur në ato që them. Duhet të ruash qetësinë. Duhet ta kuptosh se nuk është faji i askujt për këto që po ndodhin dhe do të ndodhin. Nuk është faji yt, i imi apo i Leirës. Por duhet të përpiqemi të jemi bashkë.

-Do të ndodhin? -përsëriti frazën e sapo thënë të tij. -A je kureshtar të dish se çfarë do të ndodhin, Deklan? Atëherë ja ku po ta them. Kjo idiotësi do të na sjellë fundin të gjithëve. Gjyshja ishte pjesë e tyre. Në ditëlindjen time të njëzet e një, ajo më njohu me këtë lloj sistemi a nuk di si ta quaj, në të cilin ajo ishte e përfshirë. Më foli rreth fateve të përcaktuara, rreth vazhdimësisë së Kozmosit dhe Tokës. Rreth ligjit të Pentagonit. I mbaj mend shumë mirë fjalët e saj. Atë ditë më tha se për të bërë të mundur që Kozmosi të vazhdojë të jetë i përsosur, për të ruajtur ligjin e Pentagonit, disa nga ne duhet të sakrifikoheshin, dhe unë do të isha një ndër ta. Dhe e imagjinon dot se çfarë kishte në sytë e saj kur m'i tha këto fjalë? Asgjë! Absolutisht asgjë. Asnjë lloj ndjenje dashurie apo keqardhjeje. Foli sikur unë të mos isha vajza që ajo kishte rritur për njëzet e një vite. Sikur të isha thjesht një kontratë, një ujdi së cilës i përfundoi afati. Më bëri të ndihem si një asgjë e madhe, prezenca e së cilës ishte e tepërt në këtë vend. A e di se sa e vështirë është të presësh për vdekjen tënde çdo ditë të jetës? Të dish se i ke ditët e numëruara e gjithsesi të bësh sikur çdo gjë është në rregull? Të tillë janë ata Deklan. Dhe për të ruajtur budallallëqet e tyre, nuk iu dridhet qerpiku të na i heqin vizën. Dhe tashmë Leira është një prej tyre. Ajo do të bëjë të njëjtën gjë me ty së shpejti. Do të të bëjë të ndihesh i pavlerë dhe i përjashtuar. Ne të gjithë do të vdesim, Deklan. Jo vetëm unë. Edhe ti do të vdesësh për shkak të kësaj çorbe ku është futur Leira. Nuk e di nëse do të të përdorin si karrem apo thjesht do të të zhdukin kur të mos iu duhesh më, por do ta bëjnë në një mënyrë. Nëse je vërtet kureshtar ta dish se çfarë do të ndodhë, kjo është përgjigjja. Të gjithë do të vdesim. Rroftë Kozmosi i tyre dhe ligji i mallkuar i Pentagonit!

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now