32

1.1K 136 64
                                    

Kur u zgjua, i dukej sikur ishte në një botë tjetër. S'i kujtohej gjë fare, sado që mund të përpiqej e të përpiqej për të kujtuar ndonjë moment. Një dhimbje therëse e shpuese po e bënte që t'i dukej sikur koka gati do t'i pëlciste. Ta dinte që të dehej do ishte aq keq, s'do ishte dehur kurrë.

Vendosi dy duart në fytyrë e psherëtiu thellë. Direkt u ngrit për të kërkuar ndonjë ilaç kundër asaj dhimbjeje. E atë gjë e kishte pak të vështirë për ta gjetur, se as Alani s'ishte atje për ta ndihmuar.

I mori disa minuta kohë për të gjetur ilaç të tillë. E kapërceu pa ujë, s'e kishte problem fare edhe po të mos e përdorte ujin për atë punë.

Më vonë, kur kaloi rreth një gjysmë ore, shkoi te dhoma e ndenjies, ku gjeti ata të tre; Leon, Danin dhe Teon. Ishin ulur të tre nëpër kolltukë e s'dukeshin aspak në terezi. Sidomos Leo dhe Teo.

U ul në kolltukun pranë Teos dhe mori frymë thellë.

  - Po Alani s'është këtu?

  - Jo, - iu përgjigj Teo duke e vështruar, - kur u zgjova, ishte bërë gati për të ikur në punë.

  - Aha. Tha ndonjë gjë për mbrëmë?

  - Përveç faktit që bënim gjëra jo normale, s'shtoi gjë tjetër.

Ai qeshi lehtë, si të donte të dinte se ç'kishte bërë.
E ajo s'kishte pse gënjente, ishte kurioze si dreqi të dinte se ç'kishte bërë kur ishte dehur.

Për gjë tjetër s'pyeti. Filluan të flisnin për gjëra të tjera, derisa ata të tre vendosën të iknin nëpër shtëpi.

Ngeli vetëm.

Dy gjëra krejt të skajshme mund të ndodhnin kur kuptoje se kishe qenë i dehur tapë; o do mallkoje veten për shkak të budallallëqeve që kishe bërë, o do qeshje kur të thoshin se ç'kishe folur e vepruar, gjë që në shumicën e rasteve ishte tepër turpëruese. S'dihej se cila ishte më e keqja.

E ajo s'dinte se sipas cilës të shkonte. S'ia kishte as idenë më të vogël se ç'kishte ndodhur, përveçse kujtonte si në të turbullt disa yje.
A thua kishin dalë për të vështruar qiellin mbrëmjen e kaluar?
S'e dinte. Do pyeste Alanin kur të kthehej. E duke qenë se kur u zgjua ora ishte një, ndërsa kur ata të tre ikën ishte dy, atëherë jo shumë orë e ndanin nga të takuarit Alanin.

Gjatë kohës që po e priste, nuk bëri gjë tjetër veçse qëndroi shtrirë, ose duke parë televizor, ose duke ndenjur pa bërë gjë fare.

Kur Alani erdhi, për pak sa do ta zinte gjumi. U ngrit menjëherë duke fërkuar sytë, si të donte të largonte gjumin. Vështroi Alanin që po i afrohej e buzëqeshi lehtë, por kur vështroi sytë e tij të përgjumur e tepër të lodhur, një ndjenjë shqetësimi e kaploi.

  - Çfarë ka ndodhur? Je lodhur shumë në punë? - pyeti atë teksa ia vendosi duart në fytyrë, si të merrte një pamje më të qartë të fytyrës së tij.

  - Mos u shqetëso, - i foli ai duke i dhuruar një qeshje të ëmbël e më pas e përqafoi. - Nuk munda të flija dot gjatë natës, kjo është e gjitha.

  - Pse s'munde të flije? - bëri atë pyetje, përgjigjia e së cilës ishte tepër shqetësuese për Alanin.

