|24|

69 27 49
                                    

Disa ditë më parë

Mbylli menjëherë kapakun e librit e shokuar dhe sytë i drejtoi në asgjëkund. Duke pëshpëritur emrin e saj, u mundua të përpunonte edhe njëherë fjalët e fundit, për të parë nëse kishte lexuar çdo gjë siç duhej.

Iu desh një moment që të kthjellohej dhe të konsideronte faktin se kishte të bënte me Librin e Pafund. Asnjë kopje e tij, por libri i vërtetë. I vetmi që përmbante çdo informacion të ndaluar, i vetmi që mund t'i jepte përgjigje çdo pyetjeje të saj. Nuk mund ta lejonte hutimin që i shkaktoi historia e Junos, ta ndalonte për të mësuar atë që kishte kaq kohë që donte të dinte. Nuk ishte e sigurt nëse do të gjente ndonjëherë rast më të favorshëm, ndaj e largoi mendjen për pak çaste nga ajo profeci dhe shfletoi librin nxitimthi për të lexuar mbi përmbajtjen e tij. Ceresi nuk bëri asgjë për ta ndaluar.

Dhuntia e emrit, ishte e vetmja e fshehtë që ende nuk e kishte mësuar. E fshehta më afër saj dhe njëkohësisht më larg. Hezitoi një moment. Juno i kishte thënë se kjo dhunti ishte pika e dobët e çdo të Dërguari. Por nëse ishte kështu, me shumë mundësi Ceresi do të bënte diçka për ta ndaluar. Ndërkohë ai qëndronte përbri saj i heshtur, sikur një pjesë e tij të donte që ajo ta mësonte këtë gjë.

-Ja tek shkojmë, -tha me vete teksa hapi librin në faqen e duhur, Listën e Pafund. Puliti disa herë sytë për t'iu përshtatur vizionit që iu shfaq, me qindra emra, në mos më shumë, në të cilët mund të humbisje lehtësisht. Filloi të kërkonte me gisht duke nxituar sikur të mos kishte aspak kohë. Kishte frikë se nga çasti në çast do të ndodhte diçka që do t'i bëhej pengesë, dhe do të ishte e pamundur të gjente një tjetër mundësi. Ndjeu rrahjet e zemrës t'i shtoheshin kur pa emrin e saj të shënuar në listë. Mori frymë thellë disa herë rradhazi, për të dashur të rregullonte gjendjen e panikut në të cilën përfundoi.

-Qetësohu, -dëgjoi zërin e Ceresit. Por ishte e vështirë. Kishte mijëra dilema në mendje, mijëra pyetje që donin përgjigjje. Të kishte vallë një dhunti që do ta ndihmonte të rregullonte gjendjen e saj me Deklanin? Apo të ishte diçka e pavlerë që nuk do të ndryshonte asgjë? Të ishin të vërteta ato që Juno i kishte thënë për ndikimin që kjo dhunti kishte te të Dërguarit, apo të ishin thjesht mashtrime për të ndaluar Leirën të vepronte sipas mendjes së saj? Të gjitha këto mendime u shuan kur hodhi sytë në letër.

"Leira: Qenies së caktuar si e Dërguar, që i është dhënë ky emër, i është dhënë dhuntia e ndryshimit të fateve. Sipas kësaj dhuntie, e Dërguara mund të ndryshojë fatin e saj me një tjetër qenie jo-njerëzore ose që rrjedh nga një linjë jo-njerëzore, e cila duhet të jetë e përsosur për këtë ndryshim, duke marrë parasysh çdo aspekt. Nëse nuk plotësohet kushti i përsosmërisë, Pontiusi rrezikon të rrënohet."

Shfryu e lodhur. Ishte e kotë. Nuk kishte për ta gjetur kurrë dikë të tillë. Nuk kishte për të shpëtuar kurrë nga ajo detyrë që e kishte bërë të humbiste këdo. Nuk kishte për ta rregulluar kurrë marrëdhënien me Deklanin. Asgjë nuk do të kthehej ashtu siç ishte më parë. Kishte humbur gjithçka, madje dhe besimin se gjithçka do të kishte një mënyrë për tu rregulluar.

Filloi të shfletonte pa qëllim në fletët e tjera të librit, si për të larguar stresin që e kishte zënë, vetëm që sytë t'i dallonin një emër që do të ndryshonte shumë. Shtangu për një çast të shkurtër sepse kjo ishte e papritur, dhe i duhej pak kohë për ta marrë veten, por nuk kishte asgjë për të humbur.

"Delansi: një nga emrat me Dhuntinë më të fuqishme nëse përdoret me mençuri, dhe më të rrezikshme, nëse përdoret udhëhequr nga interesat vetjake. Dhuntia e këtij emri është vetëvendosja e të Dërguarës pasardhëse. Sipas dhuntisë, e Dërguara e emërtuar Delansi mund të vendosë vetë midis pasardhësve të saj, se kujt do t'i caktohet detyra e të qenit një e Dërguar. Por duhet patur shumë kujdes që të mos zgjidhet pasardhësi i gabuar. Në këtë rast, do të ketë lëkundje të rëndë dhe të rrezikshme të Ligjit të Pentagonit."

I ngritu gjaku dhe për një moment nuk mundi të thoshte asnjë fjalë, as të vepronte dhe as të mendonte. Ja pse Dhuntia e Emrit ishte e rrezikshme, sepse kishte një mundësi dështimi në të, një mundësi për të mos u përdorur siç duhej dhe si pasojë do të përbënte kërcënim. Gjithçka kishte ndodhur për shkak të kësaj dhuntie.

