5

1.7K 161 153
                                    

Ndenji edhe pak në këmbë e pastaj, kur s'kishte ç'bënte, shkoi e u shtri në krevatin e tij pa problem fare.

  - Epo mirë, s'kemi ç'bëjme. Kështu paska dashur fati, të na mbyllte bashkë në një dhomë.

  - Po pra, gjithë këto forca hyjnore me këtë punë po merren, - ia ktheu Alani me ironi e i bëri me shenjë të ngrihej nga krevati, megjithëse ajo s'kishte ndërmend të ngrihej. - Tani, si zonjushë e mirë që je, ngrihu nga krevati e dil nga dritarja.

  - Dil vetë si zotëri i mirë që je! Ç'më duhet mua me ty fundja fundit.

  - Kjo është shtëpia ime, dhoma ime, si rrjedhojë, rregullat e mia. Tani dil!

  - Iiii, sa njeri i ndyrë që paske qenë! Do dal, sikur ngela unë që të qëndroj në një dhomë me ty! Shpifësirë!

U ngrit nga krevati me macen në dorë e këtë të fundit ia drejtoi atij.

  - Merre. Po dallove që të ketë alergji, lëshoje menjëherë.

Shkoi te dritarja dhe e hapi atë. Shikoi njëherë poshtë me frikë e sa u bë gati të mos hidhej, shikoi fytyrën e Alanit e sikur mori forcë.

  - Po vdiqa, i lë amanet maces të t'i nxjerrë sytë!

  - Pa merak, të dy do më dalin vendit.

Vendosi këmbët te parmaku i dritares duke injoruar atë e u hodh te pema që ishte aty pranë. E përqafoi atë aq fort prej frikës, sa s'po e mendonte fare faktin se kishte disa spica të vogla që kishin dalë prej drurit e po e shponin.
Njërën këmbë e pozicionoi te një degë, ndërsa këmbën tjetër te një degë tjetër.

Ktheu kokën nga dritarja e atje shikoi Alanin që po e vështronte duke qeshur.

  - Bravo, këtu fitove çmimin si majmuni më i mirë i vitit.

Hoqi menjëherë kokën nga ai e vështroi poshtë. U bë gati të vendoste këmbën te dega tjetër e në momentin që e bëri atë gjë, dega u thye e asaj njëra këmbë i ngeli në ajër e këmba tjetër te dega që do thyhej së shpejti.

  - Do vdesss! - bërtiti me të madhe. - Do vdes o Zot do vdes!

Ai i bëri me shenjë të mos bërtiste e ajo pushoi menjëherë, megjithëse e ndiente akoma atë dëshirën që të bërtiste derisa të çirrej.

Dëgjoi që dera e dhomës së tij u hap e në mos gabohej, brenda kishte hyrë e motra. Siç dukej Leo donte të dukej sikur s'e kishte mbyllur ai derën.

  - Çfarë ndodhi? Ku është Krisi?

  - Për momentin Krisi është e zënë vogëlushe. Ka një punë aty jashtë te pema. Kur të mbarojë, do vijë te ju.

Ajo doli pa thënë gjë tjetër e në ato momente Kristeni filloi të fliste përsëri.

  - Dil menjëherë poshtë që të më mbash kur të hidhem. S'kam ndërmend të ngelem me këmbë të thyera.

Pa një, pa dy, ai doli nga dhoma duke psherëtirë thellë e zbriti shkallët me të shpejtë.
Kaloi nga prindërit e tij e të Kristenit pa u vënë re e doli nga shtëpia.
Bëri disa hapa rreth shtëpisë e kur më në fund e gjeti atë që përpiqej me gjithë shpirt që të mbahej te pema, sforcoi veten që të mos i dilte ndonjë e qeshur.

Shkoi atje me hapa të ngadaltë sikur të kishte gjithë kohën e botës e ndaloi në fund të pemës.

  - Tani do hidhem, - i tha ajo kur vështroi atë që qëndronte disa metra më poshtë. - Më kap ama. Se mos më lë të bie në tokë!

  - Thjesht hidhu, mos u mendo kaq shumë.

Ajo hoqi këmbën nga pema e më pas duart. I dukej sikur po fluturonte e për një moment  mendoi të këndonte këngën "I believe I can fly, I believe I can touch the sky", por e fshiu menjëherë atë mendim nga mendja në çastin kur u përplas me trupin e tij.

U rrëzuan të dy bashkë, por kishte një ndryshim të vogël; ajo kishte rënë rehat-rehat pa u vrarë fare, se po qëndronte sipër tij, ndërsa ai rënkonte nga dhimbja që i ishte shkaktuar te kurrizi kur ishte ndeshur me tokën.

  - Alani duhej të ishte sipër! - u ankua dikush që nga dritarja e kur ajo ktheu kokën, vuri re Leon që se ç'bënte disa shenja të kota me duar.

Sa do bëhej gati t'i thoshte ndonjë nga ato budallallëqet e saj, foli Alani.

  - A s'ishit të dashur ju të dy?

Leo s'foli për një kohë. Vështroi njëherë Kristenin e sforcoi një të qeshur.

  - Harrova. Harrova që kam të dashur. Këto kohët e fundit më duket se po më ze skleroza.

Iku menjëherë që nga dritarja e më nuk i dëgjuan as zërin, as fytyrën s'ia panë.

Ajo u ngrit e inatosur e po pastronte bluzën në të cilën ishin ngjitur disa gjethe të vogla.
Filloi të bënte hapa për te shtëpia e në ato momente dëgjoi zërin e tij.

  - Po mua s'do më ndihmosh të ngrihem?

  - Mundësisht dua të të vendos shkelmin e të të lë aty përjetësisht!

U fut brenda në shtëpi e u ul në njërin nga kolltukët që ishin bosh.

  - Ku është Alani? - pyeti e ëma e tij.

  - Është jashtë, kishte një punë. Besoj se do vijë së shpejti, - iu përgjigj Kristeni me një buzëqeshje të shtirur për të përforcuar atë aktrim. - Gjithsesi, mendoj se tani duhet të largohem. Natën e mirë.

Takoi edhe njëherë ata të dy, mori macen që po e mbante Leo në dorë e doli nga shtëpia.
Aty u takua me Alanin. Inati i një minute më parë i ishte zhdukur.

  - Shihemi nesër, Alan.

Ai s'i tha gjë. Ajo u nis për te shtëpia e saj e hyri brenda duke qeshur. Edhe ajo ditë kishte kaluar.
Shpresonte se të nesërmen do të kishte një ditë akoma më të bukur.

Një magji për dashurinëDove le storie prendono vita. Scoprilo ora