|4|

152 32 57
                                    

Shiu i rrëmbyer nuk e ndaloi të shkonte menjëherë tek ajo. Drithërimat i futeshin deri në palcë dhe me shumë mundësi do ta zinte ndonjë e ftohtë së shpejti. Nxitonte pa e kthyer kokën pas, sepse edhe nëse do të donte, era e tërbuar që e kishte kthyer atë mbasdite në stuhi nuk do ta lejonte. Statujat e bëra me buxhet fare të lirë nga investitorët thuajse po gërryheshin dhe dukej sikur herët a vonë do të humbisnin në luftën e shpallur ndaj stuhisë. Tipike për qytetin e Barkervillit.

-Duhet të kisha marrë një çadër, -mendonte teksa ecte me të njëjtin nxitim, duke numëruar me mend edhe sa hapa i kishin ngelur për të arritur. Më shumë shqetësohej për mesazhin që kishte marrë, sesa për shiun që vazhdonte të rrokëlliste nëpër rrugët fatkeqe të Barkervillit. Sapo sytë i zunë derën e ngushtë të shtëpisë së saj, ndjeu njëfarë lehtësimi.

-Deklan! -iu hodh në qafë duke e përqafuar sa mundej, sikur të mos kishin qenë vetëm para pak orësh bashkë. -Më duhet ndihma jote, -e dinte se ai ishte i vetmi që mund ta ndihmonte, por nuk ia kishte idenë pse kishte një ndjesi të tillë.

Pa humbur kohë, u mundua t'i shpjegonte situatën që nuk ia shpjegonte dot as vetes. Në fjalët e saj jo çdo gjë merrte kuptim, megjithatë ai mundohej ta kuptonte, dhe aty ku gjente mundësinë, e bënte vetë lidhjen midis fjalëve të hedhura tutje-tëhu. Ndonjëherë vendoste duart në kokë, si për ta lënë të qartë se e gjitha kjo i shkaktonte dhimbje. Ndonjëherë krijonte fjali të gjata dhe që kishin përmbajtje të rëndësishme në brendësi të tyre, e ndonjëherë vonohej për të thënë thjesht fjalë që nuk i kuptonte. Dhe para syve të tij, gjithçka ishte e re. Iu desh një moment ose më shumë për t'u kthjelluar nga e gjithë ajo që kishte dëgjuar. Por për çudi, edhe pse në dukje gjithçka ishte si një përrallë që nënat ua tregojnë fëmijëve për t'i vënë në gjumë, apo si ndonjë vepër letrare e Aligerit që kërkonte analizë, Deklani dukej sa i habitur, aq edhe i qartë.

-Dhe e vetmja gjë që arrita të kuptoj nga e gjitha, është kjo, -përtheu gjurin dhe i tregoi shenjën e këmbës. E vetmja gjë në të cilën ai kishte dyshuar që në fillim. -Kjo shenjë mu shfaq ditën e varrimit të gjyshes, dhe nuk është dëmtuar aspak. Duket sikur e ka bërë dikush me qëllim, aq e saktë është. Dhe tani, vij këtu dhe lexoj nga askundi për një lloj ligji me të cilin lidhet kjo shenjë. Nëse Kejli është duke bërë ndonjë lojë me mua, të betohem që...

-Qetësohu, Leira, -i kërkoi me një ton që tregonte se i duhej të mendohej. -Pra ti po thua se ky libër është përgjigjja për të cilën po të fliste gjyshja?

-Nuk e di Deklan. Nuk di asgjë, -në fjalët e saj ndihej një lloj ndjenje e përzier, nga ajo lloj ndjenje në të cilën nuk e di konkretisht çfarë po ndodh, por nga ana tjetër nuk je gati për asgjë. Ndërkohë ai ndihej krejtësisht ndryshe. Tepër kurioz, i etur për të mësuar më shumë, dhe disi ende në atë fazën ku i duhej kohë që ta përpunonte gjithçka në mendjen e tij.

-Leira, kjo është diçka shumë e madhe, -vendosi të thoshte pasi bluajti gjithçka mundi në kokën e tij. -Po nëse ti je një Rojtare? Një qenie e mbinatyrshme?Ose ndoshta ke ndonjë post tjetër? Leira, po nëse ti je e përzgjedhur për diçka të pazakontë? Po nëse njerëzit ujq, vampirët dhe gjithçka tjetër nuk janë thjesht mite? Asnjëherë nuk e mendoja se këto gjëra ekzistonin vërtet, pavarësisht se gjithmonë ta kam thënë. Kam patur të drejtë Leira, -e përqafoi si për t'i treguar asaj gjithë emocionin që po ndiente. Por kjo ndjesi nuk ishte aspak e përbashkët.

-Deklan, je në vete? -e shtyu për ta shmangur përqafimin dhe i hodhi sërish sytë drejt librit. Mori frymë thellë para se të bënte ndonjë veprim. -Duhet të lexojmë më shumë, -ai u afrua që të mundeshin të lexonin njëkohësisht, ndërkohë që ajo gjeti kapitullin përkatës, dhe kaloi gishtin nëpër rreshta për të gjetur se ku e kishte lënë. Nuk bënte dot gjë tjetër, pasi kishte ardhur për ta ndihmuar, e jo për ta bërë më tepër konfuze.

