34

1.2K 147 63
                                    

Në mëngjes, direkt pasi mbaroi mëngjesin bashkë me Teon, doli prej apartamentit të tij, zbriti shkallët me të shpejtë pa pritur për ashensorin e nxitoi të shkonte te shtëpia e Alanit.

Trokiti disa herë fort e duke marrë frymë thellë, nga frika se mos ndoshta ai kishte ikur në punë.
Kaluan dy minuta që i binte derës pa pushim, aq sa edhe duart filluan t'i dhimbnin.
Ai e hapi derën e vështroi atë i çuditur. Dukej përsëri sikur s'kishte vënë gjumë në sy. Ishte më i lodhur seç ishte dje. Sytë i kishte të lodhur e dukej se ishte i mërzitur.

  - Mirëmëngjes, - i foli ajo duke u përpjekur të buzëqeshte e u fut brenda pa pritur për të që t'i thoshte ndonjë gjë.

Fjalimin që do t'i bënte Alanit e kishte përgatitur që dje, por i dukej sikur do ta harronte nga çasti në çast se çfarë duhej të thoshte.

  - Atëherë, - foli duke kapur duart së bashku e duke ulur kokën për të mos ndeshur shikimin e tij, - e di që erdha shumë më shpejt seç e mendoje, por s'kisha nevojë për më shumë kohë. U mendova shumë mbrëmjen e kaluar dhe s'kam pse gënjej, Teo ishte ndihmesa ime më e madhe.
Mendoj se kam reflektuar siç duhet në këtë marrëdhënien tonë paksa të çuditshme. Jam e sigurt për ato që ndiej kundrejt Teos dhe akoma më e sigurt për ato që ndiej për ty.
Si fillim, dua të të kërkoj falje për të gjitha gjërat me të cilat të kam prishur punë e të kam konfuzuar. Më beso, s'jam ndier më mirë se ti.
Së dyti... Prit pak, se harrova si vazhdonte... - tha teksa mendohej e ai qeshi lehtë duke kryqëzuar duart kurioz e duke e vështruar atë plot dashuri. - Ah, po, së dyti, besoj se mund të them me plot gojë se për Teon nuk ndiej atë që ndiej për ty. Teo meriton dikë më të mirë se unë, jam e sigurt për këtë, madje edhe për ty mund të them të njëjtën gjë, por gjithsesi, nuk është kjo ajo për të cilën dua të flas tani. Teon s'dua ta kem gjë më tepër sesa një shok të ngushtë, ndërsa ty shumë më tepër sesa një shok, si personin me të cilin dua të kaloj gjithë vitet e tjera të jetës sime.
Dhe së treti, as që më interesojnë mendimet e tjerëve, kryesisht ato të Elës. Po s'e largova atë që sot nga shtëpia, më mirë ia ve benzinën dhe e djeg fare.

  - S'e dija që dashuria të bënte të vrisje njerëz, - ia ktheu ai me të qeshur e më pas e përqafoi. - Më mirë që erdhe që sot, të them të vërtetën fillove të më mungoje vetëm për një natë.

  - Pra, tani quhemi plotësisht të lidhur?

  - Besoj se po, - ia ktheu ai duke e puthur tërë mall, thuaj se kishte ndenjur me vite larg saj.

  - Duhet të shkosh në punë, - foli ajo pas disa çastesh duke marrë frymë shpejt e duke ndërprerë atë moment të bukur.

  - S'më intereson fare puna para teje. Në djall le të shkojë. Tani dua të rri me ty.

E puthi përsëri. I dukej sikur nuk mund të ngopej dot me aq pak. Shpupuriti me njërën dorë flokët e saj, të cilët ajo i kishte rregulluar me aq kujdes për të mos lënë paraqitje si ndonjë vajzë dembele që përtonte të rregullonte veten (faktikisht e tillë ishte) e dorën tjetër e mbante të vendosur te beli i saj që ajo të mos largohej, ndonëse ajo diçka të tillë s'kishte ndërmend ta bënte.

  - Prit të marr frymë njëherë, - foli ajo duke u shkëputur prej tij e ai qeshi duke normalizuar edhe vetë frymëmarrjen.

Vendosi kokën në kraharorin e tij e mbylli sytë qetësisht.
Pasi ndenji edhe disa minuta në atë gjendje, ia vendosi dorën në shpatull e u shkëput prej tij.

  - Tani e kam sinqerisht, shko në punë, edhe unë duhet të merrem me Elën.

