17 ~ Fis, i ëmbli fis

1.2K 136 122
                                    

27 mars, fejesa...

Aq donin familjet, miratimin e çiftit, që të fillonin menjëherë me përgatitjet. Më shumë nga të gjithë, madje shumë më shumë nga të gjithë... mezi e priste Fatma, organizatorja kryesore.

- Jallah moj Fatma, ja ku paska qenë e shkruar që ta shihje edhe ti këtë ditë, të ishe e pranishme! Faleminderit o Zot! Ti vonon, po nuk harron. Epo tashi... duhet pranuar që vonove pak si shumë me ne, po kjo... nuk ka rëndësi tani, kaloi. E rëndësishme është që sot, në këtë ditë të bukur me diell, Loni im do të fejohet! Dhe jo me një femër dosido, po me një femër të mirë shumë, me një femër që ia vlen të futet në shtëpi, me një femër që e meriton plot gojë t'i thërrasësh nuse dhe bijë. Eeeh, si të ndodhte ndryshe! Fatma Gashi nuk mund të merrte kurrë nuse për djalë një femër më të dobët se vetja! Duhet një burrneshë e të njëjtit nivel, që ta tërheqë burrin prej hunde, ta drejtojë kur rrëshket nga rruga e saktë, t'i bëhet sy kur nuk shikon e vesh kur nuk dëgjon. T'i japë zgjidhje situatës, kur burri qëndron si behot mes halleve pa ditur të bëjë gjë. Një grua e tillë duhet. Ta nderojë burrin e të përmendet gojë më gojë e brez pas brezi, gjithmonë për mirë si... "nusja e Filan Fistekut!".

- A mbarove me monologun, mama?

- Loni, bir, ke shumë që ke ardhur?

- Kam pak. Mjaftueshëm sa për të të dëgjuar. Nejse, a mund të ma lidhësh mirë këtë kravatën? S'po e rregullokam dot.

- Të keqen mami, ja se ta rregullon nëna ty, këças! Mos e vrit mendjen fare! Yhy, sa të kesh Fatma Gashin ti...

- Rrofsh mama!

- Po çne që s'e rregulloke dot sot? Shpirt i mamit, duhet të kesh emocione bir i nënës, prandaj o xhan!

- Po ça emocionesh më thua mama? Për atë Zot! Thjesht, jam pak në siklet e dua që dita e sotme të përfundojë një sat e më parë, pa ndonjë lloj problemi!

- A të keqen halla a! - hapi derën fluturimthi dhe tundi kokën si shkurre hallë Gushja.

Loni po e shihte me një shikim sikur të thoshte: "Po kjo nga doli?"

- Kush është kjo? - ngriti vetullat në formë pikëpyetjeje.

- Loni, turp të kesh! S'njeh hallën ti? Është Gushja ore qyq, po i ka bërë flokët kaçurrela me difuzor.

- Aha...

- A të keqen halla a! - tundi kokën sërish ajo.

- Çkemi halla! - qeshi shtirshëm.

- A kolopuç a! Më ngjan si të ishte dje kur të ngrija në krahë vetëm me një dorë. Sa një poç ishe. Tani je bërë gjithë ky burrë, për t'u martuar. A t'u bëftë halla a! Shpirt! Të keqen! O dritë e diellit të mëngjesit! O llokum! King më je bërë sot! Shndërrin, shndërrin i tëri o shpirt! A të keqen e nipit a! Fatma moj, ruaje djalin moj... se mos ta marrin mësysh! Kaq po të them! E bëra timen unë. Haha! Marshallah, marshallah! - i fërkonte krahun Lonit.

- Mos ma qaj atë hall Gushe, po avash kostumin, se t'i dhashë leshrat në dorë po e rrudhose! - tha gjoja si me shaka Fatma.

- U qyqja, si bën edhe ti!

- E bën vërtetë kjo. - anoi cepin e buzëve Loni.

- Mezi e kollondrisa moj, kam tërë natën mbrëmë. Mos ma zhubravit!

- Avash mi, avash, se s'ta hëngra djalin! Ke hallin e çunit ti e ia hedh kostumit.

