|9|

119 32 63
                                    

Ktheu kokën ngadalë edhe pse ai zë i papritur e bëri t'i ndalonte zemra për një sekondë. Para saj qëndronte dikush i veshur i gjithi në të zeza. Nuk e kuptonte nëse ishte ky shkaku, apo fytyra e tij kishte vërtet një pamje shumë të zbehtë, afërsisht të bardhë që e tmerronte. Pamja e palëvizur sikur diçka ta kishte ngrirë e bënte të besonte edhe më shumë se kishte të bënte me ndonjë lloj fantazme apo demoni të maskuar si njeri, në territorin e të cilit kishte hyrë pa leje. Mori frymë thellë. Sërish qetësia aq e urryer e bënte të dukshëm vrullin e rrahjeve të zemrës, gjë që e bënte të dukej frikacake dhe e pashpresë.

-Mirë se vjen në rregullatorin e Dashurisë, Leira Paterson. Unë jam Ceres, Rojtari i Dashurisë, -psherëtiu disi e lehtësuar dhe mbylli sytë. U kujtua se ishte ende shumë pranë tavolinës dhe bëri disa hapa për tu larguar prej aty.

-Ceres? Të them të drejtën të imagjinoja vajzë. Të paktën kështu quhej perëndesha romake, -gjërat që e çuditnin sa vinte e shtoheshin.

-Qeniet njerëzore nuk dinë ç'të besojnë, ndaj krijojnë iluzione në kokën e tyre për të adhuruar Kozmosin në forma të tjera, si perënditë apo idhujt. E para, nuk jam perëndi, natyrisht, as vajzë. E dyta, -vuri re se si ajo ishte ende e shtangur nga prania e tij aty,- nuk ka nevojë të frikësohesh, edhe pse të jap të drejtë deri diku. Hyra pak papritur, por erdha në kohë të paktën.

-Në kohë? -përsëriti. -Të them të drejtën je pak me vonesë, -ai ktheu sytë nga tavolina në qendër dhe i hodhi një vështrim tulipanit, si të ishte duke e studiuar.

-Nuk mendoj kështu, -tha. -Ke shumë që pret?

-Pak, -tha konfuze. -Dua të di pse jam këtu. Pse më solli ai xhuxhi llafazan në këtë vend?

-Mos e nënvlerëso Blizardin. Është shumë guximtar. Ndonjëherë nuk më besohet që është një Aatami.

-Çfarë është një Aatami? -pyeti sërish.

-E shoh që ke shumë pyetje Leira, por do t'iu japim përgjigjje të gjithave. Ulu të lutem, -i ofroi të ulej në kolltukun në qoshe, por ajo mohoi me kokë.

-Jam më mirë në këmbë.

-Si të duash, -nuk këmbënguli, dhe eci drejt një rafti të lartë, duke tërhequr prej aty një dosje të pluhurosur. -Merre dhe hidhi një sy.

Ajo zgjati dorën dhe tërhoqi dosjen. Pluhuri e bëri të teshtinte disa herë. Nuk e kuptonte se pse në vende të tilla gjithçka duhej të ishte e pushtuar nga pluhuri. Nuk mund të punësonin një pastruese të paktën?

-Le ta shohim, -hapi dosjen dhe sytë e saj u përballën me fotografinë e gjyshes. Një fotografi mjaft e vjetër, në të cilën gjyshja dukej se ishte rreth të njëzetave. Ishte duarkryq, e buzëqeshur dhe dukej mjaft krenare. Iu kujtua se atë fotografi gjyshja e mbante me fanatizëm në dollapin e saj, pa ndonjë arsye të caktuar, ose të paktën Leira nuk e dinte pse. Madje iu kujtua se si një herë teksa po e vështronte, e kishte pyetur pikërisht për të.

-Gjyshe, ti gjithmonë e ke dashur shumë këtë fotografi. Pse është kaq e veçantë për ty? -ajo i përkëdheli faqet dhe i buzëqeshi.

-Do ta kuptosh një ditë bija ime. Atë ditë do të kesh edhe ti fotografinë tënde.

Fjalët e gjyshes i vinin si vegime të turbullta, por nuk i kishte kuptuar kurrë. A ishte ajo dita për të cilën gjyshja i kishte folur sa e sa herë? Në atë kohë Leira e vogël asaj fotografie i kishte dhënë tjetër kuptim; ku e kishte parë atë si hero dhe të tillë e mendonte edhe veten kur të rritej. Njësoj si gjyshja e saj. Por çfarë lloj heroi ishte ky me të cilin Leira po përballej tani? Apo ndoshta portreti i heroit në mendjen e saj ishte ndryshe nga çfarë gjyshja e saj mund të quante hero?

-E njeh? -e pyeti ai. Leira ngriti kokën dhe e tundi në shenjë pohimi.

-Gjyshja, -mërmëriti. Lexoi më poshtë. Vuri re të shënuar emrin dhe mbiemrin e saj, me një emërtim "e Dërguara" para tij. Shënonte viti 1962. Në atë kohë gjyshja ishte vetëm njëzet vjeç. Përveç këtyre të dhënave, i bëri përshtypje se si në atë faqe ishte shënuar edhe data e vdekjes. Rrudhi vetullat nga ajo që lexoi në fund. Deklani kishte patur të drejtë me teorinë e tij rreth shpjegimit të asaj çka thuhej në libër.

