26

1.2K 138 46
                                    

U drejtua për në spital. Alani le të bënte ç'të donte, në ato momente donte të shkonte te Teo.
Hyri në spitalin e ngrohtë e pak më tutje pa Leon, që qëndronte ulur te stoli ngjyrë blu tepër të errët. I shkoi afër me hap të shpejtë e njëkohësisht duke hezituar.

  - Kris, - pëshpëriti ai emrin e saj kur e dalloi atë dhe më pas e përqafoi.

  - Si është? - pyeti e merakosur, por duke bërë çmos që ta fshihte atë fakt prej tij.

  - Nuk më thonë gjë akoma. I kam pyetur disa herë, por çdo herë më thonë të njëjtën gjë; Prit derisa të dalë vetë doktori.

Psherëtiu e u ul së bashku me të në stol.
Akrepat e orës përballë i dukeshin sikur lëviznin ngadalë, tepër ngadalë. Ishte shumë e mërzitshme të prisje për diçka e ndërkohë koha zor se kalonte.

U ngritën përsëri të dy kur doktori u afrua pranë tyre. Ai u bëri me shenjë të uleshin prapë e ata të dy s'kundërshtuan. Ishin të lodhur, jo fizikisht, por mendërisht.

  - Si shkoi operacioni?

  - Mirë, jo keq. Pacienti s'i ka hapur akoma sytë, por mos u shqetësoni, s'ka asgjë për të cilën të jeni në merak. Përveç disa shembjeve dhe thyerjen e kockës në krah, ai s'ka asgjë tjetër që i është dëmtuar.

  - Kur mund të zgjohet?

  - Kjo mund të ndodhë edhe brenda ditës, është thjesht çështje force për të dhe çështje durimi për ju. Mund të hyni në dhomën e tij po të doni. Ndodhet në katin e dytë, dhoma numër 27.

Ai u largua duke iu buzëqeshur e ata të dy u ngritën për t'u drejtuar te Teo. Kur hynë brenda në dhomë, ranë në qetësi. Ishte siç iu kishte thënë doktori; ai ishte plotësisht pa ndjenja.

Krisi u ul në një kolltuk e nxorri ngadalë, pa bërë zhurmë, telefonin nga çanta. E çoi te kontaktet e telefonoi Alanin. Shpresonte që ta hapte telefonin, shpresonte shumë. Në fillim ai s'iu përgjigj, derisa telefonata u mbyll nga sekretaria telefonike.

Provoi përsëri. Do bënte përpjekje derisa ai të përgjigjej.
E kur pas shumë përpjekjesh do dorëzohej e pafuqishme, dëgjoi një si klik të lehtë që tregonte se ai e kishte hapur, por s'po thoshte asnjë fjalë.

Doli nga dhoma me të shpejtë, duke i bërë me shenjë Leos që do dilte pak jashtë e nxitoi për të dalë në ajrin e freskët të asaj dite.

Po merrte frymë thellë nga nxitimi e megjithëse s'po i fliste atij për pak çaste se donte të normalizonte frymëmarrjen, ai përsëri s'po e mbyllte telefonin.

  - Ku je? - pyeti pak a shumë ftohtë, por thellë-thellë ishte kurioz të dinte arsyen se pse ajo po gulçonte në atë lloj mënyre.

  - Në spital, - iu përgjigj me zë të ulët e duke bërë një frymëmarrje të thellë.

  - Pse?

Në zërin e tij arriti të dallonte një farë butësie, sikur menjëherë i iku ai toni i rreptë e iu zëvëndësua me një ton të butë, e asaj iu krijua një ndjenjë ngrohtësie nga brenda e një buzëqeshje e lehtë dhe e çiltër iu vendos në fytyrë.

  - Teo bëri aksident, - vazhdoi të fliste me po atë zë të qetë e gjëja e vetme që donte në ato momente, ishte të ndiente ngrohtësinë e krahëve të tij, që e kishte si ngushëllim në të tilla kohë.

Ai për një kohë s'foli. Pati përshtypjen se s'po vendoste dot ç'të bënte; të qëndronte atje ku ishte apo të linte mërinë ndaj saj dhe ndaj Teos e të vinte t'i shihte?

  - Eja, të lutem, - i pëshpëriti me ton lutës dhe mbështolli mirë pallton pas trupit prej të ftohtit.

