2 ~ Shkuesja

2.3K 208 528
                                    

- Elbasan! Hajde Elbasan! Hajde! Autobusi i fundit. S'ka më. Edhe dy vende kanë mbetur. Oburra nxitoni! Edhe pak e do të nisemi. Hajde, hajde! - bënte me duar e me këmbë në pisk të vapës shoferi tullac.

- Po nxito o Adi, kape se na iku!

- Po atë po bëj moj grua, nuk e sheh?

- Po hë, jepu këmbëve ti! Më shpejt!

- Po ç'tu jap më unë i shkreti, kaq fuqi kam. Të thyej turinjtë thua, apo të më pushojë zemra në mes të rrugës?

- Mos e dhëntë Zoti atë punë, Adi! Si ta nxë goja njëherë? Po mirë, zë ke ti? Thërriti pra!

- O shofer, o shofer! - filloi të thërriste ai.

- Më fort o Adi, bërtit më fort!

- O shofer, o shofer! - e ngriti më shumë volumin.

- O TULLËË! - ulëriti duke lëvizur duart lart Fatma, që ta dallonte.

Adi e pa çuditshëm.

- Je në vete, grua? Po sikur të të kthehet keq ai? U bëmë gazi i botës pastaj.

- Urdhëroni, zonjë! - gjithë respekt hapi derën e autobusit shoferi.

- Ja, tani më thuaj ti, jam a s'jam në vete! E shikon si bëhen punët burrë? Tak-fak, jo mëk-mëk si miza në qyp! - u ulën tek serdiljet e rreshtit të tretë.

- Uuu Fatma! Po ti moj? - ktheu kokën gruaja e rreshtit të dytë.

- Bobo, edhe këtu na doli para kjo grua? - tha Adi me bezdi.

- Fakire? Po ti këtu? - e pa vëngër Fatma.

- Po ja, thashë të shkoja për vizitë nga motra. Ti e di që është martuar në Elbasan ajo, ta kam thënë. Po ti çne, s'ke as të afërm. Apo... ndonjë yshtare? - i luajti syrin.

- Yshtare?! E pse të shkoj tek yshtarja unë? Shyqyr Zotit jemi mirë të gjithë, me këmbë e me duar, mendja në vend...

- Po ja, lajmi ka marrë dhenë, sikur Loni...

- Loni çfarë?

- Po ja, sikur kanë dalë ca llafe, le që besoj i ke dëgjuar vetë ti!

- U m'i marrshin të keqen Lonit! Flasin kot, nga inati, se më kanë ardhur plot 40 baballarë te dera e shtëpisë mua. 'E dua dhëndër, si yt bir s'ka', Loni këtu e Loni atje. S'ma ndajnë nga goja një sekondë, ngeli me lemzë i shkreti, s'i gjej dot kurë. Epo tashi... s'e japim te dosido djalin ne. E dua nuse për së mbari unë, me namus, të më nderojë shtëpinë. Krushkun e dua me biografi të mirë, me pozitë dhe jo langaraq!

- Ah moj Fatmë, ah! Ti mirë e ke, s'them se e ke keq, po ç'ti bësh Perëndisë thuaj, kështu ishte e shkruar! - ngre sytë lart ajo. - Eh, mjerë kur të bie për pjesë!

- E ç'do të thuash me këtë ti? Adi, kuptove gjë?

Ai ngriti supet.

- Po ja, pak nga llafet e dynjasë e pak nga ato ç'më dëgjojnë veshët e shohin vetë sytë... sikur Loni... s'është burrë.

- Si ishte kjo? Si the? Pa thuaje edhe njëherë!

- Loni s'është burrë! - ngriti zërin ajo.

- U kurvë e qenit! - përplasi serdiljen fort me grusht Fatma, saqë e trembi tjetrën. - Po pse moj Faku, ia paske provuar ti a çupat e tua që flet me fakt të kryer ti? Ptu, turp të të vijë zarbë e dreqit! Nga të tjerët e prisja unë, po nga ty që të kam komshie... Kot nuk thonë, 'i afërti ta fut sa krahu'. U mos e pafsh një ditë të bardhë moj, mos e pafsh! Nepërkë e keqe paske qenë, nga ato me shtatë koka! Turp të të vijë që merresh me llafe koti, moj xerxebile e m*tit!

Nuse për djalin tonëNơi câu chuyện tồn tại. Hãy khám phá bây giờ