9

1.5K 155 123
                                    

  - Çfarë të bën të mendosh se unë të pëlqej ty? - foli pas disa çastesh duke u përpjekur të mblidhte veten prej fjalëve të tij dhe prej afrimitetit që kishin.

Le t'i thoshte Kristeni fjalë nga më të ndryshmet, të tallej me të, ta provokonte, por kur vinte puna, në fund fare ishte po ajo që ndikohej aq shumë nga prezenca e tij.

E vështroi në sy si të donte t'ia vërtetonte atij faktin se s'kishte asgjë të gënjeshtërt në fjalët e saj; ishte tepër kokëfortë, s'donte t'i shfaqte aq kollaj ndjenjat.

Ai vendosi duart në anët e karriges në të cilën ishte ulur ajo e po e vështronte ngultas.

  - Atëherë më jep ti një arsye më bindëse.

S'po dinte ç't'i thoshte. Lëvizi kokën lehtë. Dreqin, a s'mund të dëgjohej në ato momente ndonjë zile telefoni si nëpër filma, që ajo të mund të dilte nga ajo situatë e sikletshme?!

  - Besoj se duhet të jesh i zënë me punë, s'dua të të bezdis.

Bëri të ngrihej nga karrigia e ishte ai që vendosi dorën në belin e saj që ajo të mos ikte. E uli përsëri në karrige.

  - Mos u shqetëso, kam kohë plot.

Rrotulloi sytë e acaruar e më pas e vështroi në sy në mëdyshje. T'ia thoshte? Apo jo?

  - Pse je kaq i interesuar për ta ditur?

  - Pse të mos jem?

  - Pse të jesh?

Ai qeshi lehtë e uli kokën.

  - Thjesht thuaje. Më pëlqen ta dëgjoj prej teje.

  - S'do ta dëgjosh kurrë, - iu përgjigj kryeneçe e ai pas disa sekondash u bë komplet serioz; dukej se po mendohej.

  - Në rregull, zgjedhja jote, tani do bëj unë timen.

U largua prej saj e mori telefonin. Doli prej dhomës që ajo të mos dëgjonte bisedën e tij e pas pak u fut përsëri brenda, tepër i qetë.

  - Çfarë bëre?

  - Do ta marrësh vesh tani.

Zëri i tij i qetë s'i linte përshtypje se duhej të kishte bërë ndonjë gjë të keqe. I ngelej vetëm të priste. E s'kishte pse gënjente; ishte kurioze të dinte se ç'kishte ndërmend të bënte ai.

Dera u hap pas pak e brenda hynë dy persona, që asaj i ngjanë me personat që qëndronin si punë roje jashtë lokalit.

Vështroi Alanin me habi.

  - Ç'ke ndërmend të bësh?

  - Derisa të mos ma thuash vetë arsyen, s'ke për të ardhur më në këtë lokal. Ke lejë të dalësh, - i tha ironik pa ia ndarë vështrimin.

Ishte bërë tym fare. Ai ta nxirrte atë jashtë lokalit të saj të preferuar vetëm e vetëm se donte të dëgjonte një arsye koti?!

  - Alan, do pendohesh për këtë që po bën. Betohem që do pendohesh! S'do shohësh më dritë dielli me sy!

  - Po, s'e sheh? M'u largua gjithë dielli.

  - Kafshë parahistorike! Krimb! Parazit i poshtër! Njeri i kalbur! Myk!

Epo t'i thoshte një personi myk, ishte diçka që ai s'e kishte dëgjuar më parë!
Vendosi dorën përballë fytyrës e po përpiqej të mbante të qeshurën; ajo po që dinte të bënte të forta.

  - Do të të vij në mes të natës në shtëpi! Do të ta këpus kokën si të pulës! Ke për të parë! S'tallem!

  - Nxirreni jashtë, - qenë fjalët e tij të fundit e Kristeni ndodhej pas disa sekondash jashtë lokalit duke turfulluar e duke mallkuar Alanin me çdo gjë që i shkonte në mendje.

Mërmëriti një "ke për të parë" e u nis si ndonjë dem i tërbuar drejt shtëpisë së tij. S'dinte as nga t'ia niste. S'po dinte ç'të sajonte. Ama një gjë e kishte të sigurt; diçka do ta sajonte me patjetër, s'e linte atë të shpëtonte paq.

Hyri si gjithmonë prej dritares e si fillim u ul në krevat që të mendohej.
Donte luftë ai, luftë do kishte.

Shkoi te dhoma e ndenjjes. Kontrolloi nëse çelësi ishte i vendosur te dera e qeshi djallëzisht. Le të bënte ç'të donte, derën s'do ta hapte dot përderisa çelësi ishte i vendosur nga brenda. Ndoshta edhe mund të shkatërronte bravën e kur mendoi atë gjë, filloi të shtynte një komodinë të rëndë, të cilën e vendosi mbas derës.

Nga dera s'hynte dot. I ngelej të hynte vetëm prej dritares. Po ajo me aq s'e linte. Kontrolloi nëpër shtëpi për ndonjë gjë të rrëshqitshme e gjëja e vetme që i hynte në punë ishte gjalpi.

Shkoi te dhoma e tij e doli te dritarja. Leu dy degët e fundit të pemës me gjalpë. Ishte e sigurt që ai do rrëshqiste.

  - Po ra, varja, do ngrihet prapë, - tha me zë të ulët e me nje buzëqeshje prej të çmenduri në fytyrë.

E përsëri s'e la me aq. Shkoi te tualeti e gjeti me mundim tubat e ujit të ngrohtë, të cilat i prishi me një buzëqeshje djallëzore.

Kontrolloi te garderoba e veshjeve e ia fshehu të gjitha veshjet; i futi te raftet e ndryshme që ndodheshin në kuzhinë, vend të cilin mendonte se ai nuk do ta kontrollonte.

Mendoi t'ia prishte dhe sustat e krevatit, po s'donte ta ekzagjëronte, do dukej komplet e çmendur po ta bënte edhe atë gjë.

Pastaj u kujtua për diçka tjetër, gjë që e bëri t'i ndalonte zemra për një fraksion sekondi.

Po ajo s'i dreqin supozohej të dilte prej shtëpisë?

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now