|8|

125 32 82
                                    

Hapi sytë në pamundësi për ta marrë me mend se sa kohë kishte kaluar duke fjetur, apo se ajo që i kishte ndodhur pak më parë ishte ëndërr apo e vërtetë. Deklani nuk ndodhej aty dhe nuk ishte e sigurt nëse kishte ndonjë tjetër. Shtëpia i dukej bosh. Eci me ngadalë dhe qetësia që kishte rënë e nxirrte në pah zhurmën që bënin këmbët e saj që kërcisnin lehtë. Hodhi sytë nga dritarja; asgjë s'kishte ndryshuar. Gjithçka mbetej shumë e zymtë dhe me siguri duhej të ishte në të zbardhur. Por pse ishte boshatisur shtëpia e saj që në pikë të mëngjesit?

Zbriti shkallët ende përgjumësh duke fërkuar sytë dhe vuri re një dritë. Vizioni shpejt iu qartësua dhe dalloi dikë që qëndronte para frigoriferit të hapur. Dukej të ishte një fëmijë. Nga e papritura u zmbraps dhe goditi lehtë murin me kokë, duke lëvizur një nga panoramat e varura dhe duke shkaktuar zhurmë. Personi që qëndronte para saj u tremb dhe u kthye menjëherë. Leirës i erdhi për të qeshur me atë që pa. Nuk kishte të bënte me një fëmijë, por me një xhuxh.

-Më trembe për vdekje! -edhe zëri i tij ishte i çuditshëm. -Kaq e pamundur është që të gjej diçka të mirë për të ngrënë në këtë frigorifer? -ndërsa fliste kruante vazhdimisht mjekrën e gjatë në ngjyrë karote.

-Kush je ti? -pyeti ajo, por jo e frikësuar. Më shumë e habitur nga pamja e tij, sesa nga fakti që një i huaj ndodhej në shtëpinë e saj.

-Quhem Blizard, -i zgjati dorën, por ajo hezitoi. -Jam një Aatami nga rregullatori i Dashurisë, -u prezantua, ndërkohë që tërhoqi dorën. -Meqë të Dërguarit ndalohen të komunikojnë me njëri-tjetrin, para se të njihen me Rojtarët, Ceresi më dërgoi te ti. Ai dëshiron të flasë me ty.

-Prit një moment, -i kërkoi të ndalonte. -Çfarë është një Aatami? Çfarë është rregullatori i Dashurisë dhe kush është Ceresi? Si e gjete shtëpinë time? -nuk po kuptonte asgjë.

-Nuk kam kohë për të ta shpjeguar. Këtu jam jashtë çdo rregulli dhe jam në rrezik. Edhe pse Ceresi më premtoi që s'do më gjejë gjë nëse të sjell ty shëndoshë e mirë në Pontius, nuk ia kam besën. Tek e fundit ai është një Rojtar. Pastaj, e di se ç'më gjen nëse Juno merr vesh që jam larguar nga Dashuria? Do ta shpërbëjë nga fillimi gjithë materien time. Më beso, ajo e bën.

-Ti flet shumë, -i tha gati në të qeshur dhe ai kafshoi buzën.

-Nuk është faji im. Kështu më programuan në Ndërveprim, -u mundua të justifikohej. -Siç të thashë, nuk kam aspak kohë. Kështu që të lutem më ndiq pa bërë fjalë, -diçka i thoshte se duhet të bënte siç i tha ai. Ishte lodhur me gjithë pikëpyetjet në mendjen e saj dhe askush që t'u përgjigjej. Ndoshta nuk kishte ku të shkonte më keq se kaq, ndaj këmbët ndoqën Aatamin që bënte hapa të shpejtë, por të vegjël. Mbi tavolinën e ngrënies vuri re xhuxhin që mori Librin e Pafund. Ishte e sigurt që e kishte lënë në dhomën e saj dhe jo aty. Me siguri duhet të ishte ndonjë kopje tjetër.

-Në cilën faqe ishte... -filloi të mërmëriste ndërkohë që shfletonte me po të njëjtin ritëm të hapave të tij fletët e vjetra të librit. Ndërkohë Leira ndiqte me sy çdo veprim të tij. -Ah, po, ja ku qenka. Rrugëtimi për në Pontius. Duket interesant, -nga libri dolën re të çuditshme tymi, dhe faqja në të cilën ndodhej hapur filloi të ndriçonte duke formuar pak nga pak një vorbull të çuditshme. Ajo vazhdoi të priste dhe të mos bënte asnjë veprim. Tymi, vorbulla dhe gjithçka tjetër në një tjetër kohë, ndoshta edhe vetëm pak më parë, do ta bënin të shtangej, por tani për çudi nuk po e ndiente atë ndjesi. Përkundrazi, ishte lodhur me çdo gjë të re dhe të panjohur që po i ndodhte, dhe gjithçka që donte, ishte të mësonte më shumë. Aatami priti deri në një moment dhe i zgjati sërish dorën.

-Duhet të ma kapësh kësaj rradhe, -i tha. -Mos u shqetëso, i kam larë të dyja duart.

Ajo qeshi dhe i kapi dorën. Menjëherë ndjeu një tërheqje të fortë që e bëri të përfundonte në një tjetër vend sa hap e mbyll sytë.

