|23|

76 28 49
                                    

Ndiente një lloj djegieje në fyt që i ishte shkaktuar nga të thirrurat pa pushim orëve të fundit. Mezi mbushej me frymë dhe kishte kaluar kohë të konsiderueshme duke u përpjekur të rregullonte frymëmarrjen në qetësi të plotë. Nuk kishte vënë aspak gjumë në sy; nëse i mbyllte qoftë edhe për një moment do t'i shfaqej vizioni i Deklanit të plagosur, që mundohej t'i fliste. Nga ana tjetër nuk mundej as të qante më. Ndihej e pafuqishme për të bërë edhe lëvizjen më të vogël. Trupi i dridhej dhe i dukej sikur nuk do ta mblidhte dot kurrë veten nga ajo ngjarje. Në mendje i erdhi sërish gjyshja, por ndryshe nga të gjitha herët e tjera, nuk ndjeu të njëjtën dashuri dhe adhurim për të. Më tepër ishte e zhgënjyer, dhe për herë të parë i kishte dhënë të drejtë Kejlit. Ajo nuk meritonte të vdiste. U gëlltit kur iu kujtua ajo. Nuk ia kishte idenë se çfarë ishte duke bërë, nëse ishte mirë apo nëse ishte duke vuajtur orët e fundit. Gjithçka varej nga kjo. Nuk e dinte sa kohë kishte, por ndihej se nuk kishte mjaftueshëm. Duhet të kishte vepruar kohë më parë, ndërsa tani, ndodhej e mbyllur në një dhomë të errët pa ditur se ku mund të gjente ndopak shpresë.

-Mos harro, Leira, është vetëm ti dhe rruga jote. Askush dhe asnjë nuk do t'i japë dot drejtim përveç teje. Askush nuk qëndron përgjithmonë, vetëm ti, mendja dhe zemra jote. Beso në vetvete e dashur. Unë e di që mundesh. Unë besoj te ti.

-Ti mendove gabim gjyshe, -tha me vete teksa kujtoi fjalët e saj. -Nuk duhet ta kishe bërë kurrë këtë gjë. Nuk duhet të më zgjidhje kurrë mua, -shihte tavanin duke u munduar të gjente diçka për t'u përqendruar. Por mendjen ia përshkonin po të njëjtat mendime.

U ngrit për të parë nga dritarja e vogël se çfarë kishte ndodhur jashtë. Thuajse gjithçka ishte shkatërruar në flakë dhe të gjithë, të Dërguar, Aatami apo Rojtarë, dukeshin humbës. Ajo nuk ishte një betejë për të patur një fitues, ishte një betejë për të rrënuar e për të shfarosur sa të mundeshin, derisa të mos kishte më Pontius, të Dërguar apo Rojtarë. Gjithmonë ishin përpjekur t'i ruheshin kërcënimeve dhe rrezikut për shndërrimin në Kaos. Por Kaos ishte gjithçka që po ndodhte atje jashtë dhe askush nuk po e kuptonte. Kaosi nuk ishte një gjendje e krijuar nga një numër më shumë apo një numër më pak të Dërguarish. Kaosi u krijua nga mosmarrëveshja, urrejtja dhe egoizmi. Dhe Kozmosi nuk kishte qenë kurrë diçka e përsosur për shkak se ligji i Pentagonit caktonte shifra përkatëse dhe rregulla strikte, por sepse në thelb, ky ligj kishte të qenit në harmoni dhe paqe. Nuk ekzistonte ndonjë rregull që të thoshte se duhet ta duash detyrën që të caktohet. Nuk mund ta duash diçka nëse ti nuk përket atje. Leira nuk përkiste në Ndërveprim, nuk përkiste në Pontius. Nëse ishte vetëm ajo dhe rruga e saj, të ishte një e Dërguar nuk ishte rruga e saj. Gjyshja i kishte thënë se askush tjetër nuk do të vendoste dot për të. Dhe kishte të drejtë. Leira kishte pritur gjithnjë nga të tjerë. I kishte lejuar gjithnjë të përdornin dashurinë që kishte për gjyshen si armë kundër saj. Nuk e kishte kuptuar asnjëherë se edhe vetë gjyshja e saj kishte gabuar. Nuk ekzistonte diçka e tillë si e përsosura. E përsosur për Leirën ishte gjyshja e saj, por u bë shkaku i gjithë vuajtjeve dhe dhimbjeve që ajo kaloi. Për Rojtarët ishte i përsosur ligji i Pentagonit, por ky ligj e kishte bërë Junon të humbiste veten, dhe të gjithë të tjerët të kishin një armiqësi të heshtur midis njëri-tjetrit. Kishte vetëm diçka të përsosur në atë planet, e rrallë dhe shpeshherë e vështirë për t'u njohur. Ishte dashuria.

Leira nuk kishte patur asnjëherë një moment vetmie për të reflektuar në mënyrë të tillë për gjithçka që po ndodhte rreth saj. Nuk kishte qenë asnjëherë ajo dhe vetja e saj. Nuk e kishte kuptuar që për të zgjidhur gjithçka, nuk duhet të ishte me patjetër heroi i të gjithëve. Mjaftonte të ishte heroi i vetes së saj, dhe ky nuk ishte aspak egoizëm. Ishte momenti që të hidhte themelet e krijimit të shtegut të saj. Këtë kishte për ta bërë e vetme, pa u ndalur nga askush.

