29

1.2K 137 41
                                    

-Prindërit e tu kanë ikur, apo jo? - pyeti duke ndaluar e duke parë atë.

  - Po, ikën pak minuta më parë. Nuk ka njeri, mos u shqetëso.
E takove kushërirën tënde ti? - foli ai teksa u futën në shtëpi e u rehatuan në një kolltuk së bashku.

Ajo ia vendosi kokën në kraharor e ai e mbështolli me krahët e tij. Ishte duke ndier një qetësi aq të madhe shpirtërore, sa betohej se s'ia kishte ënda fare të fliste për Elën e për çdokënd tjetër. Por filloi të fliste, ndoshta ndihej më lirshëm po të diskutonte me Alanin për të.

  - E takova, megjithëse do ishte më mirë po të mos e kisha bërë. Është kaq acaruese, më vjen ta mbys! Gjëja e keqe është që ajo e di për lidhjen time me Teon.

Alani s'i tha gjë. Donte ta linte Krisin të vazhdonte e të fliste e qetë.

  - Isha e lidhur me Teon në kohën kur ajo po i vardisej atij. Ai i tha që kishte të dashur, por se kë, nuk ia tregoi. Pastaj pas disa ditësh na kishte parë duke u përqafuar, por nuk i tregoi njeriu, thjesht sa donte të më acaronte mua. Madje edhe sot më pyeti për Teon.

  - Çfarë të tha?

  - Nëse e kisha të dashur atë apo jo.

  - E për çfarë po flisnit më parë? Nuk mund të keni përfunduar menjëherë në temë të tillë.

Ajo qeshi njëherë duke zbardhur dhëmbët e bashkoi duart si ndonjë fëmijë duke mos folur.

  - Është gjë që s'tregohet. Sekret. Ti e di që unë nuk flas asnjëherë rreth sekreteve.

  - Edhe me mua? Sa sekrete më fsheh? - pyeti per ta ngacmuar e iu afrua pranë, duke i qëndruar në një largësi jo më të madhe se pesë centimetra.

  - Përveç këtij, asnjë tjetër, - iu përgjigj duke e vështruar atë drejt e në sy e duke u përpjekur që të mos ndikohej prej afërsisë që kishte me të.

  - S'kam zgjedhje tjetër veçse të të besoj.

  - S'ke arsye të mos më besosh.

Ai qeshi lehtë. E dinte që ajo s'do linte rast pa i kthyer ndonjë përgjigje me spec.

E puthi njëherë lehtë në buzë e më pas e përqafoi përsëri. I pëlqente të shpenzonte kohë me të, edhe po të detyrohej të linte pas punën. Madje s'është se i interesonte shumë puna kur bëhej fjalë për të. I linte të gjitha ç'kishte nëse ajo i thoshte se donte të qëndronte me të për pak kohë. Nuk ishte nga ata persona, prioriteti kryesor i të cilëve qe puna. E dinte se nëse i kushtonte më tepër kohë dhe përkushtim punës sesa asaj, marrëdhënia e tyre do shkonte drejt fundit. Kishte mësuar t'iu përkushtohej më shumë gjërave që donte zemra, edhe nëse truri s'ishte në të njëjtin mendim.

  - Duhet të sigurohesh që Ela s'do flasë, Kris, përndryshe do të jetë keq për Teon. Ti e di, nëse Leo e merr vesh, ku i dihet se ç'mund të bëjë me të.

  - Le ta dëgjojë, s'ka arsye se pse të sillet keq me Teon. Ai s'ka patur faj. Le ta shohin situatën nga pikëpamja që e shoh edhe unë. Asgjë e keqe s'më gjeti gjatë kohës që qëndrova e lidhur me Teon. Madje ishte tepër i lezetshëm në ato që bënte. Më bënte të ndihesha mirë.

Hodhi shikimin nga Alani e vetëm nga shprehja e tij e fytyrës e kuptoi se ajo temë atij s'po i pëlqente aspak, prandaj nxitoi të fliste përsëri, s'donte që ai të mërzitej.

  - Dua të them, atëherë ashtu më dukej. Në fakt edhe tani ashtu është... Pra... , s'do dal gjëkundi kështu! Sa më acarojnë këto momente!

Ai qeshi me gjithë zemër kur dëgjoi atë shpërthimin e saj të menjëhershëm. Bëhej tepër e lezetshme ndonjëherë kur edhe vetë ngatërrohej me ato që donte të thoshte.

  - Nejse. E di çfarë? Më erdhi diçka në mendje! - foli e entuziasmuar dhe vështroi me sytë që i shkëlqenin Alanin.

  - Çfarë? - e pyeti ai duke i buzëqeshur ëmbël.

  - Si thua sikur të bëjmë ndonjë feste nesër? Jo tamam festë në fakt. Të mblidhemi ne të pestë; unë, ti, Leo, Dani dhe Teo te lokali yt. Ta mbyllësh lokalin andej nga ora nëntë e darkës e ne të mund të qëndrojmë rehat. Të bëjmë ndonjë gjë. Të jemi të gjithë bashkë. Të jetë edhe si punë mirëseardhjeje për Teon pas atyre gjërave që ndodhën. Si thua?

Ai u mendua një hop e më pas pohoi me kokë. I pëlqente si ide. Do ishte ribashkim. E dinte se Teos i kishte thënë të largohej, por edhe vetë i vinte keq nëse ai ikte. S'mund të harronte gjithë atë miqësi vetëm për shkak të një keqkuptimi.

  - Shumë mirë atëherë. Besoj se do t'ia kalojmë bukur, - tha e gëzuar dhe e përqafoi atë fort pa folur më rreth asaj teme. -E di çfarë? Mua më flihet, - foli pas disa sekondash.

  - Por është pothuajse mesditë. Ke gjumë që tani? - pyeti duke qeshur.

  - E ke vënë re që të flihet shumë në stinën e dimrit dhe sidomos kur ka ndonjë zjarr në dhomë? Se mua çdo herë kështu më bëhet.

  - Prandaj dhe meriton të quhesh një arush që bën gjumin e saj letargjik.

  - Pak a shumë, - foli mendueshëm. - Po ty të flihet?

  - Jo.

  - Do flesh bashkë me mua?

  - Ndoshta.

  - Dhe pse jo "po", por "ndoshta"?

  - Në rregull, në rregull, do fle me ty, e di që s'do të të zerë gjumi pa arritur atë që dëshiron.

Ajo qeshi e lumtur. I pëlqente kur të tjerët pranonin të bënin diçka që edhe ajo donte ta bënte. Sidomos me Alanin. Madje edhe sikur të mos kishte gjumë, kastile do qëndronte me të e do përpiqej të flinte, edhe sikur të mos e zinte gjumi.
Fundja, a s'është kjo gjëja e bukur, kur ti mundohesh të flesh, por s'të zë gjumi e ndërkohë falenderon Zotin për personin që të ka falur në krah?

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now