24

1.3K 135 50
                                    

Kur u zgjua, Alani s'ishte në shtrat. Me shumë mundësi duhej të kishte shkuar në punë. Në komodinë gjeti një letër, siç e kishte gjetur edhe herën e parë kur kishte fjetur në dhomën e tij.

E mori letrën përgjumësh.

"Sot do kthehem më shpejt nga puna. Ndoshta nga ora tre ose katër. Shpresoj të të gjej aty.
P.s. Mëngjesin e ke gati. Uroj të të pëlqejë."

Aty pranë ku kishte gjetur letrën, ishte edhe një pjatë me fruta e ushqim.
Qeshi lehtë. Mirë që dinte Alani të gatuante se ajo s'ishte për gatim.
Pasi u bë gati dhe mbaroi ushqimin, shkoi tek e ëma. Donte ta pyeste se kur do deklarohej dëshira për martesë.

  - Dje ajo tha se do t'i thoshte Alanit sot, - tha e ëma duke folur për mamanë e Alanit. - Më pas mund të shkojmë edhe ne andej, të qëndrojmë për pak minuta.

Ajo lëvizi kokën në shenjë miratimi e iku në dhomën e saj.
Kontrolloi në dhomë për macen e ajo e shkreta kishte hyrë brenda dollapit të veshjeve e s'dilte dot, vetëm mjaullinte. E hapi dollapin e macja doli duke mjaullirë e duke ngritur bishtin. Iu përkëdhel njëherë Krisit te këmbët si në shenjë falenderimi e pastaj shkoi te dritarja që të vështronte jashtë.

I shkoi maces mbrapa. Që nga dritarja vështroi Teon teksa dilte nga pallati ku kishte marrë hyrjen me qera. Doli menjëherë jashtë e i shkoi atij pranë duke vrapuar me kujdes që të mos rrëshqiste në akull.

  - Teo, - tha duke u mbushur me frymë e ai ktheu trupin duke vështruar atë konfuz. - Kërkoj ndjesë në emër të Alanit. S'mendoja se ajo gjë do të arrinte deri në atë pikë.

  - S'ka problem, i jap të drejtë në njëfarë mënyre. Edhe unë njësoj do reagoja po të isha në vendin e tij, më beso, - foli duke buzëqeshur si të donte të tregonte se ato që po thoshte ishin plotësisht të vërteta.

  - Ku po shkoje ti? - pyeti duke ecur në krah të tij e ai shkundi supet.

  - S'e di, ku të më shpjenë këmbët, s'kam ndonjë destinacion të përcaktuar.

  - Aha, mund të vij me ty po s'e pate problem?

  - Unë s'e kam, por ndoshta mund ta ketë Alanit, - iu përgjigj me një buzëqeshje të vogël në fytyrë e sjellja e tij e bënte Krisin të ndihej keq.

Megjithëse ai s'kishte aspak faj, përsëri ishte ai që po vuante në atë mes. Por edhe ajo s'kishte ç'të bënte. Ose do shkonte me dikë që s'e donte më, ose me tjetrin për të cilin kishte ndjenja. Dhe dihej që do zgjidhte atë të fundit.

  - Edhe po ta ketë problem Alani, s'e kam problem unë, pa merak.

Para se Teo të mund të fliste, ajo e ndërpreu kur vështroi nga larg të vëllanë.

  - Po vjen edhe Leo këtu.

Ai iu erdhi pranë si gjithmonë duke qeshur.

  - Kam një lajm të mirë! - thirri i entuziasmuar e duke i lënë ata të dy të mendonin se ç'ishte ajo gjëja që e kishte gëzuar aq shumë. - Gjejeni çfarë lajmi.

  - Lajm të mirë për veten apo edhe për ne të tjerët? - e pyeti Krisi.

  - Po po, edhe për ju të tjerët, posi! Për veten e kam.

  - Mos më thuaj që je lidhur me Danin dhe ajo as që ka tentuar të më thotë gjë?!

