|28|

70 27 36
                                    

E shihte me admirim teksa qëndronte para saj më e patundur se kurrë dhe ndihej krenare për të. Një pjesë e saj gjithmonë kishte besuar se ajo do të gjente një mënyrë për t'ia dalë mbanë dhe kishte patur të drejtë. Shikimi rrëzëllitës në fytyrën e saj fliste dhe thoshte se ia doli, se e kishte shpëtuar më në fund veten nga ajo grackë që nuk ishte bërë kurrë për të. Ia doli të ishte më e fortë dhe më e mençur se edhe vetë një Rojtare. Ia doli të përdorte dashurinë e saj në mënyrën e duhur.

Shfaqja e papritur e Leirës dhe Kejlit hutoi edhe të Dërguarit e Aatamit të cilët tashmë ishin lodhur nga gjithçka që ishin përpjekur të bënin. Të palëvizur, të gjithë në mënyrë të heshtur pritën për atë çfarë do të ndodhte më pas.

-Pra shiko se çfarë qenka shkaktuar për fajin tënd, -tha ndër dhëmbë teksa pa rrëmujën e zymtë që kishte mbuluar Pontiusin. -Gjithmonë motrat e mëdha duhet të zgjidhin gjithçka për të voglat, -Leira qeshi lehtë dhe i tregoi vendin në ballkonin e Ndërveprimit, ku mund të tërhiqte lehtësisht vëmendjen e të gjithëve.

-Erdhi koha t'i jepni fund kësaj gjëje të pakuptimtë. Pa një udhëheqës përkrah jush jeni rrëmbyer nga urrejtja e çastit dhe dëshira për hakmarrje, për diçka që as nuk ndodhi. Shikojeni veten tuaj. Duhet t'ju mbulojë turpi në të njëjtën mënyrë që e ka mbuluar sot Pontiusin e gjithë kjo katastrofë.

-Seriozisht e ka kjo? Kështu vetëm sa do t'i acarojë më keq, -pëshpëriti Koeli duke tundur kokën në ankth.

-Kush je ti që guxon të na flasësh në këtë mënyrë? -nuk ngurroi të fliste një nga të Dërguarat që siç dukej duhet të ishte e re.

-Kejli Paterson, e Dërguar e Ndërveprimit, pasardhëse e të Dërguarës Delansi, -fliste sikur të kishte ëndërruar gjithë jetën për një moment të tillë. Kishte një hije që te Leira nuk e kishin parë kurrë. Ndihej vendosmëria e saj në zërin e prerë, qëndrimin statik e në shikimin e mprehtë.

Të Dërguarit gjithnjë ishin ankuar se sa e padenjë kishte qenë Leira për postin e të Dërguarës, por dukshëm nuk e pëlqenin as diçka të tillë, ndaj shumë shpejt nisën të zhurmonin pa u përpjekur të kuptonin në fillim.

-Qetësi! -ky zë erdhi nga turma e tyre. S'ishte asgjë tjetër veçse një e Dërguar e moçme, e cila bëri disa hapa para për të fituar vëmendje dhe u kthye përballë të Dërguarve dhe Aatamive të tjerë. -Ajo është pasardhësja e të Dërguarës Delansi. Pasardhësja e denjë e saj. Nëse kjo gjë është e vërtetë, atëherë është e kotë të vazhdojmë, -zëra të zhgënjyer nga turma pasuan fjalët e saj. -Qetësi! -përsëriti. -Nuk do të jetë kaq e thjeshtë. Na tregoni që emri në Librin e Pafund ka ndryshuar dhe ne do t'i japim fund kësaj, -iu drejtua Rojtarëve. Nuk mundi të fliste më tej, pasi shpejt u dëgjua një zhurmë e fortë e krijuar nga shembja e një pjese të Rregullatorit të Dashurisë. Kjo i shërbeu si rikujtim Leirës se nuk kishte përfunduar ende; se duhet të shkonte sa më parë atje për të parandaluar shkatërrimin e plotë të tij.

-Duhet të shkoj menjëherë te Rregullatori i Dashurisë. Unë jam e vetmja që mund ta rregulloj, -u bëri të ditur, por Juno ndërhyri menjëherë.

-Të ka lënë mendja? Nuk mund të rrezikoj sërish. Nuk është e domosdoshme. Së shpejti do të vijnë forca nga jashtë dhe do ta rregullojnë ata.

-Ata nuk bëjnë dot gjë, po të them që unë jam e vetmja që mund ta rregulloj, -përsëriti. -Të lutem! Kjo është shumë e rëndësishme për mua.

-Lëre të shkojë, -dëgjoi zërin e atij që gjatë gjithë kohës e pati mbështetur më shumë se çdokush tjetër. Buzëqeshi në shenjë mirënjohjeje dhe ktheu sytë lutës sërish në drejtim të Junos.

-Ti je vetëm një qenie njerëzore e thjeshtë tashmë, Leira, -tundi kokën për të shprehur shqetësimin e saj.

-E di! -tha me një ton krenar për veten. -A nuk është kjo e mrekullueshme? -oshtima e rradhës e bëri të mos humbiste më kohë për të kërkuar leje, por të vraponte drejt ndërtesës që varej në një fije peri për tu shkatërruar përgjithnjë.

-Leira, prit! -u mundua ta ndalonte, por edhe vetë e dinte se e kishte të kotë.

