2

1.9K 166 124
                                    

Qëndroi përballë lokalit dhe vështroi brenda për disa minuta. Për të ai ishte lokali i saj i preferuar. Ishte edhe kafene, edhe ëmbëltore; dy gjërat të cilat ajo i pëlqente më së tepërmi.

Hyri brenda dhe u ul në një nga karriget e rehatshme duke pritur për kamarierin që të vinte e ajo të mund të porosiste ndonjë gjë.
Por më së shumti kishte dëshirë të shikonte atë. Ishte pikërisht orari kur ai vinte për të parë se si shkonte puna në lokal. E zotëronte ai atë lokalin tepër të ngrohtë e të pëlqyeshëm nga njerëzit që vinin.

Shikoi orën duke numëruar sekondat që kalonin. Atë ditë ai po vonohej më tepër se zakonisht, gjë që ndodhte tepër rrallë, për të mos thënë asnjëherë.

Ngriti kokën menjëherë kur dëgjoi një derë, brava e së cilës kërciti, gjë që tregonte se një person e kishte hapur atë.
Ktheu menjëherë kokën mbrapa e buzëqeshi hareshëm kur vuri re atë që hynte me hapa të vendosur në lokal.

Ai i kaloi fare pranë, si gjithmonë pa i hedhur asnjë vështrim, ndoshta edhe pa e ditur që ajo ekzistonte, megjithatë mjaftonte prania e tij që Kristeni të emocionohej si fëmijë.

Puna ishte kështu; qëkur kishte shkelur për herë të parë në atë lokal, kishte njohur atë djalë që si për dreq emrin s'ia dinte. Për Kristenin ishte pak a shumë pëlqim me shikim të parë, se dashuri s'mund të ishte kurrën e kurrës. I ishte ngulitur keq në kokë ai djalë. Ditë për ditë shkonte tek ai lokal vetëm e vetëm ngaqë donte ta shikonte atë. S'i kishte rënë rasti të fliste ndonjëherë me të, por e pëlqente.
Pikërisht për atë djalë po i thoshte të ëmës pak më parë! Atë djalë për të cilin thoshte se ai i kishte shprehur dashurinë, ndërkohë që ata as që kishin shkëmbyer dy fjalë së bashku.
Donte t'i shmangej situatës e nuk gjente dot ndonjë gjë tjetër të besueshme.
Por s'mund as të thoshte se ajo ide s'i pëlqente.

I dha kamarierit që ishte afruar porosinë e saj të zakonshme e priti derisa ai të kthehej prapë.
Torta e vogël me Rafaelo i erdhi pak më vonë e shoqëruar me një kakao me qumësht. Të preferuarat e saj.
Shijoi me endje tortën e menjëherë një mendim i shkrepi në mendje. Sado i kotë që ishte, nuk mundej të mos e shfrytëzonte rastin për të folur me fiksimin e saj që po qëndronte disa hapa tutje.

U kollit njëherë si për t'i tërhequr vëmendjen e më pas filloi të fliste me një ton serioz zëri.

  - Herën tjetër mendohuni dy herë para se të shërbeni këto ëmbëlsira. Kjo është e prishur.

Mënjanoi pjatën e bëri një gjest që tregonte pakënaqësi ndaj asaj që kishte ndodhur.

Ai ktheu kokën e ngriti njërën vetull në mënyrë monotone. Vështroi njëherë pjatën e më pas atë.
Bëri disa hapa drejt saj e i qëndroi pranë tavolinës.

  - Ku e ke hallin? Tek ëmbëlsira apo te lekët?

Të thoshte se fjalët e tij e kishin çuditur, do ishte pak. S'e kishte menduar më parë se ai djalë në dukje i qetë do t'i hidhte fjalë me spec.

  - Te shëndeti, djalë. S'më tërheq ideja se mund të dal e helmuar prej këtij vendi.

Djali kryqëzoi duart në kraharor e ajo vuri re se iu ngrit pak cepi i buzës.

  - Gjithsesi, - vazhdoi duke mos dashur heshtje midis tyre. - Mund ta provoni nëse nuk besoni, fytyra juaj më duket dyshuese.

  - Jo, faleminderit, e di shumë mirë se çfarë del prej kuzhinës e çfarë futet atje.

Mblodhi buzët disa herë e acaruar. A mundej ta ndryshonte atë temë të kotë që s'po e çonte gjëkundi?

  - Kam përshtypjen se po më konsideroni gënjeshtare.

  - S'mbaj mend të kem thënë diçka të tillë, - ia ktheu ai në mënyrë të qetë, pa shfaqur as shenjën më të vogël se po acarohej nga ajo bisedë.

  - Fjalët e tua s'e ndryshojnë faktin se kjo ëmbëlsirë është e prishur.

  - Bukur. Do iu them kuzhinierëve të jenë më të kujdesshëm.

Nervat e saj po hidhnin valle çdo herë e më shpejt në trurin e vogël që rrallë herë e vendoste në punë për diçka të dobishme. E atë moment nuk mundej dot të mos e shfaqte natyrën e saj fëminore, qoftë në fjalët e thëna pa u menduar, qoftë në gjestet e tepruara.

  - Po që qenke njeri i çuditshëm! Unë them se po helmohem ti hiç!

U ngrit nga karrigia duke shfryrë e inatosur e ai thjesht sa qeshi përsëri.
Bëri një hap më afër tij.

  - Mos ndoshta nuk je mirë? - e pyeti ai gjasmë serioz. - Të ka bërë keq ëmbëlsira? Po të duash mund të të çoj në spital.

Bëri të vendoste njërën dorë në ballin e saj si të donte të kuptonte në qoftë se ajo kishte temperaturë, por Kristeni bëri një hap mbrapa.

  - Mos më prek. Jam alergjike ndaj sheqerit.

Ai ngriti përsëri njërën vetull, ndërsa ajo po mundohej të perceptonte edhe njëherë se çfarë dreq budallallëku kishte thënë.

Mos ndoshta sapo i kishte thënë sheqer?...

  - Pa lidhje. Desha të thosha... Ohuuu! E di ç'ke ti? Lëre fare atë muhabet! - foli e acaruar më tepër se më parë e mori çantën në dorë.

Dëgjoi atë që qeshi. Të qeshurën e tij e pëlqente, madje e pëlqente shumë.

  - Alan! - dëgjoi një zë që vinte pak më larg nga ku po qëndronte ai.

Djali që ajo sapo kishte mësuar se e kishte emrin Alan, u kthye për nga erdhi zëri e më pas u largua.

  - Alan... Emër i bukur, - mërmëriti para se të vendoste lekët në tavolinë mendueshëm e më pas të largohej nga ai lokal.

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now