Nga ana tjetër e telefonit u dëgjua frymëmarrja e thellë që bëri ai e më pas pëshpëriti një "në rregull" dhe e mbylli telefonin pikërisht në kohën kur ajo do t'i thoshte vendin e spitalit.

  - Po ti s'e di as ku të vish, - tha ajo me zë të ulët e u bë gati t'i shkruante mesazh, kur s'kaluan as dy minuta e pranë vetes dalloi një hije personi.

Ngriti kokën e çuditërisht pa atë. U ngrit menjëherë e habitur.

  - Çfarë.... Ke qenë këtu që prej fillimit?

Vendosi buzën në gaz.

  - Po, të ndoqa, - i foli duke iu afruar dhe e mbështolli me krahët e ngrohtë, duke bërë që koka e saj të qëndronte në kraharorin e tij, që lëvizte ritmikisht prej rrahjeve të qeta të zemrës.

Mbylli sytë lehtë e buzëqeshi e lumtur. Përqafimi i tij i duhej në ato momente. Ndonëse s'kishte kaluar shumë kohë qëkur e kishte ndier përqaimin e tij, përsëri i dukej sikur kishin kaluar ditë.

  - Si është Teo?

  - Mirë është, por s'është zgjuar akoma. Doktori tha se mund të zgjohet edhe sot, - iu përgjigj pa denjuar fare që të lëvizte prej krahëve të tij; diçka të tillë s'e donin të dy.

Ai vendosi dorën e tij në flokët e saj e po e lëvizte ngadalë. I la një puthje të ëmbël në ballë e u përqafuan sërish, më fort.

  - Më vjen keq. Duhet të të kisha treguar më parë për martesën, - foli si e vënë në faj e ai vendosi buzën në gaz përsëri.

  - Oh, mos e vrit mendjen. Nuk jam mërzitur aspak me ty.

Lëvizi menjëherë prej tij dhe e vështroi drejt e në sy e habitur, por më tepër e inatosur.

  - Po atëherë ç'më bëje si ndonjë femër e vështirë qëparë? Unë të thosha të ndaloje, ti hiç.

Alani qeshi e lëvizi kokën sa majtas-djathtas duke u afruar përsëri tek ajo e duke i dhënë një përqafim tjetër.

  - Isha mërzitur me prindërit. Më kanë çmendur me mblesëritë. Një e dy e çdo herë më sjellin nga ndonjë femër në shtëpi që të lidhem me të. S'jam kalama. Mund ta gjej vetë dikë që më pëlqen.

  - Si për shembull mua, - tha ajo me përkëdheli e vendosi duart në belin e tij, kokën e vendosi te vendi që e kishte qëparë, te kraharori i tij.

Ai bëri vetëm një "ëhë" duke buzëqeshur e s'shtoi gjë tjetër për atë temë.
Ndenjën ashtu të përqafuar deri kur filloi të binte borë e era të frynte si e çmendur. U futën në spital të dy, të kapur dorë për dore e u drejtuan për te dhoma e Teos.
Para se të hynin brenda, duke qëndruar te dera ngjyrë qumështi, ajo shkëputi dorën e saj prej të tijës.

  - Shiko, e di që Teo nuk e përjeton edhe aq mirë faktin që jemi të lidhur. S'dua të bëj veprime të tilla para syve të tij. Nëse është zgjuar, do të jetë më mirë sikur të na shohë si dy shokë, sesa si të dashur.

Ai u mendua një hop. S'ia kishte edhe aq ënda të bënte ashtu siç thoshte ajo, por s'kishte ç'humbte.
Pohoi lehtë me kokë e ajo u bë gati të hynte brenda në dhomë, kur ai i kapi dorën, e tërhoqi ngadalë drejt vetes dhe e puthi ëmbël, ashtu si çdo herë tjetër, me po të njëjtën butësi, por me më shumë dashuri.

Vendosi duart në faqet e saj që ishin skuqur prej të ftohtit e më pas u largua.

  - Tani mund të hyjmë, - tha duke hapur derën e duke hyrë brenda i ndjekur nga ajo.

Dhe doli siç Krisi e kishte imagjinuar; Teo ishte zgjuar.

Një magji për dashurinëWhere stories live. Discover now