|11|

118 30 58
                                    

Natyrisht që ideja e vogël e Aatamit 2549, i njohur në Tokë si Blizard, do ta bënte Pontiusin të kthehej përmbys po atë natë. Sërish, edhe retë u bënë pjesë e kësaj furie zemërimi duke e rrethuar madhështinë e atij vendi me vetëtima dhe gjëmime. Kjo nga njëra anë të linte gojëhapur e nga ana tjetër ishte tej mase e frikshme. Tensioni i kishte mbledhur të pestë kushedi për të disatën herë për të biseduar rreth të njëjtës temë : Leira Paterson. Ndonjëherë e urrenin faktin që duhet të punonin me njëri-tjetrin, pasi ishin aq të kundërt si në pikëpamje ashtu edhe në vendime. Megjithatë, të shihje pesë Rojtarët e Tokës në një gjendje të tillë ishte diçka e pazakontë dhe lajmëronte se çfarë do të ndodhte do të ishte vërtet për t'u shqetësuar.

-Vërtet mendoje që mund të flisje me Leira Patersonin pa u kuptuar nga askush, Ceres? -ishte bërë tym dhe ndihej sikur gjithçka po i ndodhte vetëm asaj dhe të gjithë ishin duke i dalë kundër.

-Nuk më besohet. Ti e di që kjo është e ndaluar apo jo? -shtoi Vesta.

-Shikoni, nëse ruani qetësinë dhe flisni me një ton më të përmbajtur, ka më shumë gjasa që të kuptoni ndonjë gjë.

-Në djall ti dhe qetësia jote Koel, -nuk e la të përfundonte. Ai vetëm sa ngriti vetullat për të shprehur se e kishte bërë pjesën e tij. -Çfarë të tha mendja Ceres?

-Dikush duhet ta bënte, -u përgjigj me siguri të plotë.

-Nëse duhet ta bënte dikush, ajo do të isha unë, -kjo fjali atij i erdhi hidhur.

-Oh, ashtu? Ku ishe ti, Rojtare Juno, një muaj më parë kur një nga të Dërguarat e rregullatorit tënd vdiq? Ku ishe ti për ta parandaluar këtë gjë? Pse ti, Rojtare Juno, përgjegjëse për çiftëzimin e shpirtrave binjakë, nuk e përmende kurrë praninë e Deklan Amberit në jetën e Leira Patersonit? Kishe frikë se diçka do të dështonte rreth asaj profecie të çmendur?

-Ti nuk mund të më tregosh mua se çfarë duhet të bëj, -britma e saj ishte e fortë mjaftueshëm për të bërë gjithë Pontiusin të oshtinte që nga themelet e tij. Sikur në fjalët e tij të kishte patur diçka shumë më personale, të cilën ajo e ndjeu si ta shponte tejpërtej trupit. Mbylli sytë si të donte të zhdukte gjithçka. Ishte e lodhur. Të gjithë e urrenin atë profeci, por sidomos Ceresi. Pasi për të ishte një tjetër ndjesi. Rregullatori i Dashurisë tronditej sa herë zbatohej ajo profeci. Dhe nuk mund ta linte pa ia përmendur asaj kurdo t'i jepej mundësia. Por në atë moment heshti. Heshti sepse e kuptoi që ai debat nuk kishte për t'i çuar asgjëkundi, edhe pse përsëritej kushedi për të satën herë. Asgjë nuk kishte ndryshuar.

-Juno, Ceres, e shikoni se ku keni arritur? -të dy kthyen sytë nga Kironi. Fytyra e tij e ngrysur, si të ishte gjatë gjithë kohës duke përjetuar dhimbje dukej si e përshtatur enkas me detyrën e tij si Rojtar i Dhimbjes. Fliste rrallë, por duhet ta bënte. Nuk e kishte të lehtë të ndiente gjithë atë energji negative dhe të rrinte duarkryq. Të dy ishin duke luftuar me njëri-tjetrin duke përdorur pikat më të dobëta, dhe ai arrinte ta vinte re këtë gjë mjaft mirë. Sepse kështu, ata mund ta lëndonin njëri-tjetrin më së miri, në kërkim të kënaqësisë egoiste. -Gjithçka që po bëni është e gabuar. Të dalim kundër njëri-tjetrit dhe të mbajmë të fshehta është gjëja e fundit që duhet të bëjmë në këtë situatë, kur përkundrazi, duhet të jemi më të bashkuar se kurrë. Në vend që të nxirrni në pah gabimet e njëri-tjetrit, mundohuni të reflektoni rreth gabimeve tuaja, dhe të gjeni një zgjidhje. Nuk është e drejtë dhe aspak e lejuar që ti të flasësh me një të Dërguar të re para se gjithë ne të tjerët Ceres, e sidomos në fshehtësi. Çdo gjë që ndodh në Pontius duhet të ndodhë me urdhrin e të pestëve ne. Dhe Juno, fakti që rregullatori i Ndërveprimit ndodhet në qendër të Pontiusit nuk të bën ty të jesh një lider. Të gjithë jemi caktuar nga qeniet për të qenë Rojtarë të këtij planeti, dhe të tillë jemi, as më shumë, as më pak. Dhe çdokush ka të drejtë të të thotë se çfarë duhet të bësh, nëse nuk e bën detyrën tënde siç duhet, -fjalët e tij vinin në veshët e tyre si qortime të rënda, si të ishte prindi i tyre dhe t'u jepte mësime. Dhe asnjëri nuk e kundërshtoi. Vetëm heshtën.

