20 ~ Ç'bënë ata të dy?

1.2K 140 193
                                    

- Adan Gashi! Çohu nga gjumi! Shpejt! - bërtiti Fatma, shtrirë akoma në krevat.

- Hëh? Ç'ke moj grua? - u zgjua i tromaksur.

- Ti... e di ti çfarë dite është sot, apo s'e di?

- E premte, 28 mars. Ja çfarë dite është. Për këtë më zgjove? Ehuha! - mbylli sytë sërish.

- Të paktën pyet!

- Po, moj, ja të pyes unë. Çfarë? - bëri pyetjen.

- Çfarë, thotë! Si çfarë, ore Adi?

- Po a nuk më the "pyet" moj grua? Ta bëra pyetjen.

- Po gjeje pra! Ç'e dua unë pyetjen? Unë dua që ta gjesh.

- Për atë Zot, jam aq i lodhur tani, sa s'marr dot frymë e jo më të më punojë truri në nivelet që kërkon ti.

- Nga unë i do të gjitha ti? Të t'i jap unë në gojë? Veç të hapësh gojën ti e bamp, të të vijnë radhë? Jo po... s'ka kështu. Nuk ka! Ti të rrish e unë të t'i servir në një pjatë argjendi? Jo. Ku është parë e dëgjuar kjo? Pse, mos bëke gjë vezën e kuqe zotrote?

- Grua, mos u lodh kot, dërr-vërr. Vetëm gumëzhima ndiej unë tashi, aq i vdekur jam. Nga ky më hyjnë e nga ky tjetri më dalin. - bëri me gisht nga veshët.

- Po mundohu edhe ti njëçik, të shkretën! Shtrydhe njëherë trurin, se mbase e gjen çfarë dite është!

- Ohu, s'mbarohen ditët e tua të shumëpritura moj grua, s'kanë të sosur, po më lër të fle tashi, aman. Se kam gjithë ditën e djeshme në krye, me valle e me dolli.

- Jallah moj Fatma, vetë zot e vetë shkop ti! Vetë pyet e vetë përgjigjesh. Ç'të bësh! - tundi kokën. - Bën dot gjë? S'bën.

- Grua... po apo jo tashi? Ke ndërmend ta thuash muhabetin, apo t'i mbyll llamatinat unë?

- Dita e hakmarrjes Adi. Ditë më e shumëpritur se të shumëpriturat. Dita kur Fatma Gashi do të shesë një dyzinë me pordhë e mend nëpër lagje Adi. Naa do të pëlcasin sytë e grarive sot Adi, naa! Do ta shqyejnë b*thën me thonj Adi, nga zilia. Do t'i shtyp me këmbë, do t'i shtyp Adi! Krromashet e ndyra!

- Mirë shumë! Tani më lër të fle, se po më pëlcet koka edhe mua. Mos më zgjoni më për nja 7 orë të mira. Madje, më mbush që tashi një gotë me dhallë e hidhi pak valium brenda, se po vdes për gjumë. Jam i mbaruar, po të them.

- S'ma nxë goja që ta them, po do e them. Fleç të madhin, fleç! - i shtyu kokën me dorë dhe u ngrit për të dalë nga dhoma.

- Ivora, të keqen! Pse qenke zgjuar kaq shpejt ti?

- Teta Fatma... ora 9 e 30. Ishte turp që të rrija akoma shtrirë. Jam edhe tek ju, se te shtëpia ime hajde de, po...

- Ç'janë këto fjalë? Zemër, ti mund të rrish sa të duash shtrirë! Jo. Nuk të them gjë unë. Ndoshta edhe krushka të ka mësuar ndryshe, po unë nuk të them gjë, pa merak. As punë s'të kërkoj, jo e jo, as gatim, as larje, as shplarje. Përderisa kam krahë e kofshë vetë dhe jam akoma e aftë për punë, i bëj po të gjitha vetë, të keqen. Dhe ç'ishte ajo "jam tek ju"? Tani kjo shtëpi është edhe e jotja, t'u bëfsha. Mos e harro! Dhe mos më thirr më "teta"! Ç'është kjo teta kështu? Për ty jam thjesht Fatma, se për "mama" s'besoj se ke qejf të më thërrasësh, e di.

