|18|

89 28 64
                                    

"Kapitulli shtatëqind e dy: Profecia e Ndaluar.

Pesëqind e dyzet e katër vite më parë, gjithçka në Pontius ishte në harmoni të plotë dhe funksiononte siç duhej, sidomos marrëdhëniet midis Rojtarëve dhe të Dërguarve. Në pamje të parë, vendimi më i mirë që Rojtarët e Tokës kishin marrë ishte të caktonin të Dërguarit, dhe në të vërtetë kështu ishte. Çdokush e dinte mirë vendin dhe detyrën e vet dhe çdo gjë shkonte më së miri, në mënyrë aq të përkryer sa edhe vetë Ligji i Pentagonit. Rojtarët e trupave të tjerë kozmikë nuk ngurronin të shprehnin hapur xhelozinë e tyre për punën e mrekullueshme të Rojtarëve të Tokës, ndërkohë që ata shijonin lavdinë e tyre në Pontius. Derisa Pontiusi u njoh me Selesten, ose më saktë, Selestia u njoh me Pontiusin e ëmbël dhe të qetë, që mbrohej me aq adhurim.

Selestia ishte një qenie njerëzore që jetonte një jetë monotone në një hapësirë të papërfillshme tokësore të njohur nga qeniet njerëzore si fshat. Karakterizohej nga vetëbesimi i lartë, ishte perfeksioniste dhe nuk ndalonte derisa të bënte diçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Lakmohej nga qeniet e tjera njerëzore që e rrethonin për gjithçka, duke filluar nga pamja e saj e hijshme e deri në aftësitë e saj të shkëlqyera në çdo fushë. Ishte një nga versionet më të përafërta të të përsosurës që qeniet kishin parë në një qenie njerëzore.

Selestia kishte jetuar njëzet vite tokësore si një qenie njerëzore e vdekshme, deri në ditën e vdekjes së gjyshes së saj. E trishtë, por e pakrahasueshme me çfarë ndodh më pas. Fati i Selestes ishte i qartë: ajo do të ishte e Dërguara pasardhëse sipas rregullit, dhe kështu gjithçka do të vazhdonte në përsosmëri. Kështu do të kishte ndodhur në fakt, nëse nuk do të ishte për rebelimin e të Dërguarës Selestia, diçka për të cilën asnjë nuk ishte gati.

Kur mësoi se çfarë do t'i kushtonte të ishte pjesë e këtij misioni, e Dërguara refuzoi të merrte përsipër detyrën e saj, duke kërcënuar kështu Pontiusin dhe përsosmërinë e Kozmosit. Rebelimi i brendshëm ishte diçka me të cilën qeniet nuk ishin përballur kurrë më parë, aq sa nuk e kishin ditur se diçka e tillë ishte e mundur. Rojtarët dhe qeniet më të larta u alarmuan, organizuan mbledhje dhe takime, vunë në lëvizje çdo trup kozmik, por çdo masë që morën, e bëri situatën më keq. Dhe nuk ishte Selestia ajo që e shkaktoi gjithë këtë katastrofë, por qenia njerëzore që Selestia dashuronte, Aspeni.

Aspeni për Pontiusin dhe Pentagonin u përkthye në kërcënim dhe rrezik fatal, pasi përkrah Selestias, vazhdimësia do të ishte e pamundur. Pesë Rojtarët për herë të parë kërkuan ndihmën e qenieve më inteligjente, në pamundësi të të paturit një plan të përkryer veprimi. Aspeni kishte krijuar një lloj situate paradoksale duke e kthyer për herë të parë Pontiusin në një gjendje kaotike. Kaosi ishte gjithçka së cilës qeniet i trembeshin, sidomos qeniet më vjetra, disa miliardë vjeçare, të cilat kishin patur fatin e keq ta jetonin një situatë të tillë. E ndërkohë që Selestia nuk pranonte të sakrifikonte dashurinë e saj për këtë qenie njerëzore, për hir të detyrës, qeniet morën vendimin e shpejtë dhe aspak të përkryer për të asgjësuar këtë të fundit. Dhe ky ishte vetëm fillimi, -vuri dorën në gojë dhe i gjithë trupi iu drodh. E njëjta gjë do t'i ndodhte edhe Deklanit nëse ajo refuzonte të ndahej nga ai. Pra gjithçka kishte ndodhur qindra vite më parë me një tjetër të Dërguar viktimë njësoj si ajo, dhe kërcënimet e Rojtarëve që e kishin shtyrë Leirën të bënte atë veprim nuk kishin qenë vetëm të tilla. Një lot i ftohtë i shkau nga syri i majtë nëpër faqe. Kushdo të kishte qenë, nuk e kishte merituar.

-Duhet të vazhdosh të lexosh Leira, -i foli kur e pa se si ajo thjesht shtangu para librit të hapur. Zëri i tij e trembi; ishte përfshirë në histori mjaftueshëm për ta harruar praninë e tij në atë dhomë. Nuk donte të lexonte më tej, por ishte e detyruar ta luftonte këtë ndjesi për të mësuar më tepër. Uli sërish sytë në libër, në ankth se çfarë do të ndodhte në vazhdim. Ndihej sikur gjithçka që ishte shkruar, do t'i ndodhte asaj herët a vonë, dhe ajo nuk do të bënte dot asgjë për ta ndaluar. Shkundi kokën si për të gënjyer veten se në atë mënyrë do të mund të largonte edhe mendimet që po e përndiqnin. Afroi kokën më tepër në libër sepse vetëm në këtë mënyrë do të ndihej e detyruar të lexonte.

