13

1.5K 140 135
                                    

Ai nënqeshi pak e mohoi lehtë me kokë.

  - Thjesht nuk besoj që ju të dy të keni qenë të lidhur dikur. Është pak e pabesueshme.

Teo s'hapte gojë hiç. E në ato momente u lehtësua pa masë kur trokitën në derë e Kristeni shkoi ta hapte atë. Brenda u futën Leo dhe Dani.

  - E mora dhe Danin, mendoj se do jetë bukur, - i tha i vëllai dhe i shkeli asaj syrin, më pas iku e u fut në dhomë ku u takua përmallueshëm me Teon.

  - Kush ka ardhur? - pyeti shoqja e saj e ngushtë duke ngritur pak këmbët që të vështronte qartë brenda në dhomë. - Kush është ai djali?

  - Është Teo, e di ti, - iu përgjigj ajo dhe bëri një shenjë të tillë si të donte t'i sillte ndërmend kujtimet e së shkuarës.

Dani bëri një "aha" e s'i tha gjë tjetër. Hynë të dyja në dhomë e u ulën në kolltukët e rehatshëm; Kristeni pranë Alanit, Dani pranë Leos, Teo vetë, ndërsa macja vinte sa andej - këndej në përpjekje për të gjetur ndonjë vend të butë, në të cilën mund të qëndronte rehat.
Në fund fare përfundoi në prehërin e Krisit e ajo si gjithmonë filloi ta përkëdhelte.

  - Si e ka emrin?

Ngriti kokën e vështroi Teon. Iu duk sikur ai donte të hapte ndonjë bisedë të re.

  - S'ka ndonjë emër në fakt, por kam menduar disa. Ndër ata emra, vetëm njëri më duket më mirë se të tjerët. Po mos qeshni kur t'jua them.

Vështroi të tjerët gjasmë duke bërë panik e Alani qeshi lehtë.

  - Prit njëherë prit, se dua të mendoj për ndonjë emër që mund ta kesh menduar dhe ti.

Ajo kryqëzoi duart në kraharor duke e lënë macen të pakënaqur - kjo e fundit sapo mjaulliu prej mërzitjes e iku prej Krisit - dhe vështroi Alanin duke buzëqeshur.

  - Pa hë njëherë, të shohim çfarë emrash do thuash.

  - Mos më thuaj që do t'ia vendosesh emrin aspirina ngaqë është e bardhë?

  - Ik mor andej, kam menduar për një emër më modern, - iu përgjigj duke qeshur  e lëvizi kokën sa para e mbrapa.

  - Mirë mirë... Mos ndoshta pambuk sheqeri?

  - Jo.

  - Alaska?

  - Dreqin! Këto nuk janë as emra macesh! Nga i gjen këto, për hir të Zotit?!

  - Po di unë, ti na i thua të tilla gjëra.

Të pranishmit në dhomë qeshën, edhe ajo gjithashtu.

  - Në rregull në rregull, dorëzohem, ma thuaj emrin tani.

  - Mirë, po mos qeshni ju të tjerët...

  - Nuk qeshim jo. Thuaje emrin tani.

  - Simba...

Alani vendosi njërën dorë para fytyrës e uli kokën duke u përpjekur të mos e shfaqte edhe aq faktin që ishte duke qeshur, por të tjerët s'u treguan edhe aq të kujdesshëm. Ia plasën të gjithë një të qeshure e po shikonin Kristenin, që qëndronte serioze si në ndonjë varrim.

  - E çfarë ka këtu për t'u zgërdhirë?

  - Po vendosja Pumba më mirë!

  - Qesh ti qesh. Njëherë të theva këmbën, herën tjetër do sigurohem të të lë pa dhëmbë.

Edhe njëherë tjetër u dëgjuan të qeshura, por Alani aty u bë serioz. Dukej që s'i pëlqeu edhe aq shumë ideja e dhëmbëve...

- Kris, seriozisht moj?! Ti e rrëzove te shkallët e tualetit?!

  - Po ku ma gjen të më kishte rrëzuar atje! U fiksua të më hidhte prej pemës! - u përgjigj Alani i shkretë e fjalët e tij u pasuan me disa të qeshura të tjera.

  - Po pse? Ç'ndodhi? Pse të rrëzoi? - pyeti këtë radhë Teo, i cili kishte filluar të ambientohej me personat në dhomë e të ndihej më i lirshëm, paçka se e mundonte nga pak mendimi rreth Kristenit.

  - Bëhet një pyetje e tillë për dikë që vuan nga mendja?

Ishte aq serioz në ato që thoshte, sa Krisi nuk donte gjë tjetër vetëm se ta hapte një herë krahun mirë e t'i thyente ndonjë kockë tjetër.

  - Mos e dëgjoni, se kështu bën si i mirë ky po vetëm unë e di se ç'mendje të keqe ka.

  - Ti thua kështu? Ti, prej së cilës ndonjë ditë pres që të më dalësh te dera e shtëpisë me thika nëpër duar?

  - Je pak i marrë. Vërtet mendon se kam nevojë për thika kur shumë lehtë mund të mbyll çdo punë me një sëpatë?

  - Kam sëpatë në shtëpi unë? - tha ai me zë të ulët si të donte të fliste me veten, por që të tjerët i kishin bërë veshët pipëz për ta dëgjuar. - S'kam, shyqyr Zotit.

  - Jeni shumë gallatë, betohem, - tha pa djallëzi Teo e u buzëqeshi miqësisht.

Për disa momente s'po flisnin. Pas gjithë atyre të qeshurave, në dhomë ra një qetësi, që në një lloj mënyre ishte pak a shumë e sikletshme për të gjithë ata.

Papritur Leo qeshi prapë.

  - Çuna, e mbani mend budallallëkun që i bëmë mësuesit të kimisë?

  - Normal që po.

  - Dihet ajo punë, - qe përgjigjia e Teos disa minisekonda pas fjalëve të Alanit.

  - Bëmë qejf atë ditë ama.

  - Po, përveç faktit që të nesërmen na çuan në drejtori, - tha Alani mendueshëm e dukej shumë qartë që s'ishte penduar fare për ato që kishte bërë së bashku me shokët e tij.

  - Të gjithë na thoshin "tre idiotët". Ju kujtohet?

Alani dhe Leo pohuan të dy me kokë duke qeshur.

  - Ashtu na njihnin të gjithë.

  - Po na tregoni ndonjë gjë neve, duket që ia paskeni kaluar bukur, - iu tha Dani e ata miratuan të tre.

  - Fillo ti Leo. Në fund fare dua që të jetë Alani. Ëmbëlsira për në fund.

  - Kjo motra jote më ngacmon shumë mua. Foli ndonjëherë.

  - Ti kujton se ajo merr vesh?

  - Kafshë, mos fol keq për mua!

  - Mund t'i lini zënkat?

  - Në rregull , në rregull, nuk do flas më! - u përgjigj menjëherë Kristeni, e sigurt se këto fjalë i drejtoheshin më tepër asaj.

Dhe më pas ata të tre filluan të tregonin me radhë budallallëqet që kishin bërë në shkollë...

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now