21

1.3K 135 83
                                    

Pas 6 ditësh

Prej shtëpisë së Alanit kishte një ditë që ishte larguar. Ai ishte përmirësuar. Mund të ecte edhe pa paterica, por megjithatë çalonte nga pak.
Atë ditë ai shkonte në punë pas fiks 8 ditësh. E ajo do shkonte te lokali me gjithë qejf, po të mos ishte për të, që u kishte thënë rojeve të lokalit të mos e linin atë të hynte brenda.

As ndonjë budallallëk s'donte t'i bënte. Kjo gjë ndodhi qëkur idiotllëku i saj përfundoi me këmbën e thyer të tij.

Por ndihej e vetmuar. S'dinte ç'të bënte. E si mund ta shtynte ditën pa shkuar tek Alani? Ishte gjë që s'bëhej dot!

U bë gati e u vesh trashë. Jashtë ishte tepër ftohtë. Borë binte akoma dhe rrugët ishin mbushur me një shtresë të trashë. Vendosi një kapuç në kokë që t'i qëndronin veshët ngrohtë, hodhi një pallto të zezë sipër dhe doli jashtë.

Këmbët mezor i lëvizte prej borës. As lëvizje nuk kishte shumë, nuk i zinin sytë shumë njerëz, përveç disave që me shumë mundësi po shkonin në punë.

Duke ecur vuri re Alanin. Ai ngriti njërën vetull kur pa atë.

  - Ç'ndodhi? Kuptove që s'të shtyhet dita pa mua? - pyeti me ironi e ajo tundi njëherë kokën.

  - Si të thuash ti është, po hajde më ndihmo pak këtu se mezor hedh këmbët.

  - Pse dole prej shtëpisë? Tani do qëndroj me merakun se mos të merr era, - vazhdoi të ironizonte teksa i afrohej asaj pranë.

  - Mos u tall me mua! Thjesht s'kisha ç'bëja në shtëpi dhe thashë të dilja njëherë andej nga lokali yt.

  - Besoj se të kujtohet se s'mund të hysh atje pa thënë disa fjalë, apo jo?

  - Po, më kujtohet shumë mirë, por shpresoja se s'do të të kujtohej ty.

  - Gjë e pamundur.

  - A mund të vij te lokali yt të paktën? Më thuaj që tani se po të mos më futësh atje, më mirë të ik prapë në shtëpi, sesa të rri të merrem kot me ty.

  - Jo, nuk të lejoj të hysh. Është dënim për çdo gjë djallëzore që më ke bërë.

  - Mirë! Ika! - i foli e inatosur e bëri gati të kthehej.

  - Kujdes se mos rrëzohesh, - i foli ai me të butë që atje ku ishte.

  - Kujdes se mos thyen këmbën, - ia ktheu ajo duke kërcëllitur dhëmbët prej të ftohtit dhe prej inatit; dy gjërat të cilat vështirë se i kontrollonte dot.

Hyri në shtëpinë e ngrohtë dhe vuri re nga dritarja që ai u largua prej shtëpisë me makinën e tij.
Psherëtiu thellë. Seriozisht që s'dinte ç'të bënte. 

Orët në vazhdim i kaloi kot, pa bërë gjë fare. Rrinte shtrirë dhe shikonte ndonjë film ose merrej me macen, përtonte të lexonte ndonjë libër, s'pëlqente edhe aq të përkushtohej pas ndonjë libri kur e dinte se gjatë librit personazhet do vuanin e do vuanin e në fund edhe mund të vdisnin ose të përfundonin të ndarë.
I kishte ndodhur njëherë ajo gjë. Kishte marrë një libër me gjithë qejf prej biblotekës, lexonte më shumë se njëqind faqe në ditë e kur erdhi fundi, njëri nga personazhet kryesorë vdiq se e shtypi makina, ndërsa personazhi tjetër vrau veten prej dhimbjes.
Dhe vetëm për shkak të atij libri kishte qarë gjithë ditën. Gjë e çuditshme; nuk qau kur u nda me Teon, por qau kur lexoi fundin e hidhur të librit.

Në momentin kur mendoi se edhe darka do t'i kalonte kot më së koti, dëgjoi zilen e telefonit. E afroi telefonin, por atë numër nuk e kishte ruajtur. E hapi në mëdyshje.

  - Po?

