11 ~ Ajo çfarë ndodhi, ndodhi

1.4K 159 21
                                    

- Nuk ka ardhur akoma në shtëpi. Ku do të jetë vallë? - qante Fatma.

- Mos u shqetëso, o teta! Ndoshta ka nevojë të qëndrojë për pak kohë vetëm, të marrë veten nga ajo që ndodhi. Se s'është e lehtë.

- Është ora 10 e darkës, Dritan. Nga vila doli në 1 e 30 të drekës ai. Kanë kaluar gati 9 orë. Asnjë gjurmë prej tij. Si të mos bëhem merak? Iku në një gjendje të mjeruar. As telefonin s'e ka marrë me vete. Ta la ty.

- Grua, mos u bëj merak! Dritani ka të drejtë. I duhet pak kohë. Pastaj... kjo që ndodhi, nuk ishte aspak gjë e vogël. Është normale që do ta përjetojë pak keq në fillim. Loni është edhe natyrë e mbyllur, i mban të gjitha përbrenda.

- Jam në merak të madh o Adi, po vdes nga meraku! Ku s'më shkon mendja në këto momente! Po sikur të jetë prekur aq shumë, sa të ketë bërë ndonjë të pabërë? Uu e zeza! Larg e tutje, Zot!  Ooo... biri im, ooo... Marloni im! Ku je?

- Po mjaft moj grua, se s'jemi në vajtim ne! Po i ndjell ters me lotët e tu! Mos tashi!

- Po bëhet nami këtej! - tha Tani, teksa shikonte lajmet e fundit në fejsbuk. - Dëgjojeni çik këtë!

"Haziz Bajko, biznesmeni i njohur shqiptar, kapet mat me dashnoren në Kodrat e Diellit."

- Mirë t'i bëhet, zagarit! Ashtu, t'i dalë boja anembanë, bythokut! Mollë e kuqe në Stamboll t'i vejë! - filloi të shante Adi.

- Dëgjoni pak ç'thotë kjo faqja tjetër!

"Haziz Bajkon e lidh gruaja në karrige!"

- Hah, sikur ta dinin ata kush fshihet pas kësaj... - qeshi Adi. - Apo jo, moj grua?

- Më lër rehat! Mua po më luan tepeleku i kokës këtu për Lonin, ju merreni me Hazizin! Duhet të kishit dalë për ta kërkuar, e jo të më rrinit këmba mbi këmbë në shtëpi mua, duke folur për Zizon, që s'më plas fare!

- Teta Fatma, vetëm budallai del jashtë në këtë stuhi. - tha Tani duke bërë me gisht nga dritarja.

Jashtë kishte filluar një stuhi e fuqishme. Frynte një erë... gati sa të shkulte edhe pemët më të vjetra.

- Mos ma quajte gjë Lonin budalla?

- Po jo o teta, jo. Thjesht po them... që s'dilet jashtë në një mot të tillë. Pra për tani, se Loni ka 9 orë që ka dalë...

- Ishe mjaft i kuptueshëm, Tani. - ia ktheu Adi. - Po Fatma, s'e ka mendjen në vend... tani, për momentin. Se do i vijë shumë shpejt. - shtoi më pas kur pa shikimin e saj të frikshëm.

Dëgjuan derën kryesore të përplasej.

- Marlon! - bërtiti Fatma duke vrapuar drejt korridorit.

Ai kishte një pamje shumë të lodhur në fytyrë.

- Shpirt i mamit ti, t'u bëftë nëna... o bir! Ku ishe? Na bëre merak! Të paktën të na kishe njoftuar!

- Këtu vërdallë isha.

- A je mirë? - e pyeti Adi.

- I tradhtuar, po mirë jam.

- Ulu zemër, mos rri në këmbë! Duhet të jesh lodhur nga... Ulu, ulu!

- Po shkoj të përgatis nja katër kafe të forta.

- Mirë bën o Tani, se do të na duhen. - tundi kokën Adi.

- Loni... Shiko... unë, babi dhe Tani do të të shpjegojmë gjithçka.

- Mama, ajo çfarë ndodhi, ndodhi. Nuk besoj se ia vlen më të merremi me atë muhabet e t'i biem vërdallë kot. Thjesht, ajo më tradhtonte gjatë gjithë kohës që ishim bashkë, ose të jem më i saktë... ajo ishte dashnorja e shefit, unë dashnori i saj... ohu, lidhje e ngatërruar dhe e pisët. Nuk dua ta përmendim më.

- Marlon, shiko... unë si prind që jam, edhe mund ta bëja zemrën gur e ta pranoja atë vajzë si nusen tënde, por e ndieja... thellë në zemër unë e ndieja se kishte diçka në atë mes. Ishte instikti i nënës që s'gënjen kurrë, jam e bindur për këtë.

- Shiko se... edhe ne ishim shumë të shqetësuar, bir. U gjendëm në një kryqëzim të vështirë, si të ta them... në një hall të madh koke. - shtoi Adi duke vendosur të dyja duart në kokë.

- Pastaj... edhe duam të të kërkojmë ndjesë. E dimë që je lodhur nga stisje planesh, skenare filmash, por...

- Mama, faleminderit!

- Çfa..çfarë?

- Falë mençurisë tënde, unë arrita të reflektoj. Pikërisht... ato stisje planesh apo skenare filmash, që unë aq shumë urreja, më zbardhën të vërtetën. Rrofsh mama, baba... edhe ti Dritan që po i vonon aq shumë kafetë! - ngriti zërin që ta dëgjonte ai.

- Mbaroi petrogazi. - u justifikua Tani.

- Prit, se kemi tjetrin rezervë. - u ngrit Adi.

Në sallon mbetën vetëm nënë e bir.

- Eja këtu! - hapi krahët Fatma.

- Nënë, e mira nënë! - e përqafoi fort. Kishte shumë nevojë për atë përqafim, të dy kishin.

Nuse për djalin tonëWhere stories live. Discover now