3 ~ Si ta bindim?

2.1K 190 241
                                    

- Duhet ta mendojmë mirë, në mënyrë të detajuar planin. Nga ato që tha Qerja, do e kemi pak të vështirë, por jo të pamundur, sepse Fatma Gashi është gruaja që e kthen të pamundurën në të mundur, çdo gjë e ka një zgjidhje. Vajza më pëlqeu shumë, duket që ka alamet karakteri, jo si fifkat e tjera, prandaj do të bëhet me patjetër nuse për djalin tonë! Po çfarë të thur vallë? Sepse nuk mund të hyjmë drejt e në temë e të refuzohemi si të tjerët. Jo, ne do të dalim nga ajo shtëpi me një PO të madhe, fjalë gruaje kjo! Mendo Fatma, mendo, vëre trurin në punë...

- Hë re Adi, më dëgjon ti a hiç fare? Adi? O Adi? Kuku! Adan Gashi, me kë po flas unë, me murin? - ktheu kokën nga ai dhe vuri re se gjithë atë kohë ishte duke folur me veten. Në dhomë u dëgjuan gërhimat e rënda të tij.

- Fli o lumadh, fli! Unë kam hall koke, ti fle aty si qengj, gërhet edhe për qejf të Zotit pale, ohohoz! Fli të keqen, fli, se për ty është bërë kjo botë!

U mbulua edhe vetë mirë me batanije, uli jastëkun e vazhdoi të mendonte për planin.

- Eh moj Fatma, së shpejti do të bëhesh edhe ti me nuse. Edhe pak ka mbetur, shumë pak... nga dita kur ti do të bëhesh vjehrrë. Do i vijë Lonit radha të shkëlqejë! - qeshi e gëzuar, mbylli sytë e i la rrugë gjumit.

E nesërmja...

- Jam i vdekur! - ankohej Adi. - Më dhembin këmbët, shpatullat, qafa, koka... i gjithë trupi, oo... jam i vdekur! Ç'mu desh mua mavrisë që erdha pas teje moj? Mirë ti, atë mendje ke, po unë thuaj! E marrtë dreqi, e marrtë! Mos paça më ditë si ajo e djeshmja!

- Hë tani Adi, mos bëj kështu, sikur vajton! Mblidhe veten burrë! Na, pije këtë çajin, se duhet të marrësh energji! Mos harro planin Adi, planin!

- Çfarë?! Moj ti grua, a je në metro ti a si?

- Lëri kundërshtimet Adi, po mblidh trutë e kokës, se kemi një plan për të zbatuar! Rri, qetësohu pak se... e di vetë ti ç'do të bëjmë sot!

- Mos o Zot! Të vërsulem unë më si idiot për të kapur autobusa, të bëj rolin e arbitrit mes gruas dhe ndonjë kukumjaçke tjetër që do të na dalë para, dhe pastaj të bredh si lango nëpër rrugët e Elbasanit për të gjetur Qero shkuesen? Të përmbyset bota se e bëj më! Nuk ka, u mbyll ajo punë!

- Ne shyqyr që e gjetëm, ti thua u mbyll ajo punë! Ah more Adi, tani në fund u dorëzove, që edhe pak fare kemi ne?

- Moj po vdiqa po të them, jam e me tension pale, s'kam fuqi, mbarova.

- Po mos bërtit o i uruar, mos! S'ka ikur akoma Loni, apo harrove?

- Mirëmëngjes familje!

- Ja, e shikon? Zemra e mamit, si fjete xhan?

- Mirë mama, si përherë. - e puthi në faqe. - Ju... a fjetët mirë?

- Si kufomë. - tha nën zë Adi.

- Shkëlqyer fare. Më rehat, s'ka ku të vejë, të keqen! Të na rrosh ti sa malet, se na ke blerë Dormeo! - e fërkoi nga kurrizi.

- Është kënaqësi më vete kur i bën prindërit të lumtur! - buzëqeshi dhe mori gotën me lëng frutash.

- Ta gjeje vetë nusen, do të arrije kulmin e lumturisë sonë! - tha nëpërdhëmbë Adi.

- Ah, të vdesë nëna për ty, o i mirë! Eja të keqen mami, ulu të hash mëngjes! Kam bërë krepa me banane, të preferuarat e tua.

- Oh mos, pikërisht sot që kam një mbledhje të rëndësishme i bëre? Është e padrejtë. - qeshi lehtë. - Duhet ta arrij në kohë.

- Po s'ka gjë o Loni, se jot ëmë e gjen zgjidhjen për çdo gjë. - tha me ironi Adi.

Nuse për djalin tonëWhere stories live. Discover now