-Nuk mund të rrimë pa bërë gjë ndërkohë që ajo rrezikon jetën për diçka që na takon neve. Të Dërguar dhe Aatami, kjo është e gjitha mbi ju. Jeni ju shkaktarë të kësaj ngatërrese dhe ju duhet të mbani përgjegjësi për ta rregulluar atë, -edhe pse ishte e fundit që ishte njohur me atë vend, dukej sikur kishte qenë gjithmonë atje, midis tyre. Nuk hezitoi të ndërhynte për të mos e lënë të motrën të vetme. Ndihej sikur kishte një borxh për të shlyer.

-Të Dërguarit dhe Aatamit e Suksesit bashkë me Koelin, përdorni çdo mënyrë të mundshme për të mbajtur sa më gjatë muret dhe kolonat e Rregullatorit rezistente. Ndërveprimi do të më ndjekë mua, të marrim në zotërim Librin e Pafund. Në rast se diçka shkon keq, fuqia e tij mund të na hyjë në punë për të na dhënë më tepër kohë. Dashuria bashkë me Ceresin të ndjekë Leirën; askush më mirë se ju nuk i njeh korridoret e Rregullatorit. Leira do të ketë nevojë për ju. Vesta, ti dhe Kurimi duhet të përgatiteni për më të keqen e mundshme. Përgatisni gjithçka që do të jetë e nevojshme nëse Leira lëndohet. Kiron... -ishte e pasigurt për këtë të fundit. Përgjegjësia e tij i përngjante më tepër me diçka që do t'iu sillte telashe.

-Pontiusi funksionon në bazë të energjisë që e rrethon. Këtu materia fizike me atë abstrakte janë të lidhura ngushtë. Ne mund të përpiqemi të shkarkojmë nivelin e dhimbjes jashtë Rregullatorit, në mënyrë që të bëhet më i qëndrueshëm, por kjo do të jetë e rrezikshme nëse prek pjesë të tjera të Pontiusit.

-A ka ndonjë mënyrë si mund të shmanget kjo? -pyeti. Ndërkohë ishin duke humbur kohë.

-Të shpërndajmë nivelin e dhimbjes në çdo cep të Pontiusit. Kështu do të jetë më e lehtë për t'u përballuar.

-Dakord, -pasi mori miratimin e saj, edhe ai u nis së bashku me ndjekësit e tij. -Kejli, edhe ti do të vish me mua, -ajo pohoi me kokë dhe e ndoqi pa hezitim.

Në çdo hapësirë që shkelte, ndihej sikur së shpejti do të fundosej dhe muret do e zinin trupin e saj për poshtë, për ta copëtuar në një mënyrë të tillë që të mos gjendej kurrë. Asgjë nuk ishte e qëndrueshme mjaftueshëm dhe nuk mund ta mohonte dot faktin se kishte frikë se nuk do t'ia dilte dot mbanë. Ky panik i tillë e bëri të çoroditej dhe të harronte çdo rrugëdalje të mundshme, dhe aty e ndjeu veten të humbur.

-Leira, -zëri i tij e trembi për vdekje dhe i shpejtoi rrahjet e zemrës, por në momentin e ardhshëm u ndie e lehtësuar që nuk ishte vetëm. -Më thuaj planin.

-Duhet të arrij te pesë tavolinat sa më shpejt, -ai pohoi me kokë dhe i kërkoi ta ndiqte, ndërkohë që të Dërguarit dhe Aatamit ndodheshin pas saj për ta mbrojtur. Tashmë hapat i kishte më të nxituar dhe më të sigurt, pasi nuk po ecte pa ide se ku do ta çonin këmbët. Djersë të ftohta i rridhnin çurg nga balli dhe merrte frymë shumë shpesh që të normalizonte rrahjet e zemrës, që dukeshin sikur i pulsonin fuqishëm në çdo pjesë të trupit. Bërtiste dhe mbyllte sytë sa herë që struktura të mëdha shembeshin para fytyrës së saj dhe aty mendonte se gjithçka mori fund.

Por nuk mund të përfundonte aq lehtësisht kur tashmë të gjithë ishin krah saj. Të Dërguarit e Dhimbjes dhe Suksesit kishin rrethuar çdo cep të Rregullatorit, për të bërë të mundur që shmangia e rrezikut të qëndronte për një kohë sa më të gjatë. Vesta përdori gjithçka kishte në dispozicion në pesë tavolinat e Kurimit për të qenë e përgatitur. Në Ndërveprim tashmë Libri i Pafund ishte në dorën e tyre; në dorën e Kejlit, krenare që pa emrin e saj të shënuar midis të Dërguarve të tjerë. Të gjithë ishin me të, por mbi të gjithë, ajo kishte dashurinë e Deklanit.

Ky bashkëpunim i siguroi Leirës të arrinte e padëmtuar te pesë tavolinat. E entuziazmuar mori vrull për të shkuar në qendër, por ndjeu dorën e Ceresit t'i kapte parakrahun për ta ndaluar.

-Tavani do të shembet për punë sekondash, është e rrezikshme.

-Nuk mund ta lë këtu, Ceres, -në momentin që shkëputi krahun nga ai, struktura e tavanit u shkëput dhe copat e stërmëdha filluan të binin nga lartësia e tij. Ajo shtyu trupin dhe u zgjat për të arritur në qendër. Të tjerët mbyllën sytë për të shmangur dëshmimin e atij fundi fatal. Por ajo ishte vetëm një prekje larg.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now