|14|

96 29 29
                                    

Pontiusi ishte po aq madhështor saç e kishte imagjinuar, në mos më shumë; si të ishte një qytet i tërë i ndërtuar në re, mirëpo në mënyrë të tillë që asgjë dhe askush të mos kishte fuqinë të tronditte themelet e tij. Nëse Leira do të mund ta merrte me mend se ishte pikërisht ajo që e kishte arritur atë gjë vetëm disa ditë më parë, nuk do të ndihej aq e vogël përballë asaj madhështie të tillë. Muret ngriheshin aq lart sa syri i saj nuk e perceptonte dot fundin, dhe po kështu lidheshin me njëri-tjetrin si të ishin labirinte në të cilat ajo mund të humbte shumë kollaj. I dukej sikur ishte pjesë e ndonjë filmi të lashtë mitologjik, sërish, nga të preferuarit e Deklanit. Sërish mendoi se nëse do të ishte Deklani në vendin e saj, do ta kishte shumë më të thjeshtë për të gjetur rrugëdalje, edhe pa ndihmën e asnjërit prej Rojtarëve. Por ajo nuk e bënte dot, ndaj i mbetej t'i ndiqte nga pas derisa ata të ndalonin ku ta shihnin të arsyeshme. Ndërkohë, nuk mund të mos mbetej e mrekulluar nga pamja me të cilën sytë e saj ishin përballur. Ishte si një botë e krijuar enkas për të gjetur paqen dhe qetësinë që i nevojitej. Tepër kontradiktore me çfarë ai vend i kishte dhuruar Leirës ditët e fundit.

Çfarë i bëri më tepër përshtypje, ishte se mund të gjente lehtësisht te çdo gjë që ishte ndërtuar në atë vend, pesë pikat që kishte dhe në këmbë që prej asaj dite. Iu kujtua ligji i Pentagonit, ai për çfarë bëhej e gjithë kjo. Ishte e shokuar se si jetën e mendonte shumë më të thjeshtë më parë, derisa njohu atë ligj. Hodhi vështrimin drejt këmbës por duke qenë se ishte në ecje nuk e mbajti gjatë. Megjithatë, në atë fraksion sekonde në të cilin kishte hedhur sytë poshtë, vuri re diçka që i tërhoqi vëmendjen dhe ndaloi. Vështroi edhe njëherë këmbën, vetëm për të vënë re se si pesë pikat në këmbën e saj po ndriçonin.

-Mos u shqetëso për të, -foli Vesta kur e pa se si ajo e mbante kokën poshtë teksa ecte. -Të gjithë të Dërguarve u ndodh kur vijnë në Pontius.

-Ka ndonjë kuptim?

-Jo kushedi. Thjesht shenjon të Dërguarit.

Vazhduan të ecnin përmes korridoreve të ngatërruara. Çdo hap që hidhte e afronte atë më tepër me veten e saj, dhe ia bënte më të mundur të arrinte të njihte se kush ishte. Kishte ndjesi të përziera, por zgjodhi t'i besonte asaj ndjesie që i thoshte se kjo gjë kishte për të funksionuar.

Rregullatori i Ndërveprimit ishte po aq surreal sa edhe ai i Dashurisë, përveçse këtu mbizotëronte bluja. Mesa kishte lexuar, mundi të bënte lehtësisht lidhjen midis rregullatorëve dhe kuptimit që zakonisht i jepej secilës ngjyrë dhe i pëlqeu ky detaj. Shatërvanë të lartë ngriheshin nga fundi i tokës dhe spërkatnin tej e tej një sipërfaqe të gjerë të gjelbër, sikur t'i jepte jetë dhe lëvizje.

-Vëmendje Leira! -tashmë ishte vetëm ajo dhe Juno. -Këtu duhet të jesh vigjilente, e shkathët, e përpiktë. Nuk ka kohë për hallakatje. Kuptuam? -nuk mendonte që do mund ta duronte gjatë të folurën që i kujtonte pedagoget e universitetit, por nuk kishte zgjidhje tjetër, ndaj veç tundi kokën në pritje të asaj që do thoshte më pas.

-Shumë mirë. Si një e Dërguar në Ndërveprim, ti mund të ndiesh lehtësisht çdo energji të një qenie njerëzore gjatë kohës që është në ndërveprim me një tjetër. Këtu ne e përkufizojmë me termin aurë. Ti ke detyrën të ndikosh në aurën e një qenieje njerëzore, për ta ndryshuar atë në favor të Pontiusit dhe ligjit të Pentagonit. Natyrisht që është e vështirë të kontrollosh dhe të bësh ndarjen e aurave nga njëra-tjetra, e jo më të ndikosh në to. Në fillim do të të duket e pamundur dhe do të duash të dorëzohesh nga çasti në çast, por nuk do ta bësh. Do të jetë një rrugëtim jo shumë i thjeshtë për ty, por unë do të jem gjatë gjithë kohës për të të udhëzuar. Do të pajisesh me një dosje përkatësisht për secilën nga qeniet njerëzore tek të cilat ke për detyrë të ndikosh dhe të duhet mjaft kohë për të studiuar gjithçka. Megjithatë, do të mësohesh shpejt dhe do ndihesh sikur këtë gjë ke qenë duke e bërë gjithë jetën. Çelësi i të qenit një e Dërguar e suksesshme është ta duash atë që bën, atë që je e destinuar të bësh. Të punosh për të duke vënë në punë gjithçka që ke, pa u ankuar dhe pa u lodhur asnjëherë nga sfidat. Të ndihesh me fat që je përzgjedhur midis qenieve të thjeshta njerëzore për një detyrë të tillë, sepse në të vërtetë kështu duhet të ndihesh. Të guxosh, të jesh e bindur dhe e sigurt se nuk ke për të dështuar.

