20

1.3K 140 172
                                    

- Çfarë loje do të luajmë atëherë? - e ndërpreu nga mendimet Leo.

  - Mm... Titullohet "Jam". Secili prej nesh do thotë me radhë "jam" dhe ai që prish radhën ose qesh, do të marrë prej të tjerëve mbiemra ose gjëra të çfarëdoshme mbrapa asaj "jam". Për shembull, - tha ajo duke parë drejt e në sy Alanin, - "jam një njeri i mërzitshëm që s'di të bëjë gjë tjetër veçse të flasi kot". Por fjalët do shtohen gradualisht. Në fillim mund të shtosh një ose dy fjalë, pastaj fjalë të tjera sipas dëshirës duhet të shtosh kur ai person të qeshi prapë. Në rregull?

Ata pohuan me kokë. Loja iu duk të gjithëve interesante.

  - Mirë atëherë, do ta nis unë. Jam, - tha Krisi.

Pas saj vinte Alani, më pas Leo dhe në fund fare Teo.

Të tre po thoshin me radhë "jam" e nga fytyrat e tyre serioze asaj iu qesh.

  - Prit tani se do të të gjejmë një gjë të bukur Kris, që ta mbash mend për gjithë jetën, - tha Alani plot djallëzi.

Ata u bashkuan kokë më kokë e po bisedonin me zë të ulët. Alani lëvizi menjëherë kur në mendje i erdhi një fjalë.

  - Do thuash "jam një fokë e dhjamosur"!

  - Tallesh me mua ti apo çfarë? - e pyeti ajo serioze.

  - Jo, s'tallem, vazhdo tani. Filloje lojën.

Mori frymë e inatosur.

  - Jam një fokë e dhjamosur, - tha duke kryqëzuar krahët.

  - Jam, - qe fjala e vetme që tha Alani duke u munduar të mbante të qeshurën.

  - Jam, - tha Leo në pikën e seriozitetit. S'ia mbante të qeshte.

  - Jam, - foli Teo, që ishte gati të dorëzohej.

  - Jam një fokë e dhjamosur.

Aty s'duroi dot Alani. Ja dha një të qeshure të fortë e pastaj tij qeshi edhe Teo, por dihej që Alani do ta hante dënimin, fundja fundit ishte ai që qeshi i pari.

E ajo qeshi djallëzisht.

  - Do thuash "jam një buallicë fatkeqe".

  - Po këtë nga e gjete?! - tha ai duke u kthyer komplet serioz. -  Fjala ''buallicë" është femërore. Të paktën të them "buall fatkeq".

  - Jo, buallicë dhe pikë.

  - Vazhdo Alan, vazhdo, - qeshi Teo e Alani e vështroi vëngër.

  - Do ta shohësh, do të të vijë edhe ty radha.

  - Jam një fokë e dhjamosur, - nisi lojën Krisi.

  - Jam një buallicë fatkeqe, - vazhdoi Alani i inatosur.

E sapo u bë gati të fliste Leo, Teo filloi të qeshte. Nuk mund ta mbante dot të qeshurën, ishte aq gallatë kur dëgjoje se si ata të dy i thoshin ato fjalë të inatosur.

  - Teo, do thuash "jam një plesht beqar", - foli shpejt e shpejt Alani kur Krisi sapo ishte bërë gati të fliste.

  - Bravo Alan! - tha ajo duke qeshur. - Shumë mirë e gjete.

  - Aman edhe ju. Po beqarë jemi të katërt, - tha ai duke bërë një fytyrë të mërzitur.

  - S'ka ndërrime. "Plesht beqar" do qëndrojë, s'ndërrohet.

Pas disa sekondash nisën përsëri lojën. E ajo që qeshi këtë radhë ishte Krisi.

  - Ohuu, po mua më qeshet, - tha ajo e mërzitur. - Të paktën mos më shtoni ndonjë gjë si kjo e fokës.

Ata të tre po mendoheshin. Ikën pak më larg Krisit, se s'donin që ajo t'i dëgjonte e pas dy-tre minutash u kthyen duke mbajtur të qeshurën.

