25 ~ Dasma

1.7K 132 150
                                    

- Ne tashi do të zbresim të gjithë e direkt drejt lokalit. Çifti do të hyjë më vonë. Siç e lamë. Merri e njëherë në telefon o Tani, se s'nxënë mend ata! - tha Fatma.

- Mirë teta! - nxori telefonin t'i merrte.

- Nusja me kë do të kërcejë si fillim, me Bilalin a me Lonin? - pyeti Adi.

- Me babain o Adi, me Bilon. Pastaj me burrin, pra... me Lonin.

- Po e di, moj grua. E di kush është burri e kush është babai.

Dolën të gjithë nga makinat.

Ivora filloi të qante edhe më shumë kur pa prindërit. Bilali ishte zverdhur i tëri në fytyrë. Matildës i dalloheshin sytë e kuq e rrathët e zinj.

Shkoi me hapa të shpejtë drejt tyre e i përqafoi fort.

- Ma... ba...

- Shpirt! Të keqen mami ty!

- Mos qaj, të keqen babi! Kështu ndodh me të gjithë. Na dhimbset, por vajza e ka vendin te shtëpia e burrit.

Loni shkoi pranë tyre dhe i përqafoi.

- Të kam fiks si djalin tim tani! - i tha Bilali.

- Edhe unë, si prindër të dytë ju kam. - buzëqeshi.

U kthye nga Ivora dhe i fshiu lotët me shaminë që mbante në xhaketë nga ana e majtë.

- Futemi? - bëri gati krahun.

- Futemi. - ia ndërthuri me krahun e saj ajo.

- Oburra, shpejtoni ju të tjerët! - tha Fatma duke nxituar drejt lokalit. - Mos më rrini si gulufa!

Dera kryesore u hap, duke shfaqur kështu çiftin. Të gjithë u ngritën në këmbë. Disa duartrokisnin, ca fishkëllenin, të tjerë thjesht buzëqeshnin, kurse një pjesë e veçantë bënte analizimin e fustanit të nuses, modelin e flokëve, ecjes së Lonit, mimikës së fytyrës e shumë veprime të tjera.

- I mirë qenka fustani! - tha njëra.

- Si shumë i fryrë. E tregon shumë të shëndoshë. Për mendimin tim s'bën një lek. - tjetra.

- Mos është me barrë? - një tjetër.

- Eh i shkreti Lon, do ia fusë të dyja këmbët në një këpucë kjo. Mbajeni mend! - filluan edhe burrat.

- Po këto kokoliqet, ça janë? - tha Xhevrija.

- Janë meze të vogla. Shoqërohen me pije. - shpjegoi Nazua.

- Po këto të thyejnë dhëmbët me qyqe. - tha teksa hante një brusketë, po që e gjithë pjesa e sipërme i ra nga goja.

Loni u zmbraps, për t'i lënë radhë Bilalit.

Filluan të kërcenin babë e bijë.

Ishte rrënqethëse, shumë e veçantë dhe prekëse për t'u përjetuar.

Ndikonte shumë edhe kënga e vënë në sfond.

"Se vitet ikin tutje...
Dhe ikin një nga një,
Se vajzat bëhen plaka...
Rinia moj nuk vjen më!"

Në fund të vallëzimit, Bilali e puthi të bijën në ballë e ia la Lonit, duke i rënë lehtë supit të këtij të fundit.

Loni i zgjati dorën e filluan vallëzimin si çift, me në sfond këngën e Alban Skënderaj ~ Unë dhe ti. Kënga e tyre e preferuar.

Nuse për djalin tonëWhere stories live. Discover now