- Në rregull... Fatma.

- Ashtu të lumtë! Po Loni? Doli shpejt? S'u ndje fare në mëngjes biri i nënës.

- Ëm... po. Madje që në 7.

- Që në 7?! Po si kështu? Pse kaq herët? Tha ndonjë gjë?

- Nuk e di. Kishte ca... punë. - rrotulloi sytë teksa pinte lëngun e frutave.

Fatma po e shikonte me sy analizues.

"Ta kenë bërë thua?" - mendoi me vete.

"Po jo, se nusja po rri për shtatë palë qejfe." - shtoi më pas.

"Edhe Loni doli shpejt. Se po ta kishin bërë, s'dilte që pa dhjerë qentë ai, që në sabah. Do të kishin ndenjur të dy në krevat, si çift pëllumbash. Po jo o jo. S'e kanë bërë."

Ivora pinte në qetësinë e vet lëngun e frutave. E mbaroi dhe u ngrit për ta çuar në lavapjatë.

"Ecja... si normale më duket. S'të krijon dyshime. Eee... jo, përfundimisht jo."

"Apo po?"

"Qyqja moj Fatma, ç'janë këto mendime kështu?" - tundi kokën disa herë.

- Keni dhimbje koke? - e pyeti Ivora pasi pa veprimin e saj.

- Jo moj të keqen, jo... por po më vinte vërdallë një mushkonjë e po më llafoste mirë në vesh.

"Po më llafos shumë keq madje."

Qeshi me të vjehrrën.

- Ç'të thashë pak më parë? Mos m'u drejto me "ju", po me "ti"! Të më kesh si shoqe, të më kesh! Vjehrra është si nënë e dytë.

- Mirë Fatma. - theksoi. - Po ja, se jam akoma në fillime. Nuk jam mësuar.

- Do të mësohesh me kalimin e kohës. Ndoshta tani ke njëçik ndrojtje e s'jemi të afruara... pa më vonë ë, më vonë do të bëjmë namin ne të dyja!

- Të ta bëj një kafe? Atë e qaj, me thënë të drejtën. Ma pëlqejnë të gjithë, se e bëj me dy gisht shkumë.

- Lum unë për nusen që kam! - qeshi Fatma. - Ta bësh bijë e nënës, pse mos ta bësh! Ja, meqë dike ta bëke mirë, kur të vijnë gratë e lagjes, ti do ua bësh!

- Pse jo! - qeshi. - Po filloj menjëherë. Hëm... vjehrri, - s'po dinte si ta quante, - do kafe?

- Vjehrri... ka rënë kopanec në gjumë. Nga akshëmi ngrihet tani. Aq të rëndë e ka.

- Ah, epo mirë.

Nusja hidhte përbërësit e kafesë, vjehrra e kqyrte.

"Po prapë jam kurioze të di se ç'kanë bërë mbrëmë." - vazhdoi mendimet Fatma.

"Si e kanë kaluar natën?"

"Do të jenë afruar ndopak me njëri-tjetrin? Apo hiç?"

Këto mendime e gërryenin përbrenda.

Donte aq shumë ta dinte.

Po s'kishte si ta merrte vesh.

"Mendo Fatma, mendo!"

"Opo për ta marrë vesh do e marrësh ti moj, që ç'ke me të! Po si? Ky është halli. Si?"

Ndërkohë që ajo vriste mendjen se ç'kishin bërë ata të dy natën e parë bashkë... Ivora kishte fjetur në krevat, kurse Loni në dysheme.

Nuse për djalin tonëOnde histórias criam vida. Descubra agora