  - Do thuash "Jam një fokë e dhjamosur dhe e mjerë që ka ngelur pa burrë", - foli kësaj here Teo.

  - Kush dreqin e gjeti këtë fjali? - pyeti ajo duke kryqëzuar krahët e inatosur.

  - Punuam në grup, - tha Leo si gjithmonë duke qeshur, - të gjithë dhamë mendimin tonë.

  - Mirë, do ta shihni ju poshtërsira. Jam një fokë e dhjamosur dhe e mjerë që ka ngelur pa burrë.

  - Jam një buallicë... - aty ndaloi duke u përpjekur të mos qeshte. - Fatkeqe, - vazhdoi fjalinë me vështirësi.

  - Jam.

  - Jam një plesht beqar.

Në ato momente Alani shpërtheu në të qeshura. Vendosi njërën dorë në stomak e po qeshte me të madhe. Bashkë me të po qeshte edhe Teo dhe vëllai i saj "i zgjuar".

  - Po tani? Ç'do t'i themi Alanit? - pyeti Teo duke u qetësuar e duke parë Krisin e kjo e fundit kishte kohë që po mendohej, por prapë s'po gjente ndonjë gjë të bukur.

  - S'e di, - tha duke psherëtirë. - S'po më vjen ndonjë gjë në mendje.

  - Buallicë fatkeqe... - foli Leo me ngadalë e duke u menduar, pa parë fare që Alani po e vështronte shtrembër kur ai tha ato fjalë.

  - Buallicë fatkeqe e mbushur plot me pleshta!

  - Avash pak avash, - ishte Teo që foli, - se më duket se mua ma vendosët "plesht beqar", duket sikur i rri ngjitur Alanit!

  - Lëre tani se është gjë e bukur kjo o Teo. Hajde vazhdojmë lojën.

  - Lëre fare, unë nuk luaj, - tha Alani duke bërë një shenjë me dorë e duke u ngritur me ngadalë nga divani. - Më mirë sesa të them që jam një buallicë fatkeqe e mbushur me pleshta.

  - Epo po të mos luash ti, nuk do luaj as unë, - u dëgjua zëri i Krisit pas tij.

Nga shtëpia e Alanit ata të dy u larguan vonë, andej nga ora njëmbëdhjetë e Alani me Krisin ngelën përsëri vetëm.

  - Ishin gallatë lojërat, - tha ai duke qeshur. - S'mendoja se do qeshja aq shumë.

  - E bukur ishte , po fjalët që më vendosët mua ishin për të vjellë fare.

  - Po pse, ç'të keqe ka këtu "fokë e dhjamosur dhe e mjerë"?

  - Nuk jam fokë dhe sidomos e dhjamosur!  "Fokë e dhjamosur dhe e mjerë që ka ngelur pa burrë". Posi! Dhe mos kujto se shpëtove! Nesër, pasi të jem ngopur sot me gjumë, do diskutojmë sërish!

U ngrit nga divani dhe i drejtoi gishtin tregues në mënyrë kërcënuese e ai buzëqeshi lehtë.

-Në rregull, bëj ç'të duash.

  - Sigurisht që do bëj ç'të dua. S'ke të drejtë që të më...

  - E di çfarë? - pyeti ai duke e ndërprerë atë dhe duke u ngritur me ndihmën e patericave që kishte aty pranë.

E vështroi atë në një mënyrë të tillë, që asaj ju duk disi e çuditshme.

  - S'ka lidhje me këtë që po thoshim tani. Mendoj se të detyrohem një falenderim.

  - Për çfarë?

E vështroi konfuze. E ç'mund të kishte bërë ajo aq sa ai ta falenderonte?

Alani bëri një hap përballë saj duke i qëndruar më afër.

  - Për atë hakmarrjen tënde në përgjithësi. S'besoja se ajo loja jote do më bënte të përjetoja këto momente. Faleminderit, - qenë fjalët e tij që në fund u shoqëruan me një puthje të lehtë në faqen e saj e më pas ai u largua duke qeshur prej reagimit të saj.

Mos ndoshta sapo e kishte falenderuar? Prit, ç'po mendonte ashtu!
Mos ndoshta sapo e kishte puthur?!

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now