  - Ke kohë të bisedojmë pak?

Nga shprehja e tij e fytyrës mund të thoshte fare qartë që ai kishte diçka të rëndësishme për të thënë.
Pohoi me kokë. Kohë kishte plot. Gjithmonë kishte pasur.

U ulën bashkë në kolltuk.

  - Për çfarë do flasim? - pyeti si mbi gjemba Krisi e u mundua të qetësohej pas një frymëmarrjeje të gjatë.

  - Çfarë ndjenjash ke për Teon?

Ajo pyetje e futi në mendime të pakënaqshme e në një situatë të sikletshme.

  - Unë... S'e di.

Ato ishin fjalët më të sinqerta që mund të thoshte për atë temë. E dinte që Teon s'mund ta donte ashtu si Alanin, por prapë nuk e dinte se ç'ndiente në të vërtetë kundrejt tij.

  - Shiko, - i foli Alani me të butë e vendosi duart në faqet e saj duke i qëndruar afër, - nuk dua të dukem sikur unë jam duke të të detyruar të qëndrosh me mua. Nëse s'je e sigurt për ato që ndien, atëherë bën mirë të qëndrosh për pak kohë vetëm.

Iu duk sikur pas asaj "vetëm" mund të vinte ndarja e filloi të mos ndihej mirë.

  - Jo, s'kam nevojë të qëndroj vetëm. Nuk e dua Teon, të dua ty.

Ai i buzëqeshi dhimbshëm.

  - E di? Me këto fjalë ti do më shumë të bindësh veten sesa mua. Ke vërtet nevojë të mendohesh. Dhe mos u shqetëso, nuk po them të ndahemi. Thjesht po të le pak kohë për të vendosur. Por nëse për ty është më mirë që më vonë secili të shohë rrugën e vet, atëherë s'ka gjë, do ta pranoj.

Aq shumë e kishte lënduar me ato që kishte thënë mbrëmjen e kaluar? Aq shumë e kishte tepruar?

  - S'dua të ndahemi, - foli gati në të qarë e mbylli sytë për të ndier akoma më tepër kontaktin e dorës së tij me fytyrën e saj.

  - Në rregull Kris, por ke nevojë të mendohesh.

Ai vazhdonte t'i fliste në të njëjtën mënyrë si më parë, aq butë, sa butësia e tij po e bënte për të qarë.

  - Mos u mërzit, në rregull? Unë këtu do jem, do të të pres, sado që mund të vonohesh.

E përqafoi fort Alanin, si të mos donte ta lëshonte. E donte atë person, e donte shumë. E donte për mirëkuptimin që tregonte, për çdo gjë.

  - Në rregull, por të lutem, mos mendo se nuk të dua.

  - Mos i mendo fare ato fjalë, - ia ktheu me të qeshur e ajo u ngrit duke fshirë lotët që kishin filluar t'i dilnin prej syve në atë moment.

  - Hej, mos qaj. Nuk e bëra gjithë këtë që të qash.

E përqafoi edhe njëherë Krisin i mërzitur. S'donte ta linte të ikte, por e dinte që duhej.

  - Pastaj, unë të premtova, apo jo? Nëse ti s'do të ikësh, atëherë do të të qëndroj gjithmonë pranë.

Buzëqeshi e lëvizi prej krahëve të tij, ndonëse do të donte të mos largohej kurrë. E puthi njëherë si të mos e kishte puthur për një kohë të gjatë e pasi i pëshpëriti se e donte, doli me hap të shpejtë prej shtëpisë.  E dinte që nëse nuk largohej në ato momente, atëherë s'do të largohej asnjëherë.

Mbylli derën e shtëpisë së tij e mori frymë thellë duke parë yjet.
S'duhej të shqetësohej, apo jo? Ai i kishte premtuar. Do të ishin gjithmonë bashkë.

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now