" Një vendim jo i mirëmenduar nga qeniet dhe Rojtarët e Tokës, bëri që Selestia dhe të gjithë të Dërguarit e tjerë të ngriheshin në revoltë për të kërkuar të drejtat e tyre, mirëpo kjo revoltë nuk solli asnjë ndryshim. Tashmë gjendja e Selestias kishte arritur kulmin; e kishte bindur veten se do të bënte gjithçka për të marrë hak dhe për të luftuar padrejtësinë e bërë kundrejt qenies njerëzore Aspen. Ajo për të cilën Rojtarët nuk ishin përgatitur, ishte Dhuntia e Emrit të të Dërguarës Selestia.

Një profeci; gjithçka që ajo mund të bënte ishte të linte një profeci të cilën askush nuk do të mund ta shkelte, një profeci për të cilën asnjë qenie nuk kishte fuqinë ta ndalonte. Sipas sistemit të krijuar në Pontius, Dhuntia e Emrit është e pakrahasueshme, dhe nuk ekziston diçka e tillë që të dalë mbi të. Kjo dhunti asaj i erdhi si shpëtimi i vetëm, si mënyra e vetme në të cilën mund të shfrynte të gjithë dhimbjen, vrerin dhe inatin që i ishte mbledhur në shpirt. Në profeci ajo shkroi:

Asnjë e Dërguar nuk lejohet të dashurojë një qenie njerëzore të vdekshme. Në momentin që merret përsipër kjo detyrë, ndërpritet çdo kontakt erotik me çfarëdo lloj qenieje njerëzore, në çfarëdo lloj mënyre të jetë e nevojshme.

Askush nuk ishte gati për një kthesë të tillë, por ndikoi tek të gjithë aq rëndë, sa u ndalua të flitej për atë profeci. Qeniet morën këtë vendim pasi nuk dëshironin të merrej si shembull e të ndiqej nga të Dërguarit e tjerë, si dhe refuzuan të mësohej nga qeniet e tjera se një gabim i tyre kishte sjellë një fatkeqësi të tillë. Për këtë arsye, ajo u quajt Profecia e Ndaluar.

Pasojat që solli Profecia e Ndaluar ishin marramendëse, katastrofike. Pontiusi kaloi një krizë të përgjithshme dhe Rojtarëve iu desh të bënin shumë ndryshime, një nga më thelbësoret, krijimi i Aatamive.

Aatami u emërtuan të gjitha krijesat që u programuan në Rregullatorin e Ndërveprimit, për të qenë tashmë partnerët e të Dërguarve. Për çdo të Dërguar, në momentin që i ngarkohej detyra, në Ndërveprim krijohej një Aatami përkatës. Krijimi i këtyre krijesave humanoide ndihmoi në kalimin e krizës në Pontius, si dhe u pa si zgjidhja që i përshtatej më mirë situatës fatkeqe që krijoi Profecia e Ndaluar. Me një Aatami të përcaktuar në Ndërveprim për çdo të Dërguar, tashmë vazhdimësia dhe lënia e pasardhësve do të ishte e sigurt.

Megjithatë, nuk mbaron me kaq. Sipas Rregullores së Brendshme të Pontiusit dhe Rregullores së Përgjithshme të Trupave Qiellorë Mesatarë të Përfshirë në Kozmos, sipas Urdhrit të Përbashkët të Rojtarëve, nëse një qenie arrin të shkruajë një profeci mbi një trup kozmik ose mbi qenie të tjera, veprimtaria e të cilave ndikon në mbarëvajtjen dhe vazhdimësinë e këtij trupi dhe ruajtjen e Ligjit të Pentagonit dhe përsosmërinë e Kozmosit, kjo qenie vishet me përgjegjësinë e të qenit një Rojtar. Në momentin që shkroi profecinë, Selestia nuk ishte më një e Dërguar, por një Rojtare. Rojtarja e Rregullatorit të Ndërveprimit. Rojtarja Juno. "

Mbylli menjëherë kapakun e librit e shokuar dhe sytë i drejtoi në asgjëkund. Duke pëshpëritur emrin e saj, u mundua të përpunonte edhe njëherë fjalët e fundit, për të parë nëse kishte lexuar çdo gjë siç duhej.

Iu desh një moment që të kthjellohej dhe të konsideronte faktin se kishte të bënte me Librin e Pafund. Asnjë kopje e tij, por libri i vërtetë. I vetmi që përmbante çdo informacion të ndaluar, i vetmi që mund t'i jepte përgjigje çdo pyetjeje të saj. Nuk mund ta lejonte hutimin që i shkaktoi historia e Junos, ta ndalonte për të mësuar atë që kishte kaq kohë që donte të dinte. Nuk ishte e sigurt nëse do të gjente ndonjëherë rast më të favorshëm, ndaj e largoi mendjen për pak çaste nga ajo profeci dhe shfletoi librin nxitimthi për të lexuar mbi përmbajtjen e tij. Ceresi nuk bëri asgjë për ta ndaluar.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now