  - Kris, jam Teo, - dëgjoi atë nga ana tjetër e telefonit e nga mënyra se si ai po fliste, mendoi se mos ndoshta ishte jashtë duke ecur.

  - Pse më telefonove?

  - Dua të bisedojmë. Mund të takohemi? Nëse ke mundësi, sigurisht.

  - Për çfarë të flasim?

  - S'i them dot në telefon. Je e lirë tani?

  - Po, jam.

  - Në rregull, po të pres te vendi ku takoheshim më parë.

Mbylli telefonin e mori frymë thellë. Do shkonte atje, të paktën të shtynte pak kohën me Teon, le të thoshte ç'të donte ai.

Doli nga shtëpia dhe pasi e vendosi mirë kapuçin, filloi të ecte me hapa të ngadaltë. Ishte errësirë. Dritë vinte vetëm prej disa shtëpive që ishin pak larg e zhurma nuk dëgjoheshin fare, ishte shumë qetësi.

"Edhe për disa minuta dhe Alani mbaron punë" - mendoi teksa ecte.
Kishte në plan të shkonte te shtëpia e tij kur të mbaronte bisedën me Teon.

Arriti te parku ku më parë takoheshin gjithmonë dhe pa atë që qëndronte me shpinë kthyer e me duart në xhepa.
Iu afrua pranë.

  - Erdha unë, - i foli kur ishte pranë tij.
Ai buzëqeshi.

  - Atëherë besoj se tani mund të bisedojmë.

  - Po, sigurisht, por para se të flasësh ti, do them unë disa fjalë.

Teo i bëri me shenjë të vazhdonte e ajo para se të fliste bëri një frymëmarrje të thellë.

  - Thuaj ç'të duash, por mos e përmend të shkuarën.

Për disa sekonda ai s'foli. Ishte heshtje absolute. Më pas vendosi buzën në gaz.

  - Pse?

  - Shiko, e di që ti u ndave prej meje edhe pse më doje, por tani çdo gjë ka mbaruar. Edhe nëse ti vazhdon të kesh ndjenja për mua, unë s'ndiej gjë për ty Teo. Ajo bisedë për mua është mbyllur vite më parë. E për më tepër çfarë do ndryshojë? Më parë u ndave se kuptove se isha motra e Leos. Po tani që e di? Do që të kesh një lidhje tjetër me mua?

  - E di që gabova, por s'doja të thyeja besimin e Leos. Kishim bërë një betim. Askush nga ne të tre nuk do shkonte me motrën e ndokujt prej grupit ose me ndonjë kushërirë të tyren. Ai ishte i vetmi që kishte motër.

  - Po tani, tani nuk vlen ai betim?

  - E mësova tepër vonë që betimet nuk duhet të ndërhyjnë në dashuri.

  - Nuk mund të funksionojë më Teo.

Ai bëri një hap tjetër përballë saj dhe vendosi duart e tij të ngrohta në faqet e saj duke i dhënë një vështrim të butë.

  - As po të përpiqemi?

Mbylli sytë lehtë. E pranonte, e kishte të vështirë t'ia thyente shpresat, kishte qenë më e vështirë seç e kishte menduar.

Para se të mund të thoshte ndonjë fjalë e të mund të hapte sytë, ndjeu një frymë të ngrohtë pranë vetes e buzët e tij teksa e puthnin ëmbëlsisht. E urrente ta pranonte, por e kishte marrë malli për të. Por kishte diçka që e pengonte. Ajo thjesht sa kishte mall për kohën që kishte kaluar me Teon, jo se donte të përjetonte të njëjtën gjë si më parë. Tashmë s'e donte më, ndihej e sigurt për ndjenjat që kishte për Alanin.

U largua ngadalë prej tij.

  - Teo, të lutem, mos bëj gjëra me të cilat do lëndosh veten. Ti e di se unë...

  - Se ti do Alanin? - pyeti duke e ndërprerë e ajo s'iu përgjigj. - Duhej ta kisha marrë me mend. Afrimiteti juaj s'kishte si të shpjegohej ndryshe.

Kur ai s'foli më, ajo pëshpëriti një "besoj se është më mirë të largohem" e bëri një hap mbrapa duke u kthyer, por menjëherë iu duk se ngriu në vend.

S'mund të ishte e mundur. Alani i kishte dëgjuar të gjitha, ndodhej pranë tyre...

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now