|22|

69 28 58
                                    

E la veten të përplasej përtokë në një agoni të tmerrshme, e pashpresë dhe e mjeruar, duke mohuar çfarë i kishte ndodhur dhe duke mos dashur të përballej më me asnjë gjë që do ta sillte në realitet. Donte të zhdukej, të mos ekzistonte më, të mos ndiente më asnjë lloj dhimbjeje fizike apo shpirtërore. Të shndërrohej në asgjë. Të gjithë e kishin patur frikë këtë koncept, por për të, kishte mbetur si shpëtimi i vetëm. Nëse kthehej në asgjë, nuk do t'i duhej më të përballej me gjithçka që po kalonte. Ndoshta të gjithë i frikësoheshin asaj, sepse vetëm aty mund të gjendej harmonia e plotë, dhe askush nuk e donte diçka të tillë. Por ajo më shumë se kurrë, kërkonte të kthehej në asgjë. Të mos kishte më asnjë grimcë të mbetur në trupin e saj që ta lejonte të ndiente apo të ndihej. A ishte kjo e mundur?

Fytyra i ngriu teksa sytë e zmadhuar shtangën përballë qiellit të pafund i cili ishte i vetmi i paprekur dhe i padëmtuar, i vetmi në të cilin mund të kishte humbur kohë më parë, për të mos u kthyer më kurrë me këmbë në Tokë. Në atë moment u shkëput nga gjithçka përreth; nuk i dëgjonte më zhurmat harbute dhe nuk i shihte më pamjet mbytëse dhe të errëta të gjëmës që kishte shkaktuar ajo vetë. Dhe pikërisht në atë moment grumbulloi brenda saj të gjithë dhimbjen dhe urrejtjen me të cilën kishte ushqyer shpirtin, vetëm për të shpërthyer në kujë dhe britma me sa kishte në kokë sekondën tjetër.

Ndjeu dy krahë të fuqishëm ta tërhiqnin duke u përpjekur ta largonin nga trupi i pajetë i Deklanit, dhe menjëherë bëri rezistencë duke lëvizur si e çmendur që të arratisej.

-Leira, duhet të largohesh që këtu, është shumë e rrezikshme, -ishin Koeli dhe Ceresi ata të cilët po përpiqeshin ta mbronin, por ajo po ua bënte shumë të vështirë.

-Ju më thatë se do ta mbronit dhe se nuk do t'i ndodhte asgjë. Ju më thatë, më thatë se do ta mbronit, -thërriste me sa fuqi të kishte duke lëvizur duart dhe këmbët për tu larguar prej aty. Dy të tjerët nuk i kthyen përgjigje dhe vazhduan ta tërhiqnin me vështirësi drejt ndërtesës.

-Një punë kishe për të bërë, vetëm kaq, -si të ishte fajtor për gjithçka, nxorri mbi të gjithë mllefin e asaj situate duke mos i lënë as mundësinë të shpjegohej apo të kërkonte falje. -Kaq i paaftë je? A nuk ishte e qartë se Leira nuk duhet të dilte nga Ndërveprimi?

-Mjaft, Juno, -i kërkoi të ndalonte. -Nuk zgjidhet kështu. Njofto Koelin dhe Ceresin që ta kyçin Leirën në një dhomë nga ku nuk mund të arratiset. Nuk kemi kohë të merremi me të tani. Ndërkohë, ne do të vazhdojmë me planin.

-Kironi ka të drejtë, Juno. I dëgjova të flasin me njëri-tjetrin. Kanë në plan të përparojnë në brendësi dhe të sulmojnë pesë Rregullatorët.

-Është e pamundur të arrijnë pesë tavolinat, -fjalinë ia ndërpreu një shpërthim që shkaktoi tym dhe flakë vetëm disa metra më tutje.

-Mos ji e sigurt, -e paralajmëroi në frikë.

-Në rregull, -miratoi dhe u drejtua nga Blizardi, -ke si detyrë vetëm të ruash çelësat dhe të sigurohesh që ajo të jetë mirë. E bën dot kaq? -më shumë sesa pyetje, ishte një urdhër ironik që nuk e linte të bënte zgjedhje. Mundësia tjetër ishte të luftonte, dhe nëse e zgjidhte këtë, do të ndryshonte caktimin e afatit të tij të mbetur kohor në disa minuta. Tundi kokën dhe shtoi disa fjalë për ta përforcuar vlerën e tij. -Atëherë shko, -pa thënë asgjë më tepër vrapoi për të njoftuar dy Rojtarët rreth planit.

-Shpërndahuni, dhe mbajeni në mendje se fokusi në këto momente është ruajtja e Pontiusit dhe pesë tavolinave, dhe jo të Dërguarit. Nëse ata bëhen kërcënim pavarësisht planit për t'i ngadalësuar, shkatërrojeni sistemin e tyre nervor plotësisht, -nëse do t'u duhej të zgjidhnin një nga Rojtarët për t'i udhëhequr, nuk do të ishte Juno, por Kironi. Edhe pse nuk merrte shpesh vendime, ishte më i organizuari dhe e dinte mirë se kur duhet të vepronte dhe si, dhe ishte ai që udhëhiqej më pak nga gjaknxehtësia dhe pasiguritë e momentit.

