|16|

94 29 91
                                    

Barkervill, korrik 2019

Zbritën shkallët e gjimnazit për të fundit herë teksa hidhnin sytë gjithandej për të parë e për të ruajtur gjithçka në kujtime. Në dorë mbanin diplomat dhe ndiheshin çuditshëm. Si mund të përmblidhej gjithë ajo kohë në një fletë të vetme? Dita e diplomimit ishte natyrisht një nga ditët më të rëndësishme për çdo student, mirëpo për ata të dy më shumë rëndësi kishte se çfarë do të vinte më pas. Ndoshta gjimnazi mund të kishte përfunduar, por për ta, jeta e vërtetë sapo do të fillonte.

-A të besohet? -bënte kërcime të vogla në rrugë si një fëmijë duke admiruar faktin se tashmë ishte e diplomuar. -Edhe pak vite idiotësira dhe më në fund do të zhdukemi nga ky vend, -ndihej e lehtësuar. Asnjëherë nuk i kishte pëlqyer shkolla, dhe ideja që sa më shumë kohë kalonte, aq më pak vite shkollore i mbeteshin, e emociononte.

-Do të zhdukemi? -ajo ktheu kokën dhe rrudhi vetullat.

-E diskuton? -ai qeshi dhe nxitoi që ta arrinte dhe t'i dhuronte një përqafim nga pas.

-Aspak Leira, vetëm se po mendoja se ku mund të zhdukemi, -një buzëqeshje dukshëm e madhe u stampua në fytyrën e saj. I pëlqeu kjo ide. I kapi dorën dhe e tërhoqi me nxitim drejt stolit më të afërt. Ai e ndoqi pa folur.

-Kemi punë, -u ul dhe nxorri nga çanta bllokun në të cilin shkarraviste herë pas here, si dhe mundohej të organizonte ditën kur ishte në humor të mirë, pavarësisht se këto plane asnjëherë nuk funksiononin dhe përfundonte duke bërë një rrëmujë të madhe. -Nëse do të mendojmë, do të mendojmë siç duhet, -tërhoqi një vizë të shpejtë për të ndarë shkrimet e mëparshme nga ato që do të shkruante tashmë, -ku do të zhdukemi dhe çfarë do të bëjmë, -nisi të mendohej dhe të kafshonte stilolapsin; një huq që do ta ndiqte gjithnjë nga pas. -Deklan, çfarë ke dashur gjithmonë të bësh por të është dukur e pamundur? Pra që të është dukur si diçka e paarritshme për momentin ose të ketë diçka që e pengon realizimin e saj.

-Më lër të mendohem, -vuri dorën në mjekër për ta përforcuar idenë se ishte duke vrarë mendjen, -mbase të bëj garë noti me delfinë.

-Po unë nuk di të notoj, -u ankua. -Po flisja për gjëra që mund t'i bëjmë të dy.

-Mund të të mësoj unë. Kështu do të kesh nderin të jesh kafsha e parë që bën garë me mua, -tha duke u munduar të mbante të qeshurën.

-Deklan! -filloi ta godiste në shpatull ndërkohë që ai vazhdonte të qeshte.

-Çfarë? Teknikisht, edhe njerëzit kafshë janë.

-Pusho! -po mundohej të qëndronte serioz, por e adhuronte se çfarë mimike merrte fytyra e saj kur inatosej.

-Në rregull, në rregull, por e kam seriozisht. Do të të mësoj unë të notosh, -ajo tundi kokën dhe shkroi: garë me delfinë (supozojmë se Deklani do të më mësojë notin).

-Tjetër, -tha duke nënvizuar një kryerradhë. -Unë dua të vihemi në kërkim të ndonjë thesari të humbur.

-Gjueti thesari? Leira! -bërtiti i emocionuar. -Edhe unë kam dashur gjithmonë ta bëj këtë!

-Vërtet? Edhe unë! Imagjino të mos kesh një jetë kaq të mërzitshme por në vend të kësaj të dalësh për gjueti thesari në një ishull ekzotik.

-Dhe të kesh një hartë të vjetër dhe të grisur ku mezi të dallosh legjendën, -shtoi ai.

-Po, edhe t'i mungojë ndonjë pjesë që i konfuzon njerëzit që të mos arrijnë dot atje.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now