31

1.2K 140 105
                                    

Nuk e dinin se sa kohë kishte kaluar që kur Ela kishte ikur e ata vazhdonin të festonin. Por e dinin mirë që e kishin kaluar mesnatën. Dhe përveç Alanit, të gjithë të tjerët ishin dehur e ishin bërë tapë.
Alanit s'ia kishte qejfi të dehej, s'donte që më pas kur të zgjohej të vuante pasojat e asaj dehjeje. Njëherë i kishte rastisur të bëhej tapë fare e kur ishte zgjuar, ishte zgjuar me një dhimbje tmerrësisht të madhe në kokë e me stomakun që i dhimbte jo më pak se koka.

Të shikonte gjendjen në të cilën ata ishin katandisur, ishte gjëja më qesharake që kishte hasur ndonjëherë e që i pëlqente ta shikonte edhe herë të tjera po t'i jepej mundësia.

Ç'ishin duke bërë ishte pyetja?
Po ja, si fillim ta niste nga Krisi, që ishte ulur në pllakat e lokalit, kishte palosur pallton duke e bërë si ndonjë jastëk e ishte shtrirë atje, duke pretenduar se ishte duke parë yjet, ndonëse ato që mund të shihte, mund të ishin vetëm disa xixa që i shkaktoheshin prej pijes. Bënte me gisht si më tym e u thoshte atyre se yjet kishin formuar një shkronjë "K", si shkronja e parë e emrit të saj e pastaj, kur nuk shikonte ndonjë "A" afër "K"- së, fillonte të qante dhe mbulonte fytyrën me duar duke u mbytur në ngashërima. Pastaj në minutën tjetër fillonte qeshte, sikur asgjë të mos kishte ndodhur dhe tregonte gjëra pa pikë kuptimi, përdorte fjalë që s'ekzistonin fare e qeshte me ato që thoshte.

Ishte Dani, atë në fakt e kishte këputur gjumi fare. Në vend që të vendoste kokën në prehërin e Leos (të pestë ishin ulur poshtë në pllaka), atje kishte vendosur këmbët e kokën e kishte në pllaka.

Pastaj Leo me Teon, ata po që e kishin në terezi. Teo kishte marrë të hante ca fruta. Kishte qëruar disa mandarina dhe ç'bënte? Farat që kishin mandarinat, i hiqte plot përtesë e i hidhte me kujdes në kokën e Leos, si të ishte gjëja më me kuptim që mund të bëhej në Tokë.
Dhe Leo ndërkohë po mallkonte Teon me durim për çdo farë që i binte në kokë dhe rënkonte i pashpresë e i dëshpëruar në kulm.

Qeshte me gjithë zemër kur i shikonte në atë gjendje aq të mjerueshme. Më mirë që s'ishte dehur. Sikur i shijonin më shumë ato ngjarjet që po i shikonte në ato momente duke qenë esëll.

- Si dreqin do t'i çoj në shtëpi që të katërt?... - mërmëriti me zë të ulët duke u ngritur nga karrigia e duke i parë ata me radhë.

Do t'i merrte një nga një në makinë, zgjedhje tjetër s'kishte. Mori si fillim Danin në krahë, e kishte më të thjeshtë ngaqë ajo po flinte.
Më pas mori Leon. Dorën e tij e vendosi te beli i Leos, që ai të mos binte e dorën e Leos e vendosi te supi i tij. Të njëjtën gjë bëri edhe me Teon. Por iu duk sikur iu mor shpirti, aq shumë u lodh. Ata të dy as që pranonin të ecnin. Sidomos Teo njëherë. Ishte gati të lëshohej e nëse Alani s'do ta mbante, do të binte direkt në tokë. Qeshte kot, pa lidhje. Seç fliste gjëra të kota, që s'përbënin pikën e kuptimit.

E futi edhe atë në makinë e i vështroi të tre me radhë.
Ata të dy qëndronin me sytë gati në të perënduar, fillonin flisnin bashkë me zë të ulët.Njëri-tjetrin s'e kuptonin, përgjigjeshin kot, pa lidhje.

Shkoi prapë në lokal për të marrë Krisin. Ajo kishte kryqëzuar këmbët ashtu e shtrirë siç ishte dhe vështronte tavanin.
Mos vallë mendonte akoma se po shikonte yjet?
U ul pranë saj ngadalë.

- Kris, do ikim tani. Eja.

U bë gati ta merrte në krahë, por ajo s'e lejoi.

