5 ~ Familja Gashi

1.7K 164 80
                                    

- Ç'bëhet kështu, o Adi? Çfarë do të bëjmë? Po na rrëshket situata nga duart fare, s'kemi gjë në vijë.

- Grua, thjesht merre me qetësi! Mos u streso, se më mirë do të bëhet! Ke për ta parë!

- Më iku truri po të them. Unë po shkalloj fare, ti më thua ta marr me qetësi. Një jetë e tërë shkoi duke pritur Adi, nuk duroj dot më. S'mban më ujë pilafi, Adi. U mbush kupa, po derdhet pika-pika. M'u sos durimi, Adi!

- E shikon ç'thua? Kemi duruar një jetë të tërë në pritje e s'na rri b*tha vendit për vetëm një javë?! Është e pallogjikshme. Duro edhe pak, se nuk të gjen gjë.

- Po po... kemi një javë që sillemi vërdallë kot, si pordha nëpër brekë, edhe hiç, asgjë nuk kemi bërë. Ndërkohë që duhet të ishim hedhur në veprim me kohë. Ja, për shembull, tani bënim rehat muhabetin e dasmës me krushqit ne. Lista gati, lajmi do të kish' marrë dhenë, që Loni po martohet. Të gjithë do e çirrnin b*thën me thonj nga inati, do të pëlcisnin fare plehrat.

- Fatma Gashi, të këshilloj t'i marrësh gjërat shtruar. Mos i bëj petullat me ujë, e dashur grua! - i rrahu shpatullat ai.

- Po po... ashtu si Likja ti, me qetësi, me dashuri... po s'ka sot kështu more burrë. Le që Likja e ka në terezi, tetë në qaset, po ti thuaj, që e kopjon dhe s'ke gjë në vijë! Gjërat duhen bërë fët e fët, t'i vësh nën kontroll parakohe.

- E si pret të mbarosh punë ti? Ne akoma s'jemi prezantuar me krushqit e ti kërkon ta mbyllim çështjen fët e fët. Po sikur të thotë prapë jo i ati? Se si tip i vështirë m'u duk, atij i ka ngjarë dhe e bija, doemos. Ç'do të bëjmë nëse refuzojnë? E ke menduar vallë këtë mundësi ti... zonja 'e aftë të zgjidhë çdo situatë dhe çdo problem që i del papritur përpara'? - i ngriti zërin.

- Nuk e kam menduar atë pjesë dhe as që dua ta mendoj. E di pse? Sepse për Fatma Gashin, edhe njëmijë mundësi të ketë, ato janë të arritshme, të gjitha po janë. Për familjen Gashi... çdo gjë është e mundur, sepse ne nuk heqim dorë. Nuk e mban mend këtë? Sa herë ia kemi përmendur njëri-tjetrit në momente vështirësie? E mban mend që të hoqën atëherë nga puna? Loni ishte akoma fëmijë, unë shtëpiake, vetëm ti na siguroje të ardhura dhe mbete 6 muaj pa to, po prapë ia dolëm. Me vështirësi, po ia dolëm. E gjetëm një zgjidhje. Nuk vdiqëm për bukë.

E pa të shoqen me lot në sy.

- Ti fillove të përgatisje ushqime shtëpie dhe i shisje në rrugë. Unë... meqë ma thoshte dora për kopshtari, krasitja lulet e korrja barin e komshinjve.

- Upupu, mos ma kujto! Ajo Tefta këmbështrembura të punonte zbor. 'Jo s'i ke krasitur mirë, jo më shkule lulet, sikur e bën kastile, aman o Adi, ta kapka me miza sot'... U kurvë e qelbur, po ç'të bësh nga halli thuaj, ishim keq nga lekët.

- Po kur m'u desh të futesha në burg? Të kujtohet?

- Fajin e kishte ai turiderri, mbikëqyrësi i fabrikës ku punoje. Ti nuk kishe faj fare. Ditëziu! Jo vetëm që ju mbante çerekun e rrogës për vete, po bënte dhe mashtrime të tjera pale, ia kishte me hile pronarit, fëlliqësira.

- E kur doli sheshit, ma hodhi fajin mua. Qëndrova dy javë në burg unë, derisa doli në pah e vërteta. Kam qarë çdo natë, nuk e doja më veten. Po mirë që më mbështete ti dhe Loni, se sot... mbase nuk do të isha këtu me ty.

- Të dish sa kemi qarë ne, o Adi! Po shyqyr që u zbulua e vërteta. Ishte i mirë avokati, edhe pse na u desh t'i kërkonim borxh asaj... që s'dua t'ia përmend emrin.

- Fakires?

- Pikërisht, Adi. Për paratë e ndyra na është dashur të durojmë gjithë atë turpërim, të biem në gjunj të komshinjve. Eee... tani janë muhabete të së shkuarës pa! Tani na bien në gjunj ata.

- Ke të drejtë grua.

- Po kur na u dogj shtëpia? E mban mend?

- Po si jo! Hera e parë që e godita Lonin. Më erdhi keq, se qau shumë. Ishte 14 vjeç atëherë, kishte një eksperiment kimie dhe...

- Dhe si përfundim dogji shtëpinë. - qeshi Fatma, - Edhe... Qerime bushtra, në vend që t'i bashkohej komshinjve të tjerë, që hidhnin kova me ujë për të fikur zjarrin... rrinte këmba mbi këmbë duke pirë kafe në ballkon. Zoti e ka parë, me bebelina është tani.

- Zoti lart... shikon e gjykon, moj grua!

- Të shkuara mbetshin, aman! Mos u kthefshin më! Nuk dua të përjetoj më atë dhimbje që kemi kaluar kur unë...

- Mos e vazhdo, grua! Më dhemb zemra kur e kujtoj.

- Eh, sa kemi hequr në këtë jetë o burrë, vetëm ne e dimë! Sa e sa sprova vështirësie... e të gjitha i kemi kaluar një nga një, duke qëndruar me këmbët e ngulitura fort në tokë. I kemi pranuar sfidat që na ka dhënë Zoti. E nëse arritëm të luftonim edhe kundra vdekjes, ne mund të përballojmë gjithçka.

- Jam krenar që të kam shoqe jete. Edhe pse, nuk është se ta them shpesh. Por jam me fat që të kam ty. Je gjithmonë e fortë, pozitive... Më jep kurajo gjithmonë. Asgjë nuk është e pamundur për ty. Je një luftëtare e zonja, Fatma Gashi! - e puthi në ballë.

Nuse për djalin tonëWhere stories live. Discover now