|26|

72 27 63
                                    

Kishte vetëm një mundësi. Vetëm një mundësi për të rregulluar gjithçka, ose për të sjellë fundin, të cilit i frikësoheshin të gjithë. Nuk e dinte nëse ishte shumë afër apo shumë larg përfundimit të kësaj gjendjeje kaosi. Kjo vendosej vetëm nga gjendja e Kejlit.

-Leira! -dëgjoi zërin e s'ëmës dhe menjëherë pas tij, ndjeu përqafimin e saj të mbushur me shqetësim. -Ku ke qenë? Kejli s'ka qenë mirë për ditë të tëra. I thashë që në fillim të vizitohej, por nuk më dëgjoi. Tani doktorët as që e dinë se nga çfarë vuan, dhe thonë se nuk janë përballur me diçka të tillë më parë, -mundohej të thoshte sa më shumë të ishte e mundur, por paniku nuk e lejonte të ishte e qetë.

-Qetësohu, mami. Jam këtu tani, në rregull? -e përqafoi sërish dhe ndjeu një barrë të rëndë faji. Ajo nuk meritonte asgjë nga këto dhe ishte personi që dinte më pak. Ndihej shkaktare dhe fajtore që e shihte në atë gjendje dhe kjo ndjesi po e gërryente nga brenda çdo ditë e më shumë.

-Duhet të shoh Kejlin menjëherë, -nuk kishte kohë për të humbur. E ëma mohoi me kokë.

-Nuk të lejojnë doktorët. Nuk më kanë lënë më as mua. Më mirë ta lëmë të pushojë Leira. Kam shumë frikë se do të bëhet më keq, -ngeci në një gjendje që e urrente. Si t'ia shpjegonte se ardhja e saj do ta bënte më mirë?

-Dua të flas diçka të rëndësishme me të. Duhet të gjej një mënyrë për të hyrë, -insistoi.

-Leira, më duket se nuk po më kupton. Kejli nuk përmendet, -kjo e fundit e bëri të mbetej pa fjalë, dhe e vështirësoi shumë më tepër planin e saj. Çfarë do të bënte pa folur me Kejlin? Miratimi i saj i duhej me patjetër, ose të paktën duhet ta vendoste në dijeni. Kishte ngecur në atë hapësirë aq të ngushtë mendimesh pa ditur asnjë mënyrë si të shpëtonte prej atij kurthi dhe po fillonte ta urrente më shumë se kurrë faktin që gjithçka kishte mbetur në dorën e saj.

-Duhet të marr pak ajër, -pa thënë asgjë më tepër u drejtua nga dalja e spitalit duke bërë hapa të ngadaltë. Vegime të panumërta i sulmonin kokën duke i shkaktuar një dhimbje të tmerrshme. Vdekja e gjyshes, vdekja e Deklanit, momenti kur vendosi të zhytej në lumë për tu arratisur nga e gjitha. Asgjë nuk kishte mjaftuar për të shpëtuar veten dhe të tjerët nga një situatë e tillë. Merrte frymë shpesh dhe thellë për të përballuar panikun dhe i drejtonte sytë në askund vetëm për të mos parë asgjë më tepër.

Kaloi nëpër pllakat e ftohta, e duke ecur, ndiente ftohtësinë e ngjyrës së bardhë t'i depërtonte në çdo pjesë të trupit në formën e etheve. E urrente të bardhën, gjithmonë e kishte urryer. Sepse ishte e mbivlerësuar, ashtu siç mund të ishin të mbivlerësuara shumë gjëra të tjera të parëndësishme në botë. Thoshin se simbolizonte paqen, thoshin se simbolizonte pastërtinë, thoshin se simbolizonte të mirën. Ajo që ata harronin, ishte se kurrë nuk kishin thënë se e bardha gjithashtu simbolizonte ato pllaka të kobshme, atë të ftohtë të akullt, atë dritë që ndoshta sheh për të fundit herë e të gjithë i frikëson. Asnjë nuk e thoshte këtë.
Heshtja sikur u pllakos nga ajo ngjyrë e bardhë. Sikur ishte vendosur nga ndonjë ligj i pashkruar, se aty ku do të kishte ngjyrë të bardhë, do të kishte heshtje. Aty ku do të kishte ngjyrë të bardhë, do të kishte vdekje. Pse shkrimtarët e përshkruajnë vdekjen si një hije e zezë me kosë në dorë, ndërkohë që ajo vjen kamufluar në atë ngjyrë të bardhë? Frikshëm kamufluar. Sikur ti të mos presësh diçka aq mizore pas asaj ngjyre përrallore.

Ishte vendosur përballë një dileme të madhe. Kejli kishte krijuar tek ajo një përshtypje më tepër se figura e motrës, një lloj autoriteti të tillë që e kishte penguar gjithmonë Leirën të dilte mbi të, që nuk e kishte lejuar kurrë të merrte vendime për të apo të bënte diçka pa e ditur ajo. Kështu, kishte krijuar një lloj barriere të tillë të cilën Leira e kishte shumë të vështirë për ta kapërcyer, e thuajse të pamundur. Në ato momente, kishte nevojë për Kejlin më shumë se kurrë. Kishte në dorë t'i shpëtonte jetën, por nuk kishte aspak siguri. Asgjë që i thoshte se do t'ia dilte mbanë. Asgjë që i siguronte se kjo nuk do t'i sillte më tepër telashe. Gjithmonë kishte shpresuar se një bisedë me Kejlin do ta zgjidhte menjëherë këtë, sado e vështirë të ishte. Tashmë ishte në vetmi totale sërish, sërish vetëm ajo dhe vetja e saj, pa asnjë lloj vetëbesimi dhe kurajoje.