- Jo! Dua të shoh yjet. Qenka bukur kështu.

- Kris, nuk ka yje këtu, është thjesht tavani, - i tha ai duke qeshur e ajo mohoi e trishtuar.

- Ka, por s'i sheh ti. Eja ulu pranë meje. Mundohu t'i shohësh.

S'kundërshtoi. U shtri pranë saj pa bërë zë e ajo i kapi dorën ngadalë.

- Tani mbyllli sytë. Të paktën përfytyroji ata. Janë të bukur, apo jo?

- Janë, vërtet.

- Më pëlqejnë shumë. Më bëjnë të mendoj për gjithcka, më vijnë pyetje vetvetiu.

- Si për shembull? Për çfarë mendon?

- Për jetën më së shumti. Edhe për vdekjen.

Ra një heshtje për disa momente, s'po fliste njeri. Dukej sikur të dy donin të mendonin vetëm për yjet.

- Dhe çfarë mendon për vdekjen? - pyeti qetë duke marrë frymë thellë.

- Po ja, - nisi të fliste qetë, - si mund të jetë të mos ekzistosh?

Ktheu kokën nga ai duke pritur një përgjigje e duke e parë drejt e në sy. E gjelbra e ëmbël e syve të saj pasqyrohej nga disa drita të vogla aty në dhomë.

S'po dinte ç'të thoshte. Ishte një pyetje tepër e thellë.

- Të mos ndiesh asgjë. Ti të mos jesh më ti. Të mos jesh fare. Të zhdukesh.
S'e di. Njeriu s'mund të flasë me siguri rreth diçkaje që s'e ka përjetuar.

Ajo s'e shtyu të fliste më tepër. Mbylli sytë edhe vetë e po lëvizte ngadalë këmbët.

- Po ty çfarë pyetjesh të vijnë në mendje?

Qeshi lehtë. S'po shikonte gjë yje. As pyetje s'po i vinin ndërmend.

- Deri tani asnjë.

Ndenji për disa minuta pa folur. Ora në mur tregonte se ora dy po kalonte. Kishte shkuar vonë. Kur ktheu kokën për të parë Krisin, vuri re se atë e kishte zënë gjumi. Buzëqeshi lehtë, u ngrit dhe e mori atë në krahë.

E futi brenda në makinë. Vetë kaloi nga vendi i shoferit. S'kaloi shumë kur ndaloi para shtëpisë së tij. Do t'i sistemonte atje të katërt. Danit as që ia dinte shtëpinë, nuk e dinte as te cili apartament qëndronte Teo dhe përsa i përkiste Leos, s'kishte ndërmend që të trokiste te shtëpia e tij si pa të keq në mes në natës e aty të dilte i ati i tij i përgjumur, duke parë Leon në atë gjendje.

I vendosi të gjithë brenda në shtëpi. Kishte disa dhoma bosh. Leon dhe Danin i vendosi në një, po flinin së bashku. E dinte që të nesërmen Leo do ta falenderonte për atë gjë.
Ndërsa Teon e vendosi në një dhomë tjetër.
Dhe dihej që Krisin e mori te dhoma e tij.

U shtri bashkë me të në krevat e ajo hapte herë pas herë sytë e përgjumur. Akoma fliste përçart. Por në tavan si për fat të mirë nuk po shikonte yje.

I hodhi njërin krah Alanit.

- Je shumë i mirë, ta kam thënë më parë? - e pyeti duke qeshur e më pas e goditi lehtë në krah.

Qeshte kur e dëgjonte atë që fliste ashtu. Ta dinte që ajo do bëhej aq e lezetshme kur dehej, do bënte festa të tilla herë pas here.

Ranë në qetësi. Ajo s'po flinte. Shikonte me sy gati në të perënduar Alanin e psherëtinte thellë, si të ishte një person i mbushur plot me halle.

- Të dua, e di?

I buzëqeshi ëmbël. Ishte hera e parë që midis tyre ishte dëgjuar fjala "të dua". E puthi lehtë në buzë e më pas i pëshpëriti një "edhe unë". E përqafoi fort, mirë që e kishte atë, i dukej më bukur kur pranë tij qëndronte ajo.

- Por mund të dua edhe Teon, - i pëshpëriti ajo si në faj, duke bërë Alanin të mendohej për atë temë gjatë gjithë natës, pa vënë fare gjumë në sy.

A mund të duheshin dy persona njëkohësisht?

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now