-Më në fund! Jam i sigurt. Duhet të iki tani, -nxitoi për tu kthyer para se vorbulla të tkurrej.

-Prit! -u mundua t'i thërriste, por ai kishte ikur tashmë. -A nuk duhet të më tregoje se çfarë supozohet të bëj unë këtu? -tha me vete.

Eci nëpër korridoret tepër të gjerë dhe rrotulloi sytë për të parë të gjithë pamjen. Tavani ishte shumë i lartë, aq sa nuk mund të dallonte mirë nëse kishte një të tillë. Në mure dhe dysheme mbizotëruese ishte ngjyra e kuqe. Rrudhi buzët. Asnjëherë nuk i kishte pëlqyer ajo ngjyrë. Jo vetëm për faktin që mendonte se ishte shumë e mbivlerësuar, por edhe sepse kur ishte e vogël, ndër bojërat me të cilat pikturonte ajo ishte e para që harxhohej.

Në hollin e madh në të cilin e nxorri ecja vuri re pesë tavolina; secilën prej tyre të vendosur njësoj si pesë pikat në këmbën e saj.

-Pra gjithçka sillet rreth këtyre pikave, -mendoi. Vendosi që të sodiste secilën nga tavolinat e vogla më vete, ndërkohë që priste të mësonte se çfarë duhet të bënte në të vërtetë në atë vend. E urrente faktin se ishte aq qetë, sa çdo hap i saj dëgjohej si një jehonë që mund të ndihej disa kilometra larg. Në njërën nga tavolinat gjeti një kopje të Librit të Pafund. Mesa dukej kopje të tij gjendeshin kudo dhe idiotësia se nuk duhet ta humbiste kopjen e saj nuk kishte edhe aq rëndësi. Për një moment deshi ta hapte, por diçka i tha të mos e bënte. Nuk do të fitonte asgjë, gjithsesi. Ishte vetëm një kopje dhe asgjë e veçantë. Për më tepër, fjalët e atij libri e kishin lodhur mjaftueshëm.

Në tavolinën përbri vuri re një pasqyrë. Vetja i dukej sikur ishte pjesë e përrallës "E bukura dhe Bisha", vetëm se pasqyra dukej shumë më misterioze dhe e frikshme për tu prekur. Nuk i kushtoi shumë rëndësi, pasi vëmendjen ja tërhoqi tavolina përballë, në të cilën ndodheshin shishe të vogla të panumërta; secila përmbante një lloj substance me ngjyrë të ndryshme nga njëra-tjetra.

-A janë shtriga dhe magjistarë këta njerëz? -mendime i vinin nga më të ndryshmet dhe nuk vendoste dot se kë duhet të besonte. Pa me vëmendje secilën prej tyre por sërish zgjodhi të mos prekte asnjërën. Eci më tutje te tavolina e katërt, dhe u tremb se si papritur një flakë u ndez mbi të. U ndje si të ishte pjesë e ndonjë filmi horror, si të ishte protagonistja që gjithmonë ngecej në ndonjë kurth të tillë, ose përndiqej nga fantazma dhe vrasës serialë.

-Deklani do ta dinte shumë mirë se çfarë duhej të bënte, -filloi të pendohej disi që nuk i kishte dëgjuar këshillat e tij për të parë më shumë filma jashtë zhanrit të saj të preferuar. Do ta kishin ndihmuar të paktën të mos reagonte aq keq ndaj të papriturave. Tashmë e vetmja gjë që po shpresonte ishte të mos thyente ndonjë vazo apo send tjetër që mund të tërhiqte fare lehtë vëmendjen e çfarëdo krijese të jetonte aty.

Kishte mbetur vetëm tavolina e fundit, ajo që ndodhej në qendër. E vendosur atje, i jepte hijeshi gjithë dhomës madhështore dhe e bënte të dukej magjike. Kishte diçka rreth asaj tavoline që e bëri të shkonte nxitimthi drejt asaj. Po me atë hijeshi, mbi të qëndronte një tulipan. Buzëqeshi sepse në mendje i erdhi menjëherë Deklani. Nëse ai do të ishte një lule, do të ishte me siguri një tulipan. U mrekullua kur pa se si tulipani ndryshonte ngjyrë vazhdimisht, herë në bazë të këndvështrimit nga shihej, e herë duke mos u varur aspak nga ajo. Por nuk ishte kjo e vetmja gjë. Ajo lule ishte mjaft e veçantë dhe ajo nuk e kuptonte pse. Nuk e kuptoi se si u përhumb e nuk ia hiqte dot sytë, dhe ndryshe nga tavolinat e tjera, në këtë tavolinë, ndjeu një dëshirë shumë të madhe për ta prekur atë lule. Aty kuptoi se sa shumë i mungonte ai dhe se sa shumë donte që të ishte pranë tij në ato momente. Nëse do të ishin bashkë, ai do të kishte një shpjegim për gjithçka që ajo po shihte. Ishte e sigurt për këtë. Zgjati dorën për të prekur tulipanin joshës. Tek e fundit, ndoshta asgjë nuk do të ndodhte nga një prekje e vogël.

-Nuk do të doje ta prekje atë, më beso, -dëgjoi një zë pas saj.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now