Pavarësisht gjithë përpjekjeve, shpejt e gjeti veten të mbyllur në një dhomë të ngushtë që nuk e kishte parë ndonjëherë, por që nuk kishte asgjë të ndryshme nga qelitë e burgut. Filloi të godiste muret sa të mundej me duar dhe këmbë, duke thirrur që ta linin të lirë dhe duke thënë çfarë i vinte nëpër mend që të shkaktonte sa më shumë zhurmë. Edhe pse ishte krejt e vetme në dhomë, ndihej sikur po e torturonin në mënyrat më të dhimbshme dhe sikur po i merrnin frymën.

Por asgjë nuk krahasohej me katrahurën e krijuar jashtë mureve në të cilët ishte mbyllur Leira. Të përballeshin me zemërimin e të Dërguarve dhe Aatamive ishte më e vështirë nga çfarë kishin menduar, dhe ata po shkatërronin në masë gjithçka që iu dilte para syve, pa u menduar dy herë. Plani për t'i ngadalësuar ishte vërtet funksional, por për shumë pak kohë, dhe kishte pasoja të cilat Rojtarët nuk i kishin menduar. Çoroditja e sistemit të tyre nervor i bëri që jo vetëm të ngadalësoheshin, por të humbisnin vetëdijen duke i shtyrë kështu të udhëhiqeshin vetëm nga urrejtja dhe zemërimi që i kishte verbuar.

-Çfarë do të bëjmë? -thirri në drejtim të askund, kur pa se asgjë nuk po shkonte siç duhej.

-Do të vazhdojmë në këtë mënyrë edhe për pak, sepse nuk mund të nxitohemi menjëherë. Nëse vazhdon kështu, nuk na mbetet zgjidhje tjetër.

-Çfarë do të thuash me "nuk na mbetet zgjidhje tjetër", Kiron?

-Do të thotë se do të zbatojmë planin tënd si plan B, Koel, -tha Vesta dhe ai u çudit disi nga kjo.

-Pra do të thuash, që ne do të, -imitoi një thikë me gishtin e tij në qafë.

-Pikërisht.

Gjendja u rëndua kur ndjenë një tronditje masive të vinte nga Rregullatori i Dashurisë, që e shkundi të gjithë Pontiusin.

-Çfarë po ndodh? -foli sërish. Ndihej sikur kishte humbur shumë dhe tashmë nuk po e kapte fillin e ngjarjeve. Ceresi për një moment nuk arriti të reagonte, dhe kjo bëri që një shpërthim tymi në drejtim të tij ta shtynte tutje.

-Ceres!

-Nuk ka kohë Vesta! -e ndaloi. -Ai është mirë, merru me pjesën tënde.

-Pse po ndodh kjo tronditje në Rregullatorin e Dashurisë dhe pse po ndikon në këtë mënyrë tek ai. Juno, ka ndonjë gjë që duhet ta dimë, -ndërkohë që flisnin, bënin çmos që t'u shmangeshin sulmeve të të Dërguarve, dhe të mos e lejonin turmën të përparonte.

-Nuk ia kam idenë, -në fakt ajo e dinte fare mirë shkakun, por nuk lejonte dot sedrën e saj të cenohej nga diçka e tillë.

-Është për shkak të vdekjes së asaj qenieje njerëzore, kështu? -edhe pse në ton pyetës, ishte i sigurt. Arrinte ta ndiente dhimbjen e kësaj ngjarjeje sikur të ishte duke e përjetuar vetë, dhe e dinte se do të kishte pasoja.

-Po, vdekja e Deklanit është shkaku, -tha pas një hezitimi të gjatë. Ishte e kotë të mbante ende një të fshehtë të tillë. -Ka ndodhur një gabim në Ndërveprim, nuk arrij ta kuptoj se çfarë, por ka shkaktuar Binjakëzimin Paradoksal.

-Çfarë? -të tre shtangën dhe u shokuan kur dëgjuan një togfjalësh të tillë. Asnjëherë nuk do ta kishin marrë me mend se do të ndodhte diçka e tillë, për të fundosur e rrënuar gjithçka ata ishin përpjekur të ruanin për shekuj.

-Shpirti binjak i Leirës është Deklani, dhe si pasojë ajo kurrë nuk mund të çiftëzohet me një Aatami. Në Rregullatorin e Ndërveprimit nuk krijohet dot një Aatami përkatës për të. Ja pse emri në Librin e Pafund nuk ka ndryshuar, sepse me Binjakëzimin Paradoksal, Leira nuk supozohet të jetë një e Dërguar.

-Por ajo është! Ajo është pasardhësja e të Dërguarës Delansi,-rikujtoi në panik.

-Këtu është pjesa paradoksale, Koel. Gjëra që nuk supozohet të ndodhin, ndodhin. Këtë duhet të ndalojmë ne. Mbi këtë parim krijohet Kaosi.

-Ti e dije këtë gjë gjatë gjithë kësaj kohe dhe nuk na the kurrë?

-Nuk isha e sigurt, por nuk është koha për këtë tani. Si fillim duhet të shpëtojmë Pontiusin. Rregullatori i Dashurisë po shkatërrohet, dhe ka shumë gjasa të dëmtohen pesë tavolinat. Kam frikë se kjo çështje do të sjellë këtu qeniet inteligjente.

-Nëse Leira nuk supozohet të jetë e Dërguar, po sikur ky gabim të ketë ndodhur nga vdekja e parakohshme e të Dërguarës Delansi? Po nëse nuk është një gabim, por një pasojë? Po nëse ishte vdekja e saj ajo që e solli gjithë këtë dhe gjatë gjithë këtyre ditëve kemi humbur kohë kot?

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now