- Gushe, ik andej nga salloni, se ka ca koktejle të mira, dhe e di unë që ti vdes për to, se je një lëpickë që s'e ke shoqen! Hajt tani, llokumja e kunatës, shkoe futju punës, na lër vetëm! - e përcolli me lezet Fatma dhe mbylli derën.

- Aman o mama, mbylle me çelës atë dreq dere, se s'të lënë rehat këta tashi!

Tepër vonë. Një i afërm tjetër u fut në dhomë.

- Hë moj... kunatolle, nga bëhesh?

- Ti nga bëhesh moj Luze, ti e jo unë! Unë këtu kam qenë përherë.

- Na ka marrë malli moj! Sa kohë pa u parë!

- Opo na i ke tharë fare sytë. Mall e
kaluar mallit thuaj! Ç'bën kështu? Nuk kujtohesh ndonjëherë të vish, veç për sebepe.

- Për Zotin Fatma, për Zotin po të them ë, ja, qafsha Kadriun tani, e futsha në dhe, që s'kam patur kohë as të marr frymë. Jo se kam dashur vetë ë, të betohem, mos të zë prapë be për Kadriun!

- Po qafsh veten ti, pse të qash Kadriun! Ç'ke me vëllanë tim?

- Po e kam të shenjtë moj, të shenjtë. Veç për atë zë be.

Loni filloi të shfrynte i bezdisur.

- Po hë re Loni, do të fejohesh ë?

- Po mesa duket... po, do të fejohem. - ia ktheu me mospërfillje.

- Të lumtë! - po e shikonte me sy analizues. - Moj ti Fatma, sikur s'i shkoka shumë ky kostumi Lonit. Shumë i zbehtë në fytyrë. Sikur s'i jep shumë nur.

- O ti m'i marrsh pleshtat djalit, se për mrekulli duket! Si mbret! Po duhet të të ketë hyrë ty ndonjë gjë në sy moj kunatolle.

- Ashtu thua? Ke të drejtë. Ndonjë pluhur besoj.

- Pluhur?! E dashur, ke vite që më njeh.
Jo ti, jo Kadriu... jo fisi, po e gjithë Tirana më njeh për pastërti! Kam fituar konkursin "shtëpia më e pastër" në 2010-ën unë.

- Eh, aty e sot... yhy, kanë kaluar vite, edhe plaket robi!

- Të lutem shumë, kam energji sa 100 nuse të reja të bëra tok! - ia ktheu krenare Fatma.

- O gege, më duket se dëgjova zërin e dajës andej... Po të thërret më duket.

- U më qafsh o Kadri, për Zotin, nuk të dëgjova! - bërtiti që ta dëgjonte ai dhe iku.

- A do të mbarojnë ndonjëherë këto vizitat në dhomë?

- Loni! O Loni! Loni! - bërtiste tjetri.

- Xhaxhi Ferrik, çne kjo surprizë kaq... e bukur shumë?

- Hajt, me trashëgime e me mend në kokë tashi! Nja ca këshilla do të t'i japë xhaxhai ty, po t'i kesh mirë parasysh e prapasysh. Dëgjove? Keni kohë plot. Yhy, sa kohë keni ju! Hajde babam hajde... sa kohë keni ju! Avash-avash gjërat. Mos u nxitoni! Dëgjove? Vëri vathë në vesh këto! Hë! Se mos i rrumbullakoset barku nusolles! Se mos bën ndonjë gafë ë! Se do të kemi punë bashkë pastaj, hë, hë! Është akoma shpejt. Avash-avash! Me qetësi,me dashuri! Frenoje ti për pak kohë!

- Ore Ferro, ç'janë këto që m'i thua djalit? Frenoje thotë! Po çfarë po thua o Ferrik, aman? Jepi turbo thuaji, të nxitojë me shpejtësinë e dritës! Sa më shpejt, me ndonjë nip a mbesolle, se po plas unë këtu!

- Loki... o Loki i nënës o!

Në dhomë u fut një plakë e kërrusur, me shumë thinja e rrudha të shumta në fytyrë, po prapë e kishte një lloj ëmbëlsie.

- No, o no! - ia ktheu Loni me një ton zëri shumë të butë. Ishte e vetmja që mezi priste të takonte.

Gjyshen e përqafoi fort dhe e puthi disa herë në kokë.

Nuse për djalin tonëWhere stories live. Discover now