|19|

86 30 79
                                    

Nuk e dinte se ku do e çonte e gjithë kjo, por e dinte me siguri se duhet të fliste me të me patjetër. U largua nxitimthi nga dhoma pa thënë asnjë fjalë, por shpejt ndaloi hapat teksa u përball me korridoret e labirinthta që e bënë të hutohej.

-Duhet të flasësh me Junon, e di. Kjo është e vetmja mënyrë për ta ndaluar këtë idiotësi, -dëgjoi zërin pas saj.

-Pse të intereson kaq shumë të më ndihmosh? -përsëriti pyetjen e mëparshme. I duhej një përgjigjje e vërtetë, sepse në të kundërt nuk mund t'i besonte.

-Kaq e vështirë është ta marrësh me mend? -u mundua të dukej disi i bezdisur. -Shiko Leira, Rregullatori i Dashurisë nuk ka qenë kurrë dakord me këtë profeci, sepse e prisnim që diçka e tillë do të ndodhte së shpejti.

-Diçka si çfarë?

-Të lutem, mos më ndërprit, -i kërkoi. -Diçka si ti. Pavarësisht pritshmërive të të tjerëve, ti i ke të gjitha aspiratat për të qenë një e Dërguar e suksesshme, përveçse je e dashuruar, kur një të Dërguari i ndalohet kjo gjë, të paktën që nga fillimi i profecisë. Dhe shiko se ku na ka sjellë kjo sot; Pontiusi vazhdon të jetë i kërcënuar pavarësisht se çfarë gënjeshtrash i thonë ata vetes për t'u ndier më mirë. Pas ndarjes nga qenia njerëzore Deklan, ti nuk do të jesh asnjëherë në gjendje të zbatosh detyrën tënde si e Dërguar, dhe kjo është mëse e justifikuar. Në Rregullatorin e Dashurisë është e ndaluar të ndash dy qenie që ndiejnë në mënyrë reciproke dashuri kundrejt njëri-tjetrit, pavarësisht llojit të saj. Nga ana tjetër, sipas rregullave të Pontiusit, është e ndaluar që një e Dërguar të dashurojë një qenie njerëzore. E gjitha kjo është paradoksale, nuk mendon kështu? Për më tepër, është duke e dëmtuar Dashurinë dita-ditës. Ti dhe unë jemi të vetmit të cilët nuk po shtiren si të verbër para gjithë këtyre problemeve, por edhe Juno mund ta bëjë nëse do. Problemi qëndron në faktin se ajo është verbuar nga urrejtja kohë më parë, dhe ka dalë nga vetja e saj e mëparshme për të mos u rikthyer kurrë. Por ti mund ta ndryshosh këtë gjë.

-Pse je kaq i sigurt që unë mundem? -ishte e lodhshme të shihte se si të gjithë prisnin shumë nga ajo, kur ajo nuk kishte besim as te vetja.

-Sepse kam parë dashurinë tuaj. I përngjan shumë asaj të Junos dhe Aspenit. Duke qenë se shekuj më parë një dashuri e tillë ndryshoi gjithë rrjedhën e Pontiusit dhe shkaktoi një gjëmë si ajo, edhe dashuria juaj mund të sjellë një ndryshim. Për mirë, shpresoj. Jam i sigurt se edhe Juno mendon njësoj, por nuk dëshiron ta pranojë. Ajo do të bënte gjithçka veçse të pranonte një gjë që do t'i sillte ndërmend sërish kohën kur kishte Aspenin në jetën e saj. Por kam shpresë se ti mund ta bësh këtë të ndryshojë.

-Pse duhet ta bëj gjithë këtë? Pse duhet të bëj diçka në favorin tuaj kur gjithçka që kam përjetuar këtu ka qenë dhimbje? -i dukej qesharake se si të gjithë mundoheshin të përfitonin prej saj, duke mos i dhënë asgjë në këmbim.

-Është për të ardhur keq që mendon në këtë mënyrë, Leira Paterson. Mendova se do të doje të ishe sërish pranë Deklanit.

Kjo e fundit e bëri të ndihej sikur ishte goditur në mënyrë therëse pas shpine, dhe e vinte në qindra dilema rreth çfarë po bënte saktë dhe çfarë po bënte gabim. Ishte e humbur. Përsa kohë ata të kishin në dorë një armë të tillë që kishte për ta goditur gjithmonë në të njëjtën mënyrë, ishte e humbur përballë tyre. Do të kthehej në mënyrë të pavetëdijshme në një lodër të cilën ata do ta përdornin si tu leverdiste. Ishte e pafuqishme për të luftuar kur në një luftë të tillë luhej me jetën e tij.

-Do të flas me të, -tha me gjysëm zëri.

Juno ndodhej në dhomë duke vështruar hapësirën e pafundme nga dritarja mjaftueshëm e madhe për të të dhuruar një pamje mbresëlënëse. Mirëpo asnjë pamje sado mbresëlënëse të ishte, nuk e bënte dot të ndihej më mirë. Shumë po ndodhnin dhe ajo ndihej se kishte përgjegjësinë kryesore.

-Mund të hyj?

-Kam punë tani Leira, -nuk dëshironte të prishte qetësinë e krijuar në ato momente, sadopak të zgjaste. Për të, emri i Leirës do të thoshte probleme.