Zgjati kokën për të parë nëse Blizardi ishte ende atje, dhe shpejt vuri re se e kishte zënë gjumi, mbështetur në derën e dhomës. U ul në gjunjë dhe filloi të trokiste për ta zgjuar.

-Blizard, Blizard, zgjohu! -bërtiti në pëshpërimë. Ai filloi të shtriqej dhe të fërkonte sytë.

-Jo tani, Leira, jo sërish, të lutem, -mohoi të ngrihej dhe u kthye në anën tjetër.

-Të lutem, Blizard. Ti je i vetmi që mund të më ndihmosh. Kam një plan për ta zgjidhur të gjithë këtë, më beso. Por nuk bëj dot gjë pa ndihmën tënde.

-Nuk të besoj, Leira. Ti nuk ishe atje që ta shikoje se çfarë fjalësh të ulëta mu desh të dëgjoja nga Juno. Nuk bëj më asgjë për ty, -por ajo e dinte se nuk do ta kishte të vështirë ta bindte. Ishte avantazhi i saj se ishte krijuar si një Aatami mendjelehtë dhe naiv.

-Blizard, më dëgjo të paktën. Në rregull, e pranoj që isha gabim dhe u nxitova, por Deklani ishte atje jashtë. Unë e humba atë. Nëse ty t'u desh të përballeshe me fjalë, mua m'u desh të përballesha me humbjen e tij. E të vetmit person që më kishte mbetur. E të vetmit person që doja. Rregullatori i Dashurisë do të shkatërrohet së shpejti, por unë e di si ta ndaloj. Nëse më ndihmon, ka shumë mundësi që të gjithë t'i mbijetojmë kësaj katastrofe. Por nëse jo, mund të më mbash këtu të mbyllur duke dëgjuar urdhrat që të japin të tjerët, dhe të dy mund të presim me durim për vdekjen tonë.

-Ndoshta kjo është ajo që unë dua, Leira. Dua të mos kem një vdekje të zakonshme. Dua të mos e pres përfundimin e jetës sime me orë në dorë. Dua të mos e di çfarë supozohet të bëhet me mua. Dua të ndodhë diçka e papritur. Dhe shiko, e gjitha kjo është e papritur. Ndoshta kjo është e mirë për mua, Leira. E di? Asnjëherë nuk jemi vlerësuar si Aatami, pavarësisht se ne ishim zgjidhja e profecisë që Juno shkroi. Ne nuk jetojmë, nuk jemi qenie. Ne thjesht ekzistojmë si një copë materie e padobishme, që kur përfundon së funksionuari, flaket tutje. Të gjithë Aatamit atje jashtë nuk ia kanë idenë se çfarë duhet të bëjnë. Shumica e tyre thjesht po ndjekin urdhrat e të Dërguarve, sepse kështu janë programuar të veprojnë. Ne nuk kemi identitet. Këtu në Pontius ne madje njihemi me një grup shifrash. Emri im në të vërtetë është 2549. Blizard më njohin në Tokë, sepse qeniet njerëzore supozohet të kenë emra të mirëfilltë. Ne nuk jemi asgjë, Leira. Dhe ndoshta kjo do të më bëjë të ndihem diçka.

-E ke idenë se çfarë je duke folur? -kishte menduar gabim. Xhuxhi vetëm sa po ia vështirësonte më tepër situatën. -Blizard, shiko përreth. Gjithçka është e shkatërruar. Gjithçka është kthyer në Kaos. Kozmosi është në rrezik. Duhet të më nxjerrësh që këtu menjëherë!

-Ty deri dje as që të interesonin këto, e mban mend? Nuk dua të tregohem i pasjellshëm dhe të them se nuk më intereson asnjëra nga këto, por në të vërtetë nuk kam asnjë mendim apo ndjesi konkrete. Kështu janë Aatamit, Leira. Ne nuk ndiejmë asgjë. Ne thjesht bëjmë çfarë na urdhërojnë ata që na krijuan. Dhe unë këtë gjë po bëj.

-Blizard, lëri këto marrëzi dhe më nxirr që këtu! -nisi të grushtonte derën dhe të thërriste njësoj si disa orë më parë. Nuk i besohej se e vetmja gjë që po e ndalonte, ishte një derë e kyçur dhe një xhuxh. Nuk arrinte të kuptonte asgjë. Nëse Blizardi nuk donte që ta parandalonte gjithë këtë, atëherë pse qëndroi gjatë gjithë kohës pranë Rojtarëve dhe i paralajmëroi ata për ardhjen e të Dërguarve? Lëshoi një britmë të heshtur në momentin që filloi të kuptonte.

-Ti ishe ai që shpërndau lajmin se të Dërguarit do të asgjësoheshin? Asnjë i Dërguar apo Aatami tjetër nuk ka patur mundësi të vijë në Pontius përveç teje. Ti e bëre të gjithë këtë?

-Kur Rojtarët të jenë dorëzuar, ne do të kemi më në fund atë për të cilën kemi ardhur. Shiko, -ngriti dorën, -unë kam çelësat madje.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now