Ai pohoi duke përqafuar Krisin i gëzuar.

  - Më në fund! Të paktën s'do lutem më natën që të më dali në ëndërr sikur jemi të lidhur.

Teo qeshi e tundi kokën lehtë.

  - Si thoni sikur të shkojmë te lokali i Alanit? Do më pëlqente sikur ta festonim këtë gjë.

  - Ju shkoni po të doni, unë kam punë për të bërë, - tha Teo qetë-qetë duke e gënjyer atë; fundja fundit, ai s'kishte ndonjë gjë për të bërë.

  - Të paktën sot mos ma prish Teo. Pastaj, ç'ne që po kundërshton? Herët e tjera edhe sikur të kishe punë vije menjëherë.

  - Sikur s'jam edhe aq në qejf sot për t'u mbyllur në ndonjë lokal. Do më pëlqente më shumë sikur të ecja.

  - Mos u lodh kot duke kundërshtuar, dihet që do vish.

U drejtuan të tre për tek Alani. Gjatë rrugës nuk folën fare. Teo dhe Krisi qëndronin në qetësi duke parë përpara, ndërsa Leo qëndronte në telefon dhe me shumë mundësi ishte duke folur me Danin. Herë pas here qeshte e ata të dy e vështronin kuriozë.

Duke ecur, ai s'e kishte dalluar një shtyllë që i qëndronte përballë. U përplas me të e telefoni i ra nga dora.

  - Kërkoj ndjesë, - foli duke marrë përsëri telefonin e ata të dy ndërkohë po qeshnin, - nuk ju pashë.

Vazhdoi rrugën me kokën ulur përsëri e si për çudi s'e dalloi që ishte përplasur me shtyllën.

  - I çmendur, - pëshpëriti ajo duke qeshur.

Arritën te lokali i Alanit e ajo u kujtua menjëherë se s'mund të hynte atje kur pa rojet e lokalit. U fsheh mbrapa Leos.

  - Leo, më mbulo pak sa të mos më shohin ata rojet.

  - Pse?

  - Se ai shoku yt është aq i mirë, sa u ka thënë atyre të mos më lejojnë të hyj brenda.

  - Mirë ta paska bërë, - foli ai serioz e ajo e vështroi vëngër.

Hynë brenda shpejt e shpejt e më pas ajo u ul në një karrige duke psherëtirë e kënaqur.

  - Tani merre në telefon Alanin, thuaji të vijë këtu, - iu drejtua Leos e ai e telefonoi pa humbur kohë.

Ai erdhi pas fiks pesë minutash e dihej që do t'i thoshte Krisit ndonjë gjë për hyrjen në lokal, por harroi fare kur pa Teon. S'tha gjë, u ul pranë Krisit e qeshi.

  - Kujt i detyrohem për këtë vizitë të këndshme? - tha me një buzëqeshje në fytyrë e duke parë nga ata të tre.

  - Mua! U lidha me Danin. Më takon një mëngjes falas, si thua?

  - S'po ta prish o lypësar s'po ta prish.

  - Hë mor hë edhe ti. Një gjë të të them unë dhe ti gjithmonë më bën lypësar. Ik se ma prishe terezinë. Do t'i paguaj lekët, mos ki merak.

Alani qeshi e ktheu kokën nga Krisi. I hodhi njërin krah supeve e ajo mbështeti kokën në supin e tij.

  - Po ju të dy? Apo do ta bëni zyrtare lidhjen tuaj? Po ashtu na thoni që të fillojmë të bëjmë gati përgatitjet e martesës, - ia hodhi fjalën me kunjë Leo, megjithëse Alani s'e kapi.

  - Martesë? Më duket pak shpejt në fakt. Madje shumë shpejt. Kohë ka plot, - qenë fjalët e tij që shkaktuan një boshllëk në stomakun e saj.

Tashmë s'ndihej më e sigurt nëse duhej t'ia tregonin Alanit planin e martesës. Po sikur ai të inatosej?

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now