Hyri në dhomë pa dëgjuar fjalën e saj, dhe kjo gjë e acaroi. Kishte shumë më shumë për të bërë dhe për të menduar, në vend që të merrej me një vajzë që me shumë mundësi do të fillonte të ankohej sërish për humbjen e gjyshes, detyrën që i ishte caktuar apo ndarjen nga Deklani.

-A nuk të thashë që kam punë? -nxitoi për të dalë nga dhoma dhe për ta shmangur sa më parë.

-Juno, duhet të flasim, është e rëndësishme, -e ndiqte nga pas ndërkohë që fliste, por kjo nuk e bëri atë të ngadalësohej. -Juno, Juno! Juno! -ndaloi hapin e lodhur dhe thirri, -Selestia!

Ngriu në vend dhe nuk bëri përpjekje as për të kthyer kokën. Ky emër i solli një nostalgji të tillë të mbuluar aq keq në pluhurin e harresës, saqë nuk e kishte marrë mundimin ta kujtonte sërish. U zbeh dukshëm, si të ishte duke u zhdukur ngadalë dhe sytë e mëdhenj të dalë në pah morën tjetër formë, tjetër jetë.

-Është e ndaluar të flitet rreth kësaj profecie, -ndryshe nga herët e tjera, kishte një ton shumë herë më të ulët, të përmbajtur, si të mos ishte ajo që i kishte thënë ato fjalë, ose sikur mundohej të mbante brenda vetes gjithçka që po ndiente.

-Është e ndaluar edhe të ndash dy qenie të cilat shprehin dashuri reciproke ndaj njëri-tjetrit, -Juno fliste vetëm me gjuhën e rregullave, kështu që Leira kishte vendosur t'i përshtatej kësaj me aq sa kishte në dorë.

-Ceres! -mërmëriti duke e kuptuar menjëherë. U kthye për ta parë në sy, sepse kështu do të mund ta vriste ndërgjegjjen e saj vetëm me shikime. -Ke marrë një rrezik shumë të madh përsipër. Ceresi do të ndëshkohet për të, por as ti nuk do të mbetesh pas, e Dërguar. Bën mirë të marrësh parasysh gjithçka, pasi nuk mbaj përgjegjësi për çfarë ndodh tani e tutje, -sytë e saj shprehnin gjithë çfarë ajo mundohej të fshihte. Pas asaj hijeje të rëndë nuk ishte asgjë tjetër veçse e dobët dhe e lënduar.

-Pse po lejon të më ndodhë edhe mua një padrejtësi e tillë? Kur ti vetë e urren gjithë këtë budallallëk, pse po lejon që unë të ndiej gjithçka që ti ke ndier? Që të shkatërrohet sërish e gjitha? A e mendon që je pikërisht në vendin e atyre që urren? Ose të paktën që ke urryer. A e mendon se si tashmë nuk je asgjë tjetër, veçse njësoj si qeniet përgjegjëse për vrasjen e Aspenit?

-Mbaj vendin e Dërguar! -kishin të njëjtën pikë të dobët, dhe në atë luftë fjalësh, këto pika do të lëndoheshin më tepër.

-Më thuaj çfarë rreziku sjell në Pontius Deklani? Çfarë rreziku sjell dashuria jonë që të ndëshkohet në mënyrë të tillë? Çfarë kërcënimi përbënte Aspeni për Pentagonin? Çfarë kishte kaq të veçantë rreth tij?

-Rreth saj! -theksoi. -Aspeni ishte vajzë. Si e Dërguar, një nga detyrat e mia ishte lënia e pasardhësve. Aspeni e privonte diçka të tillë, dhe ata nuk e menduan dy herë para se ta hiqnin qafe. Mund të kishte një mijë mënyra të tjera se si mund të zgjidhej kjo gjë, por ata zgjodhën atë më të shpejtën dhe më të thjeshtën. Nuk kishte dhe nuk do të ketë kurrë asgjë në Kozmos si Aspeni. Ajo ishte mishërimi i të përkryerës thjeshtësisht në një qenie njerëzore. Ishte shumë e papërgatitur për mizorinë e këtij ligji. Por nuk ishte ajo që duhej sakrifikuar. Të gjitha bëmat që ndodhën më pas, ndodhën për vetë fajin e tyre. Zgjodhën njeriun e gabuar, dhe nuk u përgatitën për pasojat. Ata nuk duan t'ia dinë Leira Paterson. Gjyshja jote nuk donte t'ia dinte për motrën tënde. Ne nuk duam t'ia dimë për ty, apo për të dashurin tënd. Sepse kështu është krijuar ky vend. Të gjithë sakrifikojnë dhe sakrifikohen dhe nuk ka asgjë që mund ta ndryshojë, -dukej sikur më shumë këtë gjë po ia rikujtonte vetes, si të donte të gëlltiste me zor një të vërtetë të tillë të hidhur.

-Ti je qenia e fundit që ka të drejtë të flasë kështu Rojtare Juno. Sepse asgjë nuk të bën ty ndryshe nga ata. Ti mund të jesh pjesë e tyre, por unë nuk jam. Nuk do të jem ndonjëherë. Nuk e di se si, por do të shpëtoj nga ju.

Fjalën e saj e ndërpreu hapja agresive e portës, që tërhoqi vëmendjen e të dyjave.

-Përgatituni për gjithçka. Të Dërguarit dhe Aatamit kanë shpallur luftë dhe po nisen për këtu. Nuk mund t'i ndaloj, -para tyre qëndronte Aatami Blizard duke gulçuar.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now