  - Ka kohë plot për t'u marrë me të.

  - Ka dhe plot kohë për t'u marrë me ty.

  - Po sikur gjatë rrugës për në punë të bëj ndonjë aksident e më pas të vdes?

  - Mjaft mendove të tilla gjëra! - ia ktheu e inatosur duke i dhënë një të goditur në krah. - Tani do ik dhe mos harro të më telefonosh kur të mbërrish në punë. Mos më frikëso kot e mos më detyro të të vij te puna.

I drejtoi gishtin tregues si për t'u dukur pak më tepër autoritare e pasi ngriti pak majat e gishtave të këmbëve për ta puthur, u largua me të shpejtë nga shtëpia e tij duke buzëqeshur.

Trokiti te dera e shtëpisë së saj e atje i doli pikërisht Ela.

  - Oh, mirë se erdhe!

  - Oh, mirë se të më ikësh nga shtëpia! - ironizoi ajo dhe e kapi atë nga krahu për ta çuar në dhomën e saj, ku mund të fliste e qetë, pa u shqetësuar se ndoshta vëllai i saj spiun mund ta dëgjonte.

  - Më lësho, po më vret!

Lëshoi krahun e saj dhe mbylli derën duke kryqëzuar më pas duart.

  - Shiko, po ta them me të butë, s'dua të filloj të bërtas apo të të bëj ndonjë gjë tjetër.
Largohu që sot nga kjo shtëpi, më beso kur them se megjithëse nuk qëndroj këtu, vetëm ideja se në shtëpinë time ndodhesh ti, më acaron. Dhe mos bëj gafë të hapësh gojën vend e pa vend për lidhjen që kam pasur me Teon. Të thashë edhe më parë, ti e di që mund ta postoj kollaj fare atë video në çdo rrjet social të mundshëm dhe s'do të më vijë aspak keq për ty. E në fakt keq më vjen vetëm për prindërit e tu, që mundohen ditë e natë në punë, vetëm e vetëm që të t'i përmbushin ty ato tekat e tua prej llastice. E kupton se ç'mund të të ndodhë po e postova atë video? Do jesh përfundimisht e nxjerrë prej shtëpisë sate e me shumë mundësi më vonë do marrësh dhe ndonjë sëmundje seksualisht të transmetueshme.
Me kaq do ta mbyll, se po më duket vetja si ndonjë prind.
Por, të mos harroj, mund të të ofroj dhe ndihmën time për të të bërë gati valixhen e veshjeve. Si thua?

  - Do ik Kris, do ik. Sikur s'ka meshkuj plot që të rri të merrem me ata dy tëndit unë.

  - Unë s'thashë që të mos merresh me këta të mitë e të vazhdosh të merresh me të tjerë. Për të mirën tënde e kam. Lëre këtë punë, se dëm do t'i bësh vetëm vetes sate.

  - S'më intereson fare! Dhe sa për lidhjen që ke pasur me Teon, s'do tregoj gjë. Dhe as që kisha ndërmend të tregoja në fakt. Po të doja të të prishja punë ty, atë gjë do t'ia tregoja vetëm Alanit. Fatkeqësia ime që ai e dinte që më parë atë gjë.

  - Faleminderit që po flet kaq hapur, - vazhdoi po me atë ton ironik, - po ma bën për borxh.

  - Të lutem, s'dua të ndihesh në borxh me mua.

  - Si të duash. S'kisha ndërmend për ndonjë gjë gjithsesi.

  - Llasticë! - mërmëriti ajo e inatosur e shkoi me të shpejtë te dollapi i saj i veshjeve për të bërë valixhen gati.

Krisi doli nga dhoma. Priti derisa ajo doli nga dhoma bashkë me valixhen ndër duar e më pas e vështroi teksa dilte nga shtëpia pa e vënë re njeri.
Pra, puna e Elës kishte mbaruar.
I dukej sikur kishte hequr një barrë të rëndë prej krahëve e për atë gjë ndihej mirë.

Mori frymë thellë. Do shkonte direkt tek Alani. Ishte e sigurt që ai s'e kishte telefonuar, vetëm sepse donte që ajo t'i shkonte në lokal.
Buzëqeshi me atë mendim.
Sa shumë që e donte! Ndihej me fat që e kishte pranë. Gjithmonë do të ndihej.

Një magji për dashurinëWo Geschichten leben. Entdecke jetzt