30

1.4K 132 181
                                    

Të nesërmen që në mëngjes shkoi me Alanin te lokali i tij.
Ndonëse kishte sakrifikuar atë gjumin e ëmbël të mëngjesit e ishte ngritur nga shtrati duke u tërhequr zvarrë, përsëri e kishte ndjekur atë nga mbrapa.

Lokali s'kishte shumë minuta që ishte hapur prej punonjësve e klientë në atë kohë s'kishte fare. Ndihej mirë që s'kishte shkuar tek ai lokal në atë kohën kur mbipopullohet. Ndonjëherë turmat e mëdha të njerëzve e bënin me dhimbje koke, s'ishte person që pëlqente të qëndronte pranë shumë personave.

Shkuan me Alanin te dhoma ku ai qëndronte në atë lokal e ajo hapi telefonin e i çoi thirrje Leos, teksa ulej në një karrige pranë Alanit.
Por i vëllai, si person që nuk i pëlqente të zgjohej në mëngjes, s'po i përgjigjej. E kastile e telefonoi edhe disa herë të tjera. Fundja, i bënte mirë të zgjohej shpejt. E kishte ditën para, bënte ç'të donte. Në fakt ai s'ishte se kishte ndonjë gjë për të bërë, po gjithsesi, rëndësi kishte ideja.

  - Leo, - foli menjëherë sapo ai e hapi telefonin. - Teo do dalë sot nga spitali, apo jo?

Ai miratoi duke bërë një "ëhë" të përgjumur e s'shtoi fjalë tjetër.

  - Mirë atëherë, nxirreni nga spitali në darkë dhe në orën nëntë e gjysmë ejani këtu bashkë me të dhe me Danin. Por mos i trego gjë Teos. Le të jetë surprizë për të. Nuk është se do bëjmë ndonjë gjë që meriton vërtet të quhet surprizë, por aty rrotull vjen.

  - Pse e gjithë kjo? Me ç'rast?

  - Ashtu, kot. Do jetë bukur, diçka ndryshe.

  - Mirë. Po ti ku ishe mbrëmë? Apo tek Alani?

  - Po, do rri me të për disa ditë.

  - Për shkak të Elës?

  - Lëre, mos ma kujto më atë emër, mundësisht nxirre edhe nga shtëpia.

  - Lëre aman, se po më mban me të mira. Se ç'e ka gjetur, një e dy e vetëm më lëvdon. Jo po s'ka kushëri më të mirë se ty, jo po ti je si një vëlla për mua, jo kështu, jo ashtu.

  - M'u prish dita që në mëngjes, - foli e pakënaqur e duke shtembëruar pak buzët në shenjë mospëlqimi. - Mundohu t'i biesh sa më pak në sy. Seç ka një fiksim të poshtër ajo që i ndjek njerëzit si ndonjë shushunjë.

  - Mos ki merak. Do bëj aq sa mundem. Ik tani, se do fle. S'kam bërë shumë orë gjumë. Sa më prish gjumin kot ti mua për Zotin! Sikur s'më thoshe dot më vonë. Kush rri tani kot derisa ta zërë gjumi.

Buzëqeshi e vetëkënaqur. Sa i pëlqente kur e acaronte të vëllanë. Ishin momente të bukura ato të atillat. Zihej shumë me fjalë me të, e vërtetë, por ama përsëri e donte shumë dreqin.

  - E mirë, ik tani, do ta mbyll telefonin. Hajt, paçim,  - i tha e më pas ndërpreu linjën.

Vështroi nga xhami i dhomës që klientët po fillonin të vinin një nga një e psherëtiu thellë. Ishte mëngjes, e ajo duhej të priste deri në darkë për ta që të vinin. Ç'dreqin do bënte gjatë gjithë atyre orëve?...

***

Orët i kishin kaluar shumë ngadalë. Megjithëse ndihmoi Alanin me disa punë të vogla, u mor me disa nga përgatitjet e darkës, përsëri ora sikur kishte ngecur. Po e vërtetonte mirë faktin që ora s'ecën kur ti pret me ngulm diçka, por flututon kur ti dëshiron që ajo të ndalojë fare.

U ankua sa u ankua e le që lodhi edhe Alanin me ankesat e saj, por u lodh edhe vetë duke folur.

Më në fund lokali u boshatis fare e ata të dy filluan të rregullonin tavolinën dhe karriget ku do të qëndronin vetë. I vendosën atje gjërat që kishin përgatitur, ndezën disa drita fosforeshente, që e bënin mjedisin të dukej më bukur e në sfond ndërkohë luanin disa këngë të qeta, që do t'i shoqëronin gjatë asaj nate të bukur dimri.

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now