E Dërguara Delansi ishte shumë afër të qenit një qenie e përkryer, por kishte një mbesë të preferuar. I gjithë misteri i vdekjes së saj sillej rreth të njëjtit bosht, duke i caktuar detyrën pasardhëses së gabuar, dhe duke shkaktuar kështu jo një vdekje të parakohshme, por të mëvonshme. Askujt nuk i kishte shkuar në mendje kjo e fundit. Ja pse emri i Leirës nuk ndryshoi asnjëherë në listë. Sepse ajo kurrë nuk ishte bërë për të qenë një e Dërguar. Tashmë e dinte shumë mirë se çfarë duhet të bënte, dhe e kishte të qartë qenien që plotësonte çdo kusht.

-Leira, je mirë? -zëri i tij e solli me këmbë në tokë. Menjëherë mbylli Librin e Pafund dhe u mundua të kthjellohej.

Kishte arritur të shkelte rregullat e Pontiusit disa herë rradhazi pa patur asnjë ndëshkim. Kishte mësuar rreth një profecie për të cilën ishte e ndaluar të flitej. Kishte mundur të mësonte mbi Dhuntinë e Emrit të saj pa u lejuar nga Rojtarja e Ndërveprimit. Kishte mundur t'i bënte ballë asaj që Juno e quante pikë të dobët të të Dërguarve. Kishte shkaktuar një luftë të tërë në Pontius dhe ishte kthyer në objektivin e të gjithëve. Kishte arritur të trondiste themelet e Rregullatorit të Dashurisë pa e kuptuar aspak. Kishte përballuar ndarjen nga dashuria e saj e vetme dhe më pas vdekjen e tij. E kishin quajtur të dobët, të padobishme, të çmendur, të paaftë, jo të denjë, por askush nuk kishte arritur aty ku ishte ajo. Tashmë si asnjëherë më parë mendjen e kishte të kthjellët, dhe kishte një plan të qartë. Nuk do ta lejonte që të gjithë këtë ta pengonte një Aatami xhuxh.

U step nga dera dhe mbylli sytë për tu përqendruar. Që të bënte atë që kishte në plan, duhet të boshatiste mendjen e saj dhe të fokusohej vetëm te qëllimi që kishte, gjë kjo e vështirë për një mendje që nuk ndalonte së menduari për qindra gjëra njëkohësisht.

-Bëhu e dobishme! -iu drejtua vetes. Nga jashtë zhurmat e shkëmbinjve që shembeshin dhe zërat e çmendur të të Dërguarve po bëheshin më të shumtë dhe po ia bënin punën thuajse të pamundur.

-Përqendrohu! -kësaj rradhe e ngriti më tepër zërin, jo sikur ta këshillonte veten, por sikur të ishte duke e qortuar. Për fatin e saj të keq, Blizardi e vuri re se ajo po mundohej të bënte diçka, ndaj filloi të trokiste portën prej metali duke ia shtuar vështirësinë.

-Zhduku që atje, xhuxh i mallkuar, -thirri dhe grushtoi derën në inat e sipër, por ai u zgërdhesh dhe vazhdoi të tijën.

-Mos i humb fuqitë e tua duke grushtuar derën, Leira. Do të të bjerë të fikët dhe do të na duhet të transportojmë pesëdhjetë kilogramë më këmbë.

E humbi fillin dhe nisi të qante sërish. Një moment ndihej sikur mund të bënte gjithçka, ndërsa në tjetrin ndihej e dështuar dhe e zhgënjyer. Ndihej sikur ishte vetëm dhe të gjithë qëndronin kundër saj. Sikur nuk kishte asnjë tek i cili mund të mbështetej, as veten e saj. E urrente atë vetmi; e tillë që e bënte të ndihej bosh dhe e paplotësuar.

"Më fal që po iki, Leira, por nuk do të të lë asnjëherë vetëm. Dashuria ime do të jetë gjithmonë me ty."

U mbush me frymë dhe mbylli sërish sytë. Mbështetja e saj ishte ende aty, i duhej vetëm një moment që t'i kujtoheshin ato fjalë. Brenda saj zotëronte një energji shumë të madhe, energji që mund të lidhej lehtësisht me të tjera të ngjashme, si dhe t'i lejonte të shihte dhe ndikonte në energjinë e të tjera qenieve. Mirëpo Pontiusi qëndronte mbi një energji të tillë. Ishte ndërtuar në atë mënyrë që të përshtaste fare mirë gjendjen e jashme të tij me atë të brendshme. Nëse Rojtarët do të kishin konflikte dhe telashe, Pontiusi do të gjëmonte nga stuhia. Nëse çdo gjë shkonte siç duhej, Pontiusi lulëzonte. Aq e fortë ishte lidhja që Pontiusi kishte krijuar me ato qenie. Dhe tashmë Leira po përpiqej të bënte të njëjtën gjë.

Zhurma e trokitjeve të derës i buçiste në kokë, shoqëruar me gjithçka që po ndodhte jashtë atyre mureve. Në mendje i vinin herë pas here imazhe të gjyshes, Deklanit, Rojtarëve, Kejlit, s'ëmës, turmës së tërbuar, shikimet e të gjithëve që e kishin quajtur të çmendur, njerëzit e veshur me të zeza në varrimin e gjyshes. Ishte shumë pranë finalizimit, njëkohësisht një fije peri e ndante nga humbja e së gjithës.

"Do t'ia dalësh, Leira ime."

Lëshoi veten dhe hapi sytë e çliruar. Nga jashtë Rojtarët vunë re se si një pjesë e Rregullatorit të Ndërveprimit u shkatërrua.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now