-Kironi ka të drejtë, -miratoi Vesta. -Kështu siç e kemi nisur, vetëm sa do e bëjmë më keq të gjithën. Nuk duhet ta lëmë çështjen e Leira Patersonit të na çoroditë, -heshtja e tyre u duk si një pohim i nënkuptuar.

-Meqenëse të gjithë ramë dakord, a mund të flasim rreth kësaj si një familje e madhe mirëkuptuese dhe e lumtur?

-Thjesht qepe Koel, -tundi kokën e bezdisur. Nuk e kuptonin karakterin e fortë të tij, ose ndoshta ai thjesht ishte moskokëçarës.

U ulën në tryezën ku flisnin për çdo gjë të rëndësishme. Si dukej, atje do të uleshin për një kohë shumë të gjatë tashmë.

-Çfarë fole me Leira Patersonin? -toni i saj tingëllonte sikur të ishte duke folur me ndonjë kriminel, të cilin po e merrte në pyetje, dhe kjo gjë atij nuk i pëlqente aspak.

-Jo shumë, thjesht duke njohur atë pjesë të saj që kemi zbuluar në Dashuri, mendoja se do të ishte më e lehtë për të që t'i gëlltiste pak nga pak. Parapërgatitje mund ta quajmë, -nuk meritonin të dinin më shumë. Të paktën jo Juno. Sipas tij, ajo fshihte më tepër se gjithë të tjerët.

-Po pse e mbajte të fshehtë atëherë? -pyetja e rradhës ishte nga Vesta. -Fare mirë mund ta kishim vendosur së bashku se ç'do të bënim.

-Fare mirë këtë gjë mund ta bëjmë edhe tani, -ia ktheu ai.

-Jam shumë dakord me Ceresin. Ardhja e Leirës këtu nuk na ka sjellë asnjë dëm. Përkundrazi, na ka lehtësuar disi mund të themi. Por nuk duhet të mbetemi tek e shkuara, -e ndiente se duhet të ndërhynte herë pas here. Në këtë mënyrë mund ta mbante situatën nën kontroll.

-Ceresi shkeli rregullat, Koel!

-Të lutem, Juno, pse duhet të jesh e tillë? Ndoshta disa rregulla janë kot. Dua të them, asgjë nuk ndodhi. Mund ta lëmë pas shumë lehtë këtë, -ajo heshti, por kjo heshtje do të thoshte dakordësi. Ndoshta ishin hallakatur me gjëra të kota më tepër seç duhej. Ndoshta tani duhet të vepronin.

Ai moment qetësie u duk sikur ishte i nevojshëm që të gjithë të përgatiteshin për çfarë do të thoshin. Që të mendoheshin mirë dhe të mos nxitoheshin më në fjalët e tyre, vetëm e vetëm për të kundërshtuar njëri-tjetrin. Atë qetësi do e thyente Juno.

-Duhet të mendojmë për mënyra të mundshme të zgjidhjes së këtij problemi. Emri në Librin e Pafund ende s'ka ndryshuar. Ditët po kalojnë dhe Leira nuk ia ka idenë se çfarë po ndodh me të. Ndërkohë Ndërveprimi ka një të Dërguar më pak. Kjo është tronditja më e madhe në historinë e Pontiusit.

-Më lini të sugjeroj diçka, -mori fjalën Koeli. -Pse të mos e rinovojmë Pontiusin? -të gjithë e panë me habi. -Dëgjoni. Imagjinoni nëse rregullatorët e Pontiusit nuk kanë asnjë të Dërguar, asnjë Aatami. Numri është sërish i përsosur. Ne kthehemi në Tokë, studiojmë qeniet njerëzore dhe secili nga ne zgjedh pesë më të denjë për t'iu ngarkuar atyre detyrën e të Dërguarit. Aatamit do të jenë gati në Ndërveprim. Në Librin e Pafund do të shënohen të gjithë emra të rinj. Gjithçka do të nisë nga fillimi. E thjeshtë, -buzëqeshi krenar. Në mendjen e tij, ata kishin të bënin me një gjeni.

-Çfarë do të ndodhë me të Dërguarit aktualë?

-A nuk supozohet të jemi ne ata të cilët vendosim për fatin e tyre? -kjo i vuri ata në mendime. Por mund ta shihje qartë në fytyrat e tyre se kjo gjë nuk i pëlqeu askujt.

-Kjo është e gabuar, -kundërshtoi Vesta. -Nuk do ta zgjidhë problemin, thjesht do të hapë shumë të tjerë. Nuk mund të rrezikojmë. Pastaj, a nuk mundet thjesht të presim derisa emri të ndryshojë? Unë ende mendoj se është e mundur që të mos sjellë asnjë problem. Tek e fundit, asgjë nuk ka ndodhur këtë muaj.

-Problemi nuk është ky. Problemi vërtitet rreth Deklan Amberit. Kjo qenie njerëzore do të na shkaktojë shumë telashe. Ta shkëputësh atë nga jeta e Leirës do të jetë e vështirë. Ai është i vetmja qenie njerëzore që ndërvepron normalisht me të.

-E vërtetë. Ajo nuk do të dojë kurrë të heqë dorë prej tij. Dhe mendja e saj fare e cekët nuk do të mendojë aspak për pasojat, -miratoi Vesta.

-A nuk mund thjesht ta vrasim atë?

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now