Mirëpo të gjitha këto Leirës i përngjanin si fjalët që mund të dëgjonte në ndonjë reklamë parfumi, ose si fjalimi i ndonjë udhëheqësi ushtrie përballë ushtarëve të tij të përgatitur për luftë. Shfryu thellë dhe i largoi sytë nga dritaret nëpër të cilat hynte goxha dritë. I pëlqeu arkitektura e atij vendi, madje mendonte se gurët dhe ndërtesat kishin më shumë kuptim se e gjithë idiotësia me ligje dhe të Dërguar.

-Po nëse unë nuk kam asnjë nga këto?

-Kështu mendojnë të gjithë në fillim, -tha me siguri të plotë. -Nuk je as e para dhe as e fundit. Por në Pontius s'ka ndodhur asnjëherë që një i Dërguar të mos jetë i gatshëm për të mbrojtur Kozmosin.

-Asnjëherë nuk kishte ndodhur një vdekje e parakohshme në Pontius gjithashtu, -e ndërpreu. Ajo u zverdh menjëherë. Nuk i kishte pëlqyer kurrë t'i gjenin gabime, aq më pak qeniet e nivelit më poshtë saj. Leira e vuri re këtë gjë dhe u ndie disi në faj, mirëpo nuk kishte thënë asgjë të gabuar.

-Dua vetëm të di se çfarë do të bëhet me mua, -tha për të zbutur situatën.

-Gjithmonë ekziston një mundësi e fshehur për një të Dërguar; Dhuntia e Emrit. Kur një i Dërguar vjen në jetë, paraardhësi ka të drejtë të zgjedhë një nga emrat e Listës së Pafundme, e cila gjendet në Librin e Pafund. Në këtë listë vazhdimisht zhduken emra të zgjedhur dhe bëhen pjesë emra të rinj. Çdo emër ka një kuptim, një dhunti e cila mund të shihet vetëm në Librin e Pafund dhe në asnjë kopje të tij. Por Dhuntia e Emrit ka të metat e veta dhe mund të përdoret vetëm njëherë. Shpesh është konsideruar si pika më e dobët e të Dërguarve, të cilët nëse mësojnë se cila është dhuntia e tyre përkatëse, do të jenë të prirur ta përdorin menjëherë, pa menduar me zgjuarsi. Prandaj të Dërguarit nuk e dinë se cila është Dhuntia e Emrit të tyre dhe nuk lejohen ta mësojnë për të parandaluar ato që thashë më lart, deri në një moment që Rojtarët e shohin të përshtatshëm. Pra, nëse ti arrin deri në atë pikë ku do të të duhet të mësosh për dhuntinë tënde, duhet që më parë të të lejoj unë. Pasi të kesh miratimin tim, ti mund të zgjedhësh ta shohësh emrin tënd në listë kurdoherë, edhe nëse jo menjëherë. Por mos harro. Kjo është e vetmja mundësi e dytë që ke. Shpresoj të mos arrish deri atje. Mos e merr me frikë. Këto ditë do të kalojnë shumë shpejt.

Në fillim nuk e besoi, por Juno kishte të drejtë. As vetë nuk e kuptoi se si ditët kalonin njëra pas tjetrës, dhe çdo ditë që kalonte, mësonte diçka të re që e bënte të ndihej më mirë për veten. Kishte përparuar shumë që nga dita e parë; kishte arritur të organizonte mirë çdo ide në mendjen e saj edhe pse ende nuk ishte praktikuar. Juno thoshte se nuk ishte ende gati. Por për të ajo pasiguri aq e frikshme u kthye në aventurë. Pjesa më e keqe e së gjithës ishte malli për Deklanin, për të cilin nuk mund të mos mendonte çdo moment të ditës. Mendonte se çfarë mund të ishte duke bërë, nëse ishte mirë, nëse e kishte marrë edhe atë malli apo nëse ishte shqetësuar për të. Por e qetësonte veten me mendimin se trajnimi i saj në Pontius kishte për të përfunduar së shpejti, dhe do të kthehej sërish në Tokë për të vazhduar jetën e saj.

Ishte duke u marrë me dosjet e fundit në dhomën që i kishin caktuar në Ndërveprim, kur dëgjoi hapa të hynin brenda. Ngriti kokën për të parë se kush kishte hyrë pa trokitur dhe pa pesë Rojtarët të qëndronin para saj.

-Si po shkon trajnimi, -pyeti Koeli.

-Mirë them, -u përgjigj konfuze.

-Mirë, sepse ka diçka të fundit që ti duhet të bësh.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now