E Dërguara pasardhëse: Leira Paterson.

-Çfarë po ndodh?

-E marr me mend se gjithçka që sheh përreth po të lodh. Dua të them, jam i sigurt se e ke lexuar librin deri diku, dhe të jemi të sinqertë, është shumë i komplikuar dhe i mërzitshëm për t'u kuptuar. Shkurt, gjyshja jote ka qenë një e Dërguar nga rregullatori i Ndërveprimit. Ndër më të mirat mund të them. Këtu në Pontius, do të ndeshesh me katër të tjerë. Një është Dashuria, -bëri me dorë nga ndërtesa. -Kurimi, Dhimbja dhe Suksesi. Ju qeniet njerëzore jeni të çuditshme. Të Dërguarit ishin të domosdoshëm. Gjithsesi. Thelbi është që tani që e Dërguara Delansi ka vdekur dhe ti ke mbushur moshën e përsosur prej njëzet vitesh tokësore, tashmë ti je një e Dërguar. E Dërguara Leira. Fati yt është i përcaktuar dhe nuk mund të bësh asgjë për ta ndryshuar këtë. Je e destinuar t'i shërbesh Pontiusit dhe rregullatorit të Ndërveprimit njësoj si gjyshja jote. Puna jote do të jetë e thjeshtë; do të përcjellësh dhe zbatosh rregullat e Ndërveprimit në Tokë, në mënyrë që qeniet njerëzore të mos shkelin ligjin e Pentagonit. Edhe diçka tjetër, asnjë qenie njerëzore përveç teje nuk duhet të jetë në dijeni të këtij ndryshimi në jetën tënde. Askush tjetër përveç teje, dhe pasardhëses së pasardhëses tënde që do të ketë fatin të jetë e Dërguar kur ti të vdesësh, nuk duhet të dijë gjë rreth kësaj.

-Kejli dhe Deklani dinë gjithçka, -tha por u pendua menjëherë. Ndoshta kjo gjë do t'i vinte ata në rrezik.

-Ata nuk përbëjnë dhe aq problem, -tha ndër dhëmbë. Leirës iu duk e dyshimtë, ndaj e pyeti pse, por ai iu shmang më së miri.

-Dëgjo Leira, duhet ta konsiderosh veten me fat. Je mbi të gjitha qeniet njerëzore që të rrethojnë dhe mund të vendosësh për to, -mirëpo ajo nuk po mendonte rreth kësaj. Ishte personi i fundit që mund ta quante veten me fat.

-Unë nuk duhet të isha këtu apo jo? -kjo fjali e bëri atë të gëlltitej. -Ky është një takim i fshehtë dhe asnjë nga Rojtarët e tjerë nuk e di që unë jam këtu duke biseduar me ty.

-Kjo bisedë është vetëm për të mirën tënde, -tha në dukje i acaruar. -Do ta shohësh më vonë se gjithçka rreth kësaj bisede do të të vlejë. Dhe mos u shqetëso, jam i sigurt se Rojtarët e tjerë do të të trajtojnë më së miri. Sidomos Juno.

-Çfarë dreqin do të thotë kjo? -nuk po i pëlqenin aspak fjalët e tij të hedhura aq shkujdesur në atë mënyrë saqë s'kishin asnjë kuptim apo të linin vend për shpjegim.

-Do ta kuptosh Leira! Je kaq e pashpresë para tyre. Dua vetëm të të paralajmëroj. Duhet të jesh gati për çdo gjë. Mendo në kokën tënde gjënë më të keqe të mundshme. Sepse pikërisht është ajo çfarë do të ndodhë me ty. Duhet të përgatitesh. Kjo nuk është e thjeshtë. Nuk është aspak e thjeshtë.

-A e dëgjon se ç'po thua? -bëri një mimikë që linte të qartë se s'po kuptonte asnjë fjalë. -A nuk ishe ti ai që më parë po më quaje me fat dhe po më thoshe se puna ime ishte shumë e thjeshtë? Çfarë po ndodh? -në fjalinë e fundit u kujdes që të theksonte mirë të treja fjalët.

-Kjo është gjithçka që mund të bëj për ty, -uli tonin në nivelin e mëparshëm. Psherëtiu dhe u bë gati të largohej. -Po i them Blizardit të të çojë sërish në Tokë. Herën tjetër mos e lër librin mbi krevat.

-Prit, -ai ndaloi hapin. Ajo hezitoi para se të bënte pyetjen që kishte ndërmend.

-Çfarë ndodh nëse unë e prek këtë tulipan? -Ceresi ktheu kokën dhe qeshi në mënyrë ironike.

-Shuhet gjithçka brenda materies së gjallë që ti do më shumë, ose një materie e vdekur gjallërohet, -në mendje i erdhi vetëm diçka. Kthimi i gjyshes së saj në jetë. Nuk donte njeri tjetër më shumë se ajo. Nuk kishte për të dashur ndonjëherë. Do të priste për një mundësi tjetër dhe do e bënte. Do të kishte sërish pranë vetes njeriun më të dashur për të. Ndjeu një farë lumturie të çuditshme ndërkohë që po e mendonte.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now