-Të Dërguarit. Një i Dërguar është një qenie në trajtë pjesërisht njerëzore, të cilit i vishet përgjegjësia nga Rojtari përkatës, për të përcjellë urdhrat dhe vendimet e tij në Tokë. Sipas ligjit të Pentagonit, çdo Rojtari i takojnë pesë të Dërguar, puna e të cilëve mbetet e njëjta: të kujdeset që qeniet njerëzore të mos dalin jashtë rregullave të ligjit. Qeniet njerëzore janë konsideruar dualiste, ose e thënë ndryshe, të dyzuara. Dyzimi i këtyre lloje qeniesh do të ishte diçka tepër normale, nëse materia fizike nga një anë, dhe materia abstrakte nga ana tjetër, do të zhvilloheshin në mënyrë paralele. Fatkeqësisht, qeniet vunë re që brenda këtij dyzimi, dy elementet përbërëse zakonisht krijojnë një farë armiqësie midis njëra-tjetrës, gjë që prish ekuilibrin kozmik.

Një i Dërguar nuk e kupton që është i tillë, deri në momentin që ka në dorë Librin e Pafund. Megjithatë, edhe në këtë moment, ekzistojnë dy mundësi për qenien: të jetë i Dërguar, ose të vdesë në një moshë të përsosur dyzimi, -uli sytë në fund të faqes për të lexuar përkufizimin. -Moshë e përsosur: Afat kohor i përbërë nga vite tokësore, të cilat janë shumëfisha të numrit pesë. Moshë e përsosur dyzimi: Afat kohor i përbërë nga vite tokësore, sa katrori i numrit pesë; e quajtur në Tokë moshë njëzet e pesë vjeçare.

Nëse një qenie përmbush njëzet vite tokësore dhe gjatë treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditëve tokësore që e ndajnë atë nga mosha njëzet e një, i Dërguari paraardhës vdes në një moshë të përsosur, kjo qenie kthehet në të Dërguarin e ri, për të siguruar vazhdimësinë. Në të kundërt, pra nëse paraardhësi nuk vdes gjatë këtyre ditëve, qenia njerëzore do të vdesë në një nga ditët e moshës së dyzimit, ndërkohë që përgjegjësia e një të Dërguari i ngarkohet pasardhësit të dytë.

-Ndalojmë pak, -kërkoi Deklani. -Nëse vazhdojmë të lexojmë në këtë mënyrë s'do të mund të kuptojmë asgjë. Ti the që këtë libër ta dha Kejli, apo jo? -ajo pohoi me kokë. -Të tha gjë?

-Asgjë, dhe i premtova se as unë nuk do e pyesja. Më tha se këtu do të gjeja gjithçka që më duhej. Por unë nuk po kuptoj asgjë, Deklan, -mimika në fytyrën e saj ishte e dëshpëruar, më tepër sikur të donte të tregonte se nuk ndihej gati, sesa nuk kuptonte nga ato çfarë shkruheshin në libër.

-Më dëgjo pak Leira, -i kapi mjekrën në mënyrë që mund ta shihte në sy, -gjithçka do të shkojë mirë, në rregull? Gjithçka do të jetë mirë. Por për momentin, na duhet të përqendrohemi për të mësuar se çfarë po ndodh. Kjo gjë është e çuditshme, misterioze dhe ndoshta ti as që do që ta dish shpjegimin. Por mbi të gjitha, kjo ka lidhje me ty, Leira. Të përket ty. Ndaj qoftë edhe vetëm për një moment, më dëgjo dhe qetësohu. Ne kemi thënë se asgjë nuk është e pamundur, apo jo? -sërish bëri me kokë në formë pohimi, por kësaj rradhe një buzëqeshje e sinqertë u zgjerua në mollëzat e saj.

-Për sa kohë jemi të dy, -shtoi.

-Pikërisht, -miratoi ai. -Dhe ne do të jemi gjithmonë të dy. Ashtu siç kemi thënë. Ti e di që bashkë mund të zgjidhim çdo gjë. Edhe kjo do të zgjidhet. Të premtoj, -i kapi dorën dhe ajo vendosi kokën në kraharorin e tij, si për të gjetur atë lloj mbështetjeje për të cilën kishte nevojë.

-Në rregull, Deklan, -tha pas disa sekondash qetësie. -Ti ke të drejtë. Ndoshta së fundmi më kanë ndodhur aq shumë, sa nuk kam mundur të përballem me të gjitha, dhe kam kërkuar t'i shmang. Por asgjë nuk zgjidhet duke u shmangur. E di? Gjyshja më tha se kjo që po ndodh është diçka e madhe, e cila nuk supozohet të ndodhë kaq herët. Por ajo më tha se jam gati.

-Dhe ti i beson gjyshes tënde, -tha me siguri të plotë, teksa pa se si menjëherë nëpër sytë e saj u rrokullisën lot.

-Po të dëgjoj, Deklan. Vetëm të lutem, më thuaj që kjo gjëja e madhe nuk do të lëndojë asnjë njeri tjetër. Asnjë njeri tjetër që dua, -ai shkëputi dorën dhe menjëherë çehrja në fytyrën e tij ndryshoi. Edhe ajo e vuri re këtë gjë.

-Nuk e di Leira. Nuk të them dot gjë me siguri. Por kam frikë se vdekja e gjyshes tënde ishte vetëm fillimi, -në fjalët e tij kishte hezitim. -Dua të them, sa vjeç është Kejli?

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now