-Pse duhet të bëhet gjithçka kaq e vështirë për mua? -thirri dhe tërhoqi vëmendjen e atyre që ndodheshin në oborrin e spitalit. Një grua e re vendosi të afrohej pranë saj. Nga uniforma duhet të ishte mjeke.

-Ke nevojë për diçka? -por Leira nuk dinte ç'të thoshte. Nuk dinte si t'ia shpjegonte se për çfarë kishte nevojë, sepse as ajo dhe as ndonjë tjetër nuk mund të bënte asgjë. Kështu që padashur heshti.

-Dukesh shumë keq. Dëshiron të bësh një vizitë? Je zverdhur e tëra.

-Jo, jam mirë, -kundërshtoi menjëherë. Kishte gjithë ato probleme dhe gjëra të tilla thjesht do e ngatërronin më tepër e do ta bënin të humbiste kohë.

-Dëshiron të flasësh, atëherë? -në të vërtetë kishte shumë nevojë të fliste, por nuk e dinte se si. Donte sa më parë të shprehej dhe të shpëtonte prej atij lëmshi të krijuar që po e mbyste.

-E kam të pamundur, -tha e dëshpëruar. -Nuk kam si t'i bëj njerëzit të më kuptojnë. Duhet të bëj gjithçka e vetme, por nuk bëj dot asgjë.

-Probleme me familjen? -u përpoq t'ia bënte të folurën më të thjeshtë, dhe ajo e vlerësoi këtë veprim nga ana e saj.

-Pak a shumë, -tha. -Motra ime është në rrezik për jetën atje brenda.

-Oh, më vjen shumë keq, e dashur, -por edhe pse ishte një fatkeqësi, nuk ishte e keqja më e madhe që i kishte ndodhur. -Por nuk duhet t'i bësh presion vetes për këtë. Gjëra të tilla ndodhin, dhe jeta vazhdon. Ti nuk ke asgjë në dorë dhe të mbetet vetëm të lutesh për më të mirën.

E dinte që do të përballej me fjalë të tilla dhe ishte kjo pikërisht ajo që e ndalonte të shprehej.

-Po nëse njeriu do të kishte në dorë të ndryshonte diçka mbi një person që donte, a mendon që duhet ta bënte? -u përpoq për të fundit herë të shpjegohej. Kishte nevojë për një shtysë dhe s'i mbetej gjë tjetër veçse ta kërkonte kudo.

-Nuk të kuptoj mirë, -tha duke buzëqeshur lehtë për të mos e bërë të ndihej keq.

-Pra nëse unë në këto momente, do të mund ta bëja gjendjen e motrës sime më mirë, a duhet ta bëja?

-Do të ishte mrekulli, -tha pa hezituar.

-Po nëse kjo gjë do të kishte pasoja tek të dyja ne?

-Nuk e di, -tha konfuze. -Nuk mendoj të ketë ndonjë pasojë më të rëndë se vdekja. Pse e bën këtë pyetje?

-Kot, faleminderit, -u ndie disi më e lehtësuar. Kjo ishte shtysa që i nevojitej. Duhet ta bënte atë gjë. Duhet të rregullonte gjithçka që gjyshja e saj kishte shkatërruar. Duhet të lëvizte gurët e fundit për të vënë secilin në vendin e vet; në vendin ku përkisnin. Vetëm kështu do të rikthente harmoninë. Mjekja u konfuzua, por vendosi të qeshte lehtë dhe të largohej që aty.

-Më fal, Kejli, por duhet ta bëj këtë. Shpresoj të më falësh, -mbylli sytë dhe lejoi energjinë e saj të grumbullohej në masë. Ishte praktikuar për këtë gjë me dhjetëra herë gjatë trajnimit në Pontius dhe tashmë ia kishte marrë dorën. Disa momente më vonë, ndjeu një lidhje me aurën e Kejlit; shumë e dobët dhe shumë e fuqishme në të njëjtën kohë. U mundua të përqendrohej atje, duke lënë jashtë mendjes gjithçka tjetër e duke u shkëputur në atë moment nga realiteti. Nga njëra anë ndihej sikur e dinte fare mirë se çfarë po bënte, sikur e udhëhiqte një forcë e padukshme. Ndërkohë që nga ana tjetër ndihej sikur nuk ia kishte idenë nëse ishte duke vepruar siç duhej.

-Është koha që Dhuntia e Emrit të zbatohet; fati im me një fat tjetër të ndryshohet; më kthe në një qenie me një jetë të kufizuar; qenien e kësaj aure caktoje të Dërguar.

Hapi sytë. Përreth asgjë s'kishte ndryshuar. Ndiente po të njëjtin ankth dhe boshllëk si më parë.

-Nuk mund të kem dështuar, nuk është e mundur, -kishte shkëputur çdo lidhje me energjinë e Kejlit dhe kjo ia bënte të pamundur të kuptonte se çfarë po ndodhte.

-Leira! -pa të ëmën që vrapoi e ngazëllyer drejt saj. -Kejli u përmend!

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now