|5|

143 31 76
                                    

Shkreptima e ardhshme erdhi që prej tavanit të tyre e deri në thellësi të palcës së Tokës. Qielli kishte marrë ngjyrën e purpurt të errët, sikur të ishte ndonjë perëndim i dështuar, apo të ishte bërë posaçërisht për t'iu përshtatur asaj gjendjeje të kobshme. Nga lartësitë tashmë nuk dukej më asgjë, aq të acaruara ngriheshin retë madhështore mbi to. Gurët e Pontiusit kapeshin fort pas njëri-tjetrit për t'i mbijetuar asaj stuhie zemërimi. E megjithatë, nuk kishte asnjë zemërim në Pontius. Kishte vetëm trazira. Pesë Rojtarët kishin telashe.

-E çuditshme ajo që po ndodh, por nga ana tjetër edhe mjaft interesante. Nuk mendoni kështu? -menjëherë pas kësaj ktheu gotën e verës, duke e lënë të rrokullisej në mënyrë satisfaktive në fytin e tij.

-Si mund të jesh kaq i qetë? -këmbët nuk e mbanin në vend, e ndërkohë mundohej t'i mbushte mendjen vetes se nuk kishte për të qenë aq keq saç mendonte ajo. -A e ke idenë se çfarë ka ndodhur? Një i Dërguar ka vdekur para kohe. Gjithë ekuilibrat e Pentagonit janë në kërcënim! -sikur të donte t'ia nxirrte gjithë inatin fytyrës mjaft të qetë të tij, mblodhi dorën grusht dhe për të shmangur ndonjë zënkë të mundshme, goditi tavolinën dhe e la veten të ndiente dhimbjen e lehtë që ajo goditje i dhuroi. -Njoftoj mbledhjen emergjente. Menjëherë! -tha më pas me një ton shumë herë më të përmbajtur.

Kërcitja e këpucëve në dysheme me një ritëm të përbashkët tregonte se të gjithë e prisnin një mbledhje të tillë. Herët a vonë do të vinte, jo si zgjidhje e këtij problemi; si parashtrim i tij. Por mbledhjet emergjente nuk ishin aq të shpeshta, madje bëheshin aq rrallë sa mbledhja e fundit emergjente në Pontius ishte bërë gjashtëdhjetë e pesë milionë vite tokësore më parë. Kishin kaluar gjashtëdhjetë e pesë milionë vite që nga katastrofa që shfarosi jo vetëm jetën tokësore, por edhe i dha fund Pontiusit, për tu rifilluar kohë më pas nga themelet. Pesë Rojtarët e tanishëm të Tokës nuk kishin bërë kurrë një mbledhje emergjente.

-Ndihem shumë e prekur dhe e mërzitur që njoftoj këtë mbledhje, por është e nevojshme. Më vjen shumë keq për të gjithë këtë që po kalojmë, pasi e di mjaft mirë se shumë prej jush, ashtu si disa prej nesh, janë të rinj këtu dhe mund të jenë të aftë për të përballuar sfida, por ndoshta jo të aftë mjaftueshëm për të luftuar me katastrofa e kërcënime të tilla, -ishte ajo që e nisi fjalën. Në sytë e të gjithëve kishte shqetësim, të përzier ndoshta me diçka më shumë, me një lloj frike nga e panjohura. Sepse askush nuk e dinte me siguri se çfarë do të ndodhte më pas.

-Kemi të bëjmë me një fatkeqësi. Krim apo aksident, këtë nuk e dimë ende, por më vjen rëndë të njoftoj vdekjen e parakohshme të një të Dërguare, e Dërguara Delansi, -ata që nuk dinin gjë psherëtinë thellë për të shprehur gjithë habinë e tyre, ndërsa në sytë e Rojtarëve nuk kishte asnjë reagim. Sikur të mos e kishin në dorë gjithçka, ndërkohë që potencialisht ishte krejt e kundërta. Kaq mjaftonte që salla e Pontiusit të zhurmonte nga fjalët. Të Dërguarit dhe Aatamit hidhnin sytë herë nga njëri-tjetri, herë nga pesë Rojtarët për të kërkuar përgjigjje, mirëpo nuk prisnin për të marrë një të tillë.

-Qetësi! -zëri kumbues i Koelit ktheu çdo fjalë në heshtje. Më pas ai ktheu vështrimin drejt Junos, për t'i thënë të vazhdonte. Ajo u duk disi e bezdisur nga ky veprim.

-E shoh që të gjithë po pyesni veten se çfarë do të ndodhë tani që e Dërguara Delansi nuk është më dhe në Pontius ka një të Dërguar më pak. Mirëpo nuk është ky problemi më i madh. Me një të Dërguar më pak ekuilibrat e Pentagonit këtu në Pontius do të çoroditen. Në Ndërveprim ka aktualisht vetëm katër të Dërguar. Qeniet nuk dinë gjë ende për këtë. Nuk janë njoftuar. Përgjegjësia bie mbi ne. Por nëse kjo fatkeqësi rrëzon ekuilibrat, kjo do të thotë kërcënim, dhe kërcënim do të thotë shfarosje. Nëse Toka shfaroset, atëherë në Sistemin Diellor do të ketë një planet më pak, gjë që do të sjellë trazira në mirëfunksionimin e këtij sistemi. Dhe kështu, shkallë pas shkalle, kjo gjë mund të kërcënojë edhe Kozmosin.

-Si ka mundësi të ndodhë diçka e tillë? Nuk e kemi dëgjuar kurrë më parë dhe nuk është përmendur kurrë as në Librin e Pafund. Si mund të vdesë një i Dërguar para kohe? A nuk e përcaktoni ju dhe vetëm ju afatin kohor të qëndrimit në Tokë të tij? -pyetje të tilla nuk kishin si të shmangeshin, por e fundit iu bëri përshtypje. I bëri ta shihnin të gjithë njëri-tjetrin me njëfarë dyshimi të çuditshëm, por ishte një shikim i shkurtër, pasi nuk kishin kohë dhe mbledhja kërkonte organizimin e duhur.

-Duke qenë se kjo është diçka që s'ka ndodhur kurrë më parë, edhe ne jemi të panjohur me situatën, -mori fjalën Vesta. -Por jemi duke punuar me të. Mbledhja është një nga treguesit e kësaj pune. Dhe në vend që të krijoni konflikte dhe të kërkoni llogari, mundohuni ta kuptoni se çfarë po ndodh. Në qoftë se ndonjëri nga ju do të ishte më i aftë për të qenë këtu, askush nuk do ta ndalonte. Kështu që mbani vendin tuaj.

-Përndryshe çfarë? Do të na vrisni me një vdekje të dyshimtë siç bëtë me të Dërguarën Delansi? -të gjithë të Dërguarit dukshëm ishin duke bërë fajtor Rojtarët. Madje në mënyrë të fshehtë, të treguar vetëm nga shikimet e tyre, edhe ata deri diku hidhnin fajin shkarazi nga njëri-tjetri. Por kjo gjë duhej të mbetej e fshehtë, ashtu siç të gjithë kishin rënë dakord ta linin pa folur. Nëse nuk shfaqeshin para të Dërguarve me një siguri të plotë, nuk do të mundeshin t'i ndalonin më tej zërat e tyre që kërkonin llogari.

-Edhe njëherë ju kërkojmë të mbani qetësinë, të nderuar, -foli sërish Koeli, sërish duke ruajtur tonin e tij të qetë sikur asgjë për tu shqetësuar të mos kishte ndodhur. -Kjo gjë nuk ka të bëjë me Vestën, Junon, Ceresin apo Kironin. Nuk ka të bëjë me mua. Nuk ka të bëjë me ju. Ka të bëjë me të gjithë ne. Ndaj të gjithë duhet të jemi vigjilentë dhe të ftohtë në trajtimin e saj. Të gjithë jemi të ngarkuar me këto përgjegjësi sepse jemi parë nga qeniet si të aftë për të ruajtur profesionalitetin dhe për t'i ndarë gjërat nga njëra-tjetra. Shkurt, vrasja e qëllimshme e të Dërguarës Delansi nuk do t'i sillte dobi askujt nga ne. Ndaj ju lutem, të ruajmë të gjithë bashkë qetësinë për të mësuar ato që duhet të dimë rreth problemit, -si gjithmonë ai arriti të vendoste sërish qetësinë në atë tryezë, dhe kjo aftësi e tij e acaronte herë pas here Junon, dhe prekte sedrën e saj të liderit.

-Shkaqet e vdekjes së të Dërguarës janë të paditura, dhe lajmi ishte i papritur për të pestë ne. Natyrisht, kjo gjë tronditi themelet e Pontiusit. As vetë e Dërguara nuk na lajmëroi se ndodhej në ndonjë fatkeqësi shëndetësore apo në ndonjë gjendje rreziku. Kjo na bën të besojmë se veprimi ka qenë i menjëhershëm, pa i lënë askujt kohën të reagojë apo të bëjë diçka për ta ndaluar këtë veprim. Megjithatë, edhe pse duket si diçka fatale, siç e thashë edhe më parë, ky ende nuk është problemi më i madh, -fjalët që thoshte, as vetë nuk i besonte, edhe pse në to kishte të vërteta të forta. Ndihej shumë e vogël para një problemi të tillë aq të madh.

-Duket se e Dërguara në momentin e fundit të afatit të saj kohor, ka zgjedhur të përdorë Dhuntinë e Emrit, të cilën, vetëm ajo e ka mësuar. Çfarëdo të ketë qenë kjo dhunti, e ka bërë pasardhësen e saj, me emrin Leira, të Dërguarën e re. Mirëpo për Pontiusin kjo është një tjetër fatkeqësi. Leira është e papërgatitur për të qenë një e Dërguar. Në gjithë afatin kohor tokësor, nuk është parë asnjëherë që një qenieje njerëzore t'i vishet detyra e një të Dërguari para kohe, qoftë edhe para disa sekondash. Kjo është tronditja e dytë dhe më e fuqishme e ligjit të Pentagonit. Në Librin e Pafund qëndron emri i të Dërguarës Delansi, ndërkohë që në të vërtetë detyra i ka kaluar dikujt që nuk ka asnjë ide rreth asaj çfarë është apo çfarë duhet të bëjë. Çfarëdo të ketë pasur e Dërguara Delansi në mendje, nuk mendoi aspak për pasojat.

-Po nëse ka qenë Dhuntia e Emrit të saj ajo që shkaktoi edhe vdekjen e saj? -tha një nga të Dërguarit e Kurimit.

-E menduam këtë, por është e çuditshme. E Dërguara Delansi ishte një nga të Dërguarat më të përgjegjshme dhe më të mirë-organizuara. Ishte një nga të Dërguarat e Ndërveprimit me të cilën edhe unë kam patur marrëdhëniet më të mira si Rojtare e këtij rregullatori, -kundërshtoi Juno.

-Kam frikë të them, -theu heshtjen në të cilën e kishte lënë veten të zhytej gjatë gjithë mbledhjes, -se problemet nuk mbarojnë këtu. Me këtë vajzën, Leirën, kemi shumë punë. Do të na shkaktojë shumë më tepër telashe, saqë këto që po kalojmë tani, do të na duken lojëra.

5 shtigje të humburaWhere stories live. Discover now