|10|

121 31 55
                                    

-Çfarë është një Aatami? -pyeti për të disatën herë, duke shpresuar që të paktën xhuxhi llafazan t'i përgjigjej kësaj rradhe. Ndërkohë ai ishte duke kërkuar për mënyra se si të hapte sërish portalin dhe ta kthente Leirën në Tokë.

-Nuk mund ta besoj se si i zgjuari Ceres vjen dhe më thotë të të çoj ty në Tokë, por nuk më jep asnjë mënyrë se si, -vinte vërdallë i tensionuar, me frikën se nga momenti në moment do të kapej dhe do të dënohej rëndë. -Ti e ke fajin për gjithçka Leira. Rojtarët nuk janë detyruar asnjëherë të bëjnë gjëra të tilla në fshehtësi të njëri-tjetrit. Të paktën, jo qëkur jam krijuar unë. Gjithçka ka qenë shumë e paqtë dhe në harmoni, derisa vdiq e Dërguara Delansi.

-Dhe ky është faji im? -e ndërpreu ajo. -Më lër të të them se edhe jeta ime ka qenë po kaq përrallore para se gjyshja të vdiste. Nuk dua të jem aspak këtu rrethuar nga qenie të cilat as nuk i di se çfarë janë dhe çfarë supozohet të bëjnë me mua. Kështu që të lutem, bëj punën tënde nëse nuk ke ndonjë gjë më të mirë dhe hiqmu sysh.

-Hej, hej, qetësohu, do të të dëgjojnë, -u mundua ta bënte të ulte zërin. -Në rregull, ndoshta u shpreha pak gabim, por ti je shkaku i gjithë kësaj, -ajo shfryu e bezdisur. Ishte lodhur nga gjithë këto akuza ndërkohë që në të vërtetë ajo ishte personi që po kuptonte më pak.

Ndërkohë Blizardit i zunë sytë kopjen e Librit të Pafund që ndodhej në tavolinën në të majtë të dhomës. Pak i pasigurt nëse duhet ta përdorte apo jo, filloi të kruante mjekrën dhe të lëvizte këmbën si për ta ndihmuar që të mendohej.

-A mendon që duhet ta përdor Librin e Pafund për të të kthyer në Tokë, -vendosi më pas të pyeste, duke e ngritur kokën në mënyrë që të mund të shihte Leirën në sy.

-Nuk e di. Mjafton të më kthesh në shtëpi. Deklani do të jetë bërë shumë merak për mua, -ai pohoi me kokë dhe u duk sikur në mendjen e tij mori një vendim.

-U vendos atëherë. Ceresi mund të mbajë përgjegjësi për gabimin që nuk i mendon gjërat siç duhet deri në fund dhe ua lë të tjerëve. Pra nëse diçka ndodh me këtë libër, nuk është faji im, -dukej sikur natyra e tij ishte e tillë që gjatë gjithë kohës të pasonte ndjenjën e fajit te dikush tjetër dhe jo te vetja. Një krijesë e tillë dukej e pamundur të ishte diçka e krijuar nga të tjerë, mirëpo gjithçka që Leirës i ishte dukur e pamundur më parë po ndodhte aty si të ishte krejt e zakonshme.

-Gjithmonë e harroj se në çfarë faqe është portali, -u ankua duke kërkuar në libër. -Nëse do ta vendosin diku midis dhjetë faqeve të para, do të ishte më e thjeshtë. Por askush nuk mendon për ne Aatamit. Jemi qeniet më të nënvlerësuara. Nuk jemi fare qenie në fakt. Jemi kaq të dobishëm dhe askush nuk na i di për nder.

Ajo e dinte se nëse e pyeste sërish nuk do të merrte përgjigjje. Kështu që përfitoi nga rasti për të mësuar ndonjë gjë në mënyrë të tërthortë, duke shpresuar që ai të binte në grackën që ajo do të krijonte.

-Të dobishëm? Të lutem! Përveçse acarues dhe shërbëtor, s'kam gjetur asnjë cilësi tjetër te ti, si një Aatami.

-Çfarë the? -iu duk se ai më në fund do të fliste. -Pa një Aatami përkrah një të Dërguare nuk do të sigurohej kurrë vazhdimësia e të Dërguarve në brezat e tjerë. E di se sa gjëra do të cenonte kjo?

-Nuk e di në fakt, -vazhdoi të luante lojën e saj.

-Epo ja ku po ta bëj të qartë. Një Aatami është partner i cili i caktohet në Ndërveprim përkatësisht një të Dërguare. Duke qenë se e Dërguara pasardhëse duhet të jetë me patjetër e gjinisë femërore, sepse kështu mund të lërë pasardhës nga trupi i saj, budalliqe të tilla, duhet një Aatami që të bëhet e mundur lënia e pasardhësve. Dëshiron të ta shpjegoj se si?

-Ma shpife, -tha duke rrudhur buzët por në mendje ende nuk kishte gjithçka të qartë.

-Ç'të bëj unë, kështu e vendosi Profecia e Ndaluar. Nuk është faji im që për të lënë pasardhës duhen kromozome nga të dyja gjinitë. Gjithsesi, do ta kishe më të thjeshtë për ta kuptuar nëse do të ishe një nxënëse e mirë në shkollë. Më duket se i merrni në biologji këto, apo jo? Të paktën kështu mbaj mend të më ketë thënë vajza. E kam në klasë të shtatë. Dymbëdhjetë vjeçare. Eh, ka ende kohë. Ndonjëherë më vjen keq për të. Por pastaj kujtohem që unë as që supozohet të kem ndjenja. E di? Një Aatami venitet kur puna e tij ka përfunduar. Pra, kur të lindë vajza e destinuar për t'u bërë e Dërguar, unë do të venitem. Nëse do të isha qenie, do të vdisja. E ke njohur ndonjëherë gjyshin tënd? Pikërisht. Sepse ka vdekur kur linde ti. Nuk e di a të kanë treguar.

-Një moment, -nuk i dëgjoi mirë fjalët e tij të mëvonshme, pasi mendja i mbeti te togfjalëshi misterioz që dëgjoi në fillim. -Çfarë është kjo Profecia e Ndaluar? -në atë moment vuri re se si çehrja në fytyrën e tij u zbeh dhe mundohej t'i hidhte sytë andej-këndej dhe kafshonte buzën si për të dashur t'i shmangej asaj pyetjeje. Por dukej sikur kishte bërë një gabim të rëndë dhe sikur e kishte bërë pa vetëdije. Sikur të ishte penduar pikërisht në atë sekondë që dëgjoi pyetjen e Leirës.

-Unë nuk duhet të flas kaq shumë, -uli sytë në libër dhe filloi të lexonte duke përdorur gishtërinjtë për orientim, njësoj siç bënte Leira. I zgjati dorën dhe ajo ia kapi pa thënë fjalë më tepër. Nuk donte ta fuste në telashe, edhe pse përbrenda kurioziteti nuk e linte të qetë.

Në dhomën e saj asgjë nuk kishte ndryshuar, ose të paktën, kështu dukej. Dukej vetëm sikur ajo sapo ishte zgjuar sërish. Kësaj rradhe, Blizardi u kujdes që ta merrte kopjen e tij me vete dhe u largua.

Eci pa bërë zhurmë. Nuk e kuptoi pse. Ndoshta ngaqë edhe shtëpia po i dukej po aq misterioze dhe e heshtur sa rregullatori i Dashurisë, kështu që nuk do të guxonte ta thyente atë heshtje të vendosur si me miratimin e të gjithëve. Zemra i lëvizi nga vendi kur pa Deklanin përtokë. Iu deshën disa sekonda që ta mblidhte veten dhe të kuptonte se atë thjesht e kishte zënë gjumi atje që nga nata e kaluar. Buzëqeshi por ishte një lloj buzëqeshjeje e dhimbshme. E donte Deklanin më shumë nga ç'e mendonte ai por nuk ia shprehte dot kurrë mjaftueshëm. E ndërsa ai nga ana tjetër nuk reshtte së bëri gjithçka për të, duke e vendosur para vetes. Në fakt të dy e kishin bërë këtë gjë, dhe do e ribënin qindra herë në qindra jetë të tjera.

Pak nga pak filloi të vinte në punë trurin dhe të kujtohej se si e kishte zënë gjumi pasi ishte shumë e lodhur dhe Deklani i kishte thënë se do të qëndronte atje atë natë. Nuk mbante mend asgjë tjetër. Vetëm momentin kur u zgjua në të gdhirë dhe shtëpia e saj ishte krejtësisht bosh.

-Me siguri është një lojë e tyre sërish, -mendoi. Në mendje i ngeli Profecia e Ndaluar. Shpejt u kujtua se kishte një kopje të Librit të Pafund dhe aty mund të gjente fare lehtë se çfarë kuptimi kishte kjo frazë. Nxitoi duke ruajtur heshtjen dhe mori librin që qëndronte mbi krevat. Përderisa ai libër përmbante gjithçka që kishte ndodhur me Kozmosin, duhet të fliste edhe për një ngjarje të tillë që dukej e rëndësishme, të paktën nga emri. E hapi në faqen e përmbajtjes dhe nisi të kërkonte për shkronjën "P".

-Hë pra, diku këtu duhet të jetë, -pëshpëriste duke nxituar. U ndje fitimtare kur e gjeti të shkruar si një nënkapitull i kapitullit të Tokës. Por u zhgënjye shumë shpejt.

-"Profecia e Ndaluar. Quhet e tillë pasi për të ndalohet të flitet në Pontius, Tokë apo kudo. I vetmi informacion që mund të gjesh rreth saj, ndodhet në Librin e Pafund dhe në asnjë nga kopjet e tij."

Mbylli kapakun furishëm dhe u bë ta hidhte librin tutje. Nuk kishte asnjë vlerë. Ç'të kishte qenë kjo profeci e tillë për të cilën ndalohej të flitej, si të ishte ndonjë sekret shtetëror? Nuk qëndronte dot e qetë. Tashmë që i ishte futur kësaj pune, nuk dilte dot më që aty. Ktheu kokën anash dhe hodhi sytë poshtë. Do t'i duhej të zbulonte gjithçka